“Dikush duhet të vdesë!”, po jo Teatri “Bylis” i Fierit…

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dikush Duhet të Vdesë

Shënime mbi komedinë e re të Pëllumb Kullës që po ngre sot në Fier siparin…

Teatri i Fierit “Bylis” po rilind.

Ne tërë këtë bunace kulturore, ky duhet të ish një lajm që nuk do të çudiste askënd po të vihej në faqet e para të të gjitha gazetave të vendit, sikur në Shqiperi, vëmendja për kulturën të mos ishte katandisur tani në pikë të hallit. Po ne u mësuam kësaj kohe, që lajm të madh të konsiderojme çdo zdërhallje gazetareske që vjen nga bastionet e politikës, qoftë edhe ai më banali. Teatri, arti më i lashtë i botës, dikur edhe tek ne i lakmueshëm e popullor, është një kujtim i mjegullt dhe po jep shpirt… Me përjashtim të Teatrit Kombëtar, që “mbahet” ende në kembë, (këmbë rakitike) në rrethe si Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Korça, Elbasani etj, teatër quhet një godinë e pluhurosur, dhe një grusht aktorësh, që rrinë e presin të kujtohet dikush për t’i ringjallur me frymën e shenjtë. Në mos qofshin tërësisht të vdekur, (sepse ndonjeherë dalin me ndonjë premierë që vdes tek afishet) duhet të ndodh një çudi si në bibël, të ringjallen me ndonjë urdhër si ai i Zotit Krisht,, kur e ngriti në këmbë Llazarin vetëm me një: “Çohu Llazar!”

            Me Fierin po ndodh ndryshe edhe pse situata e tij (ekonomike dhe sociale) është e njëjtë. Ajo që ka ndodhur është e thjeshtë dhe ka të bëjë me vullnetin njerëzor, këtë mrekulli që sfidon kohën, ligjet, ekonominë dhe çdo gjë tjetër. Dy burra kanë vënë bastin e madh të zemrës me kohën për ta ringjallur. Një emër i madh i skenës shqiptare si Pëllumb Kulla dhe një burrë tjetër i heshtur e kokëfortë në dashurinë e tij për këtë qytet e për teatrin, si kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj. Njeri me shpirtin e tij dhe me dashurinë për këtë teatër ku u rrit si krijues dhe u bë një nga regjisorët më të dashur të Shqipërisë dhe tjetri me “inatin” e bukur për t’i kthyer Fierit emrin e madh që kishte dikur me Teatrin, ku u themelua një nga “akademitë” e shkëlqyera të humorit shqiptar. Do të ishte e tepërt t’i kujtonim dikujt se çfarë trashëgimie krenare i dha Fieri humorit shqiptar me emrat e mëdhenj të Pëllumb Kullës, Luftar Pajës dhe një plejade të shkëlqyer aktorësh, që u bënë proverbial në historinë e skenave shqiptare. Më mirë le të flasim se ç’po ndodh aty, që të gjejmë pak kurajë e shpresë se edhe në kohë të tilla, dashuria për artin mund t’i “thyeje” turinjtë edhe një indiference kaq banale të politikave kulturore si kjo ndaj teatrit, kësaj magjie që do të ringrihet një ditë sërish në këmbë.

Sot pritet që në Fier regjisori Pëllumb Kulla të hap perdet e skenës për veprën e tij të dytë teatrore, pas dramës së tij të sukseshme satirë “Milioneri.” Këtë radhë me një tjetër komedi më të bukur, me një gjetje brilante dhe një nga veprat më të mira që unë kam lexuar prej penës së tij deri më sot. Dhe po kaq e vështirë për t’u vënë në skenë kur merr parasysh pretendimet e saj për tu realizuar me një numur të madh aktorësh, që do të kërkonin angazhimin e trupave të dy a tri teatrove së bashku, ashtu siç janë katandisur sot, me buxhete qesharake, me një nunur të kufizuar aktorësh të rinj e papërvojë.

            Sado i vështirë të jetë një subjekt për t’u treguar, sa për të zgjuar kureshtjen, një vepër e mirë mund të tregohet edhe me pak fjalë. Këtë “luks’ e kanë vetëm ato krijime që mbështeten mbi gjetje të bukura që mund t’i rrokësh edhe me pak rreshta që nuk të dalin më prej mendjes. Ja cila është me dy fjalë historia e saj:

Katër shokë artistë, nga industria e filmit dhe bota e artit të erës komuniste, dalin në pension e venë re, se sot, në Shqipëri, me pension mujor normal, nuk jeton veçse pak ditë! Njëri nga ata, rebelohet dhe ia del t’i detyrojë administratës, një prani monitorizuese.  Aktori Marsel Dragoti e fton shtetin të urdhërojë e të vijë t’ia provojë atij, nëse masa e pensionit që i jepet është e mjaftë. 

Drejtoreshën sexy-koketë,  që drejton  Departamentin e Pensioneve, eprori-dashnor i saj e cakton një muaj me shërbim, me orar të plotë, në shtëpinë e pensionistit Dragoti, një aktor, pa ndonjë farë shkëlqimi në karrierën e tij.

Eksperimenti  bëhet i njohur dhe vihet në fokusin mediatik. Zonja nga qeveria, me dorën e saj, do të shpenzojë minimalisht për gjithëçka nevojitet. “Më mire, fjalën më mbaruan paratë”, të na e thotë shteti!” - ia bën Dragoti. – “Të shohim sa kohë mbetet deri në pensionin e ardhshëm dhe le ta provojmë nëse jetohet pa ngrënë deri në atë ditë!” Ditën e nëntë, megjithë ekonomisjen tepër të kujdesëshme të Drejtoreshës së Departamentit të Pensioneve, paratë shterin dhe nis uria. Marsel Dragoti nuk ka më të hajë. Publikisht ai shpall urinë në pritje të pensionit të radhës! Admirimi i pensionistëve të tjerë që e rrethojnë në përkrahje, i jep zemër aktorit të vjetër të shkojë drejt flijimit, këtë radhë realisht,  jo si në filmat heroikë të realizmit  socialist.

Pas kësaj nyjeje dramaturgjike, situatat vinë e bëhen të mrekullueshme, plot gjetje befasue, sa tragjike aq edhe komike dhe të mbërthejnë emocionalish minutë pas minute. Pëllumb Kulla ka ditur të trajtojë kështu një dramë aktuale, një nga ato plagë të thella të realitetit shqiptar dhe më gjerë, me një mjeshtëri të mbaruar prej një talenti të lindur e të sprovuar në karierën e tij të gjatë.

Për të përballuar këtë rol të vështirë të heroit tragjikokomik, ai ka ftuar për rolin kryesor një aktor të shkëlqyer të këtij zhanri, artistin Koço Devole, një emër tjetër të madh të humorit shqiptar, aktor dhe shkrimtar humori dhe regjisor i disa prej krijimeve më të mira të satirës shqiptare. Për herë të parë në këto vite, rivjen një proces normal i teatrit, tashmë gati i harruar. Aktori kryesor do të dublohet nga një prej aktoreve më të mirë të Bylisit, Fatmir Xhelili.

Komedia rrok një galeri të madhe personazhesh, gati të pamundur për një teatër bashkiak si ai i Fierit, prej më shumë se njëzet e pesë role. Po këtë vështirësi Pëllumb Kulla e ka kapërcyer duke mobilizuar tërë trupën e emëruar të teatrit dhe të estradës e madje duke aktivizuar një numur tjetër të madh jashtë saj. Me një punë reshtëse e plot këmbëngulje shfaqja i hap dyert sot për spektatorin e etur të Fierit ndaj teatrit të vet. Se sa mund dhe veshtireësi janë kapërcyer, falë vullnetit dhe pasionit të tij e të aktorëve fierakë, kjo do të ndjehet fare lehtë qysh në shfaqjen e parë.

            Do të ishte e pakuptimtë të mos flisnim për njeriun “e padukshëm” e fjalëpaktë që rri mbas realizimit të kësaj shfaqjeje, Kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, njeriun që po realizon një ëndërr të tijën me teatrin. Është vështirë të gjesh në tërë vendin një mik kaq të madh të artit sa ky njeri, që është kthyer në “asistent regjisor” të  kësaj shfaqjeje duke ndjekur me përkushtim ditë pas dite çdo hall të premierës. Pa dashur të futemi në vlerësimin e plotë e analitik të kësaj vepre, ky shkrim është më shumë një lajm i gëzueshëm, nga ata që po bëhen gjithmonë e më të rrallë në jetën tonë dhe që pa kurrfarë ngurimi duhet të ketë brenda edhe falënderimin, që koha nuk e harron kurrë.

Fieri.com / Petrit Ruko

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00