Shqipëria, oazi i shfrytëzimit seksual

Font size: Decrease font Enlarge font
image Shqipëria, oazi i shfrytëzimit seksual

Raporti botëror për personat e trafikuar, publikuar më 12 shkurt 2009 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) - Të dhëna turpëruese për trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri. Më shumë viktima dhe më pak të dënuar për trafikimin e grave, vajzave dhe fëmijëve. Rritet numri i vajzave për shfrytëzim seksual

Shqipëria është ndër vendet ku lulëzon krimi që na turpëron të gjithëve, nëse do t'i referoheshim hyrjes, me të cilën nis "Raporti botëror për Personat e trafikuar, i publikuar, më 12 shkurt 2009 nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC)".


Botimi i 10 ditëve më parë, përmbledh të dhëna nga 155 vende dhe sjell një vështrim botëror mbi trafikimin njerëzor, hapat ligjorë dhe informacione për secilin vend. Në prezantimin e raportit në Nju Jork, drejtori ekzekutiv i UNODC-it, Antonio Maria Costa, i mëshoi faktit se, ndërsa numri i trafikantëve të qenieve njerëzore po rritet, dy në çdo pesë vende që janë mbuluar nga raporti i zyrës, nuk kanë shënuar asnjë trafikant të arrestuar apo dënuar.


Sipas raportit, forma më e përhapur e trafikimit njerëzor (79 për qind) është për shfrytëzim seksual, ku dominojnë gratë dhe vajzat. Grupi i dytë përbëhet nga punëtorë me forcë (18 për qind), ndërsa në mbarë botën, mbi 20 për qind e viktimave të trafikimit janë fëmijë. Megjithatë, në disa pjesë të Afrikës, si në atë Perëndimore, fëmijët përbëjnë edhe 100 për qind të qenieve të trafikuara.

Shqipëria ka "vendin e saj" në hartën botërore të trafikimit, ku bie në sy mungesa e të dhënave të dy viteve e fundit. Në faqet 232-234, ku është vendi i Shqipërisë dhe në faqet që zënë raportet për vendet fqinje, si Italia dhe Greqia, bie në sy tendenca shqiptare për të "ulur" shifrat, ndërkohë që janë shtuar zyrtarisht viktimat e trafikuara. Në raportin për vitin 2007, thuhej se, "Afro gjysma e të gjitha viktimave shqiptare të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç dhe se trafikimi i brendshëm për seks i femrave dhe fëmijëve, është në rritje".


Megjithatë, ashtu siç e tregojnë grafikët, ndëshkimi i trafikantëve është i vogël.
Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme për vitet 2003-2006, për trafikantët e arrestuar, bie në sy se në vitin 2006 ishin vetëm 14 tillë, ndërsa në vitin 2003 ishin 93, në 2004 ishin 1004 dhe në 2005-ën ishin arrestuar 27 të akuzuar për trafikim qeniesh njerëzore. Në ulje drastike ka ardhur edhe numri i personave të hetuar për trafikim nga vitet 2003 deri më 2006.

Nga 98 që ishin në 2003-shin, 185 në 2004-ën, dhe 55 në 2005-ën, në 2006-ën ishin vetëm 17 persona të hetuar për këtë krim.

Fatmirësisht, ka ardhur në rritje numri i personave të dënuar për trafikim dhe, ndërsa në vitin 2003 ata ishin 40, në 2004- ën 44, dhe në 2005- ën ishin 49, në 20060-ën ishin 58 persona të dënuar. Por, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, shumica e dënimeve kanë qenë të ulëta për trafikantët.


Ndërsa në 2003-shin dhe 2004-ën, 28 trafikantë u dënuan më shumë se 10 vite burg dhe, në 2005- ën, u dënuan 32, në vitin 2006 u dënuan vetëm 18 persona, që akuzoheshin për trafikim të qenieve njerëzore.


Sipas të dhënave të marra nga Qendra e Pritjes së Viktimave të Trafikut, ka një rritje domethënëse numri i t ë trafikuarve brenda pak vitesh dhe sidomos numri i vajzave, numër i cili, nga viti 2005 në vitin pasardhës, e kalon atë të grave që ishin identifikuar si kontigjent i trafikuar.


Ministria e Brendshme: Lufta jonë antitrafik


Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, kujdes i është kushtuar luftës ndaj korrupsionit dhe masave ndaj punonjësve të policisë dhe punonjësve të tjerë të shtetit, të përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme. Gjatë vitit 2006, këto shkelje kanë konsistuar kryesisht në shpërdorim detyre apo falsifikime të bëra në sektorin e pasaportave, duke pajisur me pasaportë për jashtë shtetit persona në kërkim për krime të rënda, etj.

Ndërsa, gjatë vitit 2007, shkeljet kanë konsistuar kryesisht në bashkëpunim të oficerëve të policisë në kontrabandimin e personave. Në organin e Prokurorisë, gjatë vitit 2006 janë referuar 175 kallëzime penale për 244 subjekte policore, ku, 15 roli i lartë, 87 i mesëm dhe 142 bazë, prej tyre, 71 të arrestuar.

Vetëm gjatë vitit 2007, nga Drejtoria e SHKB-së janë dërguar pranë organit të Prokurorisë 4 kallëzime penale për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për 12 subjekte policore, ku, 4 të rolit të mesëm dhe 8 të rolit bazë, 10 prej tyre të arrestuar në flagrancë. Nga hetimet e deritanishme implikohen 35 persona, nga të cilët 15 janë punonjës policie.


Refreni i njëjtë i raporteve të Departamentit të Shtetit 2004-2008, për trafikimin në Shqipëri

Shqipëria, vendburimi për trafikimin, trafikantët nuk dënohen

Se sa përparim është bërë në Shqipëri për luftën kundër trafikimit të femrave dhe fëmijëve, e tregojnë edhe vrojtimet e raportuara vit pas viti nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Raportet e pesë viteve të fundit kanë pak a shumë të njëjtën përmbajtje negative dhe vetëm viti i përmendur bën dallimin.


Prej shumë vitesh, Shqipëria renditet ndër vendet e grupit 2, në listën e Vrojtimit, që do të thotë se, ashtu si dhe vendet e tjera që bëjnë pjesë në këtë grup, Shqipëria nuk ka bërë "përpjekje në rritje" gjatë vitit të kaluar; ka shmangur statusin e Grupit 3, bazuar mbi angazhime ndaj reformave antitrafikim gjatë vitit pasues, ose ka një numër shumë domethënës viktimash trafikimi, ose një popullsi domethënëse viktimash në rritje.


Më poshtë janë raportet për vitet 2003, 2004, 2005, 2006 dhe 2007, të prezantuara nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe që janë një pikë e fortë referimi për hapat që ka ndërmarrë vendi në luftën kundër trafikut.


2003


Shqipëria është një vendburimi për trafikimin e grave dhe fëmijëve, për qëllim shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar, kryesisht në Greqi dhe Itali, dhe në një masë më të vogël, në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Holandë.


Qeveria Shqiptare nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo ka ndërmarrë përpjekje serioze për ta bërë një gjë të tillë.


Arrestimet dhe ndjekjet penale për vepra të lidhura me trafikimin janë rritur në mënyrë të dukshme, dhe qeveria e vazhdoi parandalimin e trafikimit me skafe përmes Adriatikut.


Në vitin 2003, qeveria arrestoi 317 të dyshuar për krime të lidhura me trafikimin, dhe, në 75 nga 102 raste dënimesh, u dhanë vendime me nga dy deri në mbi dhjetë vjet burgim. Disa gjykata liruan trafikantë të dënuar, ndërkohë që prisnin gjykimin në apel, pa ofruar mbrojtje për dëshmitarët dhe viktimat.


Korrupsioni i lidhur me trafikimin ishte problem; qeveria arrestoi katër oficerë policie për akuza të ngjashme, si dhe hetoi 11 raste të përfshirjes së policisë në trafikim. Në korrik 2003, qeveria filloi funksionimin e Qendrës Kombëtare të Pranimit për viktima në moshë madhore dhe fëmijë, e njohur me parë si Qendra e Linzës.

2004

Shqipëria është një vendburimi për gratë dhe fëmijët e trafikuar, për qëllimet e shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, kryesisht në Greqi dhe Itali, ku shumë viktima më pas kalohen tranzit për në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Holandë. Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; sidoqoftë, ajo po bën përpjekje domethënëse për këtë.


Në vitin 2004, Qeveria e Shqipërisë vazhdoi të arrestonte, të ndiqte penalisht dhe të dënonte trafikantët. Gjykatat e saj ndoqën penalisht 132 trafikantë dhe dhanë 121 dënime.


Katër oficerë policie u hetuan për kundërvajtje në lidhje me trafikimin. Qeveria administroi disa programe parandalimi dhe vazhdoi të mbështetet kryesisht te OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare për kryerjen e veprimtarive të tilla.



2005

Shqipëria është, në radhë të parë, një vendburimi për gra dhe fëmijë të trafikuar për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar. Viktimat trafikohen në Greqi dhe Itali, ku shumë prej këtyre viktimave trafikohen më tej në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Gjermani dhe Holandë.


Qeveria e Shqipërisë vazhdoi në mënyrë aktive të hetonte dhe ndiqte penalisht trafikimin; hetoi 49 raste, ndoqi penalisht 51 trafikantë dhe dënoi 54 trafikantë.

Gjykatat shqiptare dënuan më shumë se gjysmën e trafikantëve të dënuar për 5 deri 10 vjet - me disa dënime mbi 10 vjet - çka përbëjnë dënime domethënëse në nivel rajoni.


2006


Shqipëria është vend origjinë për gratë dhe vajzat e trafikuara ndërkombëtarisht dhe brenda vendit, me qëllim shfrytëzimi seksual komercial; vendi nuk konsiderohet më një vend kryesor tranziti dhe nuk është një vend i rëndësishëm destinacioni. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi dhe Itali, shumë prej të cilave trafikohen më tej në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Gjermani dhe Holandë.


Trafikimi i brendshëm seksual i femrave dhe fëmijëve është në rritje. Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, vendi po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.


Qeveria vazhdoi të tregonte një përpjekje domethënëse për të ndjekur penalisht dhe dënuar trafikantët, instaloi një linjë telefonike të posaçme falas në mbarë vendin dhe ratifikoi një marrëveshje dypalëshe me Greqinë kundër trafikimit të fëmijëve. Policia i referoi 51 çështje të reja trafikimi Prokurorisë së Përgjithshme, e cila vuri nën hetim 65 persona për akuza të lidhura me trafikimin.


Dyzet e tre çështje iu çuan për referim Gjykatës së Krimeve të Rënda, në të cilën pati 62 procedime dhe 57 vendime fajësie për trafikim.


Katër shkelës u dënuan deri në dy vjet burgim, 10 u dënuan me nga 2 deri në 5 vjet burgim, 26 u dënuan me nga 5 deri në 10 vjet burgim, dhe 25 të tjerë u dënuan me mbi 10 vjet burgim. Në vitin 2006, vetëm 20 nga 227 viktimat e trafikimit të identifikuara apo të dyshuara si të tilla ofruan dëshmi kundër trafikuesve të tyre.


Ligji shqiptar i lejon viktimat të bëjnë padi civile; viktimat, përgjithësisht, nuk ndërmarrin padi të tilla, për shkak të mosbesimit tek policia dhe gjyqësori. Qeveria nuk penalizon viktimat e trafikimit për veprime të jashtëligjshme, kryer si pjesë e trafikimit të tyre.


Aktualisht, nuk ka dispozitë ligjore për akordimin e lejes së përkohshme apo të përhershme të qëndrimit për viktima të trafikimit nga vende të treta; viktimat mund të aplikonin për azil.

2007


Shqipëria është një vendburimi për gra dhe vajza të trafikuara, për qëllime të shfrytëzimit seksual, për përfitim dhe punë të detyruar; ajo nuk konsiderohet më si një vend kryesor tranzitimi. Viktimat shqiptare trafikohen në Greqi, Itali, Maqedoni, dhe Kosovë, dhe shumë prej këtyre trafikohen më tej për në vende të Europës Perëndimore, si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Norvegjia, Gjermania dhe Holanda.


Fëmijë u trafikuan gjithashtu në Greqi për të lypur dhe forma të tjera të punës së fëmijëve. Afro gjysma e të gjitha viktimave shqiptare të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Trafikimi i brendshëm për seks i femrave dhe fëmijëve është në rritje. Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.


Qeveria e Shqipërisë është vendosur në Listën e Vrojtimit të Grupit 2, për shkak se dështoi të demonstronte prova të përpjekjeve në rritje për të luftuar trafikimin gjatë vitit të shkuar, sidomos në fushën e mbrojtjes së viktimave.


Qeveria nuk identifikoi si duhet viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007. Gjithashtu, ajo nuk ka demonstruar se po heton apo ndjek penalisht në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë. Qeveria e Shqipërisë nuk paraqiti fakte bindëse për përparim në përpjekjet ligjzbatuese për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit 2007. Shqipëria e ndalon penalisht trafikimin e seksit dhe punës nëpërmjet kodit penal, i cili parashikon ndëshkime nga pesë në 15 vjet burgim.


Këto dënime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe më të rënda se ato që parashikohen për përdhunimin.


Gjatë vitit 2007, Shqipëria ndoqi penalisht 49 trafikantë të dyshuar dhe dënoi shtatë kundërvajtës për trafikim njerëzor. Shtatë nga ndjekjet penale ishin për trafikim të punës së fëmijëve. Dënimet për trafikantët e dënuar ishin të ashpra sa duhet, duke variuar nga pesë vite burgim dhe gjoba deri në 16 vite burgim dhe gjoba.


Midis qershorit dhe korrikut 2007, qeveria pushoi nga puna afro 20 për qind të oficerëve të policisë, që kishin qenë të specializuar dhe kishin marrë shumë trajnim, si pjesë e një përpjekjeje të gjithanshme për ristrukturimin e policisë.


Në tri raste të veçanta, Ministria e Brendshme arrestoi 12 oficerë policie të akuzuar për trafikim të qenieve njerëzore gjatë vitit 2007, përfshi gjashtë oficerë që kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për antitrafikimin në kufi.


Ndjekjet penale të këtyre çështjeve dhe shumë çështjeve të tjera, nga periudha e mëparshme e raportimit mbeten në proces.
Qeveria e Shqipërisë dështoi në vazhdimin konseguent të përpjekjeve për të identifikuar, referuar, mbrojtur dhe riintegruar viktimat e trafikimit gjatë vitit 2007.


Në vitin 2007, qeveria identifikoi vetëm 13 gra dhe shtatë fëmijë si viktima të trafikimit gjatë periudhës së raportimit, një rënie prej 25 për qind në krahasim me 25 viktimat e trafikimit raportuar nga qeveria gjatë periudhës së raportimit të vitit 2006. Sipas qeverisë dhe vëzhguesve të tjerë, autoritetet identifikuan si viktima vetëm ata që e identifikuan veten si të tillë në mënyrë aktive. Megjithatë, në të njëjtën kohë, strehat e OJQ-ve raportuan 146 viktima të trafikimit gjatë vitit të raportimit.


UNODC-i, sot seminar për trafikimin në Tiranë


UNODC-i do të mbajë sot seminarin Rajonal mbi Forcimin e Kapaciteteve Profesionale në Hetimin dhe Asgjësimin e Trafikut të Qenieve Njerëzore në Vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është seminari i katërt rajonal, që zhvillohet në kuadër të Projektit Rajonal mbi forcimin e kapaciteteve profesionale të forcave të ruajtjes se rendit dhe ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Seminari do te hedhe dritë mbi punën e bërë në këtë fushë, si dhe do të prezantojë instrumentet e hartuara nga zyra e UNODC-it në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe atij ndërkombëtar, si hartimi i letërporosive, kërkesës për asistencë ligjore dypalëshe, ekstradimet, etj. Për më tepër, seminari do të jetë dhe një mundësi për prezantimin e Raportit Global të UNODC-it mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore, i cili u lancua më 12 shkurt 2009, në New York.

 

 

Burimi Informativ: SHEKULLI

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00