Vizat dhe demaskimi i mediokritetit të arsimit shqiptar

Font size: Decrease font Enlarge font

Vendimi për heqjen e Shqipërisë nga lista e zezë e Shengenit ka për të sjellë një ndryshim radikal cilësor dhe sasior në mundësitë e qytetarëve shqiptarë për të udhëtuar nëpër botë. Sipas raportit vjetor të “Henley & Partners”, mbajtësit e pasaportës së Shqipërisë mund të futen pa viza ose duke e marrë vizën në kufi në të paktën 58 shtete dhe me hapjen edhe ndaj zonës së Shengenit ky numër shtohet me 31 shtete të tjera me një total prej 89 shtetesh. Kjo gjë na fut në pesëdhjetëshen e parë të renditjes së listës që rendit vendet e ndryshme në bazë të numrit të shteteve që mund të vizitohen lirshëm prej tyre.

Mirëpo izolimi i Shqipërisë nga barrierat e vizave në fakt ka maskuar një tjetër problem akoma më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, mungesa e kapaciteteve konkurruese të burimeve njerëzore. Deri tani është pretenduar se shqiptarët nuk kanë mundur të zënë pozicione kyç në nivel ndërkombëtar nëpër biznese, tregti apo të tjera profesione e fusha, për faj të pamundësisë për të udhëtuar e për të konkurruar në mënyrë të barabartë me shtetas të shteteve të tjera. Heqja e vizave Shengen dhe eventualisht eliminimi apo lehtësimi i vizave për shtete të tjera, ka për të nxjerrë në pah në mënyrë të hidhur prapambetjen e burimeve njerëzore shqiptare.

Një ndër përgjegjësitë më të mëdha të të gjitha qeverive shqiptare të tranzicionit ka qenë padyshim lënia pas dore e arsimit. Problemi kryesor është arsimi parauniversitar, i cili duhej të ishte shqetësimi kryesor i qeverisë, përderisa bëhet fjalë për qytetarë nën moshën 18 vjeç, për të cilët shteti ka përgjegjësi më të madhe. Sot qeveria aktuale e përqendron tërë vëmendjen në arsimin universitar, sepse kuptohet që studentët janë në moshë për të votuar dhe gjithashtu aty mund të tërhiqen edhe më shumë para. Fëmijët apo adoleshentët që i përkasin arsimit parauniversitar nuk kanë të drejtë vote dhe nuk kanë burime të ardhurash personale e për rrjedhojë kanë paraqitur një interes të kufizuar për politikanët, të cilët votat e paratë i kanë motivet kryesore.

Jo vetëm që qeveria ka lënë pas dore këta sektorë, por është edhe duke e dëmtuar rëndë cilësinë e arsimimit të qytetarëve shqiptarë, duke deformuar radikalisht tregun e punës. Pikësëpari niveli i nepotizmit dhe korrupsionit në strukturat qeveritare ka bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të rendin drejt kurseve universitare si shkencat politike, jurisprudence e të tjera fusha të ngjashme me shpresën se do të bëhen të pasur nëpërmjet korrupsionit, sikurse vihet re qartë që ka ndodhur me të tjerë zyrtarë. Një tjetër problem ka të bëjë me theksimin e sasisë përkundrejt cilësisë. Zyrtarët e lartë krenohen për shifrat në rritje të studentëve, universiteteve, programeve apo diplomave, mirëpo këta numra nuk tregojnë asgjë për cilësinë apo impaktin e këtyre ndryshimeve. Kjo demagogji të kujton regjimin e kaluar, kur zyrtarët krenoheshin me rritjen e tonëve të prodhimit të çelikut, të nxjerrjes së mineraleve apo të rendimenteve të prodhimit të drithit, ndërkohë që situata përbrenda është me të vërtetë e kalbur dhe ngjan me një minë me sahat.

Gjithashtu, diplomomania dhe masteromania që po kultivohet e mundësohet nga qeveria, qoftë duke nxitur shqyerjen e pranimeve në universitete publike e qoftë duke mbyllur të dyja sytë përpara abuzimeve që po vijnë në rritje në sektorin privat, ka për të shpërthyer keq në një kohë të dytë. Ky masivizim është duke e larguar vëmendjen vetëm përkohësisht nga papunësia dhe mungesa e vendeve të reja të punës, por nuk do e zgjidhë aspak këtë problem. Madje do e shtojë, sepse pritshmëria apo pretendimet e të rinjve të diplomuar do të jenë shumë më të larta sesa po mos të kishin marrë ndonjë diplomë të lodhur në ndonjë universitet publik, periferi apo ndonjë universitet privat fitimprurës të papërgjegjshëm, e për rrjedhojë edhe zhgënjimi e dëshpërimi nga papunësia do të rritet. Për mos të folur pastaj për vetëdijësimin në një kohë të dytë për dëmin e pakthyeshëm që u është shkaktuar nga një arsimim i dobët, si dhe vitet e humbura kot për një cope letre të pavlefshme.

Po ashtu, është lënë tërësisht jashtë dore arsimi profesional, si dhe i ashtuquajtur arsimi i vazhdueshëm për të rritur (lifelong education), të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për kontekstin shqiptar. Pra, duket qartë që politikat arsimore nuk kanë kurrfarë përputhje me tregun e punës. Në fakt kjo të kujton situatën që u krijua me laburistët në Britaninë e Madhe një dekadë më parë, të cilët kur erdhën në pushtet u zotuan që të çonin mbi gjysmën e maturantëve në universitet, mirëpo pas pak vitesh u krijua një inflacion i jashtëzakonshëm programesh dhe të diplomuarish që kishin shumë pak kërkesë në tregun e punës. Madje, vitet e fundit është bërë një lloj mode e praktike masive, që individë me diploma universitare në humanitete apo shkenca sociale të venë e të ndjekin kurse profesionale për të marrë zanate si hidraulikë apo elektricistë, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me universitetin që kanë bërë.

Mirëpo situata e tanishme nuk tregon vetëm për papërgjegjshmëri apo paaftësi të zyrtarëve të lartë kur flitet për arsimin, por tregon edhe për një rrezik që po shihet gjithnjë e më dendur. Ashtu sikurse në sektorë të tjerë të shoqërisë po vihet re gjithnjë e më dendur se politikat arsimore po bien pre e interesave private dhe klientelizmit politik. Rasti më tipik janë universitetet private, ku duket qartë se ka zyrtarë të shumtë që mitëmarrjen e kanë maskuar me kinse angazhime mësimdhënëse nëpër këto institucione, duke marrë rroga tejet të majme që nuk përputhen aspak me kontributin e tyre. Njerëz afër pushtetit apo me pushtet janë duke hapur e zgjeruar institucione apo programe të reja të arsimit të lartë, janë duke siguruar akreditimin shtetëror pa përmbushur kriteret më bazikë. Janë parë edhe raste të qarta e të pacipa të favorizimit prej pushtetit të universiteteve private me veprimtari të dyshimtë, sikurse ishte para pak vitesh vizita e Kryeministrit dhe ministrit të Arsimit në një universitet privat shumë të përfolur dhe deklarata e tyre se po kishin të bënin me universitetin më serioz në Shqipëri e madje më të mirin në Ballkan.

Për ta bërë akoma më keq situatën, qeveria është duke krijuar gjithnjë e më dendur një kërkesë të rreme për certifikata, sikurse është rasti i pasjes së një rritje të rrogës nëse zotërohet një master (pa dalluar për cilësi apo origjinë masteri e pa pyetur për performancën apo të tjera kritere më objektive të punësimit) apo futjes së kërkesës për të pasur master ndër mësues të sistemit publik (padyshim që universitetet private kanë futur duart e mandej fërkuar duart prej këtyre nismave të qeverisë).

Duke qenë se sektori i arsimit privat është duke u ngarkuar dhe shtimi i aktorëve është duke kërcënuar normën e fitimit, tanimë këto institucione të dyshimta të arsimit të lartë janë duke shprehur hapur oreksin për të futur duart në thesin e madh të buxhetit publik, duke bërë presion për të sajuar skema të reja financimi publik. Pra, duke kërkuar që të përfshihen në lojën e tendermarrësve të tjerë për të mjelë sa të munden paratë e taksapaguesve.

Ashtu sikurse ndërtuesit që kanë qenë pronarët kryesorë të mediave në Shqipëri, nuk është aspak rastësi që pronarët e rinj të mediave si UFO TV, “Planet TV” apo MAPO janë pikërisht pronarë të universiteteve private që duan të instrumentalizojnë masmediat për të siguruar favore politike.

Në këtë batak ku është duke u zhytur Shqipëria, heqja e vizave është e vetmja gjë që të ngjall shpresën se situata mund të ndryshojë, sepse njerëzit do të kenë mundësi për të parë përtej moçalit, të përdorin sisteme të reja të referimit e të vlerësimit dhe të kuptojnë kontrastin e thellë midis realitetit perëndimor dhe atij provincial shqiptar. Vetëm te rritja e mobilitetit të rinisë shqiptare mund të varet sot shpresa se shqiptarët, duke udhëtuar, kanë për ta pësuar e kanë për të mësuar se sa i pavlerë është në një treg ndërkombëtar pune shkollimi që ata kanë marrë në Shqipëri.

 

Analiza e Adri Nurellari ne Shqip

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00