Pëllumb Kulla: Ajo martesë nuk bëhet dot

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Publicisti dhe autori i humorit e sheh pozitiv vendimin e kryeministrit Berisha për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës. Janë të gjitha kushtet: ndërtesa, njerëzit, buxheti, vetëm se nuk dihet nëse e gjejnë gjuhën satira opozitare me politikën në pushtet. Shembull? Televizioni Publik

 

Cili është ai humor që heq dorë nga ngjarjet e politikës, protagonistët e saj, që vendos të i mos përgojojë, përqeshë me qëllim kritikën? Kështu reagojnë aktorët e humorit, ose ata që drejtojnë spektaklet e humorit ku qeshet pa fund me thagmat e njerëzve të politikës, kur pyeten lidhur me vendimin e fundit të kryeministrit Sali Berisha për ngritjen Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës. "Nuk ma ha mendja se kryeministri shpreson në atë humorin e ashtuquajtur pozitiv, afirmativ e brohoritës,  ku njerëzit u gëzohen arritjeve, tokave të reja, hidrocentraleve, futjeve në NATO e liberalizimit të vizave", shprehet për "Shekullin" Pëllumb Kulla, autori me një përvojë të gjatë në gjininë e humorit dhe satirës.
Kulla e sheh me optimizëm nismën e kryeministrit dhe mendon se janë edhe kushtet për funksionimin e saj: ndërtesat, njerëzit, buxheti.
Nuk është se teatrot kombëtarë kanë vuajtur për ndërtesa, apo për njerëz, thjesht ata sapo vënë këmbët në këto institucione, i ngërthen monotonia, harrojnë të bëjnë teatër, dhe figurojnë vetëm nëpër bordero.

Z. Kulla, ç'mendoni për vendimin e ri të kryeministrit Berisha për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës?
Kjo pyetje mund të godasë edhe institucionet ekzistuese. A ka populli shqiptar nevojë të ngutshme për Operën? Vallë ka për Galerinë e Arteve Figurative? Vendi ka nevojë për të gjitha institucionet bazë të kulturës dhe mendoj se mbyllja e Teatrit të Estradës së Tiranës ishte lëvizje e gabuar e shtytur nga nevoja klienteliste dhe nga llogari çapraze. Kështu që një Teatër i Komedisë është i nevojshëm, është një nga institucionet më të nevojshme bazë. Kur kjo shtytje vjen nga kryeministri i vendit, aq më mirë.

Cila nevojë e shtyn kryeministrin?
Shumë vetë që ndalen e pyesin: përse në këtë kohë krize, në këtë vend me kaq halle gjithllojesh, kryeministri i tij shtron nevojën e një Teatri të Satirës dhe Humorit?! Ku është filli? Hilja? Dhelpëria? E përse duhet vrarë mendja kaq shumë? Unë vetë nuk dua të bëj këtu politikanin, por do të kaloj në natyrën time origjinale, do të bëj bujkun që ka mbjellë e korrur në ato ara dhe le ta përshëndes këtë iniciativë të kryetarit të qeverisë.

A jemi të përgatitur për këtë iniciativë?
Mendoj se po. Nuk është fjala se mungojnë ndërtesat, fondet dhe njerëzit. Ato janë. Po të jetë se ju me fjalën përgatitje keni parasysh mentalitetin atëherë keni të drejtë ta ngrini si shqetësim. Teatri Kombëtar është edhe ai i "satirës dhe humorit". Po përse në të nuk sheh komedi - po të përjashtojmë listat e importimit të komedive greke, të para nëpër teatrot e Athinës dhe Selanikut? Përse vallë nëpër filmat e prodhuar në këta 20 vjet, komedi nuk ka asnjë, ose pothuaj asnjë?! Janë një sërë shkaqesh, objektive dhe djallëzorë, e nuk dua ta ezauroj në këtë intervistë, por edhe lëvrimi i komedisë si gjini në fakultetet e letërsisë dhe të Akademisë së Arteve ka nevojë të përkrahet. 

Pra ju thoni që ne e kemi potencialin e duhur njerëzor për këtë teatër?
Pa dyshim!

Kryeministri u shpreh dje që: "Në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur". Por shumica e aktorëve te estradës janë larguar nga skena.
Janë larguar ata që do të largoheshin. Koha bën të sajën. Janë larguar ata që në kushtet e reja nuk ia dilnin dot. Nuk është ndonjë tragjedi kur koha sjell rinovimin apo përmbysjet sociale prishin ca komoditete. Është një gjë fort e bukur që qytetarët mbajnë mend artistë të shkëlqyer dhe të dashur dhe Kryeministri me të drejtë e konfirmon këtë. Unë dua të rikujtoj në mbështetje të kësaj, se në vitin 1994 në Sheshin e Kuq të Moskës një gjysmë milion njerëz me në krye Jelcinin, Presidentin e asaj kohe, përcollën me roje nderi e mbi një shtrat topi Jurij Nikulinin, një artist të estradës sovjetike, aktor, kloun që kishte bërë të qeshnin milionat e rusëve gjatë trysnive staliniste dhe brezhnjevjane. Nju Jork Tajmsi  atë ditë i kushtoi dy faqe këtij varrimi madhështor.

Kemi pasur ne artistë të këtyre kalibrave?
Kemi pasur dhe kemi. Njerëzit bëjnë mirë që me mirënjohje i kujtojnë ata. Dhe vini re: asnjëherë ata nuk i sjellin ndërmend në tema banale. I kujtojnë për karaktere të mprehtë, për talljen e burokratëve komunistë, për goditje të metash sociale edhe për nëntekste të rrezikshme e alegori që mund t'u kushtonin rëndë atyre. Populli dhe qeveritë paskomuniste duhet të vlerësojnë e t'i rrethojnë në qarkun e memories sidomos ata "të padukshmit", regjisorët si Gjergj Vlashi, Bujar Kapexhiu, Leka Bungo... Artistët tanë më të mirë ishin dhe objekte rrezatues uniteti në një popull të përçarë keqas nga lufta klasore. Skënder Sallakun e deshën njësoj si hetuesit ashtu edhe të burgosurit. Po kështu deshën Melpomeni Çobanin, Tano Banushin, Luftar Pajën, Leko Prodanin. Ky i fundit, mesa di unë vazhdon të mbetet i padekoruar në një kohë që vlerësohen njerëz me vlera relativisht më të pakta se ato të Lekos së paharruar.

Mbase duhet të përmendni emra?
Përmendja është e sikletshme, por po ju vë përpara një episod: tre vjet të shkuara, tridhjetë e ca artistë e shkrimtarë të emigruar në SHBA dhe Kanada - emra, si Zoica Haxho, Antoni Athanas, Astrit Çerma, Naum Prifti, Zhaneta Petushi etj... - nën kryesinë e regjisorit të shquar Piro Mani i dërguan, paralelisht, ministrit të Kulturës dhe Presidentit Topi një propozim serioz për dekorimin e Koço Devoles, një artisti të rrallë e të papërsëritshëm dhe komisioni pranë ministrit, (që dyshojmë të ketë autoritet më të shquar se këta propozues!), nuk e miratoi. Në Presidencë u tha bile se Presidenti mund ta kapërcejë dhe komisionin po të ketë mbështetje autoritare... E përsëri nuk u bë gjë. Performancat e këshilltarëve rreth Presidentit lenë shumë për të dëshiruar.

Le të kthehemi te propozimi i kreut të qeverisë... Berisha e mbylli kështu urdhrin e tij për ministrin e Kulturës: "Dhe askush nuk mund të të bindë që njerëzit nuk duan të qeshin".
"Njerëzit duan të qeshin"...është shumë e përgjithshme... Njerëzit qeshin edhe pa teatër komedie, tregojnë barcoleta, shohin DVD-ra me komikë të njohur e pantomimistë. Por njerëzit, më shumë se të qeshin, duan të përqeshin. Ata duan që fenomenet e jetës së vështirë tranzicionale, apo qoftë edhe pastranzicionale, të tallen publikisht dhe të ndihmohet në ndreqjen e gjërave. Nuk ma ha mendja se Kryeministri shpreson në atë humorin e ashtuquajtur pozitiv, afirmativ e brohoritës, ku njerëzit u gëzohen arritjeve, tokave të reja, hidrocentraleve, futjeve në NATO e liberalizimit të vizave. Berishën ne mund ta shajmë sa të duam, por prapëseprapë ai është një intelektual i këtyre kohërave dhe ai e di fort mirë që nuk mund ta kërkojë këtë nga Teatri i Satirës. Ai e di që nga Adami e këtej, qendrat e humorit kanë gjeneruar përtallje opozitare, pavarësisht se kush është në pushtet, Alia, Berisha, Rama, Nanoja apo i biri i Nanos. Ndaj vetë dëshira e Berishës për t'i dhënë një shtytje, për t'i dhënë një infrastrukturë më serioze Teatrit të Satirës, duhet përshëndetur fort. Por një nga pyetjet tuaja nëse jemi të përgatitur vjen edhe nga droja e mëposhtme: dihet se ç'mund të ndodhë: do të çelet teatri, do të emërohet drejtori (nga radhët e militantëve të partisë në pushtet)... Do të vijë në pushtet partia tjetër dhe siç është zakoni që të ndërrohen edhe lulishtarët, edhe policët, në kryqëzimet e rrugëve, do të ndërrohet edhe drejtori i Satirës. E ju pastaj i kuptoni më tej satirat që rrjedhin nga kjo puna e satirave dhe që nuk do të shohin kurrë dritë në skenën e asaj Satire... Të gjithë po e shohim mjerimin e Televizionit Publik nga ky mentalitet. Por kryeministri e di sigurisht këtë fenomen e di që pikërisht satira është më delikatja ndaj politikës pushtetare, e di se ajo martesë nuk bëhet dot. E megjithatë bëhet iniciator. Sinqerisht, i takojnë përgëzimet më të mira...

 

 

Burimi Informativ: Shekulli

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (1 postuar)

avatar
Royal 15 March, 2012 04:48:30
Kur jane vra keta dy trima ne Vranjevc, keshtu eshte quajt ather kodra e trimave, si sot me kujtohet. Kane qene djem trima.I lumte keti gazetari Reshat Badallajt se para dhete minutave e lexova edhe ne dervina com e njashtu e lexova ne fb ku ni gazetar i paska thane Reshatit se ta njoh veprimtarin tone patriotike.
total: 1 | displaying: 1 - 1

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0