Postkomunizëm, shkëlqimi dhe rënia e kinematografisë ballkanike

Font size: Decrease font Enlarge font

Projekti i realizuar nga "Osservatorio Balcani" dhe "Caucaso", me mbështetjen e fondacionit "Cassa di Risparmio" në Trento e Rovereto, ka vëzhguar e studiuar transformimin e kinemasë ballkanike në 30 vitet e fundit. Në këtë studim janë krahasuar vende si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia dhe Serbia. Një ekip ndërkombëtar ekspertësh të zonave në fjalë kanë realizuar më shumë se 50 intervista, me protagonistë regjisorë, skenaristë, aktorë, teknikë, përfaqësues të administratës që i përkasin këtij sektori. Gjatë këtij projekti është analizuar industria e kinematografisë ballkanike, duke nisur që nga fillimet e saj të shndritshme në vitet ‘70, për të kaluar më pas te kinematografia pas rënies së regjimit komunist, pas vitit 1989 e deri në globalizimin e saj aktual.


Pas Luftës së Dytë Botërore, industria kinematografike në Shqipëri, Bullgari dhe Jugosllavi pati një impuls të fortë nga ana e regjimeve, synimi i të cilave ishte të edukonin masat me vlerat prej të cilave këto sisteme frymëzoheshin: revolucion, komunizëm, komb dhe progres. Në këtë mënyrë, nisën të merrnin formë modele të reja prodhimi dhe shumë shpejt u ndërtuan edhe infrastruktura të mëdha: studiot "Avala" dhe "Jadran" në Beograd e Zagreb, "Boyana" në Sofje dhe "Kinostudio" në Tiranë. Këto studio i dhanë jetë një faze të re zhvillimi të kinematografisë për zonën e Ballkanit. Një analizë komplekse për raportin mes industrisë kulturore dhe sistemit politik duhet fillimisht të marrë në konsideratë çështjen e investimit strategjik dhe të njohjes së rolit thelbësor të produktit kinematografik dhe të arteficeve nga regjimet komuniste. "Në atë periudhë, kinemaja kishte një hapësirë kulturore dhe sociale mjaft të gjerë dhe kush punonte në këto industri kishte ndjesinë se ishte duke bërë diçka që kishte një domethënie, një kuptim dhe nuk ishin të shumtë ata që u jepej mundësia të punonin aty", thotë Srdan Koljević, regjisor dhe skenarist në Serbi. Duke pasur në dispozicion të gjitha mjetet e mundshme, ai që punonte në sektorin e teknikës, kishte të garantuar së bashku edhe sigurinë ekonomike.
 
Shteti investonte në të gjitha gjinitë e artit dhe kush merrej me kinematografi e dinte se i kishte të gjitha mundësitë për të siguruar një jetesë të mirë falë punës. "Për standardet tona, rrogat ishin shumë të mira. Shteti investonte në filmat që kishin vlera historike dhe politike. Për këta filma nuk llogaritej aspak se sa do të kushtonin", kujton Bata Živojinović, aktor në Serbi. E për këtë arsye, vitet e pas regjimeve komuniste, shpesh konsiderohen si "periudha e artë" e kinematografisë. Me përvojën e së tashmes, kujtimet e protagonistëve të industrisë kinematografike përpunojnë të shkuarën duke e sjellë në mendje me një lloj nostalgjie për punën e kryer gjatë regjimit komunist, edhe aty ku komunizmi ishte ndoshta më i ashpër se në vendet e tjera ballkanike, siç është rasti i Shqipërisë. "Ishte viti 1971 kur sapo isha diplomuar dhe u realizua për mua një ëndërr e pamundur: të punoja në ‘Kinostudio‘. Në atë kohë kjo ishte një mrekulli për cilindo që studionte degën. Kush punonte në ‘Kinostudio‘ ishte gjithnjë në kontakt me kulturën, me të renë dhe me botën e aktorëve. Jetonte më mirë se kushdo në vendin tonë", shprehet Vllasova Musta, regjisor i filmave të animuar në Shqipëri. Për kineastët, çmimi që duhej të paguanin, natyrisht që ishte kushtëzimi i lirisë së shprehjes, me krijimin e mekanizmave të censurës (dhe mbi të gjitha të autocensurës) dhe kontrollit ideologjik të produktit kinematografik. "Sistemi kërkonte sidomos autocensurën. Kishte besim në perceptimin personal të kufijve të cilët nuk duheshin kaluar, sepse në të kundërt pasojat ishin negative. Në përgjithësi, nga kjo betejë dilte i fituar ai që kishte kurajë të fitonte ndaj vetë autocensurës", tregon Nikolay Volev, regjisor në Bullgari.
 
Kontrolli politik bënte pjesë në përvojën e përditshme të atyre që punonin në kinematografi, por në kujtesën e të intervistuarve, ai mbetet gjithnjë në sfond të aktivitetit krijues dhe prodhues, pa i ndaluar dot ata në krijimtarinë dhe zhvillimin e tyre. Shumë shpesh, protagonistët nënvizojnë aftësitë e tyre për të reaguar ndryshe dhe me shpejtësi ndaj mekanizmave të kontrollit, duke krijuar hapësirat e lirisë, nëpërmjet të shkruarit "mes rreshtave", duke përcjellë në këtë mënyrë edhe mesazhet e tyre. "Kinemaja ishte pa dyshim një instrument propagande, por ekzistonte edhe mundësia për të bërë edhe kalime gati të padukshme, nëpërmjet të cilave ne mund gjenin elemente shprehëse për të rrëfyer të vërtetën tonë", thotë Ivan Andonov, aktor dhe regjisor në Bullgari. Vitet ‘70 ishin një periudhë mjaft e tensionuar për sa i përket krijimtarisë në kinematografinë ballkanike. Në rastin e Jugosllavisë, vendi më liberal komunist, për një periudhë të shkurtër nisi të vinte në diskutim temat dhe mënyrat tradicionale të të bërit kinema. "Vala e zezë" u quajt periudha në të cilën nisën të shenjtërohen fuqimisht simbolet e regjimit. Më pas, me fundin e viteve ‘80, kolapsi i regjimeve dhe hapja me jashtë, e në këtë rast hapja me merkaton kinematografike, zhgënjeu shpresat për një ngritje dhe një rinovim të kinemasë ballkanike. Dëshmitë e mbledhura njëzëri pohojnë se pas këtyre viteve, ndryshe nga sa ishte menduar, industria e kinematografisë ballkanike humbi shkëlqimin dhe uli nivelin e sistemit prodhues dhe financues, një sistem i cili mbahej në këmbë prej diktaturave përkatëse. Në këtë mënyrë, për kinematografinë nisën vështirësitë ekstreme, si në terma ekonomikë ashtu edhe në terma prestigji.
 
"Nga një situatë të një mirëqenieje të madhe, papritmas ne e gjetëm veten në rrugë, pas asnjë kacidhe në xhep. Ishte një rënie e menjëhershme, sidomos sa i përket anës psikologjike", komenton Georgi Dyulgerov, regjisor dhe docent për kinemanë në Bullgari. Kriza e kinemasë pati interes për financimet po aq sa edhe për infrastrukturat e shpërndarjes. Shumë shpejt nisi privatizimi i studiove, me pasoja penalizuese sidomos për filmat e ekranit të vogël. "Gjeneratave të reja nuk u ka mbetur më asnjë sallë kinemaje, shteti i shiti të gjitha. Nga 1500 kanë mbetur vetëm 50, ndërsa hapësirat e tjera janë kthyer në palestra apo dyqane", thotë Bata Živojinović, aktor serb. Pas viteve ‘90, kinemaja ballkanike i ka kthyer sytë dhe prodhon për skenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në festivale të rëndësishme të filmit, e shpeshherë duke fituar edhe çmime. Situata e vështirë ekonomike gjithnjë e më shumë i ka çuar kineastët drejt rrugës së bashkëpunimit. Janë krijuar në këtë mënyrë bashkëprodhimet si një rrugë alternative për të mbledhur burimet financiare dhe për të ndarë infrastrukturat. Bullgaria tashmë është e njohur për prurjen e produksioneve ndërkombëtare të cilat tërhiqen drejt këtij vendi për shkak të çmimit të lirë me të cilin punohet aty.
 
Ky delokalizim prodhues edhe në fushën e kinematografisë i jep mundësi mbijetesës profesionale në fushën teknike. Megjithatë, mbështetja ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme për të ringritur në këmbë një industri private të kinematografisë. "Pas vitit 1990, kinemaja shqiptare hyri në merkaton ekonomike. Sot ne jemi të lirë sa i përket këndvështrimit ideologjik, por gjendemi përballë një censure edhe më të ashpër, që është ajo ekonomike", thotë Esat Musliu, regjisor dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri. Kjo mungesë e burimeve ekonomike, jo rrallëherë gjatë këtyre viteve të fundit ka pasur pasoja negative sa i përket lirisë së krijimit. Me të kaluar klishetë e heroizmit partizan dhe të ngritjes së socializmit, sot kinemaja ballkanike nuk është edhe aq e lirë në përzgjedhjen e temave. Për t‘iu përgjigjur pritshmërive të publikut ndërkombëtar, kinemaja e Ballkanit, ajo e vendeve që përjetuan komunizmin, është e detyruar të riprodhojë ngjarje të stereotipizuara. Pjesa më e madhe e filmave i përket periudhës së komunizmit, ose postkomunizmit. Sot, kinematografisë ballkanike i duhet të përballet me problemet që shoqërojnë globalizimin në përgjithësi. Sot, kinematografisë ballkanike i duhet të gjejë ekuilibrat dhe format e reja të shfaqjes në një botë që gjithnjë e më shumë vrapon në një konkurrencë të fortë.
 
 
 
 
Burimi Informativ: Shqip
 
 
Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00