Ne kerkim te poezise

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Mbi botime të krijuesve fierakë

 

 

 

 

 

 

Sa herë lexoj poezi nga fierakët më kujtohen vargjet e Spiro Sotës:

 

 

 

                                

       “Dhe erdhi një kohë dhe kjo botë u nda

        Unë merrem me libra

                     Ti me para…

              ..…Po vjersha është Feniks.

                        Njëqind herë vdes, njëqind herë rinis….

 

                                    O zot, të lutem megjithë shpirt,

                                    Të lutem me të gjitha fuqitë,

                                    Bëj që anija e bardhë edhe në brigjet tona,

                                    Të ndalet një ditë!

 

Të Spiro Sotës janë këto vargje, ai lutet për të gjithë , lutet të ndalet e  të na “sajdisë anija e bardhë”, endrra për jetën e bukur pranë këtyre brigjeve…  Ai, “si besimtar i devotshëm, ” pëshpërit” se “Edhe  pak udhë kishte mbi dhe…”

Spiro Sota vdiq ca vite më parë pa harruar  urimin për ata  që mbetën pas tij, poetë dhe jo poetë:

                                                     “…Të shohin nga afër anijen e bardhë,

                                                      Pa ankthe ,

                                                      Pa frikë…

                                                      O Zot,

                                                      Të lutem me gjithë shpirt!” (“Këngët e heshtjes,f.72)

 

Me sytë e rrëmbushur nga malli për këtë poet, mendoj për ëndrrat e bukura të njeriut që zor se përmbushen në këtë jetë…

 

Por endrrat janë të pafundme për nga mirësia dhe bukuria dhe është e zorshme të gjesh se deri në ç’masë duhet të kërkojmë përmbushjen e tyre. Sa duhet të kërkojmë nga jeta? Në ç’raport me përmbushjen e tyre jemi ne me bashkëkohësit tanë?...

 

Së fundi, kush jemi ne, poetë a shkrimtarë, politikanë a fermerë, intelektualë a biznesmenë që marrim përsipër “ekskluzivitetin” e përcaktimit të asaj që është e pranueshme dhe e dëshirueshme për tjetrin?!

 

Përballë kujtimit të këtij poeti që, për fat të mbrapsht, iku fare i ri nga kjo botë,  mendoj për vlerësimin e kredos krijuese duke e konsideruar të bërit letërsi një dhunti të njerëzve të zakonshëm me pasion të pazakontë. Veç, nëse respektojmë dashurinë për punën në përgjithësi, të tillë do ta konsiderojmë edhe krijimtarinë në veçanti. Dhe krijuesit janë vetëm  punëtorë te penës të cilëve askush nuk u ka borxh blatime të  jashtëzakonshme, në aspektin moral apo në atë etik dhe ligjor, ashtu si edhe shoqëria u ka borxh vlerësimin sipas cilësisë  si edhe për cdo punë në komunitetin njërëzor…

 

                                    “…Endrrat ecin nëpër mijëra rrugë.

                                     Gjeje një vend për zemrën tende, udhëtar!

                                     Mbaje për vete dhimbjen ,

                                     Këndo ose hesht!” (Spiro Sota, “Këngët e heshtjes, f.71)

 

I ndjeri Spiro Sota nuk qahet për dhimbjen që provon si poet, nuk bërtet ta mësojnë të gjithë se ai…

 

 

    ***

 

Ajo çka duhet të theksoj në fillim të  kësaj bisedë, mbi përjetimet e mia për librin në përgjithësi , ka të bëje me krijimtarinë dhe autorin si krijues e jo si qytetar, aspak si njëri me të mirat apo të metat e tij por me aftësitë e tij për të bërë letërsi. Sa për Spiro Sotën, ai u nda nga kjo botë dhe, ashtu si për të edhe për ne, kur të kemi ikur, po qe e nevojshme do thuhet edhe kush kemi qenë përpos asaj që kemi shkruar…

 

Po e nis me Nuri Plakun, mbi ato çka kam lexuar nga ai.

 

                                 “Unë vritem çdo ditë në shpirt si i  mjerë

                                   Nga një shikim i vëngër njeriu, a përbuzje fati,

                                   Vetullat rëndohen si kuaj të ngarkuar,

                                   Hedhur në kapistall nga kalorës inati…”

 

Deri këtu këto vargje tregojnë , nuk zbulojnë. Autori rrëfen dhe ne akoma nuk e dimë  përse “vritet” në shpirt “si  i mjerë”  se përse dikushi “sulmoka me një shikim të vëngërt” kushedi përse, të tjerat janë fjalë rrëfyese.

 

Presim si vijon me tej por, sidoqoftë, nuk kemi për të harruar se Arti nuk është thjeshtë rrëfim i një realiteti. Ai është të zbulosh në këtë realitet tensionin që mbartet në të, burimin e konfliktit e, përpos kësaj, të parashikojë ose të zbulojë drejtimin, kahjen e perspektivës të zgjidhjes së kontradiktës, a të lëvizjes njerëzore…

 

Kërkoj falje për tjerjen teorike por, sidoqë nuk kam për ta bërë më tej, të gjitha gjykimet e mia mbi çka do të rendis në kontekst të asaj që lexoj, do t’i përmbahen tërësisht “postulatit” të mësipërm…

 

           “…Edhe juve vriteni, por plagën unë e marr më thellë,

            Mbase këtu ndryshoj nga ju, e vuaj,

            Se ju ndoshta s’doni t’ja dini për plagën time,

            Kurse unë përgjakem edhe me gjakun tuaj” (Nuri Plaku, “Prangat e zogjve” f. 6)

 

Përse u dashka të besojmë se autori i këtyre vargjeve e marrka plagën (cilën plagë? Kush ja shkaktoi? ) më të thellë?!

I tërhequr patalogjikisht nga mendimi se po sakrifikohet për njërëzit, ashtu si Van Gogu i fiksuar pas karrigeve prej kashte, por ndryshe nga ky poet  i ngjyrave ku objekti do të ishte ngacmim  si formë e shprehjes, tek autori i vargjeve të mësipërme si edhe  në f.7, 8, etj. tërheqja-rob pas mendimit të tij ka të bëjë me përmbajtjen, semantika e fjalëve shpreh përmbajtje. Sa për formën e vargëzimit, llojin, metrikën, ritmin etj. kjo është  gjë tjetër, mbetet për t’u analizuar në një tjetër shkrim që, sidoqoftë, do të thuhet se në këto aspekte autori ka jo pak përvojë pozitive.

 

Problemi në analizën e plotë të krijimtarisë së N. Plakut, do të jetë në raportin mes formës dhe përmbajtjes dhe kjo, në kushtet e daljes në dritë të të gjitha formave të të bërit letërsi, shpesh ndërlikohet. Raporti i marrëdhënies mes “ornamenteve” të krijimit dhe asaj ç’ka del prej tij,  do ta gjejë lirshmërinë dhe natyrshmërinë vetëm atëhere kur autori të mos jetë i lidhur pas një ideje fikse siç është në rastin konkret pozicionimi i tij në “manastirin e asketizmit” ku sakrifica për njeriun, (kupto: lexuesin) duhet t’i ngrejë lapidarë mirënjohjeje  në brezat që do ta  pasojnë. (Prangat…f.23; f.22; f.19; f.10 etj, vetëm në një vëllim) Sigurisht ka edhe përjashtime, (f.34; 35; 70 etj.) Atje kur ai është i sinqertë, vargu rrjedh natyrshëm, pa sforcime për të na dhënë bukurinë e vërtetë ku nuk ka maniera “asketike” e as vallezim me valset “Shopenike” (sipas stilit të vetë autorit ku zor se ja pëlqen bukuria e vërtetë e shqipes së Poradecit apo e Kutelit)

 

                                                      “Midis teje dhe detit

                                                        Një gërshetë rëre që digjet në plazh

                                                        Dhe një dallëndyshe që çukit ajrin me sqep vetmuar.

 

                   

                      Më thuaj një fjalë

                      Një fjalë të vetme më thuaj

                      Që kreshtat e bardha të valëve

                      Të derdhin vërshimin mbi rërën e përvëluar. (“Brezi i humbur”f.63)

 

 

Po jetojmë kohë të vonëshme dhe përjetimi i kohëve që ikën do të sillte natyrshëm gjallërimin dhe hovjen e endrrave te reja shprehja e të cilave do të ndryshonte ose do të shihej nga të tjera këndvështrime. Është kjo arsyeja që te disa vjershëtorë, (jo të gjithë bëhen autorë) do të zinte vend manierizmi, që në art vret veten përmes formës duke prodhuar skema. Këta “dëshirues” për t’u quajtur “poetë” dhe “shkrimtarë”, me manierizmat e tyre në qoftë se kishin për të thënë diçka mbeten përgjithnjë dikushi që “diç” kanë qejf të thonë…

 

                                                 “Dilja ndanë kodrës së Cakranit

                                                   Pasi puthesha me vdekjen,

                                                   I vetmuar

                                                   Dhimbjen të derdhja me psherëtimë.

 

                           Nëpërkat lëviznin nën gurë

                           merrnin arratinë,

                           Se i zinte nën vete

                           Rropama e shpirtit tim. (“Brezi i humbur” f.19)

 

Kaq thotë në këtë vjershë autori!

Dhe unë u dashka të vras mendjen se përse paska dalë ndanë kodrës Nuriu, përse pikërisht pasi paskej qenë “puthur me vdekjen”.. Po, ç’ishte kjo vdekje?… Po kjo “rropama e shpirtit” të tij, si ishte?!

 

Me siguri e tmerrshme përderisa paska tmerruar edhe nëpërkat!…Thotë Nuriu se unë di edhe se nëpërkat, madje edhe ujku, mund të vrapojnë të trembur edhe nga një fëshfërimë gjetheje kur parandjejnë se pas saj vjenë një zhurmë e hatashme që shkul edhe drurët e pyllit!

 

A thua don të shesë kartën e fisnikërisë autori?! Apo është maniera për të bërë të njohur ekzigjencën e tij  kulturore?!

Dhe, ajo që mishëron të plotë kredon e këtij krijuesi, gjithnjë sipas mendimit tim, do të vijojë më poshtë”

                                                  “ E bardhë apo e zezë është kjo ditë e sotme?

                                                   Gjelbërimi i blirëve pikon mbi asfaltin e gropuar,

                                                   Unë nxitoj të mbush me të kupat e syve

                                                   Të ngre dollinë e dhimbjes

                                                   Për këta njërëz të menduar.

                              

                              Një gjethe peme dua të marr

                              Të sajoj me të një bilbil vaji

                              Teksa njërëzit përreth meje ndezin qirinjtë e shumtë

                              Në ritualin  përmortshëm të shpirtrave…   (“Prangat e zogjve”, f.21)

 

                                                                                             

Me këtë frymë mbaron vjersha dhe mua më përqaset figura e autorit si Krishti a prifti që bekon fatkeqët në hall e vuajtje!

 

Mos është kjo mëshira kristjane? Apo përkushtimi i heroit pozitiv te veprat e realizmit socialist?!

Askush e, natyrisht, as unë nuk kam të drejtë të gjykojë mirë a keq qoftë, bukur a shëmtuar në dëm të tjetrit domethënien e vargjeve që sapo citova, vetëm se e kam të pamundur të mos i kujtoj autorit se nuk besoj që kjo mënyre të shprehuri t’i shton miqtë, gjë që, natyrshëm, ai dhe çdokush tjetër, e dëshiron një gjë të tillë. Këtu jam me Niçen, filozofia e të cilit thotë se “…Jo ndarja e vuajtjeve por ndarja e gëzimeve bën mikun”

 

Dhe, meqë autori i këtyre vargjeve është i dëshiruar për respektin e të tjerëve,(përsa më sipër) do të ishte më e arsyeshme që të ndante me ta edhe ditët e bukura, të zbulonte bukurinë e shpirtit të tyre, (jo vetëm atë të dhimbjes dhë zhgënjimit nga jeta) ose, pse jo, edhe të pejzazhit që i rrethojnë gjë që, për hir të së vërtetës, Nuriu di ta bëj edhe kur koha është e zymtë. Ai di të shpreh edhe ngushëllimin përpara fatkeqësisë. Por kjo nuk bëhet me qirinjë nëpër duar përreth atij që këndon këngë vaji por me protesta dhe motive të gjalla  të një jete  ku njërëzve nuk ju ofrohet Arti për vetveten ( gjë që do ta shohim më poshtë tek poezia e Alfred Mehmetit)

 

Letërsia me ritmet e njëtrajtshme të kapjes së temës, me refrenin e motiveve të një jete monotone vetëm me dhimbje dhe trishtim social, do të ishte thjesht antipodi i mënyrës realisto-socialiste të të bërit vepra letrare.Përjashto këtu temën e dashurisë në kuptimin mashkull-femër, krijimi i strukturave harmonike të atmosferës së qëllimshme, që, sidoqoftë flasin për U-nin e autorit, s’është gjë tjetër vec egocentrizëm…

 

Por, do thoni ju, ky “egocentrizmi” i autorit, (atje ku është i pranishën në krijimtarinë e tij)  mos vallë anatemohet në emër të gjykimit në këndvështrimin e metodës së realizmit socialist? Jo, jo sepse edhe ajo mënyrë të vlerësuari, (të cilën unë në disa raste nuk e paragjykoj) kurrsesi nuk do ta pranonte porse, përkundrazi, do ta nxirrte para inkuizitorit të Madh!

 

 Atëhere, përse ky shqetësim?!...

Sepse, personalisht, nuk i besoj flijimit para altarit të altruizmit të atij që noton në metafora “mëkatare’:

                                 “Ti vetëm përfytyromë

                                   Ma jep këtë mundësi

                                   Krijoje lidhjen me mua

                                   E unë do të shfaqem aq shplodhës sa ti

……………………………………………………………………………………………

            Atëhere do të kemi delirin e përbashkët

           Ti vlera njeriu mbi pasionin e përgjakur

           Unë ëngjëll i rrallë, i dëshiruar

           Përqafuar në përfytyrimin tend

           Do të flas , do të qesh, do të bëj dashuri. (“Prangat e zogjve.f. 79)

 

Po, dashuria ashtu u bëka, ama nuk është e domosdoshme që ajo të kalojë së pari “mbi pasionin e përgjakur”,  të quhet “progres njërëzor e mister i ndezur”, “flakë e përçuar, a krim harrimi” dhe, veç kësaj, “ëngjëjt” nuk para janë të përshtatshëm për të bërë dashuri…

 

Atëhere, ashtu si vetë akti i dashurisë njerëzore është thjeshtë tokësor, edhe mjetet shprehëse të tij,  nuk ka pse t’i marrim nga fjalorët biblikë!

 

Por, do thoni ju, nuk paska poezi Nuri Plaku?

Ka. Dhe të bukura. Me varg të përkorë, thellësi të ndjenjës e të ndjesisë, me “pafajësinë” e soditësit që është ku e  ku më i pranueshëm për të gjitha metodat e të vjershëruarit e i pranishëm në mënyrën e të gjykuarit filizofik deri edhe te mendimi i Niçes në etikën e marrdhënieve humane që përmendëm pak më sipër…

 

Janë ato ku shohim hënën te soditë fushën, lirikën e peisazhit ku, sidoqë Nuriu nuk e ka thënë, mua më duket se, ashtu si në një tregim të mrekullueshëm të Dino Buxatit, jeta rrjedh në fshehtësi me dramat dhe tragjeditë që nga qelizat e padukshme  të ekzistencës, artikulohen në jonet e shurdhëta thirrjet dhe britmat e krijimit, vazhdon lufta e egër për mbijetesë, ngjizet vazhdimësia qysh nga njëqelizorët…

 

Po, ka edhe bukuri të vargut të tij, semantikë të  gjallë të shqipes,  fjalë e saktë me të dy aspektet e saj, detonativ dhe  konotativ (“Prangat e zogjve”, f.66,67,68,69,70 etj)

 

Megjithatë, përmbajtja e këtyre poezive të arrira nuk ka “këllqe” të përballojë peshën kryesore të një vëllimi të plotë poetik. Marredhëniet me njërëzit, raportet emocionale me filizofine e jetës dhe etika e njeriut të kulturuar janë të hallakatura, të nxituara ku naiviteti i të pafajshmit nuk e shpëton dot dukjen dendur impozante të autorit përsa edhe analizuam më sipër…

Më mbetet të hedh mendimet e mia pasi ta kem parë të tërën krijimtari të Nuri Plakut për të korigjuar gabimet e mia në gjykimet të nxituara, (nëse) dhe të vazhdoj më tej, në thellësi, për aspekte të tjera të poezisë, të paprekura në këtë shkrim të shkurtër vetëm për dy vëllimet, “Prangat e zogjve” dhe “Brezi i humbur”.

 

Fieri.Com / Andrea K. Prifti Gusht 2009

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (7 postuar)

avatar
tom Sojer 16 September, 2009 02:18:01
Poezite e Nuriut i kam lexuar dhe me pelqejne. Madje mendoj se ne cdo liber pasardhes ka arritje. Lexon nje poezi dhe perjetimi/kenaqesia eshte vlera e tij. Me tej nuk mund askush te shkoje. T'i besh analizen e nje poezie eshte nje ndermarrje e pasuksesshme per ate qe vetem poeti e di se ku fshihet shpirti i tij dhe pra ose duhet te jesh poet, ose ne s'je, nuk mundesh. Cdo tentative per te analizuar, nuk mund te shpetoje nga ideja e spekullimit.

Nuri Plaku eshte shkrimtar, kritik, publicist, historian e poet. Duket ka qe nuk e dine.
avatar
Edmond Shallvari 16 September, 2009 06:12:36
Nuk e dija se veç kritikëve-kritikë, në fushën e kritikës paska dhe kandaristë kaq të zotë, që vete zgjedhin mallin për shitje, vetë lëvizin gurin e kandarit dhe vetë i thonë blerësit se sa duhet të blejë, sa duhet të paguajë, çfare duhet të gatuajë dhe nëse ta shoqërojë apo jo ngrënien me ndonjë pije në fund.

Pse jo, edhe nëse duhet apo jo edhe ëmbëlsira më tej. Kandaristi i tillë, që merr përsipër gjithcka, pa bërë asgjë në fakt, pasi veç kandarit sipas gradimit të vet, asgjë s'është e tij, kujton se kështu i ngjan asaj pianos së çmendur që kujtoi se i krijonte vetë meloditë dhe jo dora e pianistit.

Me ç'të drejtë z.Andrea K Prifti vetë zgjedh, vetë vendos e vetë vulos për fatin e një krijuesi, sikur të jetë Krijuesi i krijuesit, bile më tepër se Ai, pasi Ai pas krijimit i ka lënë njerëzit në punet e veta, pa këto lloj ndërhyrjesh. Gjithçka e shkruar me tendencë në këtë shkrim, mua më shkaktoi ndjesinë e bumerangut. Unë për vete kështu u ndjeva, duke e vënë veten në rolin e tendecionusit.

Por vetë z. Andrea s'mund ta ndjejë këtë bumerang, pasi duhet të ishte unë e po të ishte unë, s'do shkruante me tendeciozitet.
Është gjë e mirë për z. Andrea që mos nxitohet këtë rradhë me mua, për të bërë të njëjtën gjë si me të tjerët(se e kam ndeshur dhe në "kritika" të tjera), pasi për fat të mirë a të keq, unë jam jashtë kandareve të tilla, pra nuk flas nga pozita e njohjeve të njëanshme.

Thjesht hyra këtu, u ngacmova dhe gëzova që një kritik thyente modën e shplarë vetëm të elozheve për libra miqsh e të njohurish, por, ecjes së gëxueshme të kësaj rruge të guximshme, befas u pengova, u befasova, dëshpërova e përfundimisht, u zhgënjeva. Nuk po marr një për një "asgjësimet" e vargjeve të Nuriut, që për mendimin tim janë lojë luftrash brenda vetes, që siç do ajo përcakton fituesin dhe humbësin, pasi e quaj vërtet humbje kohe dhe cënim të të drejtës së lirisë së këtij asgjësuesi, që bën ç'të dojë në fantazinë e tij. Mua si lexues asnjanës, në rastin e poetit Nuri Plaku dhe kritikut Andrea K. Prifti, kjo ndjesi e ky mendim m'u shkaktua, porsa kalova atë pak kënaqësi për kritikë, ama kritikë e jo kandarizëm fshataresk, përzjere me modernizmat fallco të matjeve e peshimeve hileqare.

Ndonëse vetë s'jam përdorues fjalësh banale dhe kur më del në ndonjë shkrim timin ve gërmen e parë e më pas pikat, po ve këtu të kopjuar një thënie të z. Uk Bucpapaj:" kritiket letrare jane minj qe hane jashtqitjet e poetit, se poetit si hahet dot shpirti, ngaqe eshte i hidhur, tejet i hidhur: atij i dhemb dhimbja e tjetrit, por kurren e kurres dhimbja e bythes se vet...".

Miqësisht, Mondi
avatar
Petraq Kote 17 September, 2009 10:55:54
DRITERO AGOLLI
20 prill, 1999
PESHA E FJALËS POET
Vjen një poet. Është fjalë me peshë të rëndë emri poet. Por Nuri PLAKU e mban mbi supet e tij që me librin e parë. Ai nuk ka shpejtuar të botojë shpejt e shpejt libra me vjersha, që ta quanin të tjetët “poet”, pasi ia njihte peshën kësaj fjale. Dhe tani, si ai që stërvitet për të ngritur pesha, erdhi me librin e tij pas shumë fletoreve të shkruara me vargje, të grisura dhe të rishkruara. Ndaj para nesh del një poet i vërtetë me zërin e vet në poezi, sjell njerëzit dhe natyrën ku jeton, sjell buzëqeshjet dhe rënkimet e tyre në këtë shoqëri plot shpresa, dëshpërime dhe ankthe. i sjell përmes një figuracioni konkret me kontraste idesh dhe mendimesh, që në përplasje e sipër nxjerrin tinguj të papritur deri në paradoks. Dhe këta tinguj nuk vijnë nga libri prej letre, por nga libri prej bari dhe dheu, nga libri i natyrës, që lexohet pa syze. Mik i një poeti tjetër me origjinalitet të veçantë i njohur me emrin Sherif BALI, ai kërkon me këmbëngulje të formojë dhe të përsosë fytyrën e tij për t’u thënë njerëzve: “jam unë”. Dhe këtë “unë” do ta gjeni:
Çajeni mes për mes ulurimën time
Si një boçe pishe,
Do të gjeni brenda saj
Bërthamat e ngrohta të jetës
Tek buisin
Tek plasariten
Tek mbijnë…
(Marrë nga pasthënia e vëllimit të parë poetik të Nuri PLAKUT, “Brezi i humbur”,Botimet DRITËRO, Tiranë, 1999)

Jam i çuditur nga ky gjykim i z. Andrea për poezitë e Nuriut, prandaj dhe solla këtu fjalën e poetit tone të madh Agollit. Natyrisht është e drejta e ç’do njeriu të thoj ç’farë të dojë por e rëndësishme është se sa serioze është ajo që thotë ai. Poezia e parë, “UNË VRITEM ÇDO DITË”. Pas strofës së parë autori i kritikës na tërheq vëmëndjen se “Deri këtu poezia tregon dhe nuk zbulon”. Poezia as tregon dhe as zbulon. Poezia krijon gjendje nëpërmjet imazhit të vet. Autori pyet se ku janë plagët, përse “vritet”. Por, a nuk të vret një vështrim i vëngër, apo një “përbuzje fati”?
Poezia e dytë:
RROPAMA E SHPIRTIT
Dilja ndan kodrës së Cakranit
Pasi puthesha me vdekjen
I vetmuar
Dhimbjen të derdhja me psherëtimë.

Nepërkat lëviznin nën gurë
Mernin arratinë
Se i zinte nën vete
Rropama e shpirtit tim.

Poezia është pjesë e ciklit për fontanën e naftës në Cakran. Kuptimi është mëse i qartë, asnjë fontan në botë nuk është paqësore dhe veçanërisht fontana e kësaj zone e cila ka ngrënë disa jetë njerëzish të rinj. Autori mesa di unë ka punuar dy vjet në grykën e saj. Do shtoja këtu një poezi tjetër të tij nga vëllimi i dytë “Prangat e zogjve” botuar po nga e njëjta shtëpi botuese dhe në të njëjtin vit me vëllimin e tij të parë 1999.
NAFTËTARËT
Llavë yjesh u vlon në sy përherë
Afshet që thithin dimrit, i psherëtijnë në verë.

Mbi grykat e puseve kërrusur përgjërohen
Për bukën e gojës gjithë jetën betohen.

A mund t’i bjeri në sy për mirë kjo poezi zotit kritizer?

Poezia tjetër e trajtuar është “TI VETËM PËRFYTYROMË” të cilën autori i këtij shkrimi jo vetëm që nuk e jep të plotë, por të lë edhe shijen e hidhur se ka shkëputur pjesën më kryesore që formon kontekstin e saj. Madje vargut të katërt të strofës së parë ja humbet fare kuptimin duke e transformuar nga “tek ti” në “sa ti”. Gjithsesi po e japim të plotë këtë poezi për ta gjykuar vet lexuesi i interesuar:

TI VETËM PËRFYTYROMË
Ti vetëm përfytyromë
Ma jep këtë mundësi
Krijoje lidhjen me mua
E unë do të shfaqem aq shlodhës tek ti.

Aq ndikues
Paçka se heshtjen do ta kemi
Platformë të përbashkët. Start.
Idhull të detyruar, trajtë pëshpërime
Progres çnjerëzor a mister i ndezur
Flakë e përçuar, a krim harrimi
Ti vetëm përfytyromë.

Atëherë do të kemi delirin e përbashkët
Ti vlera njeriu mbi pasionin e përgjakur
Unë engjëll i rrallë, i dëshiruar
Përqafuar në përfytyrimin tënd
Do të flas, do të qesh, do të bëj dashuri.

Ti vetëm përfytyromë
E unë do të shfaqem, aq shlodhës tek ti.

Më çudit gjykimi i autorit të këtij shkrimi mbi interpretimin e figurës së ëngjëllit se “nuk bëjnë dashuri”, kur në kontekstin e dhënë ai përdoret për të treguar pastërtinë shpirtërore të personazhit të dashuruar. Madje edhe në popull përdoret shprehja,”dhëndërri ishte engjëll”. Mos vallë ky “dhëndërr ëngjëll”, s’ka të drejtë të bëj dashuri?
Por më i çuditshëm më duket gjykimi për poezinë “DOLLIA E DHIMBJES”. Edhe kjo “masakrohet” duke e përgjysmuar. Ja teksti i plotë i sajë.
DOLLIA E DHIMBJES
E bardhë apo e zezë është kjo ditë e sotme?
Gjelbërimi i blirëve pikon mbi asfaltin e gropuar
Unë nxitoj të mbush me të kupat e syve
Të ngre dollinë e dhimbjes
Për këta njerëz të menduar.

Një gjethe peme dua të marr
Të sajoj me të një bilbil vaji
Teksa njerëzit përreth meje ndezin qirinjtë e shumtë
Në ritualin e përmortshëm të shpirtrave.

Po vallë cili zog do përcjellë fërshëllimën time?
Cili gjeth do përgjigjet me tingujt e prillit?
Era shpupuris shami të zeza të nënave
Dhe shtron mbi asfaltin e gropuar
Gjelbërimin e freskët të blirit.

E bardhë apo e zezë është kjo dita e sotme
Që s’mundem ta dalloj në mjegull loti?

Të nxitosh të mbushësh kupat e syve me blerimin e blirëve që pikon mbi asfaltin e gropuar, për të ngritur dollinë e dhimbjes dhe të kërkosh të dish se cili gjeth do përgjigjet me tingujt e prillit, është një shprehje metaforike plot shpres dhe optimizëm në imazhin poetik të një dileme dite bardh a zi, përshkuar nga një dramë e thellë sociale që kan qën jo të pakta në vitin e mbrapsht të 97 ës, për të cilin edhe aludon kjo poezi.
Së fundi doja të vija në dukje poezitë e pëlqyera nga autori i këtij shkrimi. Ato janë përkatësisht në faqet:66, 67, 68, 69, 70. Vini re; 5 poezi njëra pas tjetrës, a thua se janë “vendosur” qellimisht aty për mos u lodhur ky zotëri të shfletojë të gjithë librin? E për kënaqësi të lexuesit unë po jap vetëm një nga poezitë më të bukura të këtij vëllimi,(Prangat e zogjve) e cila “nuk bije” në sy.
GJURMA E KAUT
Unë e var gjurmën e kaut në mur
Bashkë me ftonjtë që var nëna në vjeshtë
Muri më duket si i derdhur në pikturë
E unë përballë tij si një bujk i thjeshtë.

Kur ndyken ftonjtë dhe era kutërbon
Ngrihet kau nga gjurma e buluret
E mua një copë fshat më rrethon
Këtu, në shtëpinë time, në qytet.
Petraq KOTE
avatar
Bujar Mucaj 18 September, 2009 03:06:08
Kur kritika nxin...

Dy rreshta do të shtoja për kritikën-maratonë e nisur ndaj poetëve fierakë nga Andrea Prifti. Të bësh një kritikë të rregullt pa u nisur nga teka personale do të përshëndesja përzemërsisht, por këtu na dalka një kritikë e vonuar për dy libra të Nuriut këtu e vite të shkuara. Me këtë rast nuk dua të shfletoj emra të mëdhenj, (Kafka, Prever, Niçe,Tolstoj, Jevtushenko...) të cilët kanë thesare fjalësh të mëdha, por po ju kujtoj ç’ka thënë Xha Cania nga Mbyeti me Llaz Dhinë për të tilla veprime të nxituara e të nxitura.

E fjalët e urta “Si kofini pas të vjelës”, “Me gusht bashkë ikën dhe vapa” besoj se janë ballanca më e mirë për të peshuar thesin e kritikave të tua, që vetëm kritika në të mirë të poezisë nuk janë, pale të jenë në të mirë të atyre që i shkruan këto poezi. Poezitë të cilat ke zgjedhur për sulm, s’janë të denja të thërmohen ashtu sikurse ke menduar në kritikën tënde tip-bumerang. Këdo që të marësh do të dij të flasë dy fjalë për atë lloj poezie të kultivuar e autorin e saj, që përveç klasikes di të futet e të ndërthuri bukur me modernen, surealisten, mikrobotisten etj.

Ti mbase pret sot poezi me drapër e çekan, me kazëm, pushkë, lopatë e top... Nejse, mos t’i hedhim shumë faj të djeshmes dhe poezisë së kultivuar në atë kohë. Unë mbaj mend një novelën tënde të botuar në revistën “Nëntori”, e cila ty të ndryshoi si njeri, duke të bërë më të rëndë, më të nderuar, duke dhe të ngritur në një post më duket(s’jam shumë i sigurt për këtë) se kryetar koperative. Lidhja me pushtetet është e domosdoshme ndonjëherë, por jo që letërsia të marë trajtën, ngjyrën dhe formën e pushteteve. Kritika të mori për të mirë, se ia bëre si duhet nderet.

E atëhere kritika po të mos ecje në shinat e duhura të realizmit socialist të groposte një herë e mirë. Nuk e di seç bëre me novelën, i qëndroi apo jo kohës dhe a është një pjesë e krenarisë suaj si shkrimtar. Pyes mos vallë ky huq i njeriut të rëndë e gati mospërfillës ndaj të tjerëve mos të mbeti qysh atëhere? Apo ishte në gjumë e gjeti momentin e zgjimit!?
Të pyes: pse u kujtove kaq vonë të nxish, jo të bësh kritikë të denjë, pse me tone donkishoteske, duke nxjerr në pah unin dhe shpatën e mprehur, se ti dhe vetëm ti di ta bësh këtë punë? Së fundi kritika juaj ndonëse nga ngarkesa tregon se ti je tretur një kohë të gjatë përmbi letër, sipas përmbajtjes dhe kaheve të sulmit mban erë tjetër. Ç’kërkon ti si etalon matës, zhallonin e kooperativës apo kambalecin e dikurshëm, të matësh rregullsinë e përsosmërinë e vargjeve, e se deri ku e ka hapin e ç’hap ka hedhur deri më sot poezia në Fier dhe poeti në veçanti? Kryesorja është mos të arrihet deri atje që të rendim si laraska pas demit e asnjeri prej nesh mos ta masi veten me hijen e mëngjezit, se do na qeshin të tjerët. Vendlindjes së N.Frakullës, J.Varibopës, V.Samimit, N.Drizarit, N.Jorgaqit, J.Xoxes, M.Pones...nuk i kanë hije të tilla “kacafytje” ku s’del në pah as vlera dhe as antivlera e vërtetë. Po e mbyll këtë shkrim të vogël me një shprehje të madhe të popullit: “Mos të hyftë vetja në qejf”o trim!




Bujar Muçaj
avatar
Perparim Hysi 20 September, 2009 02:50:54
E lexova për së dyti shkrimin kritik të z.Andrea Prifti.Nuk marrë përsipër se jam aq njohës i mirë i poezisë(megjithëse,xhëku shkruaj dhe unë,poezi dhe prozë),por aq sa kam lexuar unë nga poeti Nuri Plaku,jo vetëm më kanë pëlqyer poezitë e tij,por-pa modesti të rreme-më vjen pak inat që nuk di të shkruaj si ai.Kritiku them që ka pak prapamendim(shqip:është teguar jo vetëm dashakeq,por i ka gjykuar poezitë e Nuri Plakut duke i parë vetëm me lupën e tij) dhe kjo duket açik.Ai(kritiku),për të folur pak banalisht,sikur është fshehur pas gaxhoit:e hap siparin me poetin e ndjerë(ish nxënësi dhe miku im i mirë),Spiro Sota,dhe tek deklamon,me të drejtë,vlerat e të ndjerit Spiro si poet,tak dhe i lëshohet Nuriut duke i kundërvënë,ashtu siç e gjykon ai me optikën e tij.Nuk paska vlera,poeti,- sipas kritikut,-se vuaka më shumë se të tjerët.Po si guxoka,me të vërtetë,ky,Nuri Plaku,që të vuaka kështu?Këtë të drejtë sublime s'mund ta marrë mbi supe,se,po e mori,siç dhe e ka marrë,atëherë,poezia nuk paska vlera.
Këto mendime kritike,për mua,jo vetëëm janë tepër subjektive,të qëllimshme dhe,me aq sa gjykoj unë,do t'i quaja të pavlefshme.Unë jam vet krijues(modest,doemos),dhe di të përulem para një kritike objektive.Po nuk ka gjë më fyese se sa të bësh sikur nuk vë re vlerat dhe mesazhet që përciell një poet me vargjet etij.Është e vjetër sa dhe vet letërsia,në tërësi,raporti krijues-kritikë.Kritikët,qoft dhe në letërsinë tonë, janë të paktë.Përgjitësisht,të paktë ata që janë objektivë.Të marrësh që të quash kritikë këdo që orvatet të shkruaj kundra a pro për iks vepër,do të thosha që është pak nxitim në gjykim.Nxitim ose paragjykim(merreni si të doni),e quaj këtë kritikë tendencioze të z.Andrea Prifti.Sa për të patur një ide për këto që po shkruaj,ju them:unë jam fierak.Dhe më vjen keq,që,sado që jam fierak,fizikisht nuk njihem as me z.Andrea Prifti dhe as me z.Nuri Plaku.Që të dy i njoh vetëm përmjet shkrimveve të tyre.Të them të drejtën:krijimet e Nuriut(aq poezi sa kam lexuar nga Nuriu),më kanë befasuar.
Edhe shkrimet e z.Andrea Priftit më pëlqejnë.Ajo që më çudit është fakti:pse ky zotëri gjykon kaq subjektivisht poezi aq të bukura siç janë ato të z.Nuri Plaku?
avatar
Bedri Hoxha 22 September, 2009 03:48:26
Nje kunderpergjigje per Andrea Priftin, per kritikat e bera kohet e fundit kolegeve te nderuar poet, te cilet shkruajne secili ne menyra te ndryshme, por me ndjenje.

Une dua ta nise me nje shprehje dibrane, qe thot,”tigani ka zili tenxheren pse eshte e paster dhe i thote: Sa qenke nxire moj tenxhere? Tenxherja ja kthen: Pa shiko veten tende tigan se sa je nxire.

Ndoshta nuk eshte mire te tregojme shprehje te vjetra e te tilla ne gjuhen e poeteve, por kur tjetri te lutet si qorri per sy,duhet te ja japesh. Nese ti koleg i kohes se kooperatives kerkon te dish perse eshte i vrare ne shpirt Autori[Nuri Plaku] ne vargjet qe i ke lexuar, atehere mos lexo te tilla vepra, por lexo dicka qe flet per luften e klasavedhe mos mendo se kandari yt qe ke perdorur ne kohen e koperatives kur peshonit thaset me leshin e palare, do peshoje dhe thaset me florinj, prandaj mbaje vetem per thaset e tu, se nese e provon do ti keputet cengeli.

Me qe na pyet kush ja shkaktoi plagen autorit, une doja te te thoja qe shpirti poetik plagoset me gjithcka qe i shikon syri, e degjon, e prek,etj. Nese ty te hapet plaga me nje dru,sikur atij mikut kur i bie mendja e s’futet ne akull, atehere mos e merr mundimin te shkruash.

Na tregon qe autori aty ku eshte i sinqerte,vargu rjedh natyrshemn pa sforcime. Tani te te pyes une ty: Cfar sinqeriteti do ne poezi? Mos i ngateron gje me ata propozimet e mbledhjeve rinore ne kohen tuaj, apo propozime aksionesh ne mes te nates?
I nderuar mos i ngatero gjerat me veten, por shprehu me gjuhen e krijuesit, sepse nuk mundet te ndahet kurre poeti ne pjese vetish te sinqerta e te pasinqerta ne krijimtarine e tij.

Na thua se sipas stilit te autorit si zor se ja pelqen bukuria e vertet e shqipes se Poradecit apo e Kutelit. Kurse une do te thoja,apo te te kujtoja, qe kjo kritike i perket vetem e vetem nje njeriu te shitur si ne ate kohe qe paguheshin per ta cuar tjetrin ne padrejtesi e te marr ndonje titull nderri. Edhe ju me dilni ne kete pakt, se mos valle fiton ndonje decorate. Per kundershtaret qe ka i nderuari koleg z. Nuri Plaku me pelqen, sepse vetem i miri ka kundershtare, por i doja me te mire kundershtaret, me te forte e objektive ne analiza krijimesh.

Na thua se permbajtja e ketyre poezive te arrira nuk ka kellqe,te perballoje peshe, ndersa une do te thoja qe se ke pare mire se kane krahe e muskuj qe mbajne cdo lloj peshe, ate lloj para se ciles kritika tende mbetet teper sakate. Por do te thoja qe nje krijues me te vertete me shpirt krijuesi, nuk do te shkruante keto kritika ne hava, por do ti nenshtrohej nje pune te madhe filozofike e hulumtuese, qe po te ndodhte qofte dhe nga gjysmesinqeriteti tend, do hidhte poshte me shume se gjysmen e atyre qe shkruan. E shikoj qe kjo eshte e pamundur te ndodhe, prandaj them “mjer” kush e ka rradhen e mjer vertet per ty qe i ke hyre kesaj rradhe tej mundesive e aftesive per ta merituar mendimin tend.

Respektivisht nga Selaniku i Greqise, Bedri Hoxha.
avatar
27 September, 2009 10:54:08
AGIM BAJRAMI, Durres

Poezia buron nga dhimbja.

Nuk mund të rri pa reaguar ndaj vëzhgimit kritik të z. Andrea K. Prifti mbi poezinë e poetit tashmë të mirënjohur jo vetëm në rrethet letrare shqiptare, por mbarë poezinë antologjike ballkanike, Nuri Plakut. Duke qenë një dashamirës i poezisë dhe lëvrues modest i saj, edhe unë jam mrekulluar dhe frymëzuar nga stili dhe kumbimi emocional që shkakton ajo.

Nuriu e ka nisur rrugën e tij poetike 10 vjet më parë nga “Brezi i humbur” për të “shpërthyer” “Prangat e zogjve” e do ta vazhdonte udhëtimin për të “prekur” më vonë Dhimbjen e lisave. Pastaj me “Furtunën blu”, anija vikinge e poezisë së Nuri Plakut mbërriti në brigjet apoloniane për të lënë aromën e veçantë të këngëve dhe pengjeve të saj në një formë dhe strukturë krejt të veçantë dhe moderrne. “Jaka prej bryme”, në trajtën e një amaneti hyjnor tentoi dhe ja arriti më në fund t’i pushtoi butësisht dhe të prekë këto brigje të shenjtëruar. Poezitë e këtij libri me frymë të çuditshme e të brishtë, si një copëz brymë e patretur vjeshtake, aq të ndjera e spontane sa lexuesit i duket se është duke parë ateliet e dëshirave dhe ëndërrave të poetit.

Për poetin, akti i krijimit është aq i shenjtë dhe i papërsëritshëm, sa e bën atë të harrojë vetveten dhe vogëlsirat banale të jetës. Hapni sytë lexues kur mbas çdo shfletimi hapësirave të Marinzës, dhe fushës së mjegulluar të anëdetit, portikëve të Apolonisë dhe, “dy udhëve vrastare” të jetës së tij, do të shikoni imazhin e bardhë të poetit, që duket si “murg” para jush edhe pse nuk mban veladon dhe kryq. Por ikona e tij është aq e pranishme dhe shndrit në çdo grimcë të ajrit, sepse poeti Nuri Plaku, “vritet përditë në shpirt si i mjerë/ Nga një shikim i vëngër njeriu, a përbuzje fati.” Edhe ne vritemi, por plagën më të thellë e merr ai që e ndjen më shumë këtë dhimbje. Dhe ai që e ndjen më shumë është poeti. Ndjen pa është i tillë. “Poezia buron nga dhimbja”, thotë poeti ynë i madh Dritero Agolli. Të përpiqesh të hedhësh baltë mbi një poet dhe një poezi kaq të angazhuar si ajo e Nuri Plakut, do të thotë të shkelësh mbi dhimbjen dhe këngën e një njeriu që jetën ja ka kushtuar dashurisë dhe mirësisë, do të thotë të shkelësh mbi zhvillimin e një kulture dhe poezie që po lind mbas 50 vjetëve vegjetim e vendnumërimi në kohë, do të thotë të injorosh kodet e një ftese që të bën e sotmja dhe e ardhmja për progres të pa ndalshëm kulturor. Kjo është e pamoralshme. Dhe kjo “baltë” e hedhur në në këtë mënyrë, atije ku bije kthehet në dritë.

Poezia e Nuri Plakut është model i asaj se sa dhe si duhet të pozicionohet një poet i shqetësuar dhe i angazhuar me kohën, se si e sa mund të gatuhet fjala me brumin e shpirtit të tij dhe si e sa e përcjell ajo tek lexuesi tharmin shpirtëror të popullit të vet. Duke bërë biografinë e dhimbjes dhe dashurisë së tij, artisti merr përsipër mbi të gjitha të na mësoi ne, mënyrat e të kënduarit jo me gojë por me gjoks. Dhe kjo është shumë sinjifikative, si për ne që na shijon kjo poezi, por edhe për ata keqdashës që duan me qellim ta denigrojnë atë.
total: 7 | displaying: 1 - 7

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00