Bojkoti dhe pushteti i shformuar
Kriza politike në vend identifikohet shpesh me bojkotin e Parlamentit nga ana e opozitës. E vërteta është se bojkoti i opozitës vetëm sa e vë në dukje krizën. Përbën mjetin për ta bërë të prekshme dhe shqetësuese krizën në vend. Kështu, në dukje bojkoti duket se e kompromenton opozitën me veprime antidemokratike. Kjo do të ishte e vërtetë në kushtet e ekzistencës dhe të funksionimit të demokracisë. Po të nisemi nga shkaqet që imponojnë opozitën për bojkot parlamentar, përfshi këtu edhe pengesat e dala për mosrealizimin e kërkesave të saj, atëherë lehtësisht kuptohet se bojkoti është katërcipërisht i justifikuar.
Parimisht shkaku i bojkotit në rastin konkret lidhet me themelin e demokracisë pluraliste: lirinë, fshehtësinë e votës dhe transparencën mbi të. Askush nuk mund të vërë në dyshim se këto elemente të së drejtës bazë politike të qytetarit shqiptar janë deformuar deri në atë shkallë saqë produkti i saj, pushteti është i shformuar.
Opozita gjithashtu është e qartë në kërkesat e veta. Së pari, duke kërkuar transparencën e votës në këto zgjedhje, kërkon t’u jap fund mashtrimit, deformimit dhe manipulimit elektoral në përgjithësi në vitet në tranzicion. Kjo për arsye se këto veçori të demokracisë nga një palë zgjedhjesh në tjetrën po kthehen në sistem me pasojë: demokracia në vend të jetë formale, ose e viktimizuar nga krimi i organizuar në shumë plane. Pra, opozita kërkon me këtë akt ristrukturimin, ose më saktë formatimin dhe shëndoshjen e bazës së demokracisë që është legjitimiteti real i votës. Dhe ky akt nuk lidhet thjesht me të apo me pushtetin e saj, por me thelbin e demokracisë në vend. (Politika e ka katandisur shqiptarin e shkretë ta shesë votën, atë që i jep të drejtën të ndihet i barabartë dhe i pushtetshëm një herë në katër vjet, me vlerën e 50 apo 100 eurove, një thesi me miell, një premtim për një vend pune...).
Së dyti, opozita deklaron se nuk dua pushtet në tavolinë. Kjo do të thotë se nisur nga argumentet e opozitës kutitë fshehin një rezultat tjetër politik. Por ajo nuk kërkon ndërrimin e pushtetit politik në tavolinë, pa u shembur më parë sistemi që prodhon pushtet të deformuar. Pra, detyrimisht kërkon zgjedhje të reja me rregulla strikte që garantojnë të drejtat kushtetuese të votës.
Këmbënguljen e opozitës për hapjen e kutive e përforcon më shumë këmbëngulja e pozitës për të mos i hapur ato.
Pozita në qëndrimin e vet i referohet Kushtetutës dhe vendimeve të gjykatave. Sipas parimit universal të funksionimit të çdo ligji, çdo gjë që nuk ndalohet lejohet. Pra, cili akt ligjor ndalon transparencën e numrit të votave?! Asnjë. Përkundrazi, është fondamentale dhe kushtetuese e drejta e individit për t’u informuar për veprimet e të tjerëve pa le pastaj të vetin. Aq më tepër që në ligjin elektoral çështja e garantimit të transparencës së votës përbën thelbin e mirëkuptimit paraelektoral midis pozitës dhe opozitës.
Së dyti, në kushtet kur gjykatat shqiptare marrin anatemanë e të gjithëve si mëkatarët më të mëdhenj në lidhje me fatin e drejtësisë në vend, si vegla qore të pushtetit dhe të interesave të paprincipta e meskine etj., është absurde të kërkosh respektimin e vendimeve të saj në lidhje me transparencën e votës. Edhe referenca te kushtetuesja është e pavlerë, për arsye se ajo nuk mori ndonjë vendim për mosnumërimin e votave, por thjesht konfirmoi vendimet e gjykatave të shkallëve paraardhëse, sigurisht të kontestuara.
Së treti, këmbëngulja për një kohë të gjatë e opozitës për të mos njohur rezultatin zgjedhor dhe pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në veprimet e saj protestuese, nuk mundet kurrsesi të gjykohen antiligjore dhe antikushtetuese. Në të kundërt do të duhet të konsiderohen antiligjore e antikushtetuese edhe demonstratat e dhjetorit ‘90, në raport me ligjet e kohës në fuqi, apo çdo lëvizje tjetër në botë që kërkon rrëzimin e një diktature apo të një pushteti antidemokratik, apo ndryshimin e një ligji që një grup i caktuar shoqëror e quan të padrejtë.
Pra, thelbin e krizës duhet ta kërkojmë te qëndrimi i pozitës, e cila nuk bën demarshe për respektimin e një të drejte legjitime të opozitës, e drejtë e pamohuar nga asnjë institucion ligjor dhe e lejuar nga e drejta universale.
Nëse pozita u beson konkluzioneve të gjykatave dhe institucioneve të tjera që u morën me procesin zgjedhor dhe i dhanë asaj fitoren, atëherë çdo ta gjejë pozitën nga një rinumërim votash. Aq më mirë për të. Do t’i jepte opozitës një shuplakë me përmasa botërore dhe për vete do të legjitimohej katërcipërisht. Pozita, në një rast të tillë, nuk mund të marrë pozicionin e një fëmije tekanjoze. Dhe as i lejohet që për një kapriçio të tillë të vë në dyshim, (qoftë edhe pas opozitës sipas saj) kredibilitetin e vendit në përpjekjen e tij për t’u integruar në BE.
Një qëndrim i tillë e ngarkon pozitën me peshën e madhe të përgjegjësisë së palës së interesuar për të mbajtur në këmbë një sistem zgjedhor lehtësisht të manipuluar dhe të dyshuar.
Pozitën e vë në pozicion inferior edhe argumenti i përdorur se procesverbalet e kontestuara i kanë firmosur edhe anëtarë të opozitës nëpër komisione. Kjo është më shumë komprometuese për pozitën. Kur opozita thotë të shkallmohet sistemi i kalbur i vjedhjes dhe i deformimit të votës, nuk ka parasysh vetëm njerëzit dhe instrumentet e pozitës, por sistemin në tërësi, në të cilën bëjnë pjesë edhe njerëzit e saj. Përpjekja e pozitës për t’u fshehur pas njerëzve të opozitës së përfshirë në këtë batak e komprometon atë më keq si shkaktare të manipulimit. Dhe do të ishte tmerrësisht e pafalshme nga opozita nëse nuk do të kërkonte dënimin e tyre.
Po ashtu, pozitën nuk e ndihmon aspak ndonjë deklaratë e perëndimoreve që dënon bojkotin e opozitës. Në thelb, deklaratat e tyre flasin për krizë politike në vend, që do të thotë se në të janë përfshirë të dyja palët.
Në këtë aspekt, më e rëndësishme është shëndoshja e sistemit demokratik në vend se sa mbulimi i defekteve kaq të rënda të kthyera në sistem mbytës të demokracisë, në emër gjasme të integrimit të vendit. Një molle të krimbur nuk i mjafton ngjyra nga jashtë për të qenë e shëndoshë.
Kjo do të thotë se opozita mori një kosto shumë të lartë përsipër. Dhe nëse ajo nuk ndihmohet edhe nga pozita, forcat e tjera politike e jo, nga institucionet e nga media në vend për t’ia dalë mbanë, atëherë loja nuk është e humbur as personalisht nga Edi Rama, as nga PS-ja, por nga vendi në tërësi.
Faktorët perëndimorë për arsye nga më subjektive dhe për t’i lejuar vendit një hap të kënaqshëm integrues në familjen europiane, vazhdimisht u ka paravënë forcave politike kushte shumë të forta për zgjedhje në raport me standardet europiane. Dhe vazhdimisht i ka pranuar zgjedhjet e zhvilluara me defektet e rënda të vëna apo të pavëna re. Tolerimi në fjalë bëhej me qëllim që vendit të mos i hiqej shansi i integrimit dhe me shpresë se situata do të përmirësohej. Tani që e keqja zgjedhore është kthyer në sistem dhe kur parametrat zgjedhorë perëndimorë i kërkon një faktor i brendshëm politik, siç është opozita, Perëndimit i duhet të mendojë seriozisht për pasojat e tolerimit nga ana e vet.
Po ashtu, Perëndimi, për një kohë të gjatë, duket se iu bashkua opinionit të pozitës, se opozita nuk do të vononte të kthehej në Parlament dhe me këtë mënyrë kapitulli i zgjedhjeve do të konsiderohej i mbyllur. Pozita do të mendonte se si do të fitonte zgjedhjet e ardhshme dhe opozita të shpresonte.
Në një gjykim të tillë u duk deri në vërtetim se pozita dukej e interesuar që opozita ta zgjaste bojkotin. Madje edhe provokonte qëndrime të tilla. Bojkoti i opozitës nuk e ndihmonte thjesht se kishte dorën e lirë në Parlament. Por, shpresonte se do ta fajësonte opozitën para opinionit publik vendas për çdo dështim të saj dhe do ta diskreditonte te faktori ndërkombëtar. Po ashtu shpresonte se do ta fuste opozitën në një qerthull përplasjesh të brendshme deri në izolim të plotë të lidershipit të saj. Në këtë drejtim, si më të leverdishëm për të ardhmen e vet, pozita investoi shumë, në shumë nivele e drejtime.
Por tani duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve. (Të gëzohet se do të konsiderohet si e barabartë në krizë, ndërkohë që është dy herë përgjegjëse). Problemi për të nuk qëndron këtu. Por te fakti se argumentet e veta janë konsumuar dhe nuk dhanë rezultat. Aq më tepër që opozita është ndërgjegjësuar se po hoqi dorë nga kërkesat e veta të drejta është disafish e humbur. Nga ana tjetër, opozita është e bindur se po nuk u rregullua sistemi zgjedhor jo vetëm ajo do ta shikojë pushtetin me dylbi, por edhe demokracia në vend do të çalojë nga të dyja këmbët.
Kështu, në vija të trasha pozita e ka kuptuar se tavolina e dialogut, edhe sikur të plotësojë kërkesat e opozitës, edhe sikur të mos i pranojë ato, do të prodhojë zgjedhje të reja me kushte teknike e politike që do të garantojnë, ndoshta për herë të parë, zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat do t’i garantojnë vendit rrugën e vërtetë europiane.
Analiza e Panajot Barkes ne SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!