ESTETIKË E VEÇANTË ME NËNTEKSTE REFLEKSIVE Petrit Nika, “Qenia brenda enës”, poezi, Skenderbeg Books, Tiranë, 2010

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Nga Dr. Faik Shkodra.

 Kur lexojmë poezinë e Petrit Nikës, kuptojmë kulturën, zjarrin krijues shpirtëror, shtigjet kërkimore të temave e motiveve, historinë e gjenezës së personazheve, kuptojmë formën artistike, stilin shprehës, kuptojmë ndjenjat dhe kompleksitetin psikologjik të poetit dhe kuptojmë rrugën dialektike të frymëzimit e perceptimit që poeti i bën realitetit historiko - shoqëror, realitet mbi të cilin shkrin ide e mendime filozofike mbi trajtat e jetës dhe botëkuptimet e njerëzve. Në emër të një ideali dhe ëndrre të madhe të njerëzimit

Në vëllimin karakteristik “Qenia brenda enës” Petriti ngre ideale të larta të njerëzimit dhe kudo në vargje manifeston ndjeshmëri shpirtërore, ndjeshmëri që vjen nga jeta në vrojtim dhe, vargjet kanë mision formimin moral, shoqëror, njerëzor dhe shkencor të njeriut për të kuptuar jetën dhe ligjet e saj, tamam siç i shpjegon fizika. Vëllimi “Qenia brenda enës” e Nikës themi me plot gojën se përshkohet me çështje, fenomene e dukuri filozofike, historike, shoqërore, letrare, estetike dhe stilistike.

Petrit Nika, përmes poezive të vëllimit, kërkon pikat më të nxehta të cilat lidhen me rolin dhe misionin e poezisë si trajta më e  bukur e shprehjes artistike dhe estetike. Në poezitë e këtij vëllimi poeti afirmon të vërtetat që i bart poezia, e cila nuk është në shërbim të vetvetes, siç mendon Visar Zhiti, por është në rolin e pajisjes së njeriut me virtyte e vlera të reja morale, mendore e njerëzore. Me fjalë të tjera, poezia e Petritit mund të kuptohet drejt e me logjikë të arsyeshme nga ata lexues që kanë përgatitje të thellë nga fusha e teorisë, estetikës dhe stilistikës. Poezia e këtij poeti ka nëntekst të fortë refleksiv. Për ta kuptuar, duhet kulturë e dije nga letërsia antike greko - romake e latine dhe për këtë duhet pasur njohuri mbi zhvillimet e poezisë nëpër shekujt e hershëm të botimeve letrare. Poezia e Nikës flet në emër të një ideali dhe ëndrre të madhe të njerëzimit. Idealet dhe ëndrrat e tilla, që mishërohen brenda poezive të vëllimit, dëshmojnë mbi kulturën, horizontin, ndjenjën, përjetimin dhe zgjerimin e rrethit të interesimeve të Nikës në kapjen e disa temave e motiveve që lidhen me fatin e ardhshëm të shqiptarëve në Ballkan, të cilët nuk po arrijnë të tregohen të denjë dhe në nivelin e kohës, e cila vazhdimisht po i sfidon, duke shkaktuar dëme të mëdha në çështjet kombëtare - çështje që vazhdimisht prodhojnë të këqija për të ardhmen e shqiptarëve. Shqiptarët, në mënyrë figurative, e thotë poeti, nuk arritën dje, nuk po arrijnë sot dhe si duket do të shkojnë vite e vite e nuk do të arrijnë ta kapërcejnë kohën. Sipas vargjeve, kuptojmë se kujtesa historike e së shkuarës nuk po i vetëdijeson shqiptarët. Nga nënteksti i pasur i poezive del se poeti, me qëndrim racional e paravajtës, nga shqiptarët kërkon pikat më nevralgjike, që me shekuj po e dëmtojnë çështjen kombëtare dhe të ardhmen historike të shqiptarëve. Natyrisht, Nika poezinë nuk e kupton si trajtë ku duhet derdhur energji e ndjenja pa efekt, por si trajtë ku duhet hedhur mendime të çiltra të realizuara me kulturë, dije e pasion.

Poeti, me vargjet e botuara, dëshmon se poezinë e merr si diçka që duhet të shprehë cilësi ideoartistike dhe ideoestetike. Ky qëndrim dhe  tipar i Nikës flet për koncepte të drejta që mban për rolin dhe rëndësinë e poezisë. Duke lexuar poezitë e vëllimit, shohim një mbyllje brenda  botës vetjake, botë që shprehet me metafora, simbole, antiteza, metonimi e sidomos aliteracione. Në përdorimin e këtyre mjeteve poetike vërehet mjeshtëri e nivelit të duhur artistik dhe gjuhësor. Po t’i kemi parasysh këto të dhëna, atëherë mësojmë se poezitë, jo vetëm përshkohen me një frymë e kompozicion të veçantë, por karakterizohen me tematika të gjera dhe secila përfaqëson një problem që ka frymëzuar poetin për të hartuar vargje me veçanti gjuhësore e vlera ideoemocionale. Brenda poezive meditimet vijnë natyrshëm. Në këtë natyrshmëri gërshetohen fjalë e shprehje të bukura artistike, të cilat shprehin mendime të mençura e ndjenja të kristalta të botës shpirtërore të poetit. Këto arritje e bëjnë poetin, sa të kulturës, aq edhe realizues të kërkesave të kohës.

Poezia e Petrit Nikës, jo vetëm e vëllimit për të cilin po bëjmë fjalë, por e tërë poezia e tij e botuar nëpër vëllime të veçanta, me temat e motivet e trajtuara, është në shërbim të mirë të ndriçimit të çështjeve të rëndësishme për problemet kombëtare dhe arti i Nikës nuk vuan nga rutina, nga klishetë dhe nga shabllonet e dëmshme. Falë cilësive të tilla - vargjet komunikojnë pa vështirësi me lexuesit dhe në subjektet e tyre derdhen ndjenja të thella ideoemocionale, të cilat shprehin jetën dhe realitetin e kohës. Realiteti i riprodhuar në poezi dhe bota e brendshme e poetit, rrisin vlerat artistike të poezive. Thuhet se një poezi, për t’u cilësuar e suksesshme, ajo para së gjithash duhet të ketë brendi të re - brendi që ka braktisur format e vjetruara të shprehjes e të përsëritjes së pikëpamjeve estetike. Natyrisht, lënda e re poetike, që me vete sjell poezia, shquhet për disa tipare të rralla artistike. Këto tipare në radhë të parë reflektojnë jetën në mënyrë specifike, duke i shoqëruar vargjet me emocione. Në fund të fundit, poezia e kësaj natyre hedh dritë mbi jetën e njerëzve dhe, duke ndriçuar problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit, poeti pohon e mohon, kërkon e shfaq pikëpamje e mendime të vlefshme dhe përmes mendimeve e reflektimeve arrin të zbulojë aspekte të rëndësishme poetike të vetë realitetit shoqëror e historik. Por, për t’u përmbushur këto objektiva, që poezinë e veshin me lëndë të re, poeti duhet të ketë talent, prirje dhe të njohë mjeshtërinë e të shkruarit në gjininë e poezisë. Në këtë kontekst, me të drejtë është thënë: “Pa kulturë dhe pa punë të ndërgjegjshme nuk mund të shkruhet poezia e vërtetë. Ajo që shkruhet në mënyrë “Barbare”, edhe në qoftë se përmban poezi jetë, humbet aftësinë komunikuese dhe vlerën e ndikimit estetik dhe edukativ”. (Razi Brahimi, Kur flasim për poezinë, Tiranë 1972. f. 9). Sublimim i problemeve historike e shoqërore nëpër etapat historike

 

Vargjet e Petritit rrëfejnë mbi ndjenjat e mendimet e shprehura në trajta të gjetura poetike me afinitet, të cilat përshkohen me vlera estetike dhe me momentet artistike më domethënëse të jetës. Brendia e pasur dhe e përsosur e poezive i ka nxitur studiuesit e artistët e fushave të letërsisë të japin vlerësime ndër më të ndryshmet. Në këtë problematikë kemi trashëguar thënie e mendime me tendenca ndër më të shumëllojshmet - tendenca që nuk kanë sjellë konstatime e teori të qëndrueshme shkencërisht për asnjë disiplinë që objekt studimi ka poezinë.

S’ka dyshim se vlerësimet më të mira për një vëllim si “Qenia brenda enës” të Nikës, duhet parë në sublimimin e problemeve historike e shoqërore të njeriut nëpër etapat historike dhe këto çështje janë realizuar në mënyrë racionale. Racionaliteti, që është i pranishëm në vargjet e poetit, shpreh thellësinë ideore dhe fuqizon lidhjen me traditat kombëtare në distancë historike.

Vëllimi poetik “Qenia brenda enës”, botuar nga Skenderbeg Books, Tiranë, 2010, si përmbledhje poetike është strukturuar në këto cikle: Qenia brenda enës, Letra për Donjetën, Për dashurinë dhe hijen,  E gjatë rruga jote Odise ..., Skica dhe peizazhe, Elegjitë e shiut dhe Mbi identitetin e Unit dhe keqinterpretimet (ese përmbyllëse). Në këto cikle autori trajton çështje interesante për poezinë e sotme shqipe. Duke qenë njohës i rrjedhave shoqërore nëpër kapërcej shekujsh, ai rrok në pasqyrim tema interesante për artin letrar. Petriti që në poezinë e parë “Qenia brenda enës” shpreh një mospajtim me “mjegullat e thinjura, të cilat objektivisht s’i lënë historitë e dhimbshme pa sosur”. Gjatë leximit të cikleve lexuesi mëson për qartësinë e vargjeve, por duhet të themi se disa poezi duhet të lexohen më shume se një herë për t’u kuptuar ideja dhe qëllimi i poetit dhe kjo duhet të bëhet për shkak se me nëntekstin refleksiv nuk krijojnë mundësinë e kuptimit të lehtë pa e vrarë mendjen se ç’ka dashur të thotë poeti. Duket se për këto vështirësi është i vetëdijshëm edhe Petriti, kur thekson: “Unë nuk kërkoj më lexues. Rrjedhimisht, nuk kam asnjë lloj kontrate as borxhi ndaj lexuesit. Nëse e do poezinë, atëherë lexuesi le ta gjeje vetë atë.”

Objektet e poezive përshkohen me përmbajtje e me porosi të thella dhe pikërisht në këto përmbajtje vibrojnë emocione të fuqishme dhe përbërësit e tjerë janë shenja të një asimilimi të fortë që bëhet midis materialit jetësor e shoqëror në kohë dhe hapësirë. Këto vlera paraqesin unitetin ideor të poetit dhe aftësinë intuitive për të përcjellë porosi tek lexuesi. Për poetin në shumicën e poezive, e vërteta jetësore dhe dëshira për ta parë jetën ashtu siç duhet të jetë, krejt ndryshe, mbetet kërkesa dhe synimi kryesor e artit të tij dhe e vargjeve të tij. Nga brendia e poezive del se autori i ka ngjizur poezitë me frymëzim të vetvetishëm dhe me një përjetim të lartë ideoemocional.

Gjatë leximit të poezive të cikleve vërejmë preokupimet e shqetësimet e Petritit, i cili gjatë dhënies së gjykimeve dhe shpalosjes së mendimeve mbi realitetin e kohës, kalon nga një çështje në një tjetër dhe në kuadër të kësaj mënyre hedh dritë mbi ngjarjet e aspektet e shumta që i përjeton shoqëria në ritmin e kohës. Poezitë kanë për qëllim vetëdijesimin e shqiptarëve për t’u bërë të mençur dhe me mençuri për të kapur kohën, e cila, siç thonë filozofët dhe njerëzit e dijes së botës së përparuar, nuk i pret të padijshmit dhe përtacët. Nëse i duam vlerat universale dhe ato kombëtare, nëse kemi mësuar sadopak nga veprat e rilindësve se për vatan duhet shkrirë vetvetja, se Vatani është mbi çdo vlerë tjetër, se Vatanit duhet t’i përkasim të gjithë, pa dallim besimi e partie, se Vatani duhet ta lëvizë shpirtin, mendjen dhe ndjenjën - atëherë për Atdheun, thotë poeti, mos u përkund me iluzione, mos ik prej tij, sepse çdo shqiptar që pranon këtë të keqe, pra, të ikë nga atdheu - ai duhet të pranojë se ka ikur nga qenia, nga identiteti, nga gjaku, nga kënga e historia kombëtare dhe në fund ka ikur nga vetvetja.

Në vetëflijimet dhe sakrificat që duhen bërë për atdheun, nuk duhet të tregohen shenjat e subjektivizmit, nuk duhet të jenë shenja të kushtëzuara nga ndjenjat momentale, sepse të tilla ndjenja nuk përligjin qëndrime e vetëdije stabile. Disa nga elementet e një subjektivizmi të tillë shpërfaqin vargjet e poezive: Ëndërr me dëborë dhe male... ose Requiem (padashur) dyvetor. Të tilla pikëpamje poeti i dëshmon në vargjet:

 

Për gjithë ç’pate e s’pate në shtegun e gjatë,
për humbjet për brengat, padrejtësitë,
në fund vetëm heshtja të mbetet dëshmitar,
t’ia tregojë botës - postum - historitë!

 

Po t’i analizojmë me kujdes këto vargje, kuptojmë se njeriu i vetmuar, i cili bredh pa ditur se nga shkon e ku shkon - ai vërtetë mbetet i vetmuar e pa realizim të dëshirave të kërkuara. Në poezitë: Apolonia, Udhëtari i natës, Monolog në pritje, Fëmijë në park, Mozaik, Afrika, Requiem për kohën, Optimisti dhe nihilisti të ciklit “Qenia brenda enës”, shpaloset individualiteti krijues autokton i Petritit, i cili në nyjëtimin e mendimeve e shfaqjen e ndjenjave mbi disa probleme të realitetit jo të kënaqshëm, për të mos thënë të vrazhdë, ndaj të cilit mban qëndrim kritik, tregohet artist dhe i qartë në atë që e thotë. Poeti përjeton dhimbje për kohën. Mbi shpirtin e tij rëndojnë ëndrrat dhe dëshirat për një të ardhme më të mirë për çdo njeri. Në shpërfaqjen e këtyre brengave, Petriti në vargje vjen në rolin e gjuhëtarit, të historianit, të poetit dhe të pedagogut. Këto aspekte të poezisë i shprehin vargjet: 

 

 I vetëm, udhëtar ndër rrugë pa cak

Kishte bredhur njëzet vjet. Një jetë!

 

Ose:  

Mbishkrime greke dhe latine skalitur mbi gurë,
dëshmi agresive të një kohe tjetër,
por rrënoja rebele s’përfill asnjë gjuhë,
pos gjuhës së lashtë të vendësve të vjetër!


(Apolonia)

 

Ose:    

Me melosin kumbues lirik të çdo treve
ku zanafilla e tingullit nuk shpjegon asgjë
veç lashtësi, magji, jehonë e re,
nostalgji për trajtat që s’janë më.


(Mozaik)

 

Ose:    

Askund në botë - si në ajrin e Afrikës,
nuk regëtin klithma e acartë e padrejtësisë,
që kur njeriu i bardhë mori rolin e bishës,
dhe shkroi me gjak kodin e skllavërisë.
...

Koha e re! Afrika e dëshpëruar.

 

(Afrika)

 

Nga vargjet e cituara shohim qëndrimin dhe natyrën e poetit, shohim poetin me një fuqi të shquar krijuese, fuqi që kap në trajtim çështjet e kohshme të realitetit historik e shoqëror, bashkë me to rrok botën psikike të njerëzve, shohim thellësinë e perceptimit të trajtimit artistik të problemeve, që ndrydhin ekzistencën e njeriut - ndaj të cilit mban qëndrim të drejtë me mbrojtjen e vlerave të tij.

 

Një det ndjenjash dhe ndrydhjesh shpirtërore

 

Gjithandej poezive të vëllimit, poeti demonstron ide e mendime të rëndësishme dhe në përdorimin e mjeteve stilistike tregohet i kujdesshëm dhe i matur. Temat e motivet trajtohen në vargje me një zotësi e mjeshtëri të llojit specifik. Kjo flet për kulturën e shkallën e intelektualizmit të Petritit. Brendia e poezive, në përgjithësi, ruan disa ngjashmëri me poezinë e Fatos Arapit dhe të Beqir Musliut. Për poezinë e Arapit është thënë se “Nga pikëpamja e brendisë ideoemocionale, edhe nga forma, poezia e Arapit ka një fizionomi të përcaktuar mirë dhe, me gjithë zhvillimin nga një kohë në tjetrën, e me ndryshimet e diktuara nga motivet e trajtuara, ajo mbetet si një tërësi artistike unike, ku çdo anë është në harmoni me anët e tjera dhe hollësitë në harmoni me thelbin ideoemocional të saj“ ( R. Brahimi, Po aty, f. 208).

Megjithëkëtë, poezia e Petritit ka veçoritë e saj shquese. Poeti i mbetet konsekuent këndimit të kohës dje dhe të kohës sot. Motivet e përthithura nga këto kohë janë atraktive dhe mbresëlënëse,sepse poeti, përmes halleve e pakënaqësive të njerëzve dëshiron të krijojë vargje me vlera që artikulojnë ideale të reja - jo vetëm ideale patriotike për të cilat flasim pa ndonjë kriter, por poeti përpiqet të kultivojë vlera shumë më të gjera e më fisnike për njeriun dhe karakterin e tij. Poezia e Petritit i këndon vetëdijes nacionale - vetëdije kjo që, sipas nëntekstit, nuk kufizohet në probleme të imëta, por në ato madhore. Nëse shqiptarët arrijnë ta kuptojnë dhe ta zhvillojnë vetëdijen nacionale, ndryshe nga ajo që e kanë sot, atëherë do të bëhet realitet vargu i Zef Skiroit, i botuar në poemën “Dheu i huaj” – “Do të fillojë koha e së drejtës”.

Në ciklin e dytë: “Letra për Donjetën”, shkruar në gjashtë letra, poeti këndon për diçka intime dhe temat intime zakonisht ngacmojnë krijuesin dhe shpirtin e tij për të shkruar vargje që të rrëmbejnë me situata e momente të përjetuara, vargje që të përvetësojnë me çastet e kujtimet që sjellin midis të dashuruarve. Në rastin e kësaj poezie, i këndohet edhe dashurisë së bijës në raport me babanë. Cikli “Letra për Donjetën” sjell poezi më shumë se origjinale dhe ato japin biografinë poetike të Petrit Nikës. Vargjet janë reflekse të një respekti e një realiteti të jetuar. Me të drejtë thuhet se poezitë me motiv intim sikur e freskojnë lexuesin dhe ia kënaqin ndjenjat shpirtërore në shumë rrafshe. Në letrën e parë poeti sajon vargje me numrin mitik shtatë, numër, që sipas mitologjisë, ka një fuqi magjike dhe në ëndërr shtatë qiej pa anë, shtatë fusha me lule, shtatë male të blerta. Gëzimin më të papërshkruar babai e ka pasur kur në këtë botë i vjen bija - mungesën e së cilës nuk e zëvendëson asgjë. Në letrën e dytë vijnë vargje të ngrohta, në të cilat shpërthen malli dhe dashuria që ka babai për të bijën, për të cilën bën çdo sakrificë. Kjo shihet në vargjet:

 

Por, ja, ëndrrat të braktisin, bijë, ndonjëherë,
edhe vetëm me realitetin s’po jetohet;
sa për mua ti e meriton çdo sakrificë
vetëm zemra jote e vogël të gëzohet!

 

Në letrën e tretë pagjumësia e ka fjalën kryesore dhe komunikimi realizohet me ndajfolje kohe, vendi dhe njerëzit kthehen në përemra dëftorë! Letra e katërt është një intermexo dhe raporti Atë e Bijë është gjithnjë e më intim dhe vargu i fundit përfundon me lutje që bija të mos bëhet pre e vetvetes. Ndërkaq, vargjet e letrës së pestë e të gjashtë trajtojnë detaje mbi imazhin që babai ka për të bijën dhe ikja e tremb tej mase babanë. Vargjet e këtij cikli na i kujtojnë mendimet se: “Të jesh poet, domethënë të jesh në gjendje të shtrosh me fjalë ura emocionale që shtrihen prej dëshirave deri tek idealet njerëzore. Poezia është ajo që prej “gjakut deri te shtëpia e ëndrrave urën e artë e qet”. Njerëzit kanë ndier nevojën që brengat e jetës t’i lehtësojnë me fuqinë e fjalës së bukur, prandaj nuk e kanë shpikur vetëm për hir të kënaqësisë këtë magji të jetës së tyre” (Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 68).

Ciklet “Për dashurinë dhe hijen”,E gjatë rruga jote Odise ...”,Skica dhe peizazhe” si dhe “Elegjitë e shiut” në tërësi përshkohen me poezi cilësore, sidomos në planin tematik dhe artistik. Poeti me formën që u cakton poezive, me përdorimin e mjeteve me kujdes e me invencion artistik, arrin të shprehë një det ndjenjash dhe ndrydhjesh shpirtërore dhe çdo gjë që trajton e artikulon me përjetim e ndjenjë të lartë shpirtërore. Gjatë zbërthimit të subjekteve të poezive të poetit disa herë kemi theksuar se vargjeve u ngarkon kuptim refleksiv. Vetëm vargjet me antiteza të spikatura:

 

Më vjen t’bërtas, por nuk kam zë
ndër flokë më kridhet vjeshta
më qahet shumë, por lot s’kam më
kujtime shkel si eshtra.

 na vënë në dijeni për imagjinatën dhe intuitën e zhvilluar të poetit, i cili, falë frymëzimit të lartë, sjell vargje me vlera ideoemocionale dhe ideoartistike. Poezitë e këtyre cikleve, ku më shumë e ku më pak, të përvetësojnë, të tërheqin me vargun lirik të kulluar dhe poezitë të çojnë atje ku poeti ka shfrytëzuar motivet e jetës së personazheve për fatin e të cilëve harton vargje lirike me freski poetike.

 

Tablo mbi jetën dhe vlimet shoqërore në kontekst të kohës

 

Poezitë e cikleve shprehin qëndrimin mendor e imagjinativ të Petritit. Mendimet, idetë dhe preokupimet për çështjet e realitetit jetësor dhe të botës shpirtërore në vargje realizohen me mjete të bollshme poetike. Poezitë, në përgjithësi, mishërohen me koncepte filozofike dhe si të tilla na krijojnë mbresa të pashlyeshme. Këto mbresa janë gërshetuar me fjalë e me vargje të zgjedhura, të cilat flasin për artin e nivelit të përsosur të fjalës poetike, të poezisë si trajtë e veçantë e komunikimit me realitetin jetësor të riprodhuar në artin poetik. Kur përmendim artin, duhet të shtojmë të vërtetën se “arti shtron problem, nxit ide dhe prodhon mendime”. Poezia “Kthimi në vendlindje” shpreh mallin, nostalgjinë, dashurinë e shpalos zjarrin që poeti ka për vendlindjen. Ndonëse poeti është shkoqur nga vendlindja ai ruan kujtimet më të shtrenjta për të, madje jeton me hallet e vuajtjet e banorëve të saj. Jeta e filluar në vendlindje poetit ia shton dhimbjet dhe mallin edhe më të zjarrtë për të.

Poezi më përmbajtje të rëndësishme janë: Në kujtim të dashurisë së humbur, Ik nga dhimbja! , Nëse ..., Baladë rurale etj. Këto poezi trajtojnë motive të ndjeshme dhe brenda tyre poeti arrin që fjalës së përdorur t’i japë kuptim tjetërfarë nga ajo që ka në të folmen e zakonshme. Në syzhetë e veta poezitë paraqesin ndjeshmërinë e shpirtit e të zemrës së poetit dhe si të tilla përfaqësojnë, jo vetëm një realitet artistik origjinal, por paraqesin zërin e vetë poetit, i cili, duke qenë i sinqertë dhe i pakompleksuar, shkruan: “Duket se vetë ajo s’donte kurrë të ndahej nga unë. Së fundi vendosa ta kthej prapë në “jetë” duke i dhënë formën fizike të tekstit, pavarësisht gjuhës dhe komunikimit tepër intim”.

Poezia e Petritit shquhet për shumë karakteristika, por mendojmë se dy janë më të theksuara: Zëri i poetit origjinal dhe stili që manifeston në kompozicionin e tyre. Edhe njëra edhe tjetra mes vete janë në lidhshmëri të fortë. Të dy këto veçori shpalosin një botë të pasur të poetit - botë që riprodhon realitetin jetësor. Në vargjet e Nikës mbruhen ide e mendime të vlefshme mbi jetën dhe luftën e pandërprerë të njeriut për ta mundur të keqen. Gjerësia e ndjenjave, detajet e bollshme me të cilat i vesh vargjet, bota refleksive e dhënë me mjeshtëri të rrallë, i bëjnë poezitë përherë e më të këndshme.

Ndërkaq, cikli “E gjatë rruga jote Odise...” paraqet rrugën e mundimshme të Odisesë. Gjithnjë sipas vargjeve poetike dhe mendimeve teorike të dhëna në Poetikën e Aristotelit - pra,  riprodhimi i personazheve dhe heronjve mitologjikë “ashtu si kanë qenë, si janë në saje të rrëfimeve e besimeve të popujve dhe, në fund, si duhet të jenë në realitet”.

Poezitë e cikleve: Skica dhe peizazhe dhe Elegjitë e shiut, trajtojnë motive mbi dashurinë për njeriun, jetën, prindin, fëmijën, natyrën etj. Në këto poezi ndeshim një figuracion të pasur stilistik, një botë paksa melankolike dhe vargje që flasin për kapjen e motivit me nerv.

Duke i analizuar vëmendshëm ciklet e sipërthëna vijmë në përfundim se Petrit Nika në këto poezi ka dhënë disa tablo mbi jetën dhe vlimet shoqërore në kontekst të kohës. Në këto punë ai, si me shkop magjik, ka prekur fenomenet më të domosdoshme që përcaktojnë logjikën e zhvillimeve të proceseve të ngjarjeve. Nga kjo del se poeti përherë është i zotuar dhe se këtë zotim e bën fshehtas falë figurave e mjeteve artistike. Sido që të jetë - e vërteta ka një emër: “Vërtetësia e artit nuk është e rëndomta, nuk është ajo që njeriu është i detyruar të ndeshet çdo ditë: Arti është mbi të gjitha rikrijim shpirtëror dhe si i tillë, ai zgjon ndjenja dhe emocione. Ndaj dhe njeriu kërkon nga arti shpirtin, atë që vë në lëvizje dhe i jep kuptim jetës së tij” (Briseida Mema, Kritika dhe letërsia bashkëkohore, Tiranë, 1991, f. 178-179)

Petrit Nika përmes poezisë kërkon zhvillim të pandalshëm të shoqërisë shqiptare - jo vetëm në një drejtim a fushë të caktuar, por një zhvillim gjithëpërfshirës, ashtu siç na mësonin Noli e Konica. Rrugën e këtij zhvillimi poeti e këndon, kuptohet në mënyrë filozofike, duke fajësuar bukur shumë klasën politike, e cila pa farë morali e djerse ka krijuar pasuri marramendëse - astronomike. Në vargjet e Petritit derdhet një energji pozitive drejt përkrahjes të së vërtetës e luftës kundër së keqes. Në poezinë e Nikës problemet me pasoja të mëdha për të ardhmen e kombit, siç është lumi i madh i njerëzve, sidomos të rinjve, me diploma e pa diploma, të pashpresë për të siguruar një vend pune për të pasur një jetë modeste normale - ëndërr, synim dhe ide kanë braktisjen e atdheut, nuk i relativizon, sepse logjika e poetit thotë: Me veprimet e këqija nuk pajtohem! Mund të themi se në poezinë e Petritit nuk ka patetizëm, as emocione pa kontroll!

 Në vend të përfundimit

 

Gjatë vështrimit të poezive të vëllimit “Qenia brenda enës” të Petrit Nikës, nxjerrim këto përfundime:

E para, duhet të lidhet me thënien e një njeriu të mençur, që ka pohuar se “jemi njerëz”, por në çështjet madhore që përcaktojnë të ardhmen e kombit nuk duhet të jemi memecë, as të  heshtim dhe as të mashtrohemi. Nëse bëhemi të verbër, të shurdhër e memecë, atëherë duhet të pranojmë se na ka zënë gjumi. Për të mos na ndodhur kjo, poezia e Petritit na fton që ndaj dukurive negative e veprimeve të dëmshme, në cilëndo fushë qofshin ato, të reagojmë dhe të mos pranojmë servilizëm se jemi të vetëkënaqur! Njerëzit që nuk pajtohen me të pavërteta dhe me demagogjinë e klasës politike dhe të disa krijuesve shkencorë dhe letrarë, jetën mund ta kenë të rrezikuar dhe jo të rehatshme. Njeriu duhet të jetë shumë i lirë për t’ia shitur lirinë atij që i mungon! Mesazhet e tilla të poezisë së Petritit i bëjnë më aktuale mendimet e Jovan Nikolidisit - shkrimtar malazez, kur thotë: “Është lehtë të jesh i përkëdheluri i pushtetit. Është edhe më lehtë nëse nuk ke vetëdije dhe mendon se ky është suksesi yt më i madh. Por, është shumë vështirë të tregohen mangësitë e popullit tuaj. E unë ndihem mirë që i shoh ato mangësi dhe flas për to, sepse unë e dua popullin tim”. Poezia e Petritit shpreh dhe kultivon një dashuri të veçantë për popullin, për atdheun, për historinë, për mitologjinë dhe për njeriun, pa marrë parasysh se cilit komb a kontinent i përket.

E dyta, poezia e Petritit rrezaton vlera të shumta estetike e artistike. Ajo me vargun lirik e me mendime të ngrohta të bën të vetëkënaqesh dhe të përjetosh çaste të këndshme me mënyrën si kuvendon poeti me atdheun, me vendlindjen, me njerëzit e afërt e të largët deri me ata të Afrikës, kuvendon me prindin, Odisenë, me vlerat kombëtare e folklorike e me njerëzit e të gjitha moshave, të cilat i këndon deri në përjetësi!

E treta, poezitë në përgjithësi janë pasqyrë e problemeve të kohës. Në këto probleme poeti hedh dritë duke i dhënë ide e mendime që orientojnë drejt shtigjeve të caktuara se nga duhet të ecim përpara në realizimin e idealeve dhe aspiratave që shkojnë në të mirë të atdheut dhe të kombit.

E katërta, kujtojmë se e vetmja vërejtje që mund t’i bëhet vëllimit ka të bëjë me përdorimin e fjalëve, nocioneve dhe shprehjeve të huaja dhe të burimit mitologjik, të cilat, objektivisht, sado që Petriti e thotë se këtë e ka bërë qëllimisht duke u arsyetuar me mendimin se “gjuha që përdor unë nuk është librore. Është përtej kësaj” –  e rëndojnë qartësinë e mendimeve dhe porosive që bartin poezitë. Në këtë problem të veçuar na ndihmon Klara Kodra, e cila me të drejtë thekson se: “Terminologjia në vetvete natyrisht është konvencionale, por ajo përbën gjuhën e kritikës. Pa terminologji të saktë, që të pasqyrojë nocione të qarta do të ndodh si në legjendën biblike të kullës së Babilonit, do të krijohet kaos dhe rrëmujë dhe nuk do të mund të ndërtohet asgjë” (Klara Kodra, Nëntori, Tiranë, nr. 6 – 1989, f. 25).

E pesta, në përgjithësi, poezitë e vëllimit shpalosin preokupimet, shqetësimet, dëshirat dhe ëndrrat e poetit ndaj njerëzve dhe ndaj kohës në të cilën jeton. Lexuesi i poezive do të përjetojë çaste të këndshme dhe vargjet ngjajnë si betim për të qenë bartës i veprave dhe punëve të mira. Petriti në poezi zbaton stilin edhe poetik edhe përmbledhës. Poezitë, janë shkruar me frymëzim, me ndjenja të holla, me përjetim, me gjuhë të pasur, me mjete stilistike shumë të pasura e sidomos vendin qendror e zënë figurat tingëllore, me të cilat poeti vargjeve u siguron eufoninë dhe harmoninë e stilit e të shprehjes poetike. Faktet, sa jetësore aq imagjinative, të ndërlidhura në fabulat e poezive, janë tërheqëse dhe krijojnë vlera estetike e artistike, të cilat do të mbeten të freskëta e të gjalla në mendjen e kujtesën e lexuesit.

Kryefjalë e të gjitha poezive është dashuria e pamatshme që poeti mban për njerëzit e të gjitha moshave, gjinive dhe profesioneve në kohë dhe hapësirë. Duke i pasur parasysh këto konstatime për vëllimin poetik “Qenia brenda enës” të Petrit Nikës, atëherë le të na lejohet që këtë trajtesë ta përmbyllim me mendimet e studiueses Briseida Mema, kur thotë: “Arti i vërtetë në çdo kohë ka vendosur me jetën dhe njerëzit ura të fuqishme komunikimi, ka sjellë një përvojë të tërë jetësore, që të përcjellë në mënyrë sa më të kuptueshme e të qartë, i ka  bërë të afërta ngjarjet, edhe më të plotë informacionin, edhe më të ngrohta e të forta emocionet e lexuesve dhe admiruesve të tij”. (B. Mema , Po aty, f. 198 – 199).

Nga kjo që u tha, lexuesi do të kuptojë se vargjet e Nikës janë apoteozë e dashurisë për njeriun e lirinë e tij, për njeriun e barabartë në mesin e të barabartëve, njeriun me perspektivë drejt realizimit të idealeve e ëndrrave për çdo gjë të bukur e të mirë. Në përgjithësi, në poezinë e këtij poeti lexuesi do të gjejë ide e mendime të rëndësishme me të cilat është pasqyruar realiteti i kohës, do të gjejë portretin shpirtëror e ndjenjor të Petritit, do të gjejë vargje për të cilat mendimi kritik do të jetë në shkallë të lartë, sepse në to frymon bota e madhe poetike e poetit, do të gjejë krijuesin e dashurisë së çiltër e të sinqertë, do të gjejë poetin e brengosur për rrjedhat e shoqërisë shqiptare dhe këto rrjedha lexuesi do t’i shohë sipas syrit të poetit dhe vargjeve të shkruara me frymëzim e ndjenja të holla shpirtërore!

 fieri.com 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0