Turizmomania!

Font size: Decrease font Enlarge font

Nuk është ai përbindëshi mijërasysh që i kallte datën kujtdo që merrej atëherë me gazetari. Mbase ka radhën të them rastin më unikal e më banal që kam përjetuar vetë, diku ne vitin 1988. Pritjen gjer ndaj mëngjesi e gjithë gazetave për t’u futur në shtyp, sepse… Sepse udhëheqja akoma nuk po vendoste, nëse publikut i duhej dhënë lajmi se takimi ishte “i ngrohtë dhe miqësor”, apo vetëm “miqësor”?! Ajo kohë shterpë u varros.

Por duhet thënë se ka mbetur brenda nesh, strukur, por pa vdekur, fetusi i saj, që edhe pse nuk shndërrohet në foshnjë, përsëri na mundon. Ngre kokën e na ngërçon dorën, sa herë na shkrep ta bëjmë fjalë, një shqetësim a brengë që na mundon. Një ngecje që na plas e na zbret pesimizmin dhe dëshpërimin, mu në fund të shpirtit. Ulemi të shkruajmë, fillojmë, vazhdojmë tarnanatë hyrëse si unë tani, pastaj vjen kulmi i hallit që të ka ulur për të shkruar, por pikërisht atëherë… e gjen gishtin në tëmth! E thua me vete: “Pa prit një herë, ç’do thotë gruaja, fëmijët, krushqia, vjehrra sidomos, miqtë, kryetari i lagjes, deputeti, ministri, po… kryeministri? E, ç’do thonë ata? Po qarqet antishqiptare, armiqtë tanë shekullorë, si do ta interpretojnë? Pa dale një herë, mos jam gjë, larg qoftë, edhe antishqiptar, e nuk e paskam ditur!?” Dhe tkurrim dorën. Fillojmë marifetet, fillojmë të rënit larg e larg “si nga Kina”, për të dalë atje ku na ha përbrenda të dalim.

 

Po këtë radhë na shpëtoi nga halli vetë Presidenti Topi. Pikërisht për turizmin. “Është e papranueshme që në vitin 2008, ne të kemi një fizionomi turistike në breg që u ngjan vendeve mesdhetare të viteve ‘50. Këtë askush nuk duhet ta pranojë dhe është e papranueshme…” Kështu tha me plot gojën Presidenti në Himarë. (Deklaratë pak e gjatë, për të menduar se i rrëshqiti gjuha). Sfidoi qeverinë, Kryeministrin, ministrin e linjës? Ç’na duhen kulisat e deklaratave të politikanëve ne! Mjafton e vërteta, e vërteta pelin e hidhur. Mes dhjetëra të tjerave, ajo për turizmin. Në emocion e sipër, përballë realitetit vërtet lebroz ku ndodhen brigjet tona sidomos, pa folur për zona që s’kanë det, në të vërtetë Presidenti “vetëtin” mu në prag të sezonit veror, ose siç thuhet rëndom, “turistik”.

 

Nuk di nëse babai i kombit rrezikon të konsiderohet miop politik e mbase antishqiptar, siç ka ndodhur vitet e kaluara me disa kanale televizivë që kuturisën “t’i heqin brekët” e ta lënë “le none” realitetin e pikëllueshëm të gjeografisë tonë turistike. Di të them se nëse kambana bie, nga institucioni më i lartë i vendit, atëherë kuptohet lehtë se situata turistike tek ne është në kompleks, në lëngatë të plotë. Këtë deklarim e bën edhe më të spikatur, bërja në kohën kur gjithë propaganda shtetërore, terë vitet e fundit, po sidomos vjet dhe sivjet, ka lajthitur deri në masën turizmomani. Nën shembullin e laringëve më të lartë të propagandës, thuajse çdo natë shfaqen nëpër ekrane turli lloj kryetarësh të komunave më të rrëgjuara, kryepleq të fshatrave më të humbur, gati kryetarë fisesh, dhe shpalosin resorset e mëdha turistike që ka lagja dhe fshati i tyre. Kësaj euforie të sëmurë dhe absurde, i bëhen emërues më së shumti, ministrat, edhe të Turizmit veç Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 

Këta ministra utopikë më së miri, dhe mashtrues më së keqi, janë shndërruar në dispeçer të raksur doganash, që numërojnë të mrekulluar çdo biletë hyrëse në Shqipëri, për ta propaganduar me vrap të madh si arritje të politikave të tyre farfuritëse. S’do mend, për t’i shtuar si yje më shumë, në spaletat e karrierës së tyre politike. Dhe për këtë soj statistike, nuk ka asnjë rëndësi nëse të ardhurit e verës, janë shqiptarë kockadërrmuar nga puna në mërgim, që me rastin e çmalljes me të afërmit e tyre, i shtrojnë ca ditë kurrizin edhe rërës së qelbur të brigjeve tona. Kaq mjafton, që borizanët, t’i konsiderojnë shqiptarët turistë në vendin e tyre.

 

Këta ministra utopikë më së miri dhe mashtrues më së keqi, sa nuk lëshojnë flatra lumturie, tek numërojnë statistika doganash për hyrje të shqiptarëve të Kosovës muajve të verës në Shqipëri. Pa pikën e ndrojes këtë kategori dhe ndonjë tufë pleqsh diku nga Evropa, e konsiderojnë turizëm elitar, paçka se shumica e të ardhurve kësisoj janë të “elitës” që hyn në det me brekushe, dhe rri në rërë me ferexhe. Patriotik ky turizëm ndoshta është. “Këto pesë pare, ma mirë në Shqipërinë nanë, se në xhepat e shkjaut”, është motivi i njohur turistik i vëllezërve kosovarë. Paçka se prej vëllezërve të këtushëm, thyhen në mes nga çmimet e kripura të ushqimit, ujit me autobot dhe energjisë me gjeneratorë. Dhe kur pyeten a do vijnë sërish vitin e ardhshëm, “ani bre, kismet gjer athere…”, - thonë në udhën e kthimit.

 

Këta soj ministrash utopikë më së miri, dhe mashtrues më së keqi, s’e kanë për gjë të fluturojnë nga portofoli publik treqind mijë euro për një spot më së shumti erotik, dhe pas kësaj të hedhin fall e të parashikojnë stërdyndjen e turistëve të huaj, aq sa ne vendasit, duhet të marrim malet, për të begenisur miqtë turistë. Dashtë zoti e nuk i beson njeri në botë atij spoti edhe ca vite akoma! Se gojët e liga, e fjala e këso gojësh, ka fuqi promovuese qindra herë më shumë se një spot, që shihet e nuk shihet. Se në ardhshin, ku do t’i çojmë e ç’iu mbete t’u tregojnë miqve të tyre, për mbresat nga Shqipëria? Saranda për dreq, ka afër Korfuzin… Gjirokastra nga të vetmet pjaca të larta mirëfilli turistike, rrezikon të shembet e të të zërë brenda. Berati, pesë më pak pesë më shumë, nuk dallon nga Gjirokastra. Po le që si, nga ç’rrugë, mbërrihet në Berat njëherë! Për turistët është fjala, se për ne, balta jonë, është ku e ku më e ëmbël se mjalti! Kruja, edhe ajo nga të paktat unikale shqiptare. Çështja është se “elitarët” e huaj e kanë lemeri smogun, e zor të rrezikojnë shëndetin për një vizitë në Krujën që te pret me batërdi tymrash, prej gomave që përdorin furrat e gëlqereve.

 

U ndala në këta qytete, ngaqë mendoj se shumë shqiptarë besojnë se janë të vetmet shkase, për të cilat një i huaj, mund të bëjë gati bagazhet për udhëtim në Shqipëri. Sa për rrënoja arkeologjike, pirgje dhe bedena që lanë pas hordhitë e huaja në mijëvjeçarë, përrenj në thellësi të Skraparit e të Alpeve etj., rëndomësira që bubullihen si vlera turistike, ato janë mbase të denja për alpinistë. Se turistët s’kanë punë me to. Pavarësisht kësaj, është e këshillueshme t’i referohemi ca modestisë kombëtare, e të mos krijojmë idenë se rreth nesh vërtitet bota e gjithë. Është mirë të mos harrojmë se bota ka edhe Mur të Madh, Piramida, Eyfel, Akropol, Kolose, Kremlin, xhungla, shkretëtira, oqeane, luanë, elefantë, anakonda e pafund çudira. Kurse ne, as edhe një shqiponjë për be, edhe pse quhemi vend i shqipeve.

 

Sa për brigjet tona dhe gjendjen në to, foli Presidenti, (rroftë që na shpëtoi nga dilema patriotike dhe autocensura që thamë), e zor të gjesh ndonjë gjë më interesante per të veçuar. Veç ndoshta dy-tre momenteve.

 

I pari, që e bën kallaj të shiturin prioritet si flori për turizmin deri në turizmomani, është inkuadrimi i këtij faktori strategjik, me tre sektorë të tjerë, kulturën, rininë dhe sportin. Në katër kuaj njëherësh, s’ka ngarë as Napoleoni, që thotë diku, se s’ka lënë gjë pa bërë mbi kalë, veç seksit. Me shalë të shqyera në katër kuaj njëherësh, zor të mendosh të bëhet ndonjë punë e hajrit për turizmin. Ca më tepër që z. Duka është akoma president i FSHF, e kërkon angazhim të jashtëzakonshëm ministror për t’u hequr. Abuzimi kapak mbi deficitet e mëdha të punës konkrete për turizmin, duke e shitur atë joshës thjesht nga që është “i virgjër” tek ne, tregon se predikatorët janë aq larg realitetit, sa nuk dinë se virgjëria nuk është më preferencë, as në konceptin real të saj.

 

Së dyti, mbështetja e suksesit në një spot aq të kushtueshëm disasekondësh, është dëshmi e një pune e tipit “tafti-bafti”, për të mos e menduar të pjesëtuar me dy.., treqindmijëshin në euro, hedhur për një gjojaspot. Sepse përballë ciklonit të vërtetë cilësor reklamues ku e ku më të lirë se spoti zyrtar, që dhjetëra agjenci turistike shqiptare u bëjnë vendeve fqinjë e deri vendeve ku piqet kulaçi në diell, gjojaspoti zyrtar është shëmbëlltyrë identike e vrimës në ujë dhe përpjekje e kotë për të zbukuruar asgjënë konkrete bërë në këto vite.

 

Së treti, dhe këtë me frikë në zemër e me autocensurë të forte, por do ta them. Ma ka lindur si pikëpyetje më se një herë, Ulqini. Siç dihet, zonë në shumicë shqiptare e lagur me det. Zoti më ndjeftë, por edhe pse territor në Mal të Zi, me traditë shumë të hershme turistike, në Ulqin kam parë thuajse aspak dallim nga gjendja fjala vjen në Pogradec, me që i afrohet më shumë. Miqtë e atjeshëm më janë justifikuar me mungesën e investimeve të qeverisë malazeze, me që është zonë shqipfolëse. Mua nuk më është dukur kështu, se për nga investimi, Ulqini nuk ka ndonjë ndryshim më përcaktues, krahasuar me atë të Budvës dhe të Kotorrit që shkëlqejnë. Shërbimi alla shqiptar nëpër kafene e restorante, papastërtitë deri edhe jashtëqitje cepave bri detit, etj., etj., të jenë punë investimesh thoni ju? Unë them jo për vete. Ta kemi ndonjë cen në formimin tonë dhe tendencën për integrim si të barabartë me të tjerët, ne shqiptarët vallë? Jo ishalla!

 

Pas manisë pesëdhjetëvjeçare “do shkojmë në komunizëm”, pas manisë “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa” në vitet ‘91, “do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicra” pak vite më vonë. Pas supermanisë tjetër të ditëve që jetojmë, “Shqipëria e moshës digitale, në NATO dhe Evropë”, turizmomania duket më e brishtë. Sidoqoftë, më sjell në mend kohën e manisë “Shqipëria si Zvicra”, kulmi i së cilës më gjeti në Vjenë, me një dërgatë sindikaliste, të ftuar nga Alfred Gusenbaur, sot kancelar i Austrisë.

 

- Shumë shpejt, Shqipëria do jetë një Zvicër e dytë, - bëri gafën e i tha mes të tjerash, zotit Gysembaur, drejtuesi i delegacionit tonë, tek po drekonim.

- Punë që bëhet, - tha kancelari i ardhshëm. - Vetëm se… më parë, duhen gjetur zviceranët…

 

 

Arben Bllaci

marre nga Gazeta Shqiptare

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00