Gjaku i pafajshem i qytetit tim

Font size: Decrease font Enlarge font

26 Shkurti i vitit 1941 është dita e masakrës më të madhe të kryer në Fier gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe njëherazi, një nga ngjarjet më të rënda të këtij qyteti në 100 vitet e shtetit shqiptar.

Shumë pak është folur për këtë ditë që duhet konsideruar “e kremtja e zezë” fierake. Madje duhet thënë se ka disa dhjetra vjet që nuk është folur aspak për të, duke e lënë gjakun e pafajshëm të këtij qyteti, të rrjedhi nëpër zgafellat e errëta të kujtesës së humbur historike. Kohët e fundit nga Arkivi Qendror i Shtetit kemi mundur të nxjerim dokumentin origjinal të kësaj ngjarjeje në të cilën përshkruhen hollësitë e saj dhe numri i plotë i viktimave. E “Kremten e zezë” fillon të “zbardhet” pikërisht nëpërmjet këtij dokumenti arkivor duke ngjallur sërish në kujtesën tonë ndjenjën e thellë të keqardhjes dhe nderimit qytetar për të gjithë të rënët e kësaj dite.

Pas pushtimit të Shqipërisë, Italia fashiste filloi të organizonte edhe pushtimin e Greqisë. Sipas këtij plani ajo instaloi në Fier një nga prapavijat e saj active, shtabi i së cilës u vendos në shtëpinë e marrë me qera të Stavri Lakos në lagjen “Pasha”. Sekmente të tjera ushtarake u vendosën në shtëpinë e Kallogjerëve, shtëpinë e Moçëve etj. Ky strehim në shtëpitë e banuara të qytetarëve fierak, më shumë sesa për mungesë strehimi, u bë për të përdorur popullsinë civile të këtij qyteti si mburojë nga sulmet e aviacionit britanik. Pikërisht kjo manovër u shkaktoi fierakëve dëme të pallogaritëshme në humbjen e jetës së njerëzve dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre të banimit.

Në prag të sulmit kundër Greqisë, më 15 tetor 1940, Musolini thërret në Pallatin Venecia (selia e vendimeve të tija të mëdha), gjeneralë e politikanë të nivelit të lartë të cilët do të mernin në dorëzim realizimin e planit të tij të pushtimit. Gjatë raportimit për situatën greke, Jakomoni i paraqet Duçe-s shqetësimin se; “Grekët kanë nja 144 avionë, por problem mund të jetë aviacioni anglez që do t’iu shkojë në ndihmë”. [1]

Sulmi kundër Greqisë u ndërmor disa ditë pas këtij takimi, më 28 tetor 1940. Në të u angazhuan 8 divizione italiane me 140 000 trupa të shtrirë në një gjatësi fronti prej 200 km. Komandanti i përgjithshëm i këtij fronti ishte gjeneral Sebastiano Viskonti Prascan i cili arriti në ditët e para të futej në tokën greke vetëm 15 km. pa mundur të avanconte më tej. Më 14 nëndor gjenerali grek Aleksandër Papagos ndërmori kundërsulmin e furishëm dhe forcat italiane bllokohen keqazi në frontin e Kalibaqit në malin e Gramozit. Italianët filluan të tërhiqeshin aq shpejtë sa më 22 nëndor Korça ra në duartë e grekërve dhe javën e parë të dhjetorit fronti i luftës u vendos në Tepelenë. Fill mbas kësaj tërheqjeje, në muajin dhjeto,r Sebastiano Praskan zëvendësohet me gjeneral Ugo Cavalleron. Situata ishte aq e vështirë për forcat italiane sa Musolini dha urdhër që të gjithë burrat nën moshën 45 vjeçë të shkonin në front në Shqipëri. Por pavarësisht nga kjo thirrje forcat greke vazhdonin ofensivën e tyre të suksesshme. Më 10 janar bije Këlcyra ndërsa nga fundi i këtij muaji trupat italiane hidhen në kundërsulm në pika të ndryshme të frontit. Më 29 janar Gjenerali Metaksa ndahet papritur nga jeta dhe zëvendësohet nga Aleksandër Koryzios i cili u prit si një ogur i zi për fatin e ushtrisë greke.

Në fillim të shkurtit komanda italiane hedh në sulm forca të shumta të mekanizuara deri edhe me tanke, të cilat dëshmonin për ardhjen e ndihmave të para gjermane. Kjo bëri që muaji shkurt të kalonte i tëri me sulme e kundërsulme nga të dyja palët, deri sa trupat greke filluan të vihen gjithnjë e më shumë në pozicion mbrojtës përgjatë gjithë frontit.

Në këto rrethana aviacioni britanik ju vjen në ndihmë forcave greke duke bombarduar prapavijat italiane në Shqipëri. Objektivi kryesor i tyre ishin portet e vendit nga ku vinin furnizimet italiane të cilat përpunoheshin në pika të ndryshme dhe niseshin në front. Një nga këto pika ishte edhe porti i Semanit dhe në mënyrë të veçantë objektet ushtarake dhe shtabi Italian vendosur në Fier. Gjatë inkursioneve të tyre ajrore, aeroplanët britanik hidhnin fletushka prapagandistike në përmbajtjen e të cilëve sulmohej pushtuesi Italian dhe sulmi i tij mbi vëndin fqinj të Shqipërisë. Kjo gjë i pezmatonte strukturat fashiste në Fier dhe i detyronin ata të merrnin masa të rrepta frenetive. Më dt. 18 shkurt 1941 këshilltari ushtarak në Nënprefekturën e Fierit, Tenente Dott. Françesko Pitolli, ju drejtohej nëpërmjet një urdhëri të posaçëm gjithë strukturave vartëse të cilat duhej të “posedonin menjëherë në sekuestrimin e fletushkave për të mos rënë këto “manifesta” në duartë e popullit dhe ushtarëve”[2]. Urdhëri mbyllej me porosinë për tu marrë masa represive imediate në raste të tilla konkrete.

Por pak ditë më vonë nga dalja e këtij urdhëri, më 26 shkurt 1941, anglezët bombardojnë Fierin në një vijë zjarri intensive e cila fillonte nga familja e Bitollarëve në Qenas, vazhdonte në shtëpinë e Gaq Papës (lokali i sotëm ALPAR), në vilën e Kallogjerëvë ku ndodhejnë lagjen “Pasha” dhe vazhdonte përgjatë drejtimit veri - lindor duke krijuar vatrën e këtij zjarri në shtëpinë e Stavri Lakos, pranë shkollës së muzikës dhe përtej rrugës në lagjen “Liri” dhe “Bishanakë”. Ishte një bombardim i papritur dhe mjaft intensiv. Mbi banesat e popullsisë civile u hodhë 56 bomba të kalibrit të vogël dhe 25 bomba të kalibrit të madh [3]. Bombat e mëdha u hodhën kryesisht në sheshe por për fat të mirë një pjesë e tyre nuk shpërthyen. Si pasojë, nga popullsia civile mbetën të vdekur 18 persona dhe 28 të tjerë mbetën të plagosur. Mosha e të vrarëve varionte nga 1 deri në 65 vjeç. Të vrarët ishin 7 fëmijë nga 1 deri 14 vjeçë, 7 të rinj nga 22 deri 27 vjeç dhe 4 të tjerët ishin nga 35 deri 65 vjeçë. Kurse të plagosurit ishin 10 fëmijë nga 15 ditësh deri në 15 vjeç,  10 të rinj nga 20 deri 30 vjeç dhe të tjerët nga 32 deri 66 vjeç. Të gjithë personat e vdekur u vranë në lagjen “Liri”. 13 prej tyre ishin banor të kësaj lagje dhe konkretisht: Fetije Iliazi e datëlindjes 1876, Zyhra Qani Iliazi - 1919, Hyrije Gani Iliazi - 1940, Urani Çyçeni - 1881, Gjena Çyçeni – 1919, Kaliopi Çyçeni - 1917, Gor Tavanxhiu - 1886, Naunka Lil Niko - 1914, Ibrahim Liçaj - 1929, Vero Kryeziu - 1929, Viktorie Miloshi - 1931, Dhoksie Bozdo - 1928 dhe Shpresa J. Boriçi - 1933.

Ndërsa 5 të tjerë ishin nga vende të ndryshme si; Karafile Badri - 1918, nga Këlcyra, Daut Ymeri - 1917, nga Novosela, Nije Shkurti - 1906, nga Bishanaka, Thoma J. Dhima – 1921 nga Brostar Dhima dhe Ndone Harruni – 1916, nga Vlora.

Edhe numri më i madh i të plagosurve ishin banor të lagjes “Liri”.  Nga 28 prej tyre, 18 ishin banor të kësaj lagjeje dhe konkretisht: Aishe Ymeri, e datëlindjes 1921, Velina N. Niko – 1938, Jorgji N. Niko – 1937, Llazar Milaj – 1924, Fiqrete Saliu – 1934, Hysen Cakrani – 1913, Isak Avdia – 1886, Bush H. Banda – 1936, Ali Jakupi – 1924, Burhamedin Kodra – 1938, Muharrem Kovozi – 1916, Fatime Begunsa – 1921, Sherife Mestani – 1937, Hyrishe Ganiu – 1937, Vajza e Kristo Çyçes – 15 ditëshe, Niko Papavangjeli – 1885, Rufije J. Boriçi – 1909, Tarik J. Boriçi – 1939.  Sali Bedriu nga Vlora – 1916, Kol Xherro nga Pojani – 1886, Vasilika Xherro nga Pojani – 1896, Lena V. Kozmai nga Topoja – 1901, Leko Tasi nga Sheqishtja – 1926, Llazi Goga nga Semani – 1913, Selfo Osmani nga Mbrostari – 1914, Beqir Osmani nga Mbrostari – 1903 dhe doktor Kostandin Kallogjeri i datëlindjes 1891 nga lagjja “Pasha”.

Për ironi të fatit sekretari federal i Nënprefekturës së Fierit, Luka Bibi, shqetësohet më shumë për “manifestat” e hedhura sesa për viktimat e kësaj tragjedie. Po këtë date, ai i drejtohet Kryesisë së Bashkisë Fier me kërkesën për tu hetuar dëmet në viktima e materiale dhe veçanërisht, “ju kujtojmë, thotë ai, të bëni hetime rigoroze nëse aeroplanat kan lëshue manifesta e në rast pozitiv, merrni masat e duhura për ti shti në dorë që të mos mbesi asnjë në dorë të popullit”.[4] Ky fakt dëshmon frikën e madhe që kishte kapur pushtuesit Italian dhe veglat e qeverisë kuislinge nga dekonspirimi që ju bënte propaganda angleze qellimit të luftës së tyre kundër Shqipërisë dhe Greqisë.

Po kaq interesant e i çuditshëm është edhe qendrimi i qeverisë lokale në Fier kundrejt Komandantit të përgjithshëm italian të frontit grek Ugo Kavallero. Si shpërblim për këtë masakër të madhe të fashizmit i cili instaloi në mes të qytetit shtabin e vetë duke përdorur popullsinë civile si mburojë nga sulmet e aviacionit britanik, në verë të po këtij viti, ende pa u tharë mirë gjaku i viktimave të saj, Bashkia Fier e nderon atë me titullin e lartë “Qytetar nderi” i qytetit të  Fierit. Dhe natyrisht mbas lotëve të derdhur nga dhimbja për të vrarët e vetë, bashkiakët fierak, filluan të përplasnin duartë me entusiazëm festiv dhe të ngrinin dolli me shampanjën e urimit fashist.

 Ironia do të shfaqej sërish një vit më vonë, kur italianët në Fier në shenjë “mirënjohjeje” kryen një akt tepër “të rrallë”, graduan gjeneral kriminelin e famshëm Isa Toska, si shpërblim për krimet e tij të pashembullta ndaj popullsisë së kësaj treve. Ishte pikërisht përkëdhelja, nxitja dhe mbështetja ushtarake italiane ajo  që solli jo vetëm një mori krimesh shtazarake të këtij eksponenti, por edhe një tjetër masakër ndaj popullsisë fierake e cila ndodhi më 13 shtator të vitit 1943, ditën e vrasjes së kriminelit, duke bërë edhe një herë të rrjedhi gjaku i pafajshëm i këtij qyteti.

 

                   Fieri.com / Nuri Plaku (Përgjegjës i Muzeut Historik Fier)


[1] Puto, Arben,Lufta Italo – Greke, Diktatorë e kuisling, Toena, Tiranë 2012, fq.66

[2] AQSH, F. 223/2, V. 1941, D. 70, Fl. 1.

[3] AQSH, F. 223/2 V. 1941, D. 26 Fl. 1

[4] AQSH, F. 223/2 V. 1941, D. 26 Fl. 2

 

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0