92 vjet më parë 10 Dhjetor 1916-2008

Font size: Decrease font Enlarge font

KRAHINA “AUTONOME” E KORÇËS, FITORE E SHËNUAR E LËVIZJES PATRIOTIKE SHQIPTARE. Nga: APOSTOL BITRAKU

Ishte 10 dhjetori, i vitit 1916. Lufta e Parë Botërore ose Lufta e Madhe, siç thuhej shpesh, ishte në zhvillim e sipër. Shqipëria ishte bërë shesh beteje, midis forcave ndërluftuese. Ushtritë italiane dhe franceze, kishin zënë Shqipërinë e Jugut, kurse ushtritë austro – hungareze e bullgare, Shqipërinë e Mesme. Në Korçë, ishin vendosur forcat pushtuese greke. Rreziku i copëtimit dhe aneksimit të Shqipërisë së Jugut, nga shovinistët grekë, ishte i madh. Pikërisht në këtë periudhë kaq të vështirë, forcat patriotike ngritën popullin  në këmbë, për t'i dalë zot vendit . Në krahinën e Korcës, vepronin çetat e Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës. Gjithashtu patriotët, vecanërisht Themistokli Gërmenji, duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korcë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze, largimin e grekëve nga Korca dhe ngritjen e një administrate shqiptare.

Kështu, autoritetet franceze të pushtimit, u ndodhën  përballë një lëvizjeje të fuqishme patriotike shqiptare, që kërkonte me çdo kusht largimin e pushtuesve grekë, nga Korça. Francezët ishin të interesuar të shuanin “vatrat e zjarrit” dhe të kishin siguri e qetësi, në prapavijat e tyre. Për këtë arsye, komandanti francez i zonës së Korcës, koloneli Dekoen, sipas udhëzimeve të komandës së Armatës së Lindjes, vendosi të largonte nga Korça, venizelistët grekë dhe hyri në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes shqiptare.

Ishte pikërisht,10 dhjetori, i vitit 1916. Sipas njoftimeve që jep gazeta “Adriatiku”,e cila dilte asokohe në Korcë, por jo shumë e njohur, ajo ditë u kthye në një festë të vërtetë. Njerëzit u mblodhën në shkollën e Shën Gjergjit, që në orën 9:00 të mëngjesit. Aty, vjen Themistokliu dhe paria e Korçës. Ndërsa përpara prefekturës, ushtarët francezë, veshur me uniformë festive, qëndronin për nder armë. Themistokliu u rrëfeu njerëzve shkakun e mbledhjes: - Do të deklarohet vetëqeverisja e Shqipërisë, - tha ai, - prandaj, duhet të kemi vëllazëri e dashuri midis nesh. Foli gjithashtu,  z. Vasil Kondi.

Më tej, komisioni prej katërmbëdhjetë vetash, shtatë të krishterë dhe shtatë muslimanë, u nisën për në prefekturë. Në këtë komision, që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin dhe u paraqit përpara kolonelit, bënin  pjesë: Rafail Adhami, Kostandin Nocka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Aty i priti koloneli, Dekoen dhe oficerë të tjerë francezë, veshur me uniforma ushtarake dhe me grada. Dr. Haki Mborja i drejtohet komandantit francez e i tregon qëllimin e ardhjes së tyre. Komandanti i priti me buzëqeshje, duke thënë, se duhet bërë protokoll. U bë protokolli.

Sipas protokollit të 10 dhjetorit , qyteti i Korcës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë  prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit  të trengjyrëshit francez. Si u bënë këto biseda, të cilat u përkthyen nga dr. Noke, protokolli u firmos nga të dyja palët .Pastaj, Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin. Ushtria franceze i rrinte për nder flamurit, kurse populli thërriste me gëzim: - ''Rroftë Shqipëria!''- Dikush këndonte e dikush hidhte valle. Entuziazëm, një ditë e vërtetë festive! Paskëtaj, nën tingujt e muzikës, ushtarët parakaluan me armët ngjeshur. Themistokliu me shokët, hynë brenda, uruan njëri - tjetrin dhe u nisën për në katundari. Dekoeni i përcolli buzagaz, deri tek porta. Në katundari, komisioni i kërkoi Themistokliut, të marrë drejtimin e policisë. Ai pranoi dhe pjesëmarrësit e uruan.Sekretar i përgjithshëm u zgjodh, Petro Harizi.

Krahina “ autonome”e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë  e Jugut.

Duke shfletuar më tej, gazetën “Adriatiku'',  njihemi hap pas hapi me veprimtarinë e krahinës “ autonome “ të Korçës dhe arritjet e saj. Këshilli administrativ i krahinës, në të cilin, rolin kryesor e luante Themistokli Gërmenji, ndonëse mbante detyrën e prefektit  të policisë, hartoi mjaft rregullore për administratën publike, për financat, arsimin, policinë, gjyqet, buxhetin, etj. Kujdes iu kushtua sidomos, zhvillimit ekonomik të krahinës. Masa të rëndësishme u morën edhe për arsimin. Shkollat greke u mbyllën, për t'u hapur gjashtëdhjetë shkolla fillore shqipe, gjithashtu edhe një shkollë e mesme. Bashkë me francezët, u arrit të ngrihet një sistem i rregullt postar, të shtypen pulla të reja, si dhe monedha të krahinës “autonome.”

Marrëdhëniet e Themistokliut dhe të funksionarëve të tjerë, të këshillit administrativ, me forcat franceze dhe sidomos, me kolonelin Dekoen, kanë qënë të mira dhe pozitive. Në nr. 10 të gazetës, mësojmë se, më 25 dhjetor, në Gazino të Korcës, ushtarët francezë dhanë një koncert, ku u mblodhën pesëqind franga.  Këto franga, u ndanë për të varfërit e qytetit. Kurse, me rastin e Vitit të Ri, Themistokli Gërmenji i dhuroi kolonelit, Dekoen, një dyfek me çark dhe një kobure, të larë me ar. Edhe më simbolike, ishte dhurata e grave të shoqërisë “ Ylli i mëngjesit''. Ato kishin përgatitur për kolonelin, një tapita të qëndisur me dy patkonj të bashkuar, në mes, flamuri shqiptar dhe ai francez, me fytyrën e Skëndërbeut.

Krahina “autonome” pati veprimtari edhe në drejtime të tjera. Në nr. 30 të gazetës, jepet lajmi, se posta po vepron.Por, meqënëse markat e para të zëna prej grekëve u sosën, u vendos që të dalin marka të reja ( pulla). Dhe ato dolën.Ishin të bukura në formë. Në qendër, shqiponja me dy krerë, në krye, fjala ''Korcë'', në të majtë ''vetëqeverisje'', në të djathtë, 'Shqipëri'' dhe në mes, vlefta e markës. Pak a shumë, këto fjalë ishin vënë edhe në monedhat e reja, që u prenë, njëfragëshe e poshtë. Ushtarit francez, i cili gdhendi klishenë e monedhave, iu dhurua një orë e florinjtë.

Lajme, njoftime të ndryshme dhe urdhëra të prefektit të policisë, shohim edhe në numrat e tjerë të gazetës. Krahina “autonome “e Korcës, u interesua dhe mori masa edhe për ruajtjen e pyjeve, për higjenën e pastërtinë, për cmimet, për furnizimin e popullit me drithë, e deri tek tabelat që duhet të vinin tregëtarët, në dyqanet e tyre.Në urdhërin Nr. 10, thuhet se, tregëtarët duhet të rrëzojnë tabelat që kanë vënë në gjuhë të huaj dhe t'i shkruajnë ato, në gjuhën amtare. Francezët vendosën marrëdhënie të mira edhe me taborët e Sali Butkës dhe prijësit e tjerë, të kësaj kazaje.

Por, Republika “autonome” e Korçës, megjithë sukseset që pati, nuk jetoi gjatë. Që kur u krijua, u prit në mënyrë armiqësore dhe të ashpër nga shovinistët grekë dhe qeveria italiane.Veprimi i gjeneral Sarrait , komandant i Armatës së Lindjes, kishte rënë si bombë në kancelaritë e fuqive të mëdha, ndaj ato bënin presion  për shfuqizimin e protokollit të datës, 10 dhjetor. Si rezultat i këtyre presioneve, qëndrimi i forcave franceze ndaj lëvizjes patriotike shqiptare, në Korçë dhe krahinës “ autonome”, filloi të  ndryshojë. Ata po ndiqnin, tashmë dhe arrestonin, patriotët shqiptarë.Në këto kushte, gjenerali Sarrai, u detyrua të largonte nga Korca, kolonelin Dekoen, në maj, të vitit 1917, megjithëse e ngrinte lart veprimtarinë e tij. Pas largimit të tij nga Korça, ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi. Në muajin nëntor të këtij viti, elementë grekomanë dhe bejlerë të Korçës , montuan fshehurazi, një  proces kundër Themistokli Gërmenjit, duke e akuzuar atë, për tradhëti dhe agjent të austriakëve. Me shpejtësi të madhe, një gjyq ushtarak i Armatës së  Lindjes, në Selanik, e dënoi atë me vdekje dhe e ekzekutoi, më 9 nëntor 1917.

Qëndrimi burrëror i Themistokli Gërmenjit, para ekzekutimit.

Qëndrimi i Themistokliut, përpara gjyqit dhe përpara ekzekutimit, ishte burrëror dhe dinjitoz. Në letrën që i shkruante së shoqes,  ai theksonte se:  “Jam viktimë e mashtrimeve”, “Vdes i pafajshëm” dhe “ Rroftë Shqipëria!” - Ndërsa një oficer francez, i cili e pa me sy vrasjen, e përshkruan kështu ngjarjen: - “ E kam njohur Themistolkli  Gërmenjin dhe u ndodha i pranishëm kur u pushkatua. Ai nuk tregoi asnjë shenjë frike, përpara vdekjes. Të gjithë sa ishim aty, mbetëm të mahnitur. Ai ishte i veshur me rroba kombëtare dhe ecte me hapin e qetë dhe plot dinjitet. Fjalët e tij të fundit, që iu drejtuan përfaqësuesit ushtarak francez, ishin: - ''Ju, nuk e njihni mentalitetin shqiptar. Nuk e njihni shpirtin e popullit tim! Ju, po bëni një gabim shumë të madh. Rroftë Shqipëria!” - Vrasja e Themistokli Gërmenjit, ishte një humbje e madhe për krahinën “autonome” të Korcës dhe lëvizjen kombëtare shqiptare.

Pas kësaj, komanda franceze në Korcë, më 16 shkurt 1918, abrogoi protokollin e datës, 10 dhjetor, dhe krahinën e Korcës, e mori drejtpërdrejt  nën administrimin e saj. Megjithëkëtë, autoritetet ushtarake franceze, nuk guxuan të zhduknin  të gjitha fitoret e arritura nga përpjekjet dhe lufta e patriotëve shqiptarë. Në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar, krahas atij francez, dhe shkollat që u hapën, e  vazhduan mësimdhënien.

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, në maj, të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund  kështu edhe krahina “autonome” e Korçës. Populli i kujton ata, si aleatë në ato çaste të vështira dhe krahinën “autonome”, si një sukses të asaj periudhe, që ndikoi drejtpërdrejt, në ruajtjen  e tërësisë tokësore të atdheut tonë, 92 vjet më parë. Ata u larguan, duke lanë pas kujtimin e mirë dhe varret e ushtarëve francezë, këtu në Korcë, sikurse edhe liceun francez, që edukoi për dekada të tëra, brezat e rinj.

 

 

Shkruar per Fieri.com nga Mirel Sharxhi

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00