Politikat e gabuara të bordit

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Kinema: Analizë kritike

Filma, reklamë dhe kinema cilësore. Asnjë nga këto kushte nuk plotësohet në Shqipëri. Ndërsa besueshmëria ndaj strukturës vendimmarrëse të QKK-së, bordi i projekteve, është e kompromentuar.
Është normalitet që anëtarët e Bordit, përveçse kanë mungesa të thella në bagazhin akademik, të shpallen fitues në kundërshtim me çdo etikë profesionale dhe në konflikt të pastër interesi


Vijon nga dje Jeta "e vakët" kulturore dhe rinia
Tërheqja e rinisë apo publikut nëpër kinematë shqiptare është e realizueshme vetëm nëse këto komponentë kryesorë do të plotësoheshin për të garantuar shikueshmërinë:
a) filma cilësorë, sidomos ato shqiptarë
b) reklamim cilësor, që luan rol kyç në suksesin e një filmi
c) kinema cilësore, ku frekuentimi i kinemasë të shihet si një eksperiencë e pazëvendësueshme. Asnjëra nga këto kushte nuk plotësohet në Shqipëri dhe për këtë s'ka faj rinia apo publiku shqiptar, pasi pjesërisht rezulton nga prodhimi i dobët i kineastëve shqiptarë.

Fatkeqësisht, sektori privat s'ka arritur akoma të shohë potencialin fitimprurës të shpërndarjes së filmit shqiptar, pasi angazhimi tregtar si në çdo produkt, bazohet vetëm në cilësinë e tij.

Kërkon kurajo t'i kërkohet sot rinisë apo publikut, të mbyllet në një kinema jashtë standarteve bashkëkohore e mbi të gjitha, t'i kërkohet të durojë për rreth dy orë teoritë e filozofitë e secilit kineast, të parashtruara në një cilësi të dobët prodhimi. Filmi, pavarësisht zhanrit apo mesazheve që përçon, është në rradhë të parë një produkt argëtues.

Të gjithë elementët e tjerë, edukues formues, apo informues, duhet të jenë në funksion të këtij cilësimi. Këto elementë dytësorë nuk mund të jenë të efektshëm apo të shërbyeshëm nëse mungon konceptimi fillestar, ku filmi të ketë sens financiar dhe të gjithë komponentët e tij të realizohen cilësisht. Sa për mesazhin, fjalën - e cila deri tani është uzurpuar nga vetë kineastët - duhet ta ketë publiku dhe kritika.

E nevojshme sot është rikrijimi i themelit i cili të shërbejë si bazë zhvillimi për kinematografinë bashkëkohore shqiptare, ku si fillim, projektet tona të jenë konkuruese për nga cilësia me projektet filmike të vendeve të rajonit. Hapja e televizioneve private dhe një mori filmash e programesh që i prezantohen rinisë dhe publikut shqiptar - jo të gjitha prodhime cilësore - është avantazh për kineastët shqiptarë, në mënyrë që të tregojnë veten.


Megjithëse vështirë të shihet nga ky këndvështrim prej disave, është fakt se publiku shqiptar vazhdon të kalojë një proçes edukimi dhe është tashmë në gjendje të vlerësojë cilësinë e një filmi. Ndryshimi në mbështetjen e kinematografisë sonë nga rinia apo publiku do të bëhet kur të ndryshojë kinematografia që prodhohet dhe i paraqitet këtij publiku.

Probleme të mëtejshme nga problemet e deritanishme. Ndryshimi i filmit shqiptar kërkon ndryshim në politikat kulturore dhe mënyrën e implementimit të tyre.

Linja vertikale e politikave kulturore në Shqipëri fillon me MTKRS-në. QKK-ja, një institucion rregullator ky me një statut e funksion të qartë, merr vendimet për zhvillimin e mëtejshëm të kinematografisë shqiptare. Ajo akrediton një Bord me fuqi vendimmarrëse të pavarur i cili përbëhet nga përfaqësues të shoqatave të kineastëve të formuara në Shqipëri.

Secila nga këto shoqata përfaqësohet në këtë Bord dhe shumëllojshmëria e tyre në të vërtetë mbron e interesat e tyre të ngushta dhe afatshkurtra. Shpesh, në të mirë të këtyre interesave të caktuara, minohet e mira e përgjithshme e zhvillimit të kinematografisë shqiptare.

Bordi dhe vendimmarrja

Anëtarët e këtij bordi të cilët gjykojnë çdo projekt të paraqitur për mbështetje financiare, shpesh kanë mungesa të thella në bagazhin akademik, profesional, të eksperiencave në nivel ndërkombëtar në industrinë e filmit.

Këto mungesa shfaqen dhe në vendimet e bordit, të cilat nuk marrin parasysh kompleksitetin e një realizimi filmik në bashkëprodhim me partnerë në shtete të tjera. Për më tepër, vendimet e Bordit janë jo-transparente dhe të pa-arsyetuara publikisht.

Projektet e paraqitura trajtohen tejet jo-profesionalisht: shpesh Bordi nuk di as përciptas se ç'përmban dosja e paraqitur, informacion e material mbi të cilin dhe për të cilin ata duhet të vendosin.

Gjithashtu, me sa duket, është normalitet që anëtarët e Bordit të shpallen fitues për financim të projektit e tyre, në kundërshtim të plotë me një moral apo etikë profesionale dhe në konflikt të pastër interesi.

Të afërm politikanësh, apo vetë politikanë, me kredenciale akademike apo eksperiencë kinematografike të mangët, sot vazhdojnë të shpallen dhe shpallin fitues. Si rrjedhojë, besueshmëria ndaj Bordit dhe vendimeve të tij është e kompromentuar, tregues ky i keqfunksionimit të proçesit dhe i të metave serioze në planifikimin e të ardhmes së kinematografisë tonë kombëtare.

Bordi dhe nevoja për një drejtim të ri

Paradoksal është vendimi i Bordit për skualifikimin e disa projekteve të planifikuara nga shtëpi filmike shqiptare në bashkëpunim me kineastë të njohur ndërkombëtarë, duke u bazuar në arsyetimin se në grupin krijues (skenaristi, regjisori dhe kompozitori i filmit) ka më shumë të huaj se shqiptarë (raporti duhet të jetë 2 me 1 në favor të krijuesve shqiptarë).

Në pamje të parë justifikimi i Bordit është valid pasi garanton punësimin e një krijuesi shqiptar më tepër (pra, duke pasur 2 shqiptarë dhe 1 të huaj në këtë grup krijues).

Sidoqoftë, duke skualifikuar këto projekte, pamundësohet kontributi i drejtpërdrejtë i sipërmarrjeve të tilla në kinematografinë dhe ekonominë shqiptare, midis të tjerash: qindra mijëra euro të shpenzuara për realizimin e filmit në Shqipëri, një eksperiencë e vyer nga profesionistë të njohur të fushës e aplikuar në vendin tonë, garantimi i një cilësie të parametrave ndërkombëtarë të film prodhimit, përqasja në tregjet ndërkombëtare të filmit falë këtyre bashkëpunimeve, prestigj për kinematografinë tonë, efekte pozitive, indirekte e të shumëllojshmë për imazhin e Shqipërisë.

Për më tepër, përjashtimi i kineastëve të huaj në projektet shqiptare, saboton përpjekjet e QKK-së për mbështetje nga institucioni i kinematografisë evropiane, Euroimages.

Është shumë e qartë se shteti shqiptar, dhe për rrjedhojë QKK-ja, nuk ka fonde të mjaftueshme për të realizuar "100% me forcat tona" projektet filmike të kineastëve shqiptarë. Gjithashtu, sektori privat nuk ka as kulturën dhe as insentivat tatimore për të mbështetur kinematografinë.

Realizimi i këtyre bashkëprodhimeve me shtete europiane e më gjerë si bashkëfinancues në filmat shqiptarë është oksigjeni për ekzistencën e filmit tonë. Për më tepër, këto projekte kanë dhe një potencial artisitik e komercial të vlerësuar nga një këndvështrim i huaj, që flet për universalitetin e projektit.

Gatishmëria e verifikueshme për bashkëpunim nga shtëpi të huaja filmike të sprovuara është arritje falë aftësive, energjive, investimeve dhe potencialit cilësor të projekteve të paraqitura jashtë Shqipërisë nga disa shtëpi filmike shqiptare, dhe duhet shfrytëzuar nga vendimmarrësit e Bordit.

Fatkeqësisht, përvoja ka treguar që megjithëse të huajt janë të gatshëm të hedhin qindra mijëra euro e të investojnë shumicën e totalit të nevojitur për realizimin e projekteve filmike në bashkëpunim, eja e mbushi mendjen Bordit shqiptar që t'i aprovojë këto projekte. Në fakt, vendimet e Bordit bien ndesh me politikën shtetërore të thithjes së fondeve dhe investimeve të huaja në Shqipëri.

Është e çuditshme se si Bordi refuzon projekte bashkëprodhimi, psh., me shtëpi filmike gjermane, në të cilat shteti gjerman është i gatshëm të investojë me qindra mijëra euro megjithëse filmi nuk është në gjermanisht (sepse është në shqip), nuk xhirohet në Gjermani (sepse xhirohet në Shqipëri), nuk flet për realitetin dhe histori gjermane (sepse ka për subjekt realitetin shqiptar).

Me politikat e gabuara të Bordit, me ndjekjen e interesave të ngushta personale, me mungesën e thellë të seriozitetit dhe me injorimin e efekteve zinxhir që iniciohen nga këto papërgjegjshmëri në vazhdimësi, aprovohen projekte të cilat s'kanë asnjë garanci për finalizim dhe cilësi, duke minuar rolin e QKK-së si institucioni përgjegjës për zhvillimin e kinematografisë kombëtare. Dëmi që bëhet mund të jetë i parikuperueshëm, pasi ky proçes mbylljeje dhe tkurrjeje është shndërruar në modus operandi.

Bordi dhe politika e kthimit të trurit

Janë të shumtë tashmë shqiptarët që jetojnë e punojnë si kineastë jashtë Shqipërisë. Është e pafalshme që ky Bord e bën të pamundur angazhimin e domosdoshëm të këtij kontigjenti të edukuar, të specializuar dhe me eksperiencë të akumuluar në vendet perëndimore.

Ky kontigjent është shprehur i gatshëm dhe është afruar pranë QKK-së për t'u inkuadruar në proçeset e paracaktuara funksionale dhe në krijimtarinë kinematografike shqiptare, por ka gjetur një trajtim skandaloz nga këto Borde.

Iniciativës së këtyre kineastëve për t'i dhënë me punën e tyre diçka vendit amë, duke lënë angazhimet personale apo profesionale në vendet ku jetojnë e krijojnë në favor të një dëshire në të mirë të filmit shqiptar, i kundërvihet indiferenca shkatërruese dhe politika e vendimmarrjeve të dyshimta të Bordit në fjalë. Kjo politikë bie ndesh me dëshirën e konfirmimit të kinematografisë shqiptare përtej kuadrit klanor dhe provincial.

Bordi dhe vala e re e kineastëve

Një analizë e vendimeve të Bordit nxjerr qartë se dhënia e mbështetjes financiare për realizim vazhdimisht ka penalizuar të rinjtë.

Me vendimet e tij dhe projektet që ka aprovuar, ky Bord ka keq-planifikuar tashmë të ardhmen e filmit shqiptar për vjetët në vazhdim. Nuk kthehet më mbrapsht koha, mundësitë e humbura, shpërdorimi i fondeve publike për filmin shqiptar, dhe mbi të gjitha, djegia e talenteve të reja.

I falenderoj kineastët e përmendur nga z. Kumbaro, falenderoj ata që nga e djeshmja e largët janë akoma sot në pozicione vendimmarrëse, gjithashtu falenderoj dhe vetë z. Kumbaro për të gjithë kontributin që ka dhënë për filmin shqiptar: një film më shumë, një film më pak, ky cikël është tashmë i provuar dhe i mbyllur.

Është emergjente që të hapet një kapitull i ri e të krijohet ajo hapësirë jetike për të cilën brezi i ri i kineastëve dhe kinematografia shqiptare aq shumë ka nevojë për zhvillimin e saj.

Kjo valë e re kineastësh është e mirë-edukuar, me eksperiencë ndërkombëtare, dhe mëse e aftë për të vlerësuar realitetin e ri e për të krijuar në të. Krijimtaria e kineastëve të rinj është shansi ynë për rindërtimin e filmit shqiptar dhe arritje kinematografike cilësore. Është radha për fjalën e tyre.

 

Burimi Informativ: SHEKULLI

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Komente (0 postuar):

Shkruani nje koment comment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
2.50
© 2002 - Fieri.com - Portali Fierak Online. Te gjitha te drejtat e rezervuara - All rights reserved.