Kriza, BSH: Konstatohet ngadalësim ekonomik
Shqipëria po përballet me ngadalësim ekonomik gjatë këtij viti. Konstatimi është bërë nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës analiza e një sërë treguesish ekonomikë dhe financiarë ka dëshmuar për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2009. Sipas BSH-së, kjo vjen në përgjigje të ndikimeve të krizës ekonomike botërore. Në raportin e saj të fundit, ky institucion ka vlerësuar se "Ulja e ritmeve të kredisë, ngadalësimi i zgjerimit monetar, zhvillimet në bilancin e pagesave gjatë muajve të parë të vitit 2009, ecuria e disa treguesve fiskalë dhe opinionet e biznesit e konsumatorëve, sugjerojnë se kërkesa e brendshme ka ardhur në rënie".
Ky zhvillim është reflektuar në reduktimin e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve dhe në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste.
Sipas raportit, informacioni më i fundit dhe analizat përkatëse sugjerojnë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend në tremujorin e parë, i shprehur ky në ngushtimin e aktivitetit kredidhënës për sektorin privat, në rënien e eksporteve, në ngadalësimin e ritmit të zgjerimit monetar dhe në mosrealizimin e planit të të ardhurave fiskale. "Rezultatet e vrojtimeve të besimit konfirmojnë rënien e ritmit të rritjes së ekonomisë në tremujorin e parë dhe të dytë 2009, duke sinjalizuar dobësimin e kërkesës së brendshme dhe asaj të jashtme"- thuhet në raport.
Gjithahstu, edhe tremujori i parë i vitit 2009 dëshmon për përkeqësim të pozicionit të jashtëm të vendit si pasojë e zgjerimit të deficitit korent, i cili ka rezultuar rreth 25 për qind më i lartë se një vit më parë. Rënia e kërkesës së brendshme dhe të jashtme ka sjellë rënien e importeve dhe të eksporteve, duke rezultuar me një ngushtim të lehtë të deficitit të bilancit tregtar. Eksportet dhe importet e mallrave shënuan rënie vjetore, respektivisht prej 14.7 për qind dhe 5.6 për qind.
Aktiviteti ekonomik botëror, sipas BSH-së, i matur nga rritja ekonomike, niveli i tregtisë globale dhe i lëvizjes së flukseve të kapitalit, ka vijuar të ngadalësohet më tej gjatë muajve prill-maj. Ndërkohë që në vendet e zhvilluara, vërehet një moderim i ritmeve të rënies, treguesit ekonomikë ende nuk flasin për një përfundim të shpejtë të recesionit ekonomik. Banka sqaron më tej se zgjatja dhe intensiteti i lartë i krizës kanë sjellë përkeqësimin e situatës ekonomike të vendeve në zhvillim, duke përfshirë edhe vendet e rajonit, ndërkohë që disa prej tyre kanë rënë në recesion. Çmimet e lëndëve të para dhe bazë mbeten më të ulëta se ato të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës u vendos që të mbahet e pandryshuar norma e interesit.
Burimi informativ / Shekulli























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!