Shpirti “tezal” në vargun e Petrit Nikës

Font size: Decrease font Enlarge font
image

(Mbi librin ”Qenia brenda enës” dhe kthimin e përjetshëm të Odiseut në Itakë) Phd. Fatmir Terziu

Hyrje

Në fjalorin shqip-anglisht të Universitetit të Oksfordit fjala shqipe “agshol” përkthehet “break of dawn” që në fakt po të thuhet ashtu siç kuptohet në gjuhën shqipe duhet të jetë një fjalë e vetme, pra ajo që në anglisht thuhet “dawn” e që në tërë këtë lidhje semantike nënkupton “agimin jo të plotë”, agimin mëngjesor të një dite të paralajmëruar. Kjo ditë e paralajmëruar në nëntekstin e kësaj fjale ka dykuptimshmëri filozofike. Njëra kuptimësi lidhet me thelbin që vetë kjo fjalë dikton, përpos veçorisë së saj dhe tjetra me anën semantike që plotëson didaktikën e lidhjes së fjalës me natyrën dhe aspektin sinjifikativ të prodhuar nga derivati i kumtit të saj. Po të shihet e shoqëruar në gjysëmvargun e tij të parë ajo përpos termit “mjegullor” nënkuptohet apriori si një ditë e mjegullt, pasi luan rolin e një mbiemri në këtë fjali të paplotë.

Rregulli  sintaksor

Sipas rregullit sintaksor këtu kemi një hapësirë adekuate, por me një aspekt tipik që në strukturializëm konvertohet me koshiencën e prodhuar të mesazhit në kohë, hapësirë dhe vend. Por në aspektin figurativ kjo mbishtesë e këputur, por e domosdoshme, krijon një veçori të re poetike, që nënkupton ardhjen e ditës jashtë aspektit mjegullor në lindjen mëngjesore si pretekst i agut, pra si një ditë të mbarë, me diell të begatë, të ndritshëm, të plotë e me tregues mirësie në sytë e njeriut. Jo më kot e ka zgjedhur këtë fjalë të qëmtuar të gjuhës shqipe, Petrit Nika, në një nga poezitë e tij që mban një titull sa mitik aq edhe filozofik: “Kthimi i Odiseut në Itakë”. Në të njëjtin varg, pas një pike që luan rol aspektor, (aspekti është lidhja e ndjeshme e fjalëkuptimit me vendhapësirën ku mbizotëron dhe funksionon fjala), vazhdimësia me ndriçimin e situatës që lidhet me anijen misterioze, ku gjeografia na diktohet enkas me hapësirën mbi det, natyrshëm plotëson kodin metafizik të krejt asaj që autori ka krijuar në lidhje me një poezi që mbetet një arsye e plotë për t’u ndalur e analizuar deri në detajin më të imët të saj. Duke u ndalur pikërisht në këtë pikë, edhe pse detajet që autori na i jep nëpërmjet fjalëve janë të paprekshme, në gjuhën e studiuesit John MacMurray (1953:109) kjo është një “perceptim i prekjes” së detyruar që organizohet nga fuqia e mesazhit të krijuar. Sipas këtij studiuesi kjo prekje e perceptuar vjen si pasojë e eksperiencës së rezistencës, në një hapësirë-lidhjeje imediate të njohurisë me fuqinë që e prodhon fjala poetike (po aty).

Struktura e poezisë si aspekt i perceptimit

Kompleksi i perceptimit në poezinë e Petrit Nikës është një metadiagramë inerte e lidhjes së imagjinatës poetike me kreativitetin. Parë nën dritën e Frojdit, tek kjo poezi, ne gjejmë se “imagjinata poetike dhe kreativiteti janë paraqitur në mënyrë tipike në aspektin e fantazisë”, ëndërrave krevalente dhe një nate të ëndërruar plot vegime stilistike (Frojdi, 1928:58-62). Kjo lidhet në konceptin e hershëm të Dhimitër Paskos që për të është “prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut”,..., pra, sipas Paskos “një art i bukur është një krijim që mendon” (Pasko, 1944: 1-4). Më tej, ashtu si tek Frojdi që e lidh strukturën metapsikologjike me strukturën shpirtërore, edhe Pasko sheh se “poezia është një fluid shpirtëror” (Frojdi & Pasko; po aty). Petrit Nika me "Qenia brenda enës", një vëllim i vlerësuar me poezi, flet qartë në këtë pikë.

Ndikimi me teorinë

Në tërë këtë vëllim ndikimi ka një themel; lidhjen e fenomeneve të lartcituara me parimin fantazi. Është pikërisht ajo që Frojdi thotë se imagjinata poetike është një formë e zëvendësimit dhe mund të shihet në një kornizë si një lojë e fëmijërisë. Fantazia është produkt i mendjes, sipas Frojdit. Fantazia është në fakt edhe potenciali që krijon poeti Nika në një “lojë” të tillë perceptuese mes vargut, jetikes dhe oportunitetit të mesazhit. Këto koncepte të para nën dritën e strukturave metapsikologjike të Frojdit, por edhe nën këndvështrimin e Martin Heidegerit, parashtrojnë trajtesën e kësaj poezie në tërësinë e saj si një vepër të krijuar nga poeti artist. Dhe si për të lënë këtë ndjesi artistike edhe në spatulën artistike të skulptorit, poezia e skulptorit dhe poetit, Haxhi Kalluci nga Fieri, krijuar enkas për Petrit Nikën, duket se vjen mes kësaj metapsikologjie dhe vetë titullit artistik të saj “Përthyerje”. Ajo që Kalluci shtron në vargun e tij dedikues është një hapësirë e domosdoshme për të lexuar tërë mediagramën inerte të lidhjes së botës së padukshme të poetit me materien fizike në vargun e tij: “Ti hënën e do,/ dëborën e brymërat,/ mjegullat ndër lugina/ që u aviten kreshtëmaleve./ Ti diellin e do,/ rrezet, që u lëshohen pemëve/ argjendin,/ floririn, shkarkuar prej reve./ Ti tokën e do/ si frymën tënde,/ me ngrica, me avuj/ nga rava e përjetshme e një parmende./ Ti ujin e do,/ e do si kaltërsinë e një ëndërre.” (H. Kalluci; (4 nëntor 2009). Në këtë përkushtim poetik sërish gjejmë edhe anatemën e Paskos që vëmendëson hapur: “Vlera e poezisë nuk peshohet as me kandarin e dyqanxhiut, as me peshën e dijetarit të laboratorit, - ku një e një bëjnë dy” (ibid). Pra sipas Paskos, është shpirti “tezal” (një mbiemërzim ky nga fjala “tezë”, por që shtrohet si e vërtetë me disa argumente). Ai shpirt si mjet “vehikulimi” ose përcjelljeje të ndjenjave.

Vehikulimi poetik

Ky mjet i përçimit të ndjenjave shpirtërore është paradigma më thelbësore në vargun e Nikës. Vehikulimi shpirtëror vjen e zgjerohet tek “Qenia brenda enës”, poezia me të cilën hapet libri, duke ndërlidhur hapësirën, nuancat, zbrazëtinë, zullumin, materien, historinë e tërë atë metapsikologji frojdiane të konceptimit dhe psikoanalizës për të dhënë mesazhin përmes një leksiku të pasur dhe një fjale të bukur poetike: “Hapësira e ngarkuar me dertet e vjeshtës,/ plim me nuanca, mjegull dhe lagështi,/ me temp nostalgjik që prej fillimjetës,/ me lutje pagane - dyndet në zbrazëti./ Shiu lëpin ekualipteve myshkun e errët,/ me neps zullumqar krejt prej Poseidoni;/ mes shirash mitikë dhe erës së mnerës,/ prapë rrjedh nëpër rrugë baltë Deukalioni./ Dhe materia e lodhur nga prirja e rindërtimit,/ shpërlahet e amullt në ekuinoksin e çrregullt;/ tani asgjë nuk e ndal më rrjedhën e gabimit,/ me zanafillë (ndoshta) qëllimisht të mjegullt./ Sa të jetë hapësirës qoftë dhe një thërrime,/ nga lënda makabre tmerrësisht e pangopur,/ rish Kronosi dhe Gjea mes mjegullash - thinjur;/ s’i lënë historitë e dhimbshme për të sosur.” (Nika poezia “Gjithçka brenda enës”). Në këtë poezi shihet edhe erudicioni e poetit, prirja nga gjithëkohësia. Ai nuk vjen si një monovalent. Por si një kompleks i përshtaur mes tërë aspektit krijues, ku spikat kualiteti dhe jo kuantiteti. Në poezi të tilla si “Dasma e Ifigjenisë”; “Kënga sakrale”; “Mesnatë …”; “Për braktisjen dhe më...”; “Spleen”; “Ëndërr me dëborë dhe male...” etj., por edhe në tërë kapitullin e këtij vëllimi poetik “Skica dhe peisazhe”, ndoshta disi më ndryshe tek kapitulli “Elegjitë e shiut”, vehikulimi poetik i poetit poetit tregon për të tjerët konfigurimin dhe dëshirat e tij të thella në tërë ndjesinë e tij të thellë e të fshehtë në përcjellje.

Konfigurim  me kualitet

Ky konfigurim vjen me një kualitet. Është në fjalë, në gjuhë, në mesazh, në pikturimin e abstraktes, në koordinimin e muzikalitetit, në hapjen e strofkave imagjinare, në arkitekturën moderne dhe bashkëkohore me vlera poetike. Le të ndjekim në qetësi poezinë “Mbi asimetrinë e pemës”: “Në ditët me shi të vjeshtës/ pema ngjan më elegjiake se një aed,/ një aed endacak dhe i braktisur / në hapësirën krejt pa zot të askundit,/ pa dhemshurinë ngushëlluese të strehës,/ vizitorëve, kureshtarëve, kalimtarëve të rastësishëm;/ hepohet mendueshëm/ nën vrazhdësinë e erës/ duke vajtuar prirjen e lakuriqësisë/ në fazën e ekuinoksit metaforik të plakjes./ Krejt vetëm, rrethuar nga uji,/ nga era dhe dëshmitë pa jetë të një kohe tjetër,/ vëren lakuriqësinë e vet,/ që sa vjen e bëhet më e plotë dhe solide/ me mjedisin relativisht të varfër;/ zbulon asimetrinë e evolucionit/ dhe gjatë gjithë stinës së ardhëshme/ mundohet të shestojë shkaqet, pasojat,/ që nga zanafilla e largët,/ zakonisht e behur në një ditë të zakonshme prilli,/ deri tek momenti i integrimit/ në integralen e historisë së qenësimit,/ dhe përgjatë gjithë rindërtimit historik,/ asimetria dominon imazhet,/ thelbin, kuptimet e para dhe të fundme,/ madje deri tek prognoza tragjike infernale”. Në këtë qetësi ndjejmë krejt instiktivisht atë që hershëm Verlaine, e quante me të theksuar “De la musique avant toute chose” (Para së gjithash muzikë). Në punën e tij artistike, poeti, përmes kësaj poezie ofron një kompromis mentalo-logjik, duke zgjedhur një favor aspektual të muzikalitetit dhe duke e ndikuar atë mbi të tjera dukuri dytësore, për ta lënë në gjendje të lirë vargun, për të krijuar diçka të re përmes këtij tensioni shpirtëror. Është ajo që Heideger e qartëson se “E vërteta është shpallur nga poeti në punë të artit”. Kjo poezi sipas Hedeger do të lexohej si një konceptim i gjallë në simbolikën e tij, ku imazhet poetike janë të ngarkuara me energji, të grumbulluara në kohë, hapësirë dhe vend. (Heideger, 2008: 36-123). Ndoshta pikërisht këtu nis kartvizita me emrin e poetit ...

Poeti me të ardhme

Vlerësimi ynë nuk vjen aspak nga volumi i botimeve të tij në këtë cilësim. As edhe nga cmimet e studiuesve të ndryshëm që ai ka në dosjen e tij. Ndoshta larg edhe aspektit gjeografik. Ndoshta ..., por jo ndoshta larg cilësisë së poezisë së tij perceptuale, të lexueshme dhe tipike. Një autor i njohur i viteve "90, pedagogu dhe studiuesi Granit Zela, shprehet për Nikën: “Ai jeton me artin e tij dhe për artin e tij, ndërsa ky art flet me një gjuhë komunikuese, por njëherësh dhe abstraguese, të fshehtë. Peng i Muzës së vet, ngado që shkon, si një arratiak i pandreqshëm ai hedh vështrimin e përmallur nëpër botë dhe prehjen e gjen vetëm në Itakë” (Zela: 2009:11). Ndërsa Ilirian Gjika, duke cituar gazetën “Korrieri”, e vendos këtë krijues “midis emrave më të njohur të letërsisë shqiptare të viteve "90, si Tufa, Çoçoli, Bala, Hatibi, Leshanaku, Marku, Zekthi etj” (I. Gjika; 2009: 12). Pra, shkurt, ky është poeti me të ardhme. Poeti shqiptar, Petrit Nika, u lind në Dardhë të rrethit të Pukës, më 9 qershor të vitit 1975. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në vitin 2000. Ka punuar mësues në vendlindje për dy vite, mandej në Fier ku jeton që prej gushtit të vitit 2002. Është bashkëpunëtor i njohur i medias kulturore dhe medias së përditshme, ku ka botuar periodikisht ese, polemika, kritika letrare, poezi e tregime. Ka një përfshirje aktive në botën letrare shqiptare me krijime poetike dhe tregime, pothuajse afërsisht njëzet vjeçare. Në vitin 1996, kur ishte student i vitit të parë në Tiranë, fitoi konkursin poetik të gazetës “55” duke u përfshirë dhe në antologjinë përkatëse që botoi gazeta; në vitin 2004 fitoi çmimin e tretë në një audiencë prej 79 autorësh të njohur të poezisë së sotme shqipe që u botua përgjatë një viti nga gazeta kulturologjike “Fjala”. Ndonëse gjimnazist i vitit të tretë, ai nisi prezantimin me dy libra për fëmijë; "Gjinkalla dhe milingona" dhe "Trembëdhjetë përralla pelegrine". Atëherë ishin vitet 1993 - 1994, por këta libra do të arrinte t’i botonte vetëm në vitet 2004 dhe 2005.    Ka botuar “Mëngjes në Alpe”, (poezi-1997); “Nostalgji apo ankth ekzistencial”, (ese & publicistikë-2007); "Fuga Temporum", (poezi-2009); "Qenia brenda enës" poezi etj.

Kumti i fjalës dhe logjika si kod më vete

Në kritikën shqiptare të viteve “40-të, Kolë Ashta kur analizon poezinë e Filip Shirokës, të cilën e sheh “shpirtnisht të afruar mes tyre” sjell në skenën e kritikës letrare termin e ngjashëm “shkokloj”, që nënkupton jo kuptimin e fjalës “e shkoq” apo e “bëj kokla-kokla”, ose “shkokrroj”, por eksperiencën dhe perceptimin e rezistencës që vjen nga fjala në poezinë e tij (Ashta, 1944:1-2). Dhe ndërsa Ashta e shikon këtë rezistencë dhe perceptim në poezinë e Shirokës tek “i sillet para sysh shtëpia e të parëve…”, poeti Petrit Nika, e siglon atë me dy variantet e tij që vijnë nga njohuria e tij për kthimin e Odiseut në Itakë, por në lidhje të ndjeshme me natyrën dhe tërë ligjësinë e saj që nga lindja e dritës. E gjitha kjo në studimin e Ledri Kurtit, ndërsa i referohet dimensioneve të mendimit kritiko-estetik shqiptar në kohë dhe në tipologji, që vjen nga marrja në konsideratë e mendimit të Ashtës, nënkuptohet si një “poetikë me vlerën e kuptimit të kënaqësisë artistike të përfituar prej saj (poezisë) si art” (Kurti, 2009:231). Kjo kënaqësi artistike e vecon këtë poezi dhe e prezanton këtë poet me një vlerë të ndikueshme të artit të fjalës. Poezia e tij ka ardhje të ndjeshme në kohë dhe në hapësirë. Është e pjekur dhe aspak e nxituar, e pangarkuar, e lidhur me natyrën dhe forcën e saj. Poeti me moshë të re, po aq edhe poezia e tij e re, kanë një lidhje të tejdukshme mes njëri-tjetrit. Vendqëndrimet e tij dhe edukimi edhe pse variojnë, krijojnë një aspekt jo të diskutueshëm gjeografik, por diktojnë gjithashtu njohje, njohjen për autorin dhe po aq edhe për krijimtarinë e tij.

____________________

Bibliografi & Referenca:

  • Ashta, K. (1944) Ngjyra e Vendit të Filip Shiroka tek Revista Letrare, Tiranë, nr. 5, 15 Prill, f.1,2.
  • Frojd, S. (1908), "Lidhja e poetit me ëndërr-ditën", Karakteri dhe Kultura, Neë York: Collier Books.
  • Frojd, S. (1911), "Formulimet për funksionimin mendor...", një përzgjedhje e Përgjithshme e Punëve të autorit me parathënie nga John Rickman dhe shtojcë nga Charles Brenner. Garden City: Double Dita Anchor Books, (1957)., F. 44.
  • Frojd, S. (1928), "Dostojevski dhe vrasja e të afërmit". Neë York: Collier Books.
  • Gjika, I. (2009) Gazeta “Standard”.
  • Heidegger, W. R (2008) Nëpërmjet fenomenologjisë së Mendimit, botim i dytë. Londër: Metuin.
  • Kurti, L. (2009) Dimensione të Mendimit Kritiko-Estetik në Kohë dhe Tipologji. Shkodër: ‘Camaj-Pipa’
  • MacMurray, J. (1953) Vetja si Agjent. Londër: Faber dhe Faber.
  • Pasko, Dh. Revista Letrare, Tiranë, 1944, nr 5, 15 Prill, faqet 1-4.
  • Zela, G. (2009) Gazeta “Standard”

 

Fieri.com / Fatmir terziu PhD

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (1 postuar)

avatar
FRAN UKCAMA 02 March, 2011 06:15:28
Kjo pasqyrë reflektore, si syni i një ujëvare në urëvajat e alpeve,me pozon rinueshem e cilsueshem vargun petritnikian,origjinal,fin,fjalsqimtar,mendim latuar e ndjenje hyjnore me shkrepje toksore që zoti Tereziu e ka qëllue në thelb, bash për këtë e përshendes se jep udhën e tij se si shkruhet me mënd e kulturë bashkëkohore me naltim modern..
total: 1 | displaying: 1 - 1

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Foto Galeri
Rate this article
0