Kristofor Martiro: Pas Beqir Ballukut, Kadri Hazbiu më caktoi të hetoja Kiço Ngjelën

Font size: Decrease font Enlarge font

Me sa dihet zoti Martiro, grupi që hetonte ushtarakët më të lartë të vitit 1974, me Beqir Ballukun në krye, u caktua dhe për hetimin e arrestimeve të reja që ndodhën atë periudhë në Shqipëri, që ishin pikërisht njerëzit që kishin drejtuar ekonominë shqiptare. Pra grupi juaj, pas kryegjeneralëve, vijoi hetimet me të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, akuzuar për "veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe ekonomi"?
Pa përfunduar hetimet me grupin e ushtarakëve të lartë, të akuzuar për veprimtari armiqësore, 'puç' e 'komplot' ushtarak, kundër partisë dhe pushtetit popullor, një grup tjetër i cilësuar armiqësor e tradhtar u urdhërua nga partia për t'u arrestuar. Ishte pikërisht grupi armiqësor në ekonominë kombëtare që thuhej se u zbulua nga Partia.

Kush saktësisht?
Të akuzuar për "veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe ekonomik" u cilësuan pikërisht njerëz shumë të njohur, që ashtu si dhe gjeneralët kryesorë të mbrojtjes, ishin figura të larta të shtetit të asaj kohe. Konkretisht: Abdyl Këllezi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit; Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë dhe Minierave; Kiço Ngjela, ish-anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe ministër i Tregtisë etj.

Si e shpjegoni zoti Martiro, si ish-kuadër i rëndësishëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe, arrestimin e kaq grupeve me kuadrot më të lartë të shtetit të djeshëm?
E vërtetë është. Brenda pesë vjetëve, udhëheqja e lartë e partisë së asaj kohe zbuloi tri grupe armiqësore, që sipas saj vepronin kundër partisë dhe pushtetit popullor: grupin në frontin ideologjik e të kulturës, grupin 'puçist' e komplotist të ushtarakëve të lartë, dhe tani edhe grupin armiqësor e sabotator në ekonomi dhe organizimin shtetëror.

Kush ishte akuza e saktë e grupit të Abdyl Këllezit e Koço Theodhosit me të tjerë?
Grupi i Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës e Vasil Katit, u akuzua nga udhëheqja e partisë:
- Se zhvillonin një veprimtari kriminale sabotuese në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, me dëme të mëdha për ekonominë popullore.
- Akuzohej se grupi kishte kohë që zhvillonte një veprimtari armiqësorë nën rrogoz, duke kryer një veprimtari minuese e sabotuese në lidhje e bashkëveprim me dy grupet e zbuluar më përpara, pra me grupin e tradhtarëve në frontin ideologjik e të kulturës dhe grupin e ushtarakëve.
- Për këtë veprim ata akuzoheshin se kishin koordinim dhe organizim nën shtytjen e përkrahjen e armiqve të jashtëm, që ndanin të njëjtin qëllim, që sipas akuzës së udhëheqjes së lartë politike, ishte për likuidimin e socializmit në Shqipëri.
- Ai akuzohej gjithashtu se, ashtu si grupi i Beqir Ballukut, edhe ai mbështetej në ndihmën e udhëheqësve kinezë dhe nxiste veprimtarinë tradhtare kundërrevolucionare të këtyre grupeve.

Po, dhe si vijonte më tej kjo akuzë e figurave të larta të ekonomisë shqiptare të asaj kohe?
Grupi akuzohej gjithashtu se në veprimtarinë e tyre armiqësore, ata u përpoqën me të gjitha mënyrat:
- Të shtrembëronin e të pengonin zbatimin e politikës ekonomike të partisë, e të përhapnin pikëpamje politike borgjezo-revizioniste.
- Të futnin në drejtimin e ekonomisë forma e metoda të vetadministrimit titist e të ekonomisë kapitaliste.
- Goditën parimin e drejtimit të centralizuar të ekonomisë dhe të marrëdhënieve të furnizimit e të shpërndarjes midis ndërmarrjeve, mënjanimit të kontrollit shtetëror e financiar.
- U përpoqën të frynin aparatin shtetëror dhe ekonomik me nëpunës, duke krijuar organizma të shumtë e të panevojshëm dhe duke i mbushur ato me zyrtarë e teknokratë, duke shpikur në këtë mënyrë të ashtuquajturat listë-organikët për të rritur personelin burokratik joprodhues.
- Për vite me radhë sabotuan e çrregulluan zbulimin, nxjerrjen dhe përpunimin e naftës e të gazit, sabotuan dhe në sektorin e gjeologjisë.
- Bënë shumë përpjekje për të sabotuar, në bashkëpunim me kinezët, ndërtimin e veprave të reja.
- U akuzuan se kishin zhvilluar një punë të gjerë sabotuese në tregtinë e jashtme, me qëllime armiqësore për të lënë Shqipërinë socialiste pa lëndët e para strategjike dhe pa bukë.
- Të pengonin zhvillimin e industrisë dhe ekonomisë në përgjithësi.
- Të bënin popullin të pakënaqur.
- Të hapnin portat imperialiste-revizioniste.
- Shpërdoruan shumë fonde monetare e materiale.
- U akuzuan se rrjetin e tregtisë së jashtme e përdorën për të mbajtur lidhjet e grupeve tradhtare me armiqtë e jashtëm të cilëve u shërbenin.

Dhe si vijoi?
Për këtë akuzë, në këtë lloj aktiviteti të tyre kaq armiqësor, nga tribuna qendrore e politikës komuniste, si gjithnjë trumbetohej si një zbulim i madh i vigjilencës së jashtëzakonshme të partisë.

Nga kush tribunë politike saktësisht u dha goditja ndaj grupit të radhës, të përbërë nga figurat më të larta të shtetit?
Plenumi i 7-të i Komitetit Qendror të Partisë, i mbledhur në maj të vitit 1975, përjashtoi nga Komiteti Qendror dhe partia Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin, duke i shkarkuar ata edhe nga të gjitha funksionet shtetërore e shoqërore. Ai plenum kritikoi ashpër dhe Kiço Ngjelën, duke e akuzuar për arrogancë dhe veprime të dëmshme në sektorin e punës së tij. Pas kësaj, Kiço Ngjela u shkarkua nga detyra e ministrit të Tregtisë.

Dhe si vijoi?
Plenumi i 8-të i KQ të Partisë, i mbledhur në tetor 1975, e përjashtoi Kiço Ngjelën nga KQ i Partisë.

Pas kësaj pasuan goditjet e figurave të tjera në ekonomi?
Pas Kontrollit të Shtetit edhe në ndërmarrjet e tregtisë së jashtme, përveç Kiços, shumë drejtues e punonjës të tregtisë së jashtme u pushuan nga puna, u burgosën apo internuan.

Ndërsa për grupin e ushtarakëve vijonte hetimi, gjithashtu si armiq të rrezikshëm, ndërkohë nga krahu tjetër vazhdonin arrestimet dhe zbulimet e armiqve të rinj në udhëheqjen e lartë?
Në kohën që ky grup u zbulua dhe dënua, nga partia, vazhdonin hetimet për grupin e ushtarakëve të akuzuar për "puç" e "komplot".
Këtu dua të ndalem, pasi kam mësuar se gjatë kësaj periudhe që vazhdonin arrestimet ndaj armiqve të ekonomisë, kanë ardhur edhe urdhra specialë për ju hetuesit e gjeneralëve. Pra, çfarë urdhrash ju kanë ardhur?
Ne hetuesve të këtij grupi, na u dha udhëzimi që të zhvillonim hetime edhe për lidhjet e tyre me grupin e ekonomisë, veprimtarinë e përbashkët armiqësore, për të zbuluar lidhjet e tyre me agjenturat e huaja, si dhe lidhjet e tyre me grupet e tjera të goditura nga partia, për të cilat akuzoheshin pjesëtarët e grupit të ekonomisë.

Vetëm ju hetuesit do ta plotësonit këtë lloj zbardhjeje dhe zbulimi?
Udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme i vuri detyrë edhe grupit operativ që të vepronte në rrugën agjenturore-operative për të grumbulluar të dhëna në ngarkim të grupit të ekonomisë, nga organet e zbulimit e kundërzbulimit.

Le të ndalemi personalisht te grupi juaj i hetimit, pra ku ishit dhe juve. Çfarë arritët pas urdhrave që morët, për të hetuar edhe grupin e ekonomisë krahas grupit të ushtarakëve që kishit në dorë?
Nga hetimet me të pandehurit Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Kiço Ngjela e Vasil Kati, deponimet e tyre, dëshmitë e dëshmitarëve, si dhe nga të dhënat në rrugë operative e të tjera, nuk rezultonte në asnjë rast që këta të pandehur të kishin zhvilluar veprimtari të përbashkët armiqësore kundër partisë e pushtetit socialist.

Çfarë marrëdhënieje kishin pasur këta, sipas zbulimit tuaj?
Marrëdhëniet midis tyre kanë qenë marrëdhënie pune për postet që ata mbanin në organet shtetërore. Siç rezultoi, nuk ishin as marrëdhënie të ngushta shoqërore.

Gjithsesi ndaj tyre u veprua. Kur u bë arrestimi i tyre, zoti Martiro?
Pas disa muajve të përjashtimit nga Byroja Politike dhe Komiteti Qendror i Partisë, Abdyl Këllezi, Kiço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati u arrestuan si armiq të partisë e të shtetit.

Pra, pas përfundimit të hetimit të grupit të Beqir Ballukut do të thoni?
Ata u arrestuan pasi kishin përfunduar hetimet e gjykimit për "grupin e ushtarakëve". Folëm shumë zoti Kristofor, për trajtimin e veçantë dhe tepër special që u organizua ndaj grupit të gjeneralëve të arrestuar. Po ndaj këtyre figurave të larta të ekonomisë, si ishin trajtimi dhe mbikëqyrja?
Edhe këta të arrestuar u vendosën në po ato ambiente ku ishin mbajtur gjatë hetimit "grupi i ushtarakëve", që siç e dini ka qenë një seksion i veçantë në Burgun 313 në Tiranë.

Pra në të njëjtat kushte dhe nën të njëjtat masa do të thoni?
Po, po, edhe ndaj tyre u përdorën të njëjtat masa sigurimi e regjimi, ashtu siç ishin edhe për grupin e ushtarakëve. Ishte një komandë e veçantë, i njëjti personel për ruajtjen e tyre, mjek, kuzhinë e shërbime të tjera, që ishin të veçanta nga komanda e personeli i Burgut 313.

Kam parasysh se, para dënimit të tyre vijuan të tjera arrestime në atë kohë. Si është e vërteta?
Përpara dënimit nga partia të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit e Kiço Ngjelës, ishin arrestuar inxhinierët e naftës, të akuzuar për veprimtari sabotuese në naftë e gaz, ndërkohë që akuzoheshin gjithashtu si grupet e mëparshme, si të lidhur me agjentura të huaja.

Ju nuk konstatuat të ekzistonte ndonjë vërtetësi në këtë lloj akuze, apo jo?
Në fakt nuk ekzistonte një veprimtari e tillë. Për veprimtari sabotuese në naftë e gaz u akuzuan edhe Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi.
Po si ndodhi që ju çuan pikërisht juve për hetimin e ministrit historik të Tregtisë, Kiço Ngjelës?
Kjo ndodhi se, edhe për hetimin e grupit të "sabotatorëve në ekonomi dhe organizmin shtetëror", nga udhëheqja e Ministrisë, u caktuan po ata hetues që zhvilluan hetimet edhe me grupin e ushtarakëve të lartë të akuzuar për tradhti të lartë, "puç" e "komplot".

Ju kuptova, që, si grup hetimi i ushtarakëve kaluat të hetonit dhe të shumakuzuarit e ekonomisë?
Elham Gjika u caktua për hetimin e Koço Theodhosit, Pirro Dauti për hetimin e Abdyl Këllezit dhe unë për hetimin e Kiço Ngjelës e të Vasil Katit.

Sërish edhe për këtë hetim drejtoheshit nga i njëjti përgjegjës?
Po, po, edhe në këtë rast përgjegjës i grupit hetimor dhe atij operativ, ishte pikërisht zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu.

Udhëzimet, jua dha Kadri Hazbiu?
Normal. Në mbledhjen e grupit hetimor, ministri Kadri Hazbiu na udhëzoi që me të pandehurit të ishim korrektë.
Si në rastin e instruktimit kur do nisnim hetimet me grupin e ushtarakëve, që na porositi të mos përdornim fyerjet apo dhunën fizike e psikike. Të ishim të kujdesshëm edhe me implikimet që ata mund të bënin për njerëz e kuadro të shëndoshë.

Instruktimi për grupin operativ?
Grupit operativ iu dha porosia që të zhvillonin veprime operative për të grumbulluar materialet që akuzonin këta të pandehur, të dala këto dhe nga mbledhja e kolektivat punonjëse, apo në rrugën agjenturore.
Jam kurioz të di zoti Martiro, nëse gjatë instruktimit që ju ka bërë Kadri Hazbiu para fillimit të procesit, ka pasur të pranishëm figura të larta të politikës së kohës, siç ndodhi kur do fillonit hetimet me ushtarakët, që merrte pjesë

Hysni Kapo?
Jo, jo, nuk kishte. Në mbledhjen e këtyre grupeve, hetimore e operative, nuk ishte prezent asnjë anëtar nga udhëheqja e partisë.

Sipas udhëzimeve, ku do bazoheshit për pistat e hetimit ndaj grupit të ekonomisë?
Ashtu si dhe me ushtarakët, edhe në këtë rast do të mbështeteshim kryesisht të materialet politike që kishin ndërtuar akuzat ndaj tyre, të cilat ishin bërë dhe shkak që ishin arrestuar. Plani për zhvillimin e hetimeve me këta të pandehur, u bazua në studimin e materialeve të partisë, raportet e fjalimit të Enver Hoxhës, materiale të Plenumeve 7-të e 8-të të Komitetit Qendror të Partisë, në aktet e Kontrollit të Shtetit në dikasterin e Ministrisë së Tregtisë dhe ndërmarrjet e tregtisë së jashtme, në të dhëna të dala nga analizat e mbledhjeve të organizatave të partisë dhe të kolektivave punonjëse, si dhe në të dhëna të tjera, të marra edhe në rrugë agjenturore.

Më tej?
Pas pak ditëve të arrestimit të tyre, Prokurori i Përgjithshëm i komunikoi akuzën secilit të pandehur.

Kush ishte akuza zyrtare?
Ata akuzoheshin se "në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kryer veprimtari armiqësore e sabotuese në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, në bashkëpunim edhe me armiqtë e jashtëm".

E pranuan akuzën?
Asnjë nga të pandehurit nuk e pranoi këtë akuzë. Pranuan se kishin bërë gabime në punën e tyre, por kurrsesi punë armiqësore.

Reagoi kush?
Gjatë komunikimit të akuzës, Kiço Ngjela, i tensionuar e i nervozuar, iu drejtua prokurorit, se, ai nuk kishte bërë asnjë veprimtari armiqësore kundër partisë dhe pushtetit të popullit, se kishte punuar tërë jetën e tij për interesat e tyre. Mund të kishte bërë gabime në punën e tij, me dikasterin që drejtonte, por kurrsesi punë armiqësore. 

Ata u quajtën armiq të ekonomisë 

Kiço Ngjela
U lind në zonën e Zagorisë, Gjirokastër, pjesëmarrës aktiv në luftën kundër fashizmit, zëvendëskomisar i Brigadës së 2-të partizane. Kandidat i KQ të PPSH-së në mbledhjen e Plenumit të KQ të PPSH-së, Berat 1944. Bashkëpunëtor i Nako Spirut pas çlirimit në Komisionin e Planit të Shtetit. Ministër i Tregtisë për një kohë të gjatë, anëtar i KQ të Partisë, deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura. Përjashtohet nga KQ i Partisë në Plenumin e 8-të të KQ të PPSH-së, në vitin 1975, dhe shkarkohet nga të gjitha detyrat shtetërore e partiake. Transferohet në Vlorë, drejtor i uzinës së PVC, arrestohet së bashku me Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin.

Abdyl Këllezi
Lindur në Tiranë, nga një familje e njohur tregtare e mesme. Në rini merrej me sport, madje në atletikë ka dalë kampion. Pasi mbaron shkollën e mesme në Tiranë në vitin 1938, kryen një vit akademi ushtarake në Romë; burgoset në Itali për pikëpamjet antifashiste. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Itali dhe në burg, u njoh me eksponentë të së majtës italiane, madje me elitën drejtuese të kësaj partie. Në vitin 1942 lirohet nga burgu dhe kthehet në Shqipëri. Takohet me Gogo Nushin dhe Beqir Ballukun etj., futet në lëvizjen antifashiste, merr pjesë në njësitet guerile dhe bëhet pjesë e Qarkorit të Partisë së Tiranës. Pas Çlirimit, që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1975, ai mbajti poste të rëndësishme drejtuese, si në strukturat shtetërore, ashtu dhe në Partinë e Punës së Shqipërisë. Guvernator i Bankës së Shqipërisë, ministër i Financave, zëvendëskryeministër, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe më vonë kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit. Po kështu, gjatë viteve 1945-1975 ka qenë deputet dhe që nga viti 1964-1975, anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së. Në vitin 1975 goditet nga Enver Hoxha, duke u konsideruar si kryetar i të ashtuquajturit "grup armiqësor në ekonomi dhe organizimin shtetëror". Në Plenumin e 7-të të KQ të PPSH-së u përjashtua nga KQ i Partisë dhe nga të gjitha funksionet shtetërore. Për tre muaj ai punoi si drejtor ferme në fermën e Kotës, Vlorë, ku dhe arrestohet.

Koço Theodhosi
Lindi në Korçë më 1913-ën, nga një familje e kamur dhe patriote. Studimet e mesme i kreu në Liceun e Korçës, ku ra nën ndikimin e ideve të grupit komunist të këtij qyteti. Kreu studimet e larta në Universitetin e Lionit në Francë, në degën e Kimisë, dhe i vazhdoi në Liezh të Belgjikës për një specializim të dytë. Gjatë qëndrimit në Francë, mori pjesë në grupin e studentëve dhe punëtorëve antifashistë që aderonin në radhët e PK të Francës. Në vitin 1936, ndihmoi antifashistët shqiptarë që shkonin vullnetarë në Luftën e Spanjës. Kthehet në atdhe. Me themelimin e PK të Shqipërisë më 8 nëntor 1941, është një nga 200 anëtarët e parë të kësaj partie. Më 1942-shin zgjidhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të qytetit të Korçës. Më 1944 merr pjesë në punimet e Kongresit të Përmetit si delegat i Korçës. Pas luftës kreu detyra të rëndësishme shtetërore dhe partiake. Në prag të çlirimit të vendit emërohet në detyrën e komisarit të jashtëzakonshëm të naftës në Kuçovë. Më 1949-ën emërohet zëvendëskryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, me kryetar Nako Spirun. Po këtë vit merr pjesë në delegacionin e qeverisë shqiptare në Moskë. Qëndron në Moskë me detyrën e përfaqësuesit të qeverisë shqiptare në Këshillin e Ndihmës Ekonomike Reciproke deri në vitin 1950. Anëtar i kabinetit qeveritar dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, ministër i Industrisë dhe Minierave, zëvendëskryeministër, deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Kandidat dhe më vonë anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së.

Vasil Kati
Ish-zëvendësministër i Tregtisë, pjesëmarrës e kuadro drejtues gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pas Plenumit të 8-të, pushohet nga puna si zëvendësministër dhe transferohet në Fier, në një detyrë të ulët të tregtisë. Arrestohet së bashku me të tjerët.

 

Burimi Informativ: Balkanweb

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0