Komisionada, një histori për t’u harruar

Font size: Decrease font Enlarge font

Alarmi kësaj here vjen direkt nga kreu i PS. I bindur më në fund, që ky ritëm e ky seriozitet i administratës qeverisëse nuk ka asnjë gjasë të garantojë zgjedhje të rregullta jo e jo, por ...

...as të pranueshme, ai i shkrep njëherësh të dyja grykat e çiftes opozitare. Edhe denoncoi realitetin skandaloz të plotësimit të këtij detyrimi nga ana e administratës publike, por edhe propozoi një zgjidhje emergjence, që në fakt përbëhet nga dy pjesë: - veçimin e atij grupi zgjedhësish që s’kanë fare pasaporta dhe trajtimin vetëm të atyre, me karta identiteti. Dhe ngritjen e një Komisioni të posaçëm (ad-hoc –siç e thërrasin në anglisht) parlamentar. Nuk do shumë mend të kuptosh që këtu “zgjidhja” në fjalë, reduktohet në fakt në një ..gjysëm zgjidhje. Edhe kjo mjaft e diskutueshme. E cila niset nga një shqetësim më se i drejtë dhe një kalkulim me këmbë në tokë.

Thelbi i saj është që u bë ç’u bë, por tani kohën e mbetur ta përdorim me mend. Që në 28 qershor, edhe më i harruari zgjedhës, të ketë në xhep së paku një nga dokumentat: letërnjoftim ose pasaportë. Që ajo dukuria hileqare e ..çertifikatave, të mos shfaqet më mbi faqe të dheut. Ndryshe do të kishim një “çertifikim” paradhënie të zgjedhjeve të trukuara. E quajtëm racionale këtë pjesë, edhe sepse vetëm kaq mund të bëhet tani, në intervalin e ethshëm prej më pak se 120 ditësh që kanë mbetur. Sado maksimalisht të mobilizohen forcat e sado “megjithëmend” ta marrin këtë nismë të dyja palët. Sot është e qartë se 2,6 – 2,7 milion zgjedhës nuk do të pajisen dot me leternjoftimi deri në 28 qershor. Edhe sikur ritmi i derisotëm të ndryshojë , pra të shpërndahen 40 mijë karta në javë (nga 20 mijë që është rendimenti i sotëm), sërisht në 20 javët e mbetura nuk marrim dot më shumë se 7-800 mijë kompletime. Aq sa është edhe numuri i atyre që janë “pa gjë fare”.

 

***

Dhe ndërsa jemi “OK” me pjesën e parë, s’mund të themi aspak të njëjtën gjë për pjesën tjetër të “zgjdihjes”. Atë të mbikqyrjes apo administrimit të procesit me Komisione. Mjafton ta vendosim në kuadrin e historisë së “ad-hoqeve” dhe “task-forcave” të shkuara, dhe shohim se këtu s’ka kurrfarë substance për të pritur. Edhe në ka, ajo s’mund të jetë veçse një “anti-substancë”, një “antimaterie”, një lloj vrime e zezë, iluzore e punëprishëse. Ç’ka dëshmuar historia e derisotme e zgjidhjeve “ad hoc”, përveç banalitetit dhe mungesës së kolonës vertebrore të shtetit e politikës? Një vërë në ujë ka dëshmuar. Një zvendësim të shtetit nga.... Komisionada!. Këtë punë kemi bërë plot 18 vjet me rradhë. Në vend të institucioneve krijojmë Komisione.

Grupe pune dhe “task-forca”. Duhet bërë kjo punë –na thotë bota. E bëjmë posi, patjetër –përgjigjen shefat tanë pa e lënë tjetrin të mbarojë fjalën. Po si e bëkeni –ngre supet homologu, -ju s’keni as ligjin e as instritucionin për këtë. Bëhet që ç’ke mi ne ja kthen ezber “i yni”.. As ke ç’i do institucionet e bazimin ligjor të tyre. Ne ngrejmë Komisione dhe “task forca”. Këto nuk të hapin asnjë punë. I thërret kur të duash në telefon. Ose nuk i thërret fare. I harron. Nuk kanë as statut, as buxhet, as kartëvizitë, madje as ...zyra ku të fusin kokën. Askush nuk e kontrollon dot rezultatin e punës së tyre. As punën vetë që bëjnë gjatë javës. Ama kur vjen puna e raportimeve dhe seancave dëgjimore në Europë, në NATO apo kudoqoftë jemi më se në rregull.

Për çdo çështje mund të përmendim një komision ose një ..task-forcë. Qoftë edhe një task-forcë të vogël fare, sa për të thënë. Ja, kjo është në vështrimin tim historia e Komisoneve. Këto dhe task-forcat, në rrethanat shqiptare, janë bërë sinonim i anti-shtetit, një modus për t’i ikur detyrimit për të bërë shtet. Me ligj, mandat, zyra e kompetenca. Me pavarësinë dhe procedurën e raportimit. Me plane pune, kalendar e llogaridhënie. *** Sepse Komisionet dhe Task-Forcat bota nuk i ka shpikur për të mbuluar punët e pabëra.

Këto zgjidhje e aksione emergjence nuk janë për t’ju rrëshkitur detyrave normale. Që sejcili i ka shkruar njëherë dhe raportuar në programin. Elektoral dhe qeverisës. Përse ky komision e si na shkoi ndërmend një punë e tillë? Ç’mund të pritet nga një komision i tillë? Ç’gjë e vetme, e mbyllur pastër ka ardhur nga Komisione të tilla që parlamenti ynë i ka ngritur pa teklif? Përgjigja e pyetjeve të tilla të çon vetëm në një vend. Që “Komsionada” është një instrument i përdorur me vetëdije. E në rastin konkret kemi të dy vetëdijet bashkë: si të atyre që s’kanë bërë detyrën dhe s’na kanë përgatitur për zgjedhje të besueshme e siguri minimale të procesit të ardhshëm zgjedhor, ashtu edhe të atyre që s’kanë bërë detyrën opozitare e s’kanë kërkuar llogari me kohë e hap pas hapi për këtë punë të pabërë. Të këtyre pra, që pasi pranojnë si “legjitim” realitetin e ri skandaloz, parazgjedhor, i fusin dhe një si zgjidhje për qetësim ndërgjegje. Se vetëm e tillë mund të jetë kjo punë e komisionit parlamentar.

Qoftë ky edhe me përcaktorin “ad-hoc” nga mbrapa. Ka përgjegjësi të rëndë opozita për këtë situatë. Për këtë prapambetje në infrastrukturën zgjedhore, më shumë kemi folur unë e ti i dashur lexues, se sa opozita. Aq sa të gjithë na kanë parë shtrembër në këto vite. Kur ne përsërisnim: se as kartat e identitetit s’kanë për t’u bërë. Pa le të tjerat. E patëm thënë këtë që pas 97-ës kur dikush filloi të shpërndajë disa letra të njollosura trashë. Karta identiteti guxuan t’i quajnë edhe ato. Ndonëse humbën përpara se të dilnin. *** Ngelëm duke e përsëritur këtë edhe, në 2006, 2007 dhe 2008. Ja po e themi edhe njëherë në 2009 po të doni: kjo qeveri nuk do t’i pajisë të gjithë njerëzit me dokument të rregullt për votimet e qershorit! Deri tani sepse nuk donte, tani e tutje sepse nuk do të mundet.

E solli vetë punën deri te ky cak: që “të mos mundet”. Kjo qeveri nuk do të bëjë as pastrimin ekzakt të 100 mijë dublikimeve të emrave nëpër gjendjet civile. Le të thotë zvendeskryeministri se bëhen për dy ditë. Argumenti është i thjeshtë: përse zotëri nuk i bëre për katër vjet me rradhë? Kujt i duheshin kaq vjet këto rregjistrat me dublime? Si i duruat? A nuk i rëndoheshin ato edhe vetë dollapit të zyrës civile ku qëndrojnë? Të njëjtat arësye se përse këto punë nuk kanë përfunduar sot 115 ditë-pune përpara zgjedhjeve, na shtyjnë të përsërisim se shumë syresh nuk do të kompletohen dot deri atë ditë. Dhe se një pjesë litari nga ai kontestimi gërryes zgjedhor, sërisht do të mbetet jashtë. Opozita s’duhet të bjerë kurrsesi bë kurthin e zvendësimit të Institucioneve me Komisionet. Ajo vetë duhet të marrë në dorë rolin e mbikqyrjes së rreptë të procesit. Të institucioneve dhe zyrtarëve që paguhen për atë punë. Dhe të politikës që abuzon me to.

Shërbim shumë më efektiv në kohën e mbetur do të ishte ndjekja e parreshtur dhe “markimi i rreptë”. Denoncimi hap pas hapit i çdo devijimi dhe ngecje të qëllimtë. Dhe të tilla ka shumë. “Komisionet”, vetëm sa do t’i mbulonin.

 

Balkanweb / Selim Belortaja

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00