Kronikë e një kohe absurd

Font size: Decrease font Enlarge font
image

1 Gëzuar i thamë njeri-tjetrit dhe trokitëm gotat me verë, aty në hollin e teatrit Bylis. Ndërsa të ftuarit e tjerë të mbrëmjes poetike, sodisnin stendat me poezi dhe fotot e Niko Kavadhias, lirikut të detit, ne të dy nisëm bisedën.

-A e dini Profesor i thashë, se një nga tregimet tuaja është përfshirë në librin e letërsisë shqipe të gjimnazit.

Po e di mu përgjigj shkrimtari. Megjithatë unë dëshiroj t’jua jap librin, nga i cili është shkëputur ai tregim. Dhe befas më la gotën e tij në dorë dhe u ngjit në studio, nga ku u kthye me librin e tij: “Lejlekët nuk vijnë më”, mbi të cilin shkroi autografin: “Ilirjanit, me konsideratë autori”.

Mekanikisht i zgjata gotën e tij, dhe pasi i trokitëm përsëri, ai e piu me një frymë dhe më zgjati dorën.

-Tani do të më falësh, por më pret trupa për prova!

-Lexoje dhe bisedojmë kumboi zëri i tij ku ndihej një ndjenjë miqsije.

Mbeta vetëm, atje në hollin e teatrit Bylis. Me një dorë shtrëngoja gotën me verë kurse në tjetrën librin, që më dukej si teza e provimit që duhej të jepja përpara mjeshtrit Kulla.

 

2.

Librin e lexova qysh atë mbrëmje. Por mu deshën shumë ditë të tjera, për të krijuar një ide të plotë mbi të. Duke “kërkuar’’ në biografinë e Pëllumb Kullës dhe duke biseduar me shumë nga miqtë tanë të përbashkët nxora përfundimet dhe u ula shkruar këtë temë.

Romani “Lejlekët nuk vijnë më” nuk është veçse një libër autobiografik i shkrimtarit Pëllumb Kulla. Pavarësisht se ai nuk e quan atë cikël me tregime por roman, libri për nga kompozicioni përbëhet nga 30 tregime-pjesësa mozaiku të rrëfimit, që autori me anë të një stili të veçantë të një natyre përshkruese, e përcjell tek lexuesi.

Duhet theksuar se atë që nuk arriti ta bënte gjatë fazës së parë të veprimtarisë së tij letrare, që përkon me periudhën e realizmit socialist dhe që ishin botime kryesisht për teatrin e komedisë dhe varietesë si: “Lipe Shtogu në listë”, 1980; “Shoku Niqifor”, 1980; “Portrete pa makiazh”, 1984; “Po martojmë Malon”, 1986; “Këshilla për fëmijët nga 5 deri në 55 vjeç”, Kulla e realizoi pas viteve 90-të, kur nis faza e dytë e kësaj veprimtarie.

Të tillë janë librat: “Si qeshnim në diktaturë”, 2002; “Rrëfenja nga Amerika”, 2003; “Teatri kjo lojë magjike”, 2007; “Vdekja e Enver Hoxhës”, etj.

Pikërisht në këtë kapitull të aktivitetit të tij letrar vendin qëndror e zë romani “Lejlekët nuk vijnë më”, botuar në vitin 2005. Autori e ndërton subjektin në mënyrën më tërheqëse duke e vendosur atë kryesisht në Gollokamje, një fshat të Korçës dhe më pas e zhvendos gradualisht dhe në mënyrë të natyrshme në Korçë, Tiranë, Sarandë, Fier dhe Vlorë. Gjithësesi edhe kur ngjarjet zhvillohen në këto qytete, me anë të një rrëfimi të ‘’rafinuar’’, mjeshtri Kulla, do të nxjerë përsëri Gollokamjen, herë-herë nëpërmjet dialogjeve të personazheve, herë duke përkujtuar një ngjarje të dikurshme që ka ndodhur atje.

Rrëfimi nis me një epilog ku vendoset piketa e parë e romanit dhe mbyllet me një prolog që është pika e fundit e tij. Midis tyre autori “heq” një tangente dhe në këtë “segment” ndërton subjektin e tij, ku në nëndarjet e tij, tregim pas tregimi përpiqet që si një mjek i duruar ti bëjë “skanerin” periudhës së diktaturës komuniste.

Sipas tij, Gollokamja, nuk është vetëm një fshat i Korçës, por është Shqipëria në miniaturë, tek e cila gjen personazhe nga më tipikët si: komunistë fanatikë të tipit Rako Baruti, kulakë si Maqo Bezhani, policë si Sulçe Bërzima dhe Ligor Mihali, ish sigurimsa si Nexhati, mësues si Selam Fiçorri, kooperativistë si plaku nga Shkoza e Vlorës, shoferë si Vahiti, apo idiotë si Bobo Rredhi.

Vëzhgimet e drejtëpërdrejta, mbresat e gjalla nga ajo periudhë, njohja e mirë e psikologjisë së njerëzve, e ndihmojnë mjeshtrin Kulla të krijojë figura të spikatura, që nxisin kureshtjen dhe fantazinë e lexuesit.

Librin e shoqëron një paralelizëm i çuditshëm ku mpleksen me njëri-tjetrin realja dhe irealja, e zakonshmja dhe absurdi.

Me një përgjegjësi qytetare dhe qëndrim aktiv ndaj dukurive, Kulla shfaqet si një vëzhgues i mprehtë dhe i vëmendshëm ndaj realitetit, i etshëm për ti paraqitur ato ‘’bruto’’ ashtu si kanë ndodhur në realitet. Të tilla skena i gjejmë në faqet e këtij libri, ku mësuesi i burgosur pasi rrihej nga policët paradite, u mësonte atyre shkrim e këndim pasdite, të rinjtë që shkëmbenin puthje pasionante kur vagoni i trenit futej në tunel, patrulla e kufirit që vriste ata që tentonin arratisjen, kooperativistët që nuk plotësonin dot normat, arrestimet që bëhëshin natën, apo metodat e rekrutimit që përdorte sigurimi I shtetit, etj.

E veçanta e librit është se ngjarjet tregohen nga autori, i cili sipas mënyrës së tij, pasi “ndërton” piknisjen e subjektin nis rrëfimin e mirëfilltë, nëpërmjet personazhit kryesor të tij Melis Fiçorrit.

Melisi në vetvete nuk ështe veçse një njeri i thjeshtë i cili pasi largohet nga fshati i tij Gollokamje vendoset në Tiranë. Aty shkollohet dhe nis punë në Kinostudio, por papritur nisin edhe andrallat e jetës së tij.

Të këqijat i vijnë krejt rastësisht kur shefi i personelit zbuloi se ai vinte nga një familje me biografi jo të mirë, pikërisht nga Gollokamja, “fshati që nuk kishte nxjerrë asnjë partizan dhe që nuk kishte dhënë asnjë dëshmor’’.

Ndërkohë kjo rastësi do ta vështirësonte jetën, ku pas një aksidenti me makinën e ndërmarrjes, do ta transferonin si ekonomist në pularinë e një qyteti të vogël. Këtu gjërat do të zhvillohen ndryshe sepse Melisi do të jetojë në dukje mirë, kryesisht në saj të aftësive të tij profesionale, por jeta e tij kurrë nuk do të jetë e lirë. Në çdo moment ai do të jetë nën kontrolllin e shtetit–burg, njëlloj si në Gollokamjen e tij.

Bashkë me letrat anonime, kontrollin, shpifjet, intrigat, dëgjimin fshehurazi të radiove të huaja, dhunimin e të drejtave të njeriut, é deri në vdekjen e diktatorit do të vazhdojë jeta e tij, derisa një ditë do të vdesë nga zemra, atje në stacionin e fundit të tij, në qytetin që festonte si ditë çlirimi 18 Tetorin (Fierin).

Pra, romani i cili në dukje tregon, jetën e një ekonomisti që pat punuar në kinostudio në çështjet e financës, (fq.7) e më pas e patën dërguar në pularinë e një qyteti të vogël, larg Tiranës, është në vija të përgjithshme rrëfimi autobiografik i jetës së autorit. Janë të shumtë elementët e librit që na e dëshmojnë këtë gjë, për të cilin lexuesit të zakonshëm as që i vete ndërmend një fakt I tillë. Ndoshta pikërisht për ta fshehur këtë gjë autori e ka ‘’copëzuar’’ në tregime romanin në fjalë.

Duhet thënë se ka shumë gjëra që afrojnë Melisin tek Pëllumb Kulla. Në libër del qartë se Melisi është nga një fshat i Korçës, nga Gollokamja, që në këtë rast është një emër i sajuar nga autori. Por edhe Pëllumb Kulla, duhet ti kujtojmë lexuesit se është me origjinë po nga një fshat i Korçës, nga Zëmblaku. Ashtu si Melisi edhe ai u diplomua në Tiranë dhe po kështu njëlloj si ai u dërgua për arsye biografie duke u vendosur diku në një qytet të vogël. Është Fieri qyteti në fjalë, ku Melisi-Pëllumb mbijetoi për 18 vjet në saj të talentit dhe aftësive të tij të tij të jashtëzakonshme intelektuale.

Pikërisht këtu mjeshtri Kulla na jep disa nga elementët tipikë të toponimisë të këtij qyteti si: Hotel Vjosa, Shkolla 18 Tetori (sot gjimnazi Janaq Kilica), Rafineria e naftës (ku gjithsej në Shqipëri janë tre, Cërrik, Fier, Ballsh), Lagja 15 Tetori, etj.

Por autori kur ta lexojë ose lexues me të drejtë do të të pyesë…

Ku e shihni jut ë përbashkëtën midis personazhit Melis dhe autorit Pëllumb?

Në këtë rast përgjigja do të ishte se ai vet e pohon këtë gjë. Mjafton të lexoni në faqen 9 të librit, ku rrëfyesi (autori), pasi gjen në shtëpinë që I bleu Melisit, dorëshkrimet, vendos ti botoj duke deklaruar se: “Stili i tyre i duke si i imi, përmbajtja jo, ama shpesh vuajtjet e tij më duken si të miat”. Në pregatitjen e librit, tregimet tona, pastaj u përzjenë dhe tani duken ngasja dhe dallimi, por ec e të gjesh kush është i tij dhe kush është i imi’’…..

3

Bisedën për librin ne nuk mundëm ta zhvillonim më pas. Të tillë na u paraqitën koha dhe rrethanat.

Me mjeshtrin u takuam vetëm një javë më pas. Ai sapo ishte kthyer nga Tirana, ku me trupën e Fierit kish shfaqur komedinë e tij të fundit të titulluar: “Milioneri”. Kafen e pimë shpejt e shpejt dhe biseda jonë u “copëtua” shpesh nga thirrjet e celularit të tij.

-Pas dy ditësh largohem drejt Amerikës, më tha dhe ne do të komunikojmë vecse nëpërmjet e-mailit.

-Dakort Profesor, i thashë. Ndërsa “provimin” po u anis me postë. Kështu u ndamë. Ai si gjithmonë më përshëndeti me buzëqeshje dhe u nis drejt teatrit, kurse unë mbeta përsëri vetëm, duke mbajtur në dorë fletët e “provimit” të cilat shiu i atij dhjetori nisi ti lagë ngadalë.

 

     Fieri.com / Ilirjan Gjika (historian)

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00