FMN kundër qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Fondi dhe Banka e Shqipërisë kërkojnë nga qeveria politika të kujdesshme mbi shpenzimet buxhetore Fondi Monetar ul parashikimet e tij për rritjen ekonomike. "Ne shohim një shifër nga zero, deri në një për qind"
Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që rritja ekonomike në Shqipëri, për këtë vit, të jetë në intervalin nga zero deri në një për qind. Shefi i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, tha dje në një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave, Bode dhe guvernatorin e BSH-së, Fullani, se institucioni po shikon një shifër rritjeje mes zero dhe një përqindëshit. Por ai kërkoi që të mos jepte shifra mbi këtë argument, pasi ato mund të ndryshojnë.
Vetëm një muaj më parë, Fondi parashikonte që rritja ekonomike në vend, për vitin 2009-të, të ishte në masën 3.5%. Si FMN-ja ashtu edhe Banka e Shqipërisë, kërkuan nga qeveria të tregohej e kujdesshme me shpenzimet buxhetore.
Guvernatori Fullani tha se për këtë vit është i domosdoshëm rialokimi i këtyre shpenzimeve sipas rëndësisë, në mënyrë që deficiti buxhetor të jetë brenda objektivit dhe disa shpenzime joemergjente duhet të shtyhen në kohë.
Edhe njëherë, FMN-ja kërkoi nga qeveria të tregohej e kujdesshme me rritjen e pagave dhe pensioneve, rritje e cila parashikohet të kryhet në muajin maj. Sipas Bell-it, kjo rritje duhet të bëhet vetëm nëse është e domosdoshme dhe se buxheti duhet t'i përshtatet realitetit të ri. "Në aspektin makroekonomik, rritja e pagave dhe pensioneve ka ndikim në bilancin e pagesave",- deklaroi Bell.
Ai doli kundër planit të qeverisë për uljen në masën 5% të kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit, i cili hyn në fuqi në muajin maj. Shefi i misionit të FMN-së për vendin tonë, tha se nuk ka hapësirë për ulje të mëtejshme të barrës fiskale. "Të ardhurat e privatizimeve të shkojnë për financimin e deficitit buxhetor",- tha Bell.
Por, ministri i Financave, Ridvan Bode, paraqiti një situatë më optimiste të ekonomisë në vend. Ai tha se qeveria është e përgatitur për t'u përballur me ndikimet që mund të japë kriza botërore në Shqipëri.
Ai tha se, përveç 20 miliardë lekëve që është fondi i kontigjencës, qeveria ka në dispozicion edhe 260 milionë, euro të përfituara nga privatizimet dhe 250 milionë të tjera që do të merren si kredi tregtare, e cila disbursohet në muajin maj. Sipas ministrit të Financave, kontigjenca në masën 5% të PBB-së, për përballimin e efekteve të krizës, është e konsiderueshme.
Ai tha se përmes rritjes së pagave dhe pensioneve në muajin maj, qeveria synon të nxisë kërkesën, si dhe të japë një mbështetje me anë të ofertës, me uljen në masën 5 % të taksës së punës.
Ministri Bode tha se, për tremujorin e parë, të ardhurat tatimore kanë rezultuar me një diferencë prej 3 miliardë lekësh në sektorin doganor, dhe kjo për shkak të rënies së çmimeve në mallrat e importit. Fondi Monetar Ndërkombëtar tashmë ka vetëm mision konsulence në Shqipëri dhe jo më një marrëveshje me qeverinë shqiptare.
Gerwin Bell:
Është e domosdoshme që buxheti t'i përshtatet realitetit të ri. Rritja e pagave dhe pensioneve duhet të bëhet vetëm nëse është e domosdoshme dhe nuk ka hapësirë për ulje të mëtejshme të taksave. Të ardhurat nga privatizimet duhet të shkojnë për financimin e deficitit buxhetor.
Në aspektin makroekonomik, rritja e pagave dhe pensioneve ka ndikim në bilancin e pagesave. Shqipëria mund të shënojë rritje pozitive këtë vit dhe të ruajë një inflacion të ulët. Është e rëndësishme që Banka e Shqipërisë të monitorojë me kujdes sistemin bankar. Ky sistem është i mirëkapitalizuar dhe rentabël.
Ridvan Bode:
Qeveria mendon se përballë presioneve të krizës ndërkombëtare, të mbajë një qëndrim proaktiv. Jo vetëm të mbajë kontigjenca të larta, të cilat shkojnë deri në rreth 5% të PBB-së, por të mund të përdorë pjesë të këtyre kontigjencave, për të qenë aktivë në mbështetje të përpjekjeve, për të mos u prekur nga kriza.
Mendojmë se duhet të veprohet në dy drejtime: së pari, në nxitjen e kërkesës përmes politikës tashmë të deklaruar, të rritjes së pagave dhe pensioneve dhe, së dyti, përmes një mbështetjeje në anën e ofertës, uljes me rreth 5 % të kontributit shoqëror, që paguajnë kompanitë.
Ardian Fullani:
Në mënyrë që të realizohet objektivi për nivelin e deficitit buxhetor, është i domosdoshëm rialokimi i shpenzimeve publike sipas rëndësisë, në masën e nevojshme dhe përgjatë gjithë vitit financiar. Në terma praktikë, kjo do të thotë që aty ku është e mundur, të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur burimet e të ardhurave, për të gjetur burime alternative financimi, për të shtyrë në kohë shpenzimet jo urgjente, për të ripërcaktuar shpenzimet e planifikuara për këtë vit dhe që janë ende të pakontraktuara ose të pakryera.
Burimi Informativ: SHEKULLI























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!