Reflekse rreth zhvillimit te mendimit historik gjatë shekullit XX (sprovë)

Font size: Decrease font Enlarge font
image Karl Popper

Historia ka patur në zhvillimin e saj shekullor, një zinxhir të gjatë trajtesash, interpretimesh dhe këndvështrime të larmishme, të cilat e kan lidhur thelbin e saj me një numër të madh pikëpyetjesh për karakterin dhe natyrën e këtij zhvillimi. Është e arësyeshme që ngarkesën më të rëndësishme të interpretimit të tyre ta mbajë fusha e mendimit historik si një terren me specifikën e vet të përcaktuar, ku gërshetohen problemet e ndryshme të historiografisë, veprat e shkruara madhore dhe autorët e tyre.

    Historian të shek XX, filozof, shkrimtar, filolog dhe mendimtar të shquar, kanë trajtuar nëpër vepra probleme të shumta të kësaj fushe, të cilët janë futur në memorjen shkencore të këtij shekulli si një risi e vyer dhe mjaft produktive. Ç’është historia, shkencë apo art? Ç’është rrëfimi historik? Cili është vendi i njeriut në fokusin e historianit? Cili është fati i qytetërimeve dhe cili është orientimi dialektik i njohjes dhe interpretimit të tyre? Cili është mendimi idealist në histori? Janë këto një pjesë e morisë së pyetjeve që ky shekull ka nxjerë para mendimit modern historik dhe ju ka dhën përgjigjen e merituar.

                        HISTORIA SHKENCE APO ART?

   Dihet se problemi i kategorizimit të historisë si shkencë apo artë, është tepër i lashtë. Ai fillon me autorët e hershëm kinez të cilët e konsideronin atë thjesht shkencë, sidomos me Sima Qian (Szuma Chien afërs.145 p.K) i quajtur Herodoti kines dhe vazhdon në debatet e mendimit historik greko-romak të cilët përpiqeshin ta ndanin atë nga mitologjia dhe letërsia, sidomos Polibi, Aristoteli dhe Lukiani. Po e njëjta pyetje është përcjell nga antikiteti te kristjanizmi, në mesjetë, në periudhën e humanizmit e deri në kohët moderne te Leopold Von Ranken (1795-1886) i cili e konsideronte historinë shkencë dhe arriti të fuste metodën korrekte të studimit shkencor në historiografinë moderne, duke i dhënë rëndësi të madhe dokumentit dhe duke e transferuar pikën e rëndesës hulumtuese nga biblioteka në arkiv. Jo më kotë, edhe gjatë shekullit XX shumë nga autorët më në zë të historisë europiane i jan referuar “plakut gjerman”. Sepse, për herë të parë te ky autor kemi të evidentuar “hallkën e ndritshme” të këtij zinxhiri të gjatë të metodologjisë historike, drejt së cilës tashmë do të orientohet gjithë mendimi shkencor i mëvonshëm. Ranke, në veprën e tij monumentale “Historia e popullit latin dhe gjerman 1494 – 1535” zbatoi një praktikë krejt origjinale; gërmimin e arkivave në të dy vendet përkatëse duke realizuar një vepër lapidare dhe duke bërë një rikonstruksion mjaft të madh themelit të historisë, në kundërshtim madje edhe me pozitivizmin e Hegelit.

    Shek.XX, na shfaqet me një tedencë të dukshme në zgjerimin e qellimit të historisë. Dalja në skenë e shkencave të tjera sociale dhe veçanërisht kontributet e rëndësishme të filozofëve apo psikologëve të ndryshëm si Durkheim, Frojd, Niçe, Sartër, Ajer, etj. bën të mundur angazhimin më të madh të historianëve duke shfrytëzuar pikërisht rezultatet e këtyre shkencave, sidomos ato të psikologjisë së individit dhe të masave. Por përpara mendimit historik të këtij shekulli, doli përsëri problemi i hershëm diskutuar aq gjatë qysh në periudhën antike. Ç’ishte historia shkencë apo art? Nëse ishte thjesht shkencë, atëhere përse po largohej nga njerëzit? Ngarkesa shkencore po e kthente atë në një lëndë krejt të “thatë” për lexuesin. Atëhere si duhej vepruar që ajo të afrohej tek masat? Në fushën e mendimit historik doli një numër i konsiderueshëm personalitetesh të cilët e ngritën këtë çështje në një nivel mjaft të lartë arritjesh të rëndësishme dhe serioze.

Oswald Spengler (1880–1936), historian, filozof dhe shkrimtar gjerman, u përpoq të shkruante “historinë e plotë” të botës. Por,i ndikuar prej Gëtes dhe Niçes, ai ishte i të njëjtit mendim me këtë të fundit se, “…shkencëtarët i ishin dorëzuar një shkencizmi pa jetë”.

John Bagnell Bury (1861–1927), historian, filolog, filozof irlandez, i cili në leksionin e tij të par në Universitetin e Kembrixhit, e paraqiti historinë si “shkencë duke u kujtuar dëgjuesve të tij se nuk ishte degë e letërsisë”[1]

Pas L. II B, është historiani angles Arnold Josepf Toynbee (1889– 1975) që do të ndikoi në mendimin historik, nëpërmjet shprehjes së “nevojës për sintezë në epokë specializimi”. Më vonë ishte Marc Bloch (1886–1944) një ndër historianët më të rëndësishëm francez e botëror (me origjinë çifute) i cili do të japi një kontribut të fuqishëm me mendimin e tij, për të vendosur “njeriun në qendër të historisë”. Karl Grimberg (1875–1941), historian suedez, solli një risi të jashtëzakonshme me veprën monumentale “Historia botërore dhe qytetërimi”, duke bërë praktike sentencën e Bloch-ut për vëmendjen ndaj njeriut. Georg Macaulay Trevelyan (1876–1962) historian dhe shkrimtar britanik i konsideruar “poet në histori”. Karl Popper (1902– 1995) me “parashikueshmërinë historike të kthyer në passhikueshmëri” etj.  

   Karakteri shkencor i historisë, ishte një debat që zgjati shumë gjat. John Bury botoi në vitin 1920 librin “Ideja e progresit” dhe dilte aty me konstatimin se historia tashmë duke qenë e indoktrinuar me këtë ide, është çliruar nga ngarkesat politike dhe etike, nga filozofia morale dhe retorika dhe është vënë në një radhë me shkencat e tjera që merren objektivisht me faktet e universit. “Historia e vërtetë mund të vij vetëm nëpërmjet zbulimit, mbledhjes, klasifikimit dhe shpjegimit të fakteve përmes kërkimit shkencor,-thoshte ai, madje përparimi i kërkimit në histori, në shkenca të tjera, nuk është një luks…por është një çështje preokupimi të paçmueshëm për kombin dhe botën”[2]

Por Georg Macaulay Trevelyan ka tjetër mendim. Ai arsyeton se historia nuk mund të kryejë dy funksione që priten nga një shkencë. Së pari historia, nuk ka përdorim të drejtpërdrejtë në fushën praktike si bije fjala shkenca mjekësore apo mekanika. Dhe së dyti, ajo nuk mund të nxjeri ligje specifike si p.sh. ligjet e shkakut dhe efektit. Vet karakteri i ngjarjeve të ndryshme, vet volumi i tyre i mbledhur nga epoka të ndryshme, përfshin një popull apo popuj të tërë dhe studimi i psikologjisë së tyre është i pamundur, ashtu si mund të jet i mundur studimi i sjelljes së një specieje të caktuar nga një botanist. Ose lidhja midis nevojës dhe realizimit të saj, lidhja midis urisë dhe nënshtrimit të plotë apo nxitjes së revoltës. Këto shembuj të ofruara gjatë  analizave të thella të historisë e çonin Trevelyan në mendimin se, historia  në pjesën më të madhe të saj “nuk është një deduksin shkencor, por një hamendje imagjinare në përgjithësimet më të mundshme”[3]

  Ai e ilustronte mendimin e vet, duke hequr madje edhe një paralele të historisë me përallën, për ta konsideruar atë thjesht, një “kapacitet artistik të rrëfimit”. “Funksioni i parë edukativ i historisë është të rrisë te qytetari një aftësi për të kuptuar çështje të mëdha dhe për të kuptuar njerëz të tjerë,” [4] thoshte ai.

   Ishte e qartë se në këtë këndvështrim të historisë, një rol të veçantë merte një nga aspektet më të rëndësishme të saj, rrëfimi.

   Është e rëndësishme të kihet parasysh se vet rrëfimi i ngjarjeve të mëdha në vetvete ka shumë vlera dhe paraqet vështirësi të dukshme. Historiani i vërtetë, krahas vullnetit të zhbirimit dokumentar duhet të jet i paisur gjithashtu edhe më aftësinë e të kuptuarit emocional. Ishte vet ai që e bëri rrëfimin e tij mjaft të zhdërvjellët duke e ngritur në një nivel shum të lart stilistikor sa u quajt edhe “poet i lirë në histori”. Trevelyan i jep aq rëndësi këtij fakti sa e quan “artin e vjetër të rrëfimit”, dobësinë shpinore të historisë, i lënë tragjikisht pas dore. Shembull i këtij rrëfimi merret autori i suksesshëm i Revolucionit Frances Carlyle, i cili i ka përshkruar ngjarjet e kësaj periudhe, duke i veshur ato me një tis të hollë emotiv. Një veshje e tillë e bën më të ngrohtë rrëfimin sesa statistikat e thata apo vargu i gjatë i referencave. Aq i rëndësishëm është përshkrimi emocional i situatave historike, sa mjaftë njerëz në botë, e kujtojnë Revolucionin frëng, më shumë nga romanet e Hygoit sesa nga shkrimet e historianëve. Marati, Robespieri apo Dantoni, nguliten në kujtesën e lexuesit më lehtë nëpërmjet imazhit të ndërtuar nga pena e shkrimtarit sesa nga veshja skolastike e historianit. Kjo “ngrohtësi” artistike e rrëfimit është jo aq e lehtë për historianin sepse ajo kërkon talent dhe talenti është dhunti e lindur. Ndaj Trevelyan e quan shumë të rëndësishëme pjesën emotive të historianit. Ai argumenton mendimin e tij duke ju referuar leximeve masive të historisë në periudhat e mëparshme, sidomos të asaj Viktoriane, ku historia arriti kulmin e popullaritetit dhe ndikimit të saj në memorjen e kombit britanik.

  Dhe e gjitha kjo për arësyen e thjeshtë se historianët viktorianë sipas traditës së hershme, nuk e kishin ndarë historinë nga letërsia. Në këtë debat, pyetjes se historia është shkencë apo art, ai i përgjigjet në mënyrë të mjegullt se “…le ta quajmë edhe shkencë edhe art, ose as shkencë as art. Sepse ajo ka një element nga të dyja”[5]

Mendimin e tij mbi kufizimin e aspektit shkencor të historisë në favor të elementit letrar, e kritikon Arthur Marwick (1936–2006) i cili e kundërshtonë me faktin e zhvillimit të psikologjisë moderne bashkëkohore, individuale dhe sociale dhe se, asnjë historian nuk do të guxonte pas këtyre zbulimeve, të diskutonte Revolucionin Francez apo tema të tjera të ngjashme pa u njohur me rezultatin e këtyre shkencave.

  Në konture të tilla gjykimi u përfshinë edhe mjaft historian të tjerë, të cilët e shkundën ngjarjen nga “temjani” skolastik dhe e përshkruan atë me një mënyrë të re, me një stil të ri, më elegant e më efiçent për lexuesin. Synimi kolorativ në pasazhet e “hirta” historike,  ishte një trokitje në dyertë e estetikës së rrëfimit të saj. Kjo do të thoshte për historianin e këtij shekulli një familjarizim letrar. Mbase kolorimi pikturik i historisë ishte në heshtje një kundërvënie emotive e zbrazëtisë tronditëse të statistikës. Duhej një lloi “llaçi romak”, një lloi lënde ngjitëse që ta mpikste elementin shifror në kujtesën e lodhur të lexuesit. Pikërisht në këtë debat shfaqet një tjetër historian, francezi Marc Bloch.

“…historia ka kënaqësitë e saj të pastra estetike, thotë ai, të cilat nuk ngjasojnë me ato të asnjë disipline tjetër. Sepse, shfaqja e veprimtarive njerëzore që formojnë objektin e saj të veçantë, më shumë se ç’do gjë tjetër, është bërë për të joshur përfytyrimin e njerëzve”  [6]

Dhe ky historian arrin në një përfundim mjaft domethënës, në një “eureka” poetike për historinë. “Pra, të ruhemi, e të mos ia heqim shkencës sonë pjesën e saj poetike. Mbi të gjitha, siç kam vën re t’u ndodhë disave, të mos skuqemi prej saj. Do të ishte marrëzi e habitshme po të besonim se, meqë ajo ushtron një tërheqje aq të fuqishme në ndjeshmërinë tonë, duhet të jetë më pak e aftë të na kënaqë njëherazi edhe intelektin”[7]

   Ky është një përgjigje e kthjellët, përkundër “mjegullimit” që buron nga mendimi i dyzuar i Trevelyan.

                              VENDI I NJERIUT NE HISTORI

  Njeriu me dimensionin e tij individual dhe social në realitetin historik, ishte një tjetër problem i ngritur në çështjet e mendimit historik të shek.XX. Një gamë të gjerë debati e ka përfshirë raportin e tijë me ngjarjen. Sepse vet historia, në fund të fundit si lëndë trajtimi, ka pikërisht ndërgjegjen njerëzore. “Objekti i historisë nga natyra është njeriu, thoshte M. Bloch. Historiani i mirë i ngjan lubisë së legjendës. Ai e di se atje ku nuhat mishin njerëzor, atje është dhe gjahu i tij. Nga karakteri i historisë si njohje e njerëzve rrjedh edhe pozicioni i saj i veçantë përkundrejt problemit të shprehjes. A është ajo një “shkencë”? Apo është një “art”?”,[8]

   Roli i njeriut si faktor i rëndësishëm dominant në zhvillimin e proceseve historike kërkon edhe përfshirjen e tij si një ndërgjegje e lartë ndikuese. Madje edhe në procesin e evidentimit dokumentar, vështrimi kritik i mjaft studiuesve të këtij shekulli, lidhet pikërisht me njeriun.

    “Një dukuri njerëzore është gjithmonë hallka e një vargu që përshkon epokat”.[9] 

Madje në këtë aspekt, Bloch bën edhe deduksionin krahasues midis faktorit shoqëror dhe faktorit fizik, në funksionet e veta të rolit historik.Gjithëshka është e varur nga roli i njeriut, thot ai. Një fakt i tillë vlen të ilustrohet me veprën monumentale “Historia botërore dhe qytetërimi”, të historianit suedez Karl Grimberg i cili, siç është shprehur kritika e kohës, u kurseu “akademizmin” disa pedagogëve të dëgjuar, që me botimin e veprës “Historia e popullit suedez”. Te ky botim historiani përdor një stil të ri, duke i dhënë veprës një frymëmarrje të re dhe atmosferë të jashtëzakonshme përshkruese. Për opinionin skolastik të kohës, mbi të cilët rëndonin vargojtë e traditës klasike, ky element u quajt rebelim. “Rrebelimi” i Grimbergut u shfaq duke vën në qendër të veprës jo analizat e betejave dhe fitoreve, por, traktatet e paqes dhe konsultat e tyre por njeriun. Nga ky veprim ai tejkaloi pluhurin e ndryshkut kohor duke u bashkuar me mendimin e historianit Mark Bloch. Nga ky historian botuesit e kan paisur veprën e tij të fundit edhe me një citim konkret.

 ” Tej trajtave idilike të peizazheve, veglave të punës dhe makinave, tej shkrimeve me pamje të ftohtë dhe institucioneve me dukje krejtësisht të shkëputur nga ata që i kan krijuar, janë njerëzit ata me të cilët historia duhet të merret. Kush nuk ja arrin kësaj, në rastin më të mirë, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një mëditës i diturisë.”[10]

   Ky këndvështrim origjinal i cili solli një risi në shkencat historike, nxiti një progres marramendës. “U eksploruan fusha që ishin braktisur për shumë kohë, si rezultat i një pune më të thellë u kundruan nga një këndvështrim tjetër disa periudha historike, vlerat kulturore u shfaqën në atë mënyrë që nuk mund të dyshojë kërkush”[11]

   Kjo duket qartë në këtë botim edhe në metaforën e përdorur nga ky autor për lumenjtë e mëdhenj botëror, Nilin, Eufrati dhe Tigri, të cilët përbëjnë fillesat e kulturës së lashtë të njerëzimit. “Lumenjtë e mëdhenj janë qumështi i kulturës”.[12]  

              QYTETËRIMET DHE MENDIMI HISTORIK               

  Gjatë shek.XIX zbulimet e ndryshme arkeologjike kishin bër të njohur qytetërimet e vdekura të botës së lashtë. Ky rezultat kërkimor shtroi para disa historianëve dhe sociologëve të shek. XX-të një sërë problemesh madhore të cilët u lidhën drejtpërsëdrejti me qytetërimin aktual perëndimor. Pikëpyetjet e ndryshme i referoheshin në mënyrë të konverguar postulatit të Heraklitit përdorur aq shpesh në kontekstin e zhvillimit ciklik të qenieve biologjike. “Rruga për lart të çon edhe poshtë”. Një nga këto pyetje ishte tepër tronditëse. A mund të gjente zbatim kjo sentencë e vrazhdët filozofike në qytetërimin e sotëm perëndimor? Dhe ajo që ishte më e rëndësishme formulohej në pyetjen për historinë. A mundej kjo shkencë të përcaktonte ligjet e zhvillimit ciklik apo linear të shoqërisë njerëzore? Ishin pyetje të një natyre fondamentale të cilat lidheshin me ekzistencën dhe progresin e shoqërisë njerëzore, e që, në fund të fundit ishin normale për detyrën dhe objektin pretendues të një shkence të caktuar. Dhe një debat të tillë të kësaj natyre hapi botimi i veprës dy vëllimëshe me titull, “Rënia e Perëndimit”me autor filozofin gjerman Oswald Cassandra Spengler. Vëllimi i parë i tij u botua në vitin 1918 dhe i dyti më 1922. Vepra përbënte një studim filozofik mbi historinë. Thelbi i saj lidhej me analizën krahasuese të historisë së qytetërimeve duke i mëshuar tezës se historia ishte në gjendje të bënte parashikime të sakta. Sipas këtij arësyetimi, qytetërimet e vdekura e mbartnin në vetvete ecurinë ciklike të një qënieje biologjike, përcaktuar përkitazi me fazat e jetës së tyre të lindjes, rritjes dhe të rënies. Ky ishte fati i tyre tragjik. Spengel shpallte nëpërmjet veprës së tij rënien e qytetërimit europian.”Ai që nuk kupton, thoshte ai, se ky rezultat është i detyrueshëm dhe i paprekshëm nga ndryshimi, duhet ta lërë dëshirën për të kuptuar historinë” [13]

   Në përkrahje të këtij mendimi dualën edhe shumë historian, sociolog dhe filozof të tjerë. Njëri prej tyre, prof. Petrie, egjiptianolog, e përcaktonte kulmin e qytetërimit perëndimor në vitin 1800 dhe se rënia e tij kishte filluar që me rënien e Revolucionit Francez. Thënia pikante e Heraklitit, ishte bër tashmë aq tragjike, sa nuk mund të krahasohej me asnjë shekull tjetër. Përfundimi që dilte nëpërmjet kësaj vepre ishte i sigurt. Rënia! Rënia si e vetmja alternativë e zhvillimit dialektik, ashtu si dhe vet vdekja përbën alternativën e vetme të jetës. Spengel paraqiste në vepër tetë kultura kryesore; kulturën egjiptiane, babilonase, indiane, kineze, greko-romake, arabe, meksikane dhe perëndimore moderne. Jepte gjithashtu për secilën prej tyre edhe simbolin përfaqësues. Kultura egjiptiane ka gurin, kultura greke idealin e së bukurës, kultura indiane idealin e shpëtimit të shpirtit njerëzor, ndërsa kultura perëndimore ka qemerin, harkun e një ndërtese. Qellimi i përshkrimit të kulturave në këtë vepër bëhet në funksion të arësyetimit të rënies së tyre. Kulturat në këtë rast trajtohen si “bërthama” jete ku ruhet sekreti i zhvillimit të një qytetërimi të rrënuar. Spengel na e jep zhvillimin e tyre në katër faza, në pëputhe paralele me katër stinët e vitit. Stinët e një kulture janë fëminia, rinija, pjekuria dhe plakja e saj. Sapo vdes një kulturë, thot ai, lind një tjetër. Fëmijëria e saj është barbarizmi i shoqërisë primitive, të përbërë kryesisht nga fshatarë, tek të cilët në mungesë të ndërgjegjes historike, mbizotëron instikti. Rinija përkon me fazën e krijimit të një feje racionale tek e cila, shpirti i një kulture gjen vetvehten. Faza e pjekurisë përbëhet nga periudha e ndritshme e zhvillimit të artit, filozofisë, shkencës dhe poezisë. Ndërsa plakja përkon me stinën e ftohtë të dimrit, ku kultura ja lë vendin qytetërimit të thjeshtë duke u zhytur e tëra dalngadalë në një tip të ri barbarizmi. Po ç’është sipas Spengel-it ky “dimër” i qytetëruar i cili e bën shkencën e historisë të parashikojë zhvillimin linear të shoqërisë njerëzore, mbi bazën e zhvillimit ciklik të kulturave të saj? Fazën “dimërore” të këtij zhvillimi ai e përcakton si preludin e shkatërrimit. Në këtë fazë njerëzit priren nga sofistikimi dhe parazitizmi. Qytetet bëhen artificialë, thotë ai, dhe në skenë shfaqen masat. Njerëzit bëhen skllevër të makinave. Drejtimi kalon nga intelektuali idealist tek borgjezi, i cili fillon ta kontrollojë votën me anë të parasë. Institucionet e shtetit kthehen në farsa. Paraja lind Çezarizmin dhe pasanikët marin pushtetin. Kjo është skena e fundit e dramës kulturore. “Nëse ka ndonjë vlefshmëri në histori, thot ai, nëse e shkuara ka dritë për të hedhur në të ardhmen, është që qytetërimi perëndimor ka hyrë në këtë fazë të fundit të kulturës, që është në agoni të rënies dhe me anë të një domosdoshmërie metafizike, do të rrënohet dhe do të shkojë”[14]

   Kjo vepër ngjalli ndërkohë shumë reagime të ashpra. Por, në thelb të saj qendronë pyetja asgjësuese, se,a është në gjendje historia të parashikoj ligjet e zhvillimit njerëzor dhe, nëse është kështu, a vdesin qytetërimet? Nëse do ta pranojm këtë fakt, atëhere si spiegohet ruajtja e trashëgimisë kulturore, që nga alfabetet, zejet, makineritë, etj. etj?

   Vet koha e rrëzoi këtë vepër, duke i kthyer në utopi të pastër parashikimet e saj profetike. Ndërsa metoda që përdori autori i saj, u bë një pësim i rëndësishëm për historinë. Ajo u vërtetua e gabuar kur Spengler, e paralelizoi shoqërinë njerëzore me një organizëm biologjik. Veç kësaj, ai mohon teorinë e Ndriçimit, idesë së progresit dhe  lirive demokratike të arritura me aq sakrifica të panumërta shekullore nga breznitë njerëzore. Ishte pikërisht kjo metodë operimi që e futi atë në një model apriori, mekanik dhe fatal të nxjerrjes së konkluzioneve për rënien e qytetërimit perëndimor.

 Por një tjetër vepër do të dilte përsëri në dritë duke ju referuar sërisht qytetërimeve. Kjo ishte vepra me dhjetë vëllime e  historianit angles Arnold Josepf Toynbee. Ajo u botua midis viteve 1934–1961. Për fushën e gjerë të veprimit dhe qellimet e saj të larta, kritika e kohës e cilësoi “metahistori”. Njesitë inteligjente brenda saj, nuk janë kombet apo periudhat historike, por shoqëritë dhe qytetërimet. Aty pasqyrohet ngritja dhe rënia e 21 qytetërime përgjat gjashtë mij vjetëve histori. Pesëmbëdhjetë nga këto janë degëzime të kulturave më të vjetra. Kultura egjiptiane, sumerike, minoane, sinike, majane dhe andeane janë shfaqur drejtpërdrejtë nga jeta primitive. Disa prej tyre si ajo egjiptiane, babilonase dhe minoane janë të vdekura, ndërsa ajo polineziane, eskimeze dhe nomade kanë ndaluar. Kultura e krishterë perëndimore, e krishterë ortodokse, islamike, hinduiste dhe e Lindjes së Largët jetojnë ende. Veprën e përshkon si një fill demarkacioni pyetja, përse disa qytetërime zhvilloheshin e disa të tjerë dështonin? Kështu Toynbee vihet në hetimin filozofik për origjinën, rritjen dhe rënien e tyre.

   Zanafillën e qytetërimeve ai ja atribuon pranisë së një minoriteti krijues, një elite intelektuale dhe një mjedisi të përshtatshëm. Ndërsa zhvillimin e tyre ai e paraqet nëpërmjet mekanizmit të tij të famshëm të “sfidës dhe përgjigjes”. Më sfidë presupozohet një problem që përballet shoqëria ndërsa zgjidhja që ofron ajo është përgjigjja. Të dyja këto për Toynbee përbëjnë “ritmin e historisë”.

   Rritja e civilizimeve duhet të matet me progresin e vet drejt vetvendosjes. Këtë proces Toynbee e përkufizon “eterilizim” i cili presupozon thjeshtëzimin progresiv të teknikave siç është, fjala vjen, zëvendësimi i komunikimit nëpërmjet linjave telefonike me valët. E gjithë rritja për atë fillon me individ apo minoritete krijuese. Interesante është përcaktimi që i ka bërë ai veprimit krijues të individit, duke e cilësuar dykahëshe. Nga njëri kah është tërheqja për qellim ndriçimi personal, ndërsa nga kahu tjetër është kthimi në funksion të ndriçimit të të tjerëve. Raste të tilla “Tërheqje dhe kthim” të individëve kemi te Buda, Muhameti, Dante, Shën Grigori i Madh etj. Ndërsa ndër minoritetet krijuese ai citon rastin e sjelljes së athinasve në antikitet, përball krizës së rritjes së popullsisë. Kur përgjat dy shekujve Greqia vazhdonte kolonizimin, Athina mbeti mbrapa, por kur doli problemi i luftrave me Perandorinë Persiane, ajo u kthye përsëri në skenë si udhëheqëse e Greqisë.

 Për procesin e rënies së qytetërimeve Toynbee ju referohet arësyjeve të brendshme të zhvillimit të tyre. Kjo sepse vet Toynbee besonte se qytetërimet si embrion të brendshëm zhvillimi kishin forcën shpirtërore dhe se kulmi i historisë do të jetë Mbretëria e Perëndisë. Kemi këtu një përkim me këndvështrimin kristian të mendimit historik, të cilët besonin në takimin e Jeruzalemit tokësor me Jeruzalemin qiellor. Këtë rënie ai e arsyeton me një lloi zhvillimi të brendshëm negativ, një lloji tragjedie të vetvrasjes, humbje e aftësisë vetvendosëse, dalja e shumicës nga kontrolli i pakicës dhe lindja e përçarjes që të çon në katastrofë. Disa nga mënyrat e kësaj gjendjeje të prezantuar janë “ndëshkimi i krijimtarisë”, si në rastin e gabimit të judenjve të cilët bënë idhull rritjen e tyre frymore kur zbuluan monoteizmin nga i cili u bindën të besonin se ishin popull i zgjedhur i Perëndisë.

   Arësyeja e dytë është militarizmi, kjo ironi tragjike që fshihet në disfatën e rezervuar të armës të shprehur nëpërmjet thënies se: “Ata që ngrenë shpatën nga shpata do të vriten”. Dhe arësyeja e tretë është, dehja nga fitorja, si shembull i së cilës mund të përdoret rënia e Kishës Hilderbrandin me idealin e saj për një Republikë të Krishterë.

   Edhe kjo vepër pati pika të përbashkëta me “Rënien e Perëndimit” të Spenglerit. Mendimi kritik shkencor nuk e mirëpriti. Ai u shpreh se, çfarëdo që Toynbee ka shkruar në këtë vepër nuk është histori. Kush janë arësyet e një përcaktimi të tillë dhe a përbëjnë ato së bashku me veprën e botuar, një debat interesant në historiografinë e shek. XX-të? Cilat janë metodat, kriteret dhe filozofia orientuese që ka përdorur ky autor i cili u kritikua aq shumë për mungesën e karakterit shkencor të veprës së tij?

   Toynbee për të punuar zgjodhi metodën empirike dhe induktive. Por ky fakt është kundërshtuar nga kritika si jo i saktë dhe se, metoda e praktikuar në tekstin e kësaj vepre rezulton të jetë apriorike. Sepse së pari, koncepti i përgjithshëm që autori ka mbi historinë është plotësisht natyralist duke e konsideruar jetën e shoqërisë natyrore dhe jo mendore.”Historiani është spektatori inteligjent i historisë në të njëjtën mënyrë që shkencëtari është spektatori inteligjent i natyrës” [15]

   Ishte pikërisht ky vështrim pozitivist i realitetit historik në veprën e tij që e bëri atë, të mos e konceptojë njohurinë historike si rivendosjen e të shkuarës në mendjen e historianit. Një nga kritikët e tij më të ashpër, Profesor A.L.Rowse sheh në këtë vepër, një “skematizëm sociologjik” që e dëmton paparashikueshmërinë e historisë. Toynbee, thotë ai, e “imponon modelin e tij te tema” dhe se, “është kundër natyrës së historisë të imponosh një tezë mbi faktet” [16]

   Ndërsa Profesori H. E. Barnes e kritikon këtë vepër duke i atribuar asaj më shumë teologji sesa histori. Madje mjaft nga kritikët e tij ankoheshin se shumë nga përfundimet e tij ishin të një moralisti të krishterë sesa të një historiani. Pra, nëse Spengler përdori arsyetimin e procesit natyral tek qeniet biologjike, Toynbee përdori apriorizmin dhe misticizmin.

    Një tjetër kritikë e kësaj vepre është ardesuar në drejtim të relacionit vdekje – ndryshim. Në të vërtet a vdesin plotësisht qytetërimet? A nuk ndodh që ata vetëm se ndryshojnë para shkrirjes së tyre të dukshme? Nëse ata do të vdisnin, si ndodh që ne kemi të trashëguar nga ata një potencial zhvillimi të mjaftueshëm për ecurinë lineare të jetës? Artet, shkencat, teknikat e zotërimit të natyrës, a nuk janë këto potenciale të vyera të ruajtura në mënyrë të trashëgueshme nga qytetërimet e vdekura? Atëhere përgjigjja është fare e qartë. Kur trashëgimia kulturore trasmetohet, qytetërimi mund të ndryshoj në formë por jo tërësisht në thelb. “Qytetërimet nuk përjetojnë lindje ose vdekje.”[17]

   Kur vdiq Toynbee, më 1975, asgjë nga përmbajtja kryesore e veprës së tij nuk ishte e besueshme mes historianëve profesionistë.

Megjithatë, kjo vepër monumentale ishte një histori me të vërtetë universale dhe shërbeu për të ndarë traditën historiografike nga eurocentrizmi. Arthur Marwick ka dhën një përcaktim mjaft vlerësues për të,”Toynbee ndoshta është një poet i madh dhe jo një historian shumë i madh; por, në shtëpinë e historisë ka shumë dhoma.”[18]

                    A BEN PARASHIKIME HISTORIA? 

    Por ç’farë sollën këto vepra të fuqishme në realitetin historik të shek.XX? Ç’farë provokuan ato në mendimin historik të kësaj kohe? Në fund të fundit lufta për njohjen e botës dhe të vetvetes është një aventur e pashtershme e popujve e cila zhvillohet pandërprerë dhe në funksion të progresit të pretenduar shoqëror. Por a mund të shërbejë historija për parashikimin e ngjarjeve të ardhshme? “Kjo do të thotë se duhet të hedhim poshtë mundësinë e një historie teorike, thot një tjetër gjigand i mendimit kritik të shek. XX, Karl Popper; d.m.th. të një shkence shoqërore historike që do t’i korrespondojë fizikës teorike. S’mund të ketë teori shkencore të zhvillimit historik që të shërbej si bazë për parashikimin historik, thotë ai.”[19]

   Popper në veprën e tij monumentale “Mjerimi i historicizmit”(Titulli është sajuar nga autori qellimisht si aluzion për titullin e librit të Marksit Mjerimi i Filozofisë) i kushton ndër të tjera një analizë të hollësishme mundësisë së parashikimit të rrjedhës së ardhshme të historisë, sidomos, analizës logjike të situatave në histori dhe interpretimit të tyre. Ky interpretim lidhet me nevojën e ngritur për kryerjen e reformës në histori. Këtu ai e lidh mendimin me kërkesën për një sociologji e cila “të luaj rolin e një historie teorike të zhvillimit historic.”[20] Theksin ai e vendos sidomos tek roli i individit në ngjarjet historike. Kemi piktakime të njëjta me Marc Bloch. Si është trajtuar nga historianët ky rol dhe sa e hijezon ai rolin e masave në një proces historik? Për të ilustruar mendimin e tij, Popper merr si shembull Tolstoin. Historicizmin e tij ai e quan reagim kundër metodës së të shkruarit të historisë e cila e konsideron të rëndësishëm parimin e udhëheqjes. Tolstoi përshkruan në veprën e tij, ndikimin e ulët të veprimeve të personaliteteve të shquar të vitit 1812, si të Napoleonit, Aleksandrit, Kutuzovit, etj. udhëheqës. Këtë ndikim të minimizuar Tolstoi e kundërvë përball logjikës së fortë të ngjarjeve. Është pikërisht kjo logjikë që duhet të mari në konsideratë rëndësinë e shpërfillur por shumë të madhe të individëve të panumërt e të panjohur të cilët i vunë zjarrin Moskës dhe që shpikën metodën partizane të luftimit. Nëpërmjet këtij shembulli, Popper na vë në dukje se historicizmi ka disa elementë të shëndoshë të cilët i kundërvihen metodës naïve të interpretimit të historisë politike, thjesht si histori të gjeneralëve të mëdhenj. “Historicistët e ndjejnë me të drejtë se mund të gjendej diçka më e mirë se kjo metodë.”[21]

   Një hapësirë të rëndësishme trajton Popper në lidhje me sociologjinë e njohjes dhe gjendjen emocionale të historicizmit. Sociologjia e njohjes lidhet me “objektivitetin shkencor” i cili bazohet në një farë mase në institucionet shkencore. Kjo gjë i kundërvihet mendimit të konsideruar naiv i cili e vartëson objektivitetin shkencor nga psikologjia e shkencëtarit si individ. Pikërisht kjo doktrinë është zhvilluar nga “sociologjia e njohjes” dhe është pikërisht ky këndvështrim i cili heq tërësisht vlerën e karakterit shoqëror ose institucional të njohjes shkencore. Ajo mohon karakterin publik të shkencës dhe institucioneve të saj. Ajo mohon gjithashtu se është ky karakter dhe janë pikërisht këto institucione, që ju imponon një disiplinë mendore çdo shkencëtari dhe që ruan objektivitetin e shkencës dhe të traditave të saj, për të shqyrtuar në mënyrë kritike idetë e reja.

    Ndërsa gjendja emocionale e historicizmit lidhet me gjurmët e hyjnizimit që shfaqen në teoritë e sotme moderne që nga pikëpamjet teologjike të fatit të cilat besoheshin që nga periudha primitive e njeriut. Sot, këto gjurmë shfaqen në ç’do version të historicizmit të shprehura si ndjesi, se drejt së ardhmes na rrëmbejnë forca të papërballueshme. Popper vëren për historicistët modern se nuk janë ende të ndërgjegjshëm për lashtësinë e doktrinës së tyre. Ata jetojnë me idenë se vërtet ishin ata që që zbuluan problemin e ndryshimit, i cili nuk është gjë tjetër veçse njëri prej problemeve më të lashta të metafizikës spekulative. Duke ju kundërvën me mendimin e tyre dinamik, mendimit statik të breznive të mëparshme, ata ushqejnë iluzionin se jetojnë në një revolucion dhe se ndryshimi shoqëror mund të konceptohet i përjetuar brenda kohëzgjatjes së një jete. Pikërisht, këtë iluzion Popper e konsideron një përrallë dhe mitologji të kulluar. Në këtë hulli arsyetimi, duket sikur historicistët përpiqen të kompensojnë vetveten për humbjen e botës së pandryshueshme, duke u kapur me fanatizëm pas besimit se, ndryshimi mund të parashikohet, sepse rregullohet prej një ligji të pandryshueshëm.

   Ndryshimi nuk është gjë tjetër veçse zhvillimi shoqëror. Shoqëria ashtu si një organizëm, ka kujtesën e vet të cilën ne e quajmë histori, arsyeton Popper. “Historia mund të përsërisë vetveten, por kurrë në të njëjtin nivel, posaçërisht kur ngjarjet me rëndësi historike dhe kur ato ushtrojnë një ndikim të qëndrueshëm në shoqëri”[22]

Duke u përballur me doktrinat e historicizmit, Popper konkludon se, “ne nuk mund të parashikojmë rrjedhën e ardhshme të shoqërisë njerëzore.”

                                   IDEALIZMI NE HISTORI

 Spengler dhe Toynbee, ngritën ndërtesën e madhe filozofike të historisë gjatë këtij shekulli. Por, krahas tyre u shfaq edhe një rikonsiderim filozofik i natyrës së historisë, e cila lidhej me mendimin idealist historik. Përfaqësuesit e kësaj rryme ishin Benedetto Croçe dhe Robin George Collingwood. Të dy këta kishin arritur të siguronin një “justifikim filozofik” të gjendjes relativiste në historiografi, demonstruar veçanërisht në SHBA, në fillim të shek. XX.

   Croce prezantoi sistematikisht temën me titull “Filozofia e shpirtit” të cilën e zhvilloi me disa artikuj të botuar në gazetën e tij të kritikës kulturore La critica, themeluar në vitin 1903. Një pjesë e këtyre shkrimeve ishte histori. Histori në të cilën dominonte parimi ndërmjetësues i influencës shpirtërore. Me shpirtin ai kuptonte ndërgjegjen njerëzore. Por sipas tij ky shpirt, ishte pa strukturë të paravendosur dhe shfaqej në mënyrë spontane. Ndërsa në një numër esesh filozofike, Croce spiegonte natyrën e historisë. Ai ngriti problemin nëse ishte kryesor ideali apo materiali në studimet sociale dhe historike. Vet ai ishte për idealin. Croce shtroi gjithashtu edhe një problem tjetër mjaft të rëndësishëm në studimet e tij filozofike; ndryshimin midis njohurive historike dhe shkencore. Midis të dyjave ai gjykonte se historija ishte “intuitë intelektuale” dhe se ajo bëhet realitet vetëm në mendjen e historianit. Nga ky përcaktim prej këtij filozofi ka dal aforizmi i shquar se, “e gjithë historia është histori bashkëkohore”. Kjo do të thotë se e shkuara ekziston vetëm në mendjet e bashkëkohësve. Croce flet edhe për karakterin universal të historisë.”Historia, thotë ai, që nuk është universale nga jashtë, ka pikërisht karakterin e njohjes universale nëpërmjet hulimtimit të pjesshëm”[23]   Primare Groce vinte intuitën. “Intuitivizmi i Kroçes qendron në themel të të gjitha arteve. Ai e konsideronte intuitën “lirike” [24] Ky intuitivizëm estetik gjeti mbështetje edhe në filozofinë idealiste të A. Bergsonit. “Në këtë mënyrë, Kroçe dhe Bergson i çelën rrugën irracionalizmit”[25]  

   Natyrisht edhe ndaj këtij mendimi idealist pati kritika të konsideruara. Artur Marwick shkruante se te Croce ekzistonte bindja që “I menduari historik ishte po ashtu superior ndaj gjithë llojeve të tjera të të menduarit dhe se relativiteti i historisë nuk ishte rrëfim i dobësisë por një pohim i fuqisë intelektuale dhe imagjinare.” [26]

   Croce si një filozof i historisë la një trashëgimi të ngatërruar e cila nuk dha shumë kontribut në zhvillimin e studimeve historike. Por Croce pati një ndikim të rëndësishëm tek disa studiues, veçanërisht tek Collingwood. Në vitin 1924 Collingwood botoi veprën  “Speculum Mentus”,  në të cilën propozonte një filozofi mbështetur në unitetin e mendimit dhe një sintezë të pesë formave të përjetimit, të artit, fesë, shkencës, historisë dhe filozofisë. Në vitin 1930, mbështetur në idealizmin e Croces se gjithë historia është historia e mendimit, Collingwood botoi pamfletin e titulluar Filozofia e Historisë. Këtu ai paraqet një justifikim të përpunuar të relativizmit historik. Megjithatë, ai nënvizon elementin subjektiv, në kuptimin që “…ç’do njeri shikon në një ngjarje të veçantë historike gjëra që një tjetër nuk i sheh.”[27] Pamfleti përfundon duke ju referuar nocionit të Croces se gjithë historia është histori bashkëkohore. Dhe konkluzioni i tij është tronditës,”Ç’do epokë, shkruan ai, duhet ta shkruajë historinë përsëri”.

    Në vitin 1945 Collingwood  botoi veprën “Ideja e Historisë” e cila e bëri të famshëm. Këtu ai e propozon historinë si një “disiplinë në të cilën historiani e rijeton të shkuarën në mendjen e tij në kontekstin e përvojës së tij.”[28] Filozofia e historisë nuk mer në konsideratë as “të shkuarën më vete”, as “mendimin e historianit rreth saj më vete”. Në thelb ajo i merr të dyja këto në marrëdhëniet e tyre të dyanshme. Për Collinwood, historia e mendimit, është rindërtimi i mendimit të shkuar në mëndjen e vetë historianit. Sipas kësaj filozofije, historiani duhet të zbuloi mendimin e shprehur në një ngjarje dhe nëpërmjet këtij zbulimi ai kupton shkakun ose shkaqet e saj. Pra, mendimi përbën brendinë dhe shkakun e një ngjarjeje. Dhe në ndryshim nga shkencëtari, historiani merret vetëm me ato ngjarje të cilat janë shprehja e jashme e mendimit. “Njohuria historike është njohuria e asaj që njeriu ka bërë në të shkuarën, dhe në të njëjtën kohë është ribërja, rindërtimi i të shkuarës, përjetësimi i veprimeve të shkuara në të tashmen”[29]

   Edhe Collingwood ashtu si dhe Croce pati kritika të theksuara për filozofinë e tij të historisë. Arthur Marwick shprehet se, “ Kushdo që është i interesuar për historinë duhet të dijë diçka për idetë e Collingwood. Por duhet të theksohet përsëri se ai nuk qëndron në rrymën kryesore të zhvillimit të studimeve historike; plot me mëndjemprehtësi të thellë, ai nuk është udhëheqje e sigurtë për atë që në të vërtetë historianët bëjnë ose se si ata mendojnë”[30]

   Gjithsesi, shekulli i XX-të, ka gëluar nga mendime të fuqishme shkencore dhe filozofike mbi historinë, të cilat e bëjnë atë një nga periudhat më të ndritëshme të kohëve moderne. Reflekse të tilla janë vetëm disa grimca të imta të shkëputura nga ai ndriçim aq i madh shekullor i kësaj kulture.

 

 

  Fieri.com  /  Nuri PLAKU

Specialist në Muzeun Historik Fier

 

 1 - E. SREEDHARAN “A Textbook of Historiography”. Fq.209

 2 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.211

 3 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.213

 4 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.213

 5 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.214

 6 - M. Bloch, “Apologji për historinë ose mjeshtëria e historianit”. Shtëpia   

       e   Librit & Komunikimit. Tiranë 2003 Fq.15

  7 - M. Bloch, po aty, fq.16

  8 - M. Bloch, po aty, fq.33

  9 - M. Bloch, po aty, fq.129

10 - K. Grimberg “Historia botërore dhe qytetërimi”, UEGEN, Tiranë 2003

             Fq. 5

11 - K. Grimberg. Po aty, fq.6

12 - K. Grimberg. Po aty, fq.19

13 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.211

14 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.218

15 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.223

16 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.224

17 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.224

18 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.226

19 - Karl Popper, “Mjerimi i historicizmit”. “Onufri”, Tiranë, 2003 Fq.14

20 - K. Popper, po aty, fq.144

21 - K. Popper, po aty, fq.145

22 - K. Popper. Po aty, fq.27

23 - Benedetto Croce, “L’enciklopedia universale. Milano”, 2006 Vol. 7

      Fq.  211

24 - A. Uçi, “Labirintet e modernizmit”. Sh.B.N.Frashëri Tiranë 1978. Fq.84

25 - A. Uçi, po aty, fq 84

26 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.227

27 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.228

28 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.228

29 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.228

30 - E. SREEDHARAN. Po aty, fq.228



Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00
Tifozeria Fierake