Historia e një festivali

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Festivali ndërkombëtar i aktrimit ‘’Apollon’’

Festivali Kombëtar i Aktrimit Apollon e nisi edicionin e tij të parë në 23 shtator të vitit 2002. Idea që një aktivitet i përmasave të tilla të zhvillohej në Fier u hodh nga regjizori dhe pedagogu i njohur i aktrimit Adonis Filipi. Ky i fundit, pasi kishte drejtuar me sukses që nga viti 1999, Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Kontemporan në Elbasan, mendonte se Fieri me potencialin ekonomik, shoqëror, intelektual dhe kulturor i kishte të gjitha kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e një aktiviteti të përmasave të tilla.

Me këtë ide, Filipi udhëtoi disa herë drejt Fierit, ku gjeti një “klimë” të ngrohtë për “ndërmarrjen” e tij. Së bashku me kolegun e tij, regjizorin e Teatrit Bylis, Klajdi Markun, ai ju vu punës për të ngritur bordin që do të organizonte këtë event të ri që po “lindte”.

Nën kujdesin e Prefektit të atëhershëm të Qarkut Fier, z. Baftjar Zeqo u ngrit edhe bordi i festivalit, i cili përbëhej nga Nikollaq Koshovari, kryetar i bashkisë dhe president i festivalit, Klajdi Marku, drejtor i tij; Hajrie Rondo, drejtore e Teatrit Bylis; Adonis Filipi, kordinator dhe anëtarët e tjerë të stafit si Dhimitër Jano dhe Saimir Ahmeti.

Për edicionin e parë si selektor për përzgjedhjen e trupave teatrore që do të ishin pjesëmarrëse punoi një tjetër staf i përbërë nga aktorët e njohur Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo dhe Minella Borova. Trupat pjesëmarrëse ishin teatrot Andon Z. Çajupi, Korçë; Bylis, Fier; Petro Marko, Vlorë; ai i Gjilanit në Kosovë, Teatri i Shkupit, Maqedoni; Aleksandër Mojsiu, Durrës; Teatri Kombëtar, Tirane dhe Kompania Teatrore, Imazh.

Pas një maratone prej nëntë dramash të shfaquara, juria, e përbërë nga emra të njohur si Kadri Roshi, Drita Pelinku dhe Enver Petrovci, vlerësoi me çmimin e parë aktorin Mirush Kabashi dhe me çmim të dytë aktorin e njohur të humorit, korçarin Aleko Prodani.

Gjatë ditëve të zhvillimit, festivali u shoqërua me konferenca shtypi, debate, prezantime librash, ekspozita pikture dhe vizita në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Por një rol të rëndësishëm do të luanin gjatë gjithë viteve të mëvonshmme të këtij eventi edhe pjesmarrja e përhershme në të e personaliteteve të Artit Dramatik Shqiptar, ku mund të përmendim emrat e Tinka Kurtit, Margarita Xhepës, Lazër Filipit, Violeta Manushit, Drita Pelinkut, Albert Verrisë, Luftar Pajës, Fadil Krajës, Birçe Haskos, Mihallaq e Edi Luarasit, Fadil Kujovsës, Enver Petrovcit, Minella Borovës, kritikëve të njohur Adriatik Kallulli dhe Josif Papagjoni dhe të një kaste të madhe të aktorëve shqiptarë të teatrit dhe kinematografisë.

Ndërkohë që një vit më vonë festivali Apolon e kishte krijuar fizionominë e tij. Përvoja e grumbulluar shërbeu për zhvillimet e mëtejshme. Drejtori i festivalit, Klajdi Marku, së bashku me stafin e tij kishte bërë një organizim të mirë. Si selektor punoi aktorja e mirënjohur Yllka Mujo, e cila përzgjodhi si trupa pjesëmarrëse teatrot: Skampa, Elbasan; Migjeni, Shkodër; Aleksandër Mojsiu, Durrës; teatrin e Gjilanit, Kosovë, të Shkupit, Maqedoni, Bylis, Fier; Teatrin Kombëtar dhe atë të Akademisë së Arteve, gjithsej dhjetë trupa. Pas një jave maratonë të gjatë ditën e shtunë të datës 17 maj 2003, juria e përbërë nga aktorët Albert Verria, Yllka Mujo dhe Ndriçim Xhepa, vlerësuan me çmimin e parë aktorin kosovar Bajrush Mjaku, me çmimin e dytë, aktoren e re Desantila Kristo, ndërsa çmimin e karrierës e mori veterani i teatrit të kosovës, aktori Estref Begolli.

Ndërkohë që për edicionin e tretë të zhvilluar në vitin 2004 pati të tjera zhvillime, sepse stafi i festivalit u riorganizua. Së bashku me drejtorin Marku dhe kordinatorin Filipi, kësaj trupe ju bashkuan edhe drejtori i Kulturës në Bashkinë Fier, Fran Ukcama, drejtori i sapo emëruar i Teatrit Bylis, Robert Hoxha dhe menaxheri Saimir Ahmeti.

Në Festivalin e tretë përveç teatrove të Fierit, Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës dhe Elbasanit, mori pjesë edhe Teatri Kombëtar, Akademia e Arteve të Bukura dhe Teatri Kombëtar i Prishtinës. Në përfundim të tij juria e përbërë nga regjizori Mihallaq Luarasi dhe pedagogët e aktrimit Birçe Hasko dhe Petrit Malaj, nderoi me çmimin parë dyshen e aktorëve, Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani, çmimin e dytë e mori përsëri Aleko Prodani, ndërsa me çmimin e karrierës u nderua aktori Sulejman Pitarka, Artist i Popullit.

Viti 2005, shënoi zhvillimin e edicionit të katërt të këtij evenimenti kulturor. Në të morën pjesë trupat teatrore të Fierit, Vlorës, Akademisë së Arteve, Teatrit Kombëtar dhe teatrove të Durrësit, Elbasanit, Shkupit, Shkodrës dhe Korçës, të cilat u përzgjodhën nga selektori Ndriçim Xhepa. Pas një maratone të gjatë konkurimi të nëntë dramave, juria e përbërë nga Tinka Kurti, Mihallaq Luarasi, Bajrush Mjaku, Stefan Çapaliku, Milto Kutali dhe Adonis Filipi, vlerësoi me çmimin e parë aktorin Sulejman Pitarka, kurse çmimin e dytë e mori përsëri për herë të tretë aktori Aleko Prodani.

Edicioni i pestë u zhvillua në vitin 2006. Për rreth një javë në sallën e teatrit Bylis dhe në Odeonin antic të Apolonisë shfaqën artin dhe talentin e tyre trupat teatrore të Fierit, Vlorës, Teatrit Kombëtar, Shkodrës, Teatrit Shqiptar të Shkupit, dhe kompanitë teatrore ‘’Çajupi’’, Korçë dhe Trafik Teatër i Tiranë. E veçanta e këtij viti ishte se “Apolloni”. startoi me prezantimin e ekspozitës së piktorit Shkëlqim Meçaj për tu shoqëruar me debate, kritika dhe konferenca shtypi dhe vizita në institucione arsimore. Këtë vit ndryshoi edhe struktura e dhënies së çmimeve. Në vend të dy çmimeve të dhëna në edicionet e kaluara, tashmë do të jepeshin dy çmime të tjera, siç ishin ato për aktorin dhe aktoren më të mirë protagonist dhe çmimi për aktorin dhe aktoren më të mirë joprotagonistë.

Në përfundim juria e përbërë nga aktorët Agim Qirjaqi, Hajrie Rondo dhe Çun Lajçi, nderoi me çmimin e aktorit më të mirë protagonist, Luiza Xhuvanin dhe Luran Ahmetin, ndërsa me çmimin si aktori më i mirë jo protagonist, aktorët Ylber Myrtezi dhe Zyliha Miloti. Për herë të parë në historinë e festivalit Apollon një cmim shkoi në adresë të Teatrit Bylis, ku aktorja Doriana Caushi u vlerësua me çmimin e aktores deputante më të mirë.

Viti 2007 shënoi edicionin e radhës së këtij aktiviteti mbarë kombëtar. Tashmë ‘’Apolloni’’ e kish krijuar traditën e tij. Organizatorët dhe pjesmarrësit e përvirshëm e kishin kuptuar se qëllimet e tij po orientoheshin nga viti në vit në dy drejtime. Së pari në evidentimin e vlerave më të mira të artit dramatik shqiptar dhe së dyti, në zbulimin dhe kultivimin e talenteve të reja. Si selektor për përzgjedhjen e trupave punoi aktori Minella Borova. Ndërsa në këtë event morën pjesë trupat teatrore të Fierit, Sarandës, Elbasanit, Vlorës, Teatrit Kombëtar, Akademisë së Arteve, si dhe trupat e Teatrit të Babës, Prishtinë; Teatri Oda i Tetovës dhe Kompania Teatrore Kronus e Tiranës. Në fund të festivalit, Juria e përbërë nga aktorët: Margarita Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Kristaq Skrami, vlerësoi me çmimin e aktorit më të mirë protagonist, aktorët Bujar Asqeriu dhe Enver Petrovci. Çmimin si aktori më i mirë joprotagonist shkoi për Adrian Azirin kurse çmimin e karrierës e mori pas vdekjes, aktori i mirënjohur Prokop Mima.

Apollon 2008 pati një veçanti sepse ai kësaj radhe u shdërrua në festival ndërkombëtar të aktrimit, ku përveç trupave të teatrove shqiptare të Fierit, Vlorës, Durrësit, Teatrit Kombëtar, atij të Gjilanit dhe Akademisë së Arteve, morën pjesë edhe dy trupa të huaja, Teatri Shtetëror i Korfuzit dhe ai i Sardenjës në Itali. Midis morisë së shfaqjeve, dramaturgu i shquar, Ekrem Kryeziu, prezantoi edhe librin e tij me drama të titulluar‘’Teatër’’, që ofroi edhe një tjetër aktivitet kulturor.

Pas ritualit të përvitshëm të diskutimeve, konferenca dhe shfaqjeve, juria e përbërë nga aktorët Tinka Kurti, Bujar Asqeriu dhe Niko Kanxheri shpalli si aktorin më të mirë protagonist, aktorët Timo Flloko dhe Yllka Mujo. Çmimin e aktorit më të mirë joprotagonist e morën Sanie Hoti dhe Astrit Mane. Çmimin special e mori aktori nga Kosova Çun Lajçi, kurse çmimin e karrierës aktori fierak Luftar Paja, Artiat i Popullit. Mbresëlënëse në sallën e Teatrit Bylis ishte deklarata e këtij të fundit, I cili i emocionuar midis të tjerave tha se, ‘’çmimin ja dedikoj spektatorit të mrekullueshëm të Fierit, të cilit këtë ‘’borxh’’ do përpiqem t’ja laj në skenë’’.

Në vitin 2009, Festivali Apollon do të vijonte në traditën tashmë të konsoliduar ndër vite. Trupat pjesmarrëse do të ishin si gjithmonë Teatri Bylis i Fierit, Teatri Kombëtar, Teatri Petro Marko i Vlorës, Teatri Kombëtar i Prishtinës, Teatri Creacione e Spettacolo i Mantovanës, Itali, Small Dramatical Theatre i Maqedonisë dhe Teatri Aldavila Piteste i Rumanisë. Në fund të tij, juria e përbërë nga regjizori austriak Kristian Papke, aktorja Ema Andrea dhe kritiku i njohur, Prof. Adriatik Kallulli nuk shpërndau çmimet e para por nderoi me çmime aktorët joprotagonistë. Të tillë ishin aktorët Tinka Kurti, Artiste e Popullit dhe aktori italian Nicola Del Buono.

Edicioni i nëntë u zhvillua në tetor të vitit 2010 me pjesmarrjen e Teatrit Bylis, Teatrit Kombëtar, Teatrit Metropolitan të Tiranës, Teatrit Urban e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatrit ATK, Pogradec; Teatrit Sarza të Sardenjës, Itali; Teatrit Barski Ijetopis të Malit të Zi dhe Teatrit Skopsko Ijeto të Maqedonisë. Pas shfaqjeve dhe garës plot ritëm të shoqëruara me diskutime, ekspozita pikture dhe konferenca shtypi, juria e përbërë nga aktoret e njohura Roza Anagnosti e Edi Luarasi, si dhe regjizori Mehmet Xhelili, dha së fundmi këto vlerësime. Çmimet e aktorit protagonist shkuan për Yllka Gashin dhe Ligoraq Rizën, ndërsa çmimet për aktorët joprotagonistë u fituan nga aktori fierak Fatmir Xhelili dhe aktorja maqedonase Vesna Gavri.

 Në 31 gusht 2011 startoi për herë të dhjetë Festivalin Apollon. Dhjetë vite përvoje dhe arritje jo vetëm të stafit drejtues, Teatrit Bylis, pjesmarrësve të përvitshëm, por edhe meritë e veçantë e Kryetarit të Bashkisë Fier, z. Baftjar Zeqaj, i cili që nga marrja e këtij posti në vitin 2003 është bërë mbështetësi kryesor i këtij evenimenti kulturor.

Trupat pjesmarrëse të këtij viti ishin Teatri Bylis, Teatri Estref Begolli, Pejë; Teatri i Metropolit, Tiranë; Laborator Teatër Art, Tiranë; Armadillo Theatre Company, Greqi dhe trupa rumune, Teatri Anton Pann. Pas garës disaditore juria e përbërë nga rumuni Doru Motok, aktori Alfred Trebicka dhe dhe kritiku Pr. Dr Josif Papagjoni në ceremoni e organizuar në odeonin 2000 vjeçar të qytetit antik të Apolonisë, shpërndau këto çmime. Cmimin për aktorin më të mirë protagonist për herë të parë i fituan dy aktorë të huaj, rumuni Romul Moruan dhe grekja Despoina Saraifedou. Ndërsa çmimin për aktorin më të mirë protagonist e fituan aktori i Teatrit Bylis Fatmir Xhelili dhe Klea Konomi, e bija e aktores se mirënjohur të skenës dhe ekranit, Hajrie Rondos.

 

Në datat 31 gusht-4 shtator të këtij viti u zhvillua në Fier edicioni i përvitshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Aktrimit Apollon. Me pjesmarrjen e gjashtë trupave teatrore nga hapësira shqiptare, Greqia dhe Rumania, ky event arriti edhe këtë vit që të ruajë ritmin dhe arritjet e traditës së krijuar prej tij. I shoqëruar nga ekspozita, prezantime botimesh për teatrin, konferenca shtypi dhe diskutime ai është ndër të rrallët evente që vlerëson me çmime lojën dhe mjeshtërinë e aktorëve pjesmarrës. Me qëllimin e evidentimit të arritjeve më të mira të teatrit shiptar dhe njëhkhësisht duke zbuluar dhe kultivuar talentet e reja Apolloni është shndërruar tashmë në një shkollë të teatrit shqipfolës dhe më gjërë. Këtë e tregon edhe ‘’lista’’ e fituesve ndër vite nga ku mund të përmendim emrat e Mirush Kabashit, Bajrush Mjakut, Ndriçim Xhepës, Luiza Xhuvanit, Sulejman Pitarkës, Enver Petrovcit, Bujar Asqeriut, Yllka Mujos, Timo Fllokos, Ligoraq Rizës, Yllka Gashit, etj.

 

Fieri.com / Ilirjan Gjika ( Historian )

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0