Fakte të reja nga historia e Pavarësisë së Shqipërisë.

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Çdo ditë e më tepër historia e Shqipërisë po e plotëson me ‘’copëza të reja mozaikun’’ e saj mbi zhvillimet reale të së kaluarës. Kështu edhe sot po sjellim disa të dhëna të rralla, të cilat në shumë raste janë anashkaluar prej një pjesë të historianëve, por që kanë qenë të panjohura edhe për një pjesë të të publikut të gjerë. Të tilla janë dëshmitë e dy intelektualëve të mëdhenj të dy këtyre shekujve të fundit, siç kanë qenë At Zef Pllumi dhe Eqrem bej Vlora.

Ndërkohë po i rendisim me me radhë në këtë shkrim të sotëm. Së pari bëhet fjalë për një nga dëshmitë e rralla gojore e cila tregon në mënyrë autentike disa rrethana sesi u zhvilluan bisedimet që sollën pavarësinë e Shqipërisë. E publikuar qysh në botimin e parë të librit “Rrno vetëm për me tregue”, në vitin 1997 (At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, Pjesa e dytë, 1950-1967, Hylli i dritës, 1997), ajo është një nga të dhënat më interesante dhe më të panjohura deri kohë më parë, të cilën, dijetari At Zef Pllumi e sjell për publikun e gjerë si një dokument të jashtëzakonshëm dhe të pakundërshtueshëm bazuar në ndërgjegjen e tij prej intelektuali.

Këtë dëshmi at Zef Pllumi ia mori famullitarit të Dushmanit, at David Pepës, kur shkoi që ti bënte atij shërbimet e fundit në prag të vdekjes. Dhe atje në kishë, meshtari plak i tregoi një nga historitë mister të jetës së tij, e cila ka filluar të përdoret gjerësisht në botimet historike dhe publicistike në kuadër të këtij 100-vjetori të pavarësisë së Shqipërisë. Ja seç thotë në kapitullin e titulluar “Baba i Vërtete”, at Zef Pllumi, në botimin e tij të dytë të veprës së tij me kujtime “Rrno vetëm për me tregue”.

“Ndërsa ishem tue pritë me nxjerrë bukën prej furre, qe se po vjen nji malsuer prej Dushmanit. Nuk e njifshem për emën, por më tha:

-Më ka dërguar Pater David Pepa me të marrë me i dhanë sakramentet e mbrame, se asht tue dekë…..

Me të shpejtë i thirra njanit aty afër Kishe, të cilit i lejshem shtëpinë në kujdes. Hangra me atë malsorin nji kashatë bukë e djathë; mora pak rroba me vedi e u nisa për Dushman….

At David Pepa n’ate vjetë sa kishte mbushë të 75-tat. Pothuaj 40 vjet i kishte kalue n’ate Kishë të Dushmanit, nji ndër vendet ma të vështirat e të thyeshmet t’atyne malevet. Ate natë ndeja pa fjetë, tue bisedue me te.

Studimet në filozofi e teologji i kishte krye në Austri, më duket në Salzburg. Më tha se para vdekjes nuk kishte ma sekrete për të mbajtë. Më tregoi se në vitin e fundit të teologjisë, 1912, nëpunsat e Ministrisë së Jashtme të Vjenës kërkuen kolegun e tij, At Anton Harapin. Mbasi ai ishte kthye në Shqipni, atëherë e muerën me urgjencë e e çuen në Vjenë. Aty e shtinë në nji zyrë e banë me u betue se nuk do t’i nxjerrë kurrë sekretet. E muerën si përkthyes ndër bisedimet që Ministri i Jashtëm Berthold do të zhvillonte më Ismail Kemal Vlorën. Ishte i vetmi përkthyes mes të dyve, ashtu si nji vit ma parë, në 1911, ishte kenë At Antoni. Dy burrat e shtetit, si njani si tjetri, paraqitën gjendjen ushtarake dhe politike të shkaktueme nga Lufta Ballkanike kundra Perandorisë Turke. Atëhere Bertholdi i parashtroi Ismail Kemal Beut që të delte sa ma parë në Shqipni për të shpallë pamvarësinë . Ismaili iu përgjegj: “Mirë flamurin e kam, por nuk kam shtizën ku ta naltoj, dhe flamurin pa shtizë e merr çdo erë që fryn”. Atëherë konti Berthold iu përgjegj: “Për shtizë të këtij flamuri keni bajonetën austriake!”

Kishte ba gadi urdhnin që 40 trupa të niseshin nga Bosnja në kufi të Malit të Zi. Ismail Beu plot gëzim ju përgjegj: “Kështu po, jam gadi, se vetëm kjo asht garanci për shtetin e ri” ( At Zef Pllumi. “Rrno vetëm për me tregue”. Shtëpia Botueese 55. Botim i dytë, 2006. Fq 409-411 ).

E përmendëm këtë dëshmi me vlera, sepse ajo ka mbetur e pakontestueshme deri më tani megjithëse ajo ka më se një dekadë e gjysmë që është publikuar nga autori që e gjeti në mënyrën e treguar nga vetë ai më sipër. Ndërkohë që e sollëm të kampionuar dëshminë në fjalë për tu ndalur tek një tjetër ngjarje që ndodhi vetëm dhjetë ditë më vonë pas bisedimeve me kontin Bertold. Bëhet fjalë për zhvillimet që ndodhën në Vlorë pas kuvendit historik, pasi u nënshkrua deklarata e pavarësisë. Dihet tashmë që pasi dolën në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Vlorës, e cila u shemb në vitet 1930 nga bashkia e atëhershme e Vlorës dhe gjendej në vendin ku sot ndodhet në sheshin e Flamurit të këtij qyteti, Monumenti i Pavarësisë. Këtu Ismail Qemali valëviti flamurin kombëtar, i cili në mënyrë simbolike, përfaqëson sot aktin e pavarësisë së Shqipërisë.

Por, problemi është se cilin flamur ngriti Ismail Qemali, pasi në mënyrë figurative tashmë e dimë se ku u “naltua” ai në mënyrë figurative. Midis një duzine dëshmish të shkruara dhe botuara më vonë në formë kujtimesh të disa pjesëmarrësve të nderuar në aktin e shpalljes së pavarësisë, se flamurin e solli gjithsecili prej tyre, me të drejtë sot shtrojmë pyetjen se: Cilin flamur “naltoi” Ismail Qemali. Ashtu si në rastin e mësipërm, duke ecur me arsyen se dëshmitë e intelektualëve të mirëfilltë janë më të besueshmet, po citojmë një tjetër prej tyre. Bëhet fjalë për dëshminë e Eqrem Vlorës, një tjetër përfaqësuesi të elitës intelektuale shqiptare të shekullit XX. Në librin e tij “Kujtime” botuar dhe në Mynih në vitet 1968, 1973 dhe ribotuar Tiranë në vitin 2003, ai tregon edhe historinë e njohjes së tij me Don Alandro Kastriotin dhe bashkë me të edhe episodin se cili flamur u valëvit në shtëpinë e Vlorajve, atë ditë të shpalljes së pavarësisë.

Sipas tij, Don Alandro Kastrioti ishte një princ spanjoll emri i vërtetë i të cilit ishte Juan de Alandro Perez de Velasko. Ai shërbeu gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX në diplomacinë spanjolle për shume vite, si në Paris, Vjenë, Bruksel apo gjetkë. Më pas do të drejtonte në Paris një grup aksionerësh franko-spanjollë të hekurudhës së Pirenejve. Dikur në shekullin XVIII, një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit dhe ky fisnik spanjoll ishte martuar me Markezen Auleta të Kastriotëve të Italisë. Me një origjine të tillë, Don Alandroja e shpalli veten në fillim te viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, thekson Eqrem bej Vlora në “kujtimet” e tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike evropiane. Diku në vitin 1907, Eqrem bej Vlora, një nga kushërinjtë e afërt të Ismail Qemalit, që do të bëhej më vonë edhe njëri prej personaliteteve më të shquara të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (Eqrem bej Vlora, “Kujtime 1885-1925”, Shtëpia e Librit e Komunikimit, Tiranë 2003, f. 215). Takimin me këtë “personazh të çuditshëm” ai e përshkruan kështu: “…Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para Don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur… dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjte dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponje e zeze dykrenore në fushe të kuqe dhe ma dha mua…”

Pese vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhde anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar Don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërsa pak më poshtë në të njëjtin libër, “Kujtime 1885-1925”, Eqrem bej Vlora, i cili ditën e ngritjes së flamurit ndodhej në Kuç, në jug të Vlorës, për të mbrojtur vendin nga sulmi i ushtrisë greke tregon:

“Një javë pas kthimit tim në Vlorë, çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendin tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Posjo (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri. E pra, më 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti? Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur don Aleandro Kastrioti më kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopësht, duke brohoritur “rroftë, rroftë…” (Eqrem bej Vlora, po aty, f. 313-314).

Dhe vërtetë të dhënat dokumentare na mungojnë për flamurin që u “naltua” atë ditë në Vlorë. Edhe një foto sesi u zhvillua ceremonia e ngritjes së tij simbolike mungon. Pra, këtu Eqrem beu ka të drejtë, kur flet për “pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore”. Edhe vetë rrugëtimi “biblik” i Ismail Qemalit për dhjetë ditë nga Vjena në Vlorë, me gjithë peripecitë e tij nuk i jepte mundësinë askujt nga grupi që shoqëronte Ismail Qemalin, që të paramendonte sesi do të ngrinte flamurin.

Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur vetëm një vit më pas. Kjo gjë mund të shihet qartë tek fotoja që tregon festimet e një vjetorit të Pavarësisë, ku kemi të “fiksuar” në celuloid tetë flamuj. Dy flamuj të vegjël janë vendosur në dy nga dritaret e selisë së qeverisë së Vlorës. Një, flamur tjetër i vogël ndodhet i fiksuar në anën e djathtë të ballkonit ku qëndron Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë. Ndërsa dy flamuj të mëdhenj janë të vendosur poshtë në dy kolonat mbështetëse të ballkonit, ndërkohë që tre flamuj të tjerë, po të mëdhenj, valëviten prej turmës së popullit që feston. Ndoshta këta flamuj janë ata që u riprodhuan prej dorës së Marigo Pozios, për t’u përdorur prej qeverisë së Ismail Qemalit, apo “u mbërthyen prej dikujt në parmakun e ballkonit me sqepar”.

2

Problemi i flamurit që u ngrit ditën e 28 nëntorit 1912 në Vlorë tashmë po kristalizohet gjithnjë e më shumë. Ai nuk është veçse flamuri i dhuruar prej Don Alandros që ishte prezantuar në Vlorë qysh në vitin 1908, kur Eqrem bej Vlora vuri në skenë dramën vdekja e Pirros. Që prej asaj kohe dihej nga të gjithë Vlora, që në shtëpinë e familjes së Vlorajve ruhej flamur i “Skënderbeut” dhe kështu që nuk ishte e nevojshme që dikush të sillte një tjetër flamur nga jashtë. Kjo është arsyeja e vetme që i rrëzon të gjitha hipotezat e tjera, përfshirë edhe atë të flamurit që një nga patriotët pjesëmarrës “e mbërtheu flamurin në parmak me sqepar”. Aq më tepër kur mbledhja historike dhe ceremonia e valëvitjes së flamurit u zhvillua në një shtëpi private, si ajo e Xhemil bej Vlorës, ku nuk mungonte rregulli, logjistika apo shërbëtorët e shumtë.

Kështu, duke i “kursyer” argumentet e tjera për një replikë të mundshme rreth këtij fakti, mund të themi më me siguri se këto janë argumentet rreth historisë së “shtizës” dhe flamurit që u “naltua” në 28 nëntor të vitit 1912.

fieri.com/Ilirjan Gjika

 

 

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (1 postuar)

avatar
Bep Pjetri 30 March, 2014 08:45:27
Unë të përgzoj fort për shkrimin historik. Por do isha i gzuem të paraqitnit se ku e morët landë për disa arsye; Ma kryesorja asht se janë fakte të reja të zbardhuem nga juristi në pension z. Ndoc Ndoja në librin e tij "Dushman Temali" mbi nji personalitetë i lanun nën hije si At David Pepa O.F.M,i lauruem në Vjenë, ka shërbyer meshtar për 30 vjet në Dushman të Shllakut të Shkodrës e tjera vende si në Kosovë. Ky ishte përkthyesi i Ismail Qemalit në Zyrën e Kontit Leopold Bertholdi me Ismail Qemalin për të Ngritë Flamurin e shpall Pavarsinë në Shqipni,... Isha unë Bep Pjetri që e hodha në internetë këtë personalitetë me qellim të njihej ky fakt historik. Z. Iliri mirë kishe ba me shkrue se ku e more ket fakt specifik historik. Shndet bepi
total: 1 | displaying: 1 - 1

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00