I pritet “Koromania” shkollës “Jakov Xoxa”

Font size: Decrease font Enlarge font

Që në fillim, për këtë vend, i cili është kthyer në një terexhe gati-gati të pariparueshme si një bosh-marrëzi brenda fenomenit të përgjithshëm, ku plot njerëz nga gjithë nivelet, ditë për ditë, e natë për natë, gdhihen e ngrysen në dilema e përjetojnë alarmin se kjo apo këto të këqija, qofshin të fundit. Zoti na ndihmoftë! “Në kyç e liga!”,- do të thërriste Xhevahir Spahiu...

E paradokset s’kanë fund, s’kanë shalë e as fre. Çdo gjë që është ndërtuar me patjetër duhet prishur. Madje duhen prishur pikërisht ato arritje që e kanë kurorëzuar një fizionomi, e kanë shtresëzuar një identitet, edhe pse nëpërmjet vështirësish, e kostove që kanë rënë mbi tërë supet tanë, mbi tërë shoqërinë. Një shtet e shoqëri e emancipuar nuk ka për detyrë të zërë “fuckën”, apo të marrë masa drastike që, këto të çojnë drejt falimentit, ndoshta drejt asgjësimit.

Një shteti syçelë, normalisht duhet t’i digjet “shpirti” për progresin e arsimit, kulturës e artit.... Ndodh të bjerë në batakun e anarkisë, qoftë dhe nga kushtëzimet financiare të përgjithshme. Duke e thënë shqip, në gazetën “Shqip”, shkollës artistike “Jakov Xoxa” në Fier, që i kalon kufijtë e një institucioni rajonal, duke thithur nxënës nga gjithë Jugu i vendit, por edhe nga Veriu. Pikërisht kësaj shkolle i hiqet buxheti i saj modest, pra i pritet “koromania”. Le të modelohet e retushohet si të dojë nga “binaja e shtetit”, siç do të thoshte Faik Konica me tallavitjet që bënte për burokracinë e tij, në thelb kjo përbën goditje ndaj institucionit e i rrëmben edhe atë pak pavarësi që ka arritur në vite, e theksoj me shumë përpjekje!

I tillë është rasti i goditjes që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës i bën shkollës që mban emrin e shkrimtarit të madh Jakov Xoxa, në Fier.

“Autori i këtyre radhëve, në vitin 1983, pasi u diplomua si skulptor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (ku më pas u quajt akademi, e tani Universiteti i Arteve) u emërua nga Ministria e Arsimit e Kulturës të asaj kohe, posaçërisht si pedagog specialist në këtë shkollë”.

Zanafillën kjo shkollë, e ka që më 1966-n, atashuar pranë shkollës së njohur “Andon Xoxa”. Kur u çel klasa e muzikës me profesoreshën e shquar hungareze, pianisten, koncert-maestron e njohur, Marie Rafael (Qytetare Nderi e Fierit).

Duhen përmendur me mirënjohje për rolin e tyre edhe muzikantët e asaj kohe të qytetit të Fierit, Kozma Shallapi (violinë), Dhimitraq Sopiqoti (Fizarmonikë), Arqile Doko (oboe), Klara Kilica, Pavllo Sopiqoti, Nikollaq Bulo. Këta së bashku krijuan bërthamën e degës së muzikës, me shumë sukses nga kjo shkollë shkonin breza të tërë nxënësish në liceun artistik, “Jordan Misja” në Tiranë.

Me iniciativë të shefit të Arsim-Kulturës së Fierit, Sokrat Plaku, intelektual i rrallë, dinamik e progresiv, u çel në vitin 1979, si vazhdimësi Shkolla e Mesme e Muzikës dhe me po insistimin e tij u çel e themelua dega e arteve figurative (pikturë-skulpturë) në vitin 1981. Që nga ajo kohë, shkolla u fuqizua dhe mori peshën e një institucioni arsimor të rëndësishëm në Shqipëri, duke mirëpritur dhe arsimuar nxënës nga mjaft rrethe të vendit si: Saranda, Delvina, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Mallakastra, Lushnja, e deri nga Durrësi, Kavaja, Laçi, Mati. Në dhjetëvjeçarin ‘80-‘90, pa e tepruar shkolla e mesme artistike “Jakov Xoxa” e Fierit referuar rezultateve, ishte harku i ylberit të shkollave artistike shqiptare. Kjo shkollë u kthye në fidanishten me peshën më të rëndësishme, jo vetëm numerike, por edhe kualitative, për Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, i cila vazhdon tradicionalisht edhe më pas. Një pjesë e studentëve që mbaronin atje, mbaheshin pedagogë, të tjerë emëroheshin në shkolla të ndryshme artistike, në institucione të artit deri dhe në orkestrat e RTSH-së apo TOB-it.

Në këtë shkollë, shteti ka investuar në vite, qoftë për infrastrukturën e saj, qoftë për nxënësit, ashtu edhe për pedagogët. Edhe në rastet kur krijoheshin mungesa, shteti i asaj kohe emëronte apo çonte me komandim pedagogë të lëndëve e specialiteteve të ndryshme, apo instrumentistë për të plotësuar tërë gamën e problematikën e saj. Një sërë pedagogësh të njohur, dërgoheshin nga Tirana, apo gjetkë si e si të mos i krijohej vakumi, pasi dihet e duhet pranuar se kjo lloj shkolle, ka problematikë, por pikërisht këtu duhet të ndalë vëmendja. Pikërisht te ky kompleksitet që ka një shkollë arti, por jo vetëm shkollë, ajo funksionon mirëfilli edhe si institucion kulturoro-artistik. Ato s’mund të kenë vlera e qëllime në vetvete, ato gjallojnë në shumë nevratura, direkte e të tërthorta, ato kanë një gjenerim perspektivë duke ju referuar përherë së shkuarës, retrospektivës.

Çfarë do të thotë humbja e kësaj shkolle? Kjo s’duhet absolutisht të ndëshkohet nga gërshëra e pamëshirshme e gjoja reformave të kohës. Përkundrazi ajo, pa e tepruar do të thosha,- “shteti duhet ta marrë me përkëdheli”,- pasi asaj nuk duhet t’i “trembet qumështi”, pasi “po u tremb ky qumësht” është vështirë t’i kthehet më, në mos e pamundur, duke e çuar drejt regresit.

Sa më shumë të analizosh të shkuarën dhe sakrificat e bëra për të, aq më tepër duhet kuptuar aktualiteti, impakti e roli që luan e duhet të luajë në kohët që vijnë. Nëse shkon shkolla drejt degradimit rrjedhimisht si gurë në rrokullimë, rrokopojnë edhe derivate të tjera, formacione të tjera, institucione të tjera. Nëse një qytet i madh, të themi si Fieri, i cili ka peshën, i dyti në Shqipëri për ekonominë e vendit sipas statistikave zyrtare, kur i humbet shkolla artistike, statusi i saj nacional, kjo do të thotë që në këtë qytet të mos ketë jetë të brendshme artistike, të mos ketë klimë, të mos ketë formë, të mos ketë tinguj, të mos ketë më ngjyra. Këtu, duhet vetëm të vinë të tjerë, të importuar për ta ndërtuar këtë klimë të domosdoshme, më të nevojshme se kurrë, që të tingëllojë violina, viola, violonçeli, pianoja, flauti, oboeja, klarineta, fagoti, tromba, tromboni, kornoja, bastubi apo kitara, kur ne këto i kemi...

Këtu, në këtë qytet, ne nuk duhet të shohim vocërrakë mëngjeseve të një qyteti me çantë në krah e instrumente në duar, fëmijë e nxënës me dosje e telajo, drejt shkollës për t’u formuar në bazë të talentit të tyre, për t’u përgatitur e formuar si e ardhmja e artit dhe kulturës. Po humbën këta nxënës, këta talente në fushë muzikore, vizive apo pamore, nesër në këtë qytet nuk do të ketë muzikë dhome, s’do të ketë duete, trio, kuartete, kuintete, formacione të kombinuara, sipas kompozicioneve e llojeve të ndryshëm që i dinë “ustallarët” e këtyre punëve. S’do të ketë orkestër, s’do të ketë fanfarë, s’do të ketë ekspozita individuale e të përbashkëta, por do të ketë vetëm pallate e popull. Nëse ka pasur famë kombëtare e më gjerë qyteti i Fierit, këto kanë qenë: shkolla artistike “J. Xoxa”, teatri “Bylis, estrada, ansambli “Myzeqeja”. Këto i kanë dhënë atij identitet, fizionomi.

Por, megjithëse qyteti demografikisht zmadhohet, kur i goditet shkolla artistike, kjo i shkakton bjerrje të qytetarisë, pa kualitet emancipimi, duke u kthyer kështu ndën këmbët e teknologjisë së llahtarshme elektronike, duke rrënuar në mënyrë të pamëshirshme talentet, ndjenjat, shpirtin, zemrën, mollëzat për vibrato, e mollëzat për të modeluar skulpturën.

Këtij rreziku galopant, të gatuar nga njerëzit e strukturat që bëjnë pjesë në “Binanë e Shtetit”, dëshmojnë si makineri pa shpirt, robotë, me mungesë fatkeqësisht konceptuale, pa ide mbrojtëse e zhvillimi ku pikësynimet e tyre janë vetëm tenderët, tenderët me fitim kolosal, e brenda një kohe shumë të përkohshme dhe se ata janë aty, për shkak të partisë, për shkak të përkohshmërisë. “Njëherë vjen ky shans”, - thonë ata, - “Na erdhi, ta rrjepim, ta zhvatim, koha nuk pret”. E ç’rëndësi ka për ta përpjeka deri në rrëgjim e disa brezave të tërë, për ndërtimin e një institucioni ndër dhjetëra vjet, ku lidhet; përjetimi, shpresa, besimi, vullneti, këmbëngulja individuale për t’u realizuar, me qëllimin sublim për t’u bërë e ndërtuar e tëra: shkolla, orkestra, galeria, qyteti, Shqipëria...

Jo! S’qenka e thënë të ecë e ndodhë që mbi bazë të vlerave e traditës, aq të mundimshme t’i shtohet një kat, në mos më shumë, por edhe ato tri kate duan t’i rrafshojnë.

Unë e di mirë, se jo çdo gjë vjen në mënyrë të ndërgjegjshme, individuale. Kjo vjen ndoshta në mënyrë kolektive, nga padija, nga konformizma të ndyra, ku edhe po pati një zë, dy apo tre, zhargiten, mbyten në këtë moçal të qelbur, qelbunajë!

A e llogarisin, a u shkon ndërmend, pa lëre që t’u dhimbset, që të bëhet një violinist, i cili e fillon shkollën në moshën gjashtëvjeçare e deri në klasën e 12, kohën për t’u impostuar, krahun që mban harkun e gishtat që bëjnë vibratot, se sa milionë e miliarda herë janë dashur?! Është e dhimbshme, është fatale, kjo moskuptueshmëri. A i mendojnë dot mollëzat e gishtave, se sa qindra milionë herë, kanë rënë mbi tastierën e pianos? A i mendojnë dot duart, gishtat e drithërimat të një vajze a djali me laps apo penel në dorë?

E këta syresh, këta që kanë në dorë gërshërën e reformës e bëjnë në një çast, rrufeshëm brenda një sekonde. Këta mund të realizojnë për momentin gjestin e vendimin ogurzi, për shembjen e një shkolle e për plot mëkate të tjera. Por duhet të kuptojnë dhe të marrin parasysh një shprehje të artë të popullit shqiptar “peri këputët atje ku është më i hollë, e zullumi këputet atje ku bëhet më i trashë”. A ka ndodhur që të jetë bërë një konsultë, një marrje vendimi me shkollën si institucion, me nxënësit, me prindërit, me komunitetin, me organet e institucioneve të pushtetit vendor, a është bërë një studim? Përse duhet të ndodhë ky arbitraritet, në një kohë kur bota e zhvilluar edhe për gjëra shumë herë më të thjeshta, bëjnë referendume. MASH-i është i interesuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj Shkolle, apo në këtë penalizim fshihen qëllime të mbrapshta për interesa gllabërojse, apo privatizuese në tahmanë e pafre ndaj truallit dhe institucioneve shqiptare?

Këtë jua kujton jo një njeri që përfaqëson organet e pretencës.... është shqetësimi dhe zëri i ish-drejtorit të shkollës, në periudhën 1998-2006. Këtë jua thotë një njeri që pretendon logjikën e gjërave, që e ka parë dhe e shikon problemin profesionalisht, me vlerësim nga e shkuara e vështrim nga e ardhmja, me mbrothësi që bashkë me mua janë nxënësit, pedagogët, prindërit, komuniteti më i gjerë qytetar fierak e kombëtar, e në fund të fundit siç ia do dhe ia ka ënda Shqipërisë e interesave të saj për t’u realizuar në këtë botë kozmopolite, ku asaj i duhet domosdoshmërisht të ruajë identitetin e vet.

 

nga Haxhi Kalluci

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (4 postuar)

avatar
Rush Beluli 18 April, 2012 09:28:06
Po tregetare e shumte pasanike te rrethit te Fierit nuk mund te ndihmojne per ta mbajtur kete shkolle hapur?
avatar
soto. 02 May, 2012 11:52:27
Bukur n'a i thua zoti Haxhi..Por nuk ishit Ju nga petagoget e pare,qe ne te larten niset bylmeza si Artan Markun me shoke.Klika juaj me Gjergj Tosken ne krye,nuk moret talentet ne shkolle,i dogjet enderrat e tyre artistike,per te futur te paaftit, se vetem aty mund te mernin lehte mesataren per te shkuar ne dege te tjera.Po te shikoni raportin se sa vazhduan degen artistike e ate te degeve te tjera,do kuptoni se kujt qellimi i sherbeu shkolla artistike.Biles vitet e fundit,me teper vinin ata qe ishin te paafte ne lendet e tjera e nen pretekstin e talentit,mbaronin shkollen e te gjith perfundonin per cikel te ulet,qe ne te vertete ishin nula.Me vjen keq ne se do renohet shkolla per ceshtje prone,por me mir te prishet se cilesi s'ka asgjekundi.Mbase dhe vet Haxhiut nuk i intereson te dalin talenta te zote,se do i veshtirsohet konkurenca artistike.
avatar
soto. 03 May, 2012 08:47:13
qenkit faqia me koti, deri sa nuk e pranuat komentin tim...nuk ju pelqen e verteta...?Apo doni t'i botoj ne ndonje gazet tjeter ..?
avatar
Lana 17 July, 2012 04:01:43
ismaj kadare ka qen nje shmrkuta shum i njoher dhe ka shkruar shum perzi te ndryshme pershemball princesh arghiro ne kete tregim autori e preshkruna vete nu kajetuar ne ghirokaste me pas shkoi ne paris ismaj kadare lindime 28 janar1938 ne ghirokast ku perfundoi edhe aesimiume jam 7 vjesh dhe quhem ardenita tashollia0
total: 4 | displaying: 1 - 4

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00