Fakulteti i Mjekësisë shkeli ligjin për zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Institucionet e Arsimit të Lartë, që ka monitoruar procesin e pjesshëm zgjedhor, ka renditur një seri shkeljesh ligjore, që sipas tyre prekin jo vetëm struktura të Universitetit të Tiranës, por edhe vetë Ministrinë e Arsimit. Ndryshe nga sa pritej, këto zgjedhje të pjesshme në universitetin më të madh në vend, nuk kaluan pa probleme siç ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme të janarit 2008. Edhe pse në këto zgjedhje të pjesshme konkurrohej vetëm me një kandidat në dhjetë departamente, nuk munguan problemet.
Në qendër të akuzave është vendosur dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, që është akuzuar se ka shkelur ligjin për arsimin e lartë, duke mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve në këtë fakultet.
"Pasi Fakulteti i Mjekësisë është vënë në dijeni për sa i përket procesit zgjedhor, që duhej të mbahej në Këshillin e Fakultetit, sepse ka disa anëtarë, të cilët janë të pazgjedhur ose janë vende bosh, dekani i fakultetit, duke u bazuar në atë çfarë parashikon rregullorja, ka të vetmin detyrim që duhet të vërë në dispozicion të gjithë infrastrukturën dhe nuk ka të drejtë që të bëjë interpretime që ka zgjedhje apo nuk ka zgjedhje". Kështu deklaroi dje në një konferencë për median, Ervin Demo, drejtor i KQZ-së së universitetit.
Kjo është konsideruar prej tij si një shkelje ligjore për të cilën, përmes një raporti të posaçëm, do të vihet në dijeni edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Aty do të raportohet në mënyrë të detajuar mbi procesin zgjedhor të mbajtur më 5 maj në fakultetet e UT-së dhe më pas pritet një vendim zyrtar.
Por duket se një ndërhyrje nga Ministria e Arsimit ka shkaktuar polemika mes dy institucioneve. Drejtuesit e Komisionit Qendror Zgjedhor për institucionet e arsimit të lartë bënë publike shkeljet flagrante sipas tyre, edhe nga Ministria e Arsimit. Ata theksojnë se është kompetencë vetëm e ministrit Fatos Beja të reagojë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe asnjë vartësi tjetër në këtë dikaster.
"Zonja Elida Hoxha nuk ka mandatin ligjor, që të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve. Pse? Sepse është e parashikuar në rregulloren e zgjedhjeve që autoriteti i cili ndërhyn në zhbllokimin e procesit zgjedhor është ministri i Arsimit me akte nënligjore", shprehet më tej drejtori i KQZ-së, Ervin Demo.
"Fushata" zgjedhore universitare, sipas urdhrit të MASH-it, nisi që më 26 mars për t‘u finalizuar këtë të hënë.
Bazuar në urdhrin e ministrit Beja, universitetet e rretheve, që kishin poste drejtuese të paplotësuara, si universiteti "Luigj Gurakuqi" Shkodër, "Aleksandër Xhuvani" Elbasan dhe "Ismail Qemali" në Vlorë, i zhvilluan zgjedhjet më 29 prill. Ndërsa në Universitetin e Tiranës, atë Politeknik, "Fan S. Noli" Korçë, "Aleksandër Moisiu" Durrës dhe Akademinë "Vojo Kushi" në Tiranë, këto zgjedhje u zhvilluan më 4 maj.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!