Ministri Prifti çon “Albpetrol” drejt falimentimit për interesat e klanit të tij
Kompanisë i ulet vlera qëllimisht për përfitime mafioz
Kompania thesar “Albpetrol”, e vetmja kompani shtetërore e nxjerrjes së naftës po shkon drejt një falimentimi të qëllimshëm dhe kjo po ndodh në prag të privatizimit. Duket se qëllimet e ministrit Dritan Prifti janë të qarta për drejtuesit që janë në krye të kësaj ndërmarrje. Prifti kërkon të çojë këtë ndërmarrje drejt falimentimit në mënyrë që t’i ul vlerën dhe më pas t’ia lëshojë nëpërmjet privatizimit miqve të tij. Ka zëra që tashmë janë ndara pazaret se kujt do t’ia “fal” ministri këtë kompani, por fillimisht asaj duhet t’i ulet vlera e shitjes. Faktin e falimentimit të kësaj ndërmarrje e vënë në dukje edhe inxhinierët dhe specialistët e kësaj ndërmarrje. Të pyetur nga gazeta për gjendjen aktuale të kësaj kompanie mësojmë se në këto pesë vitet të fundit, për këtë kompani ka pasur një strategji të qartë, atë të mosinvestimit dhe nxjerrjen jashtë prodhimit të shumë puseve të naftës apo edhe të mbylljes të shumë sektorëve. Mosmenaxhimi si duhet i teknologjisë në shfrytëzimin e nxjerrjes së naftës, në shfrytëzimin e puseve me injeksion (tretës të ndryshëm, si solari) mungesa e tij dhe injektimi i tij në kohën e duhur ka bërë që shumë puse nxjerrës të naftës të ulin ndjeshëm prodhimin e tyre. Mos injektimi i solarit në shtresën e naftës bruto viskoze apo edhe vjedhja dhe shpërdorimi i tij ka bërë që nxjerrja e naftës bruto të ulet ndjeshëm në të gjithë sektorët e saj.
Ulja e prodhimit
Sipas shifrave të dhëna nga inxhinierë e specialist të kësaj kompanie mësohet se në vitin 2005 në ditë prodhohej 1100 tonë naftë në 24 orë në total, tashmë ky prodhim është disa herë më i ulët. Ata pohojnë se ndërmarrja e prodhimit të naftës Shqeishte nga 200 tonë në 24 orë në vitin 2005 ka arritur që të nxjerrë 110 tonë naftë në 24 orë, po kështu edhe prodhim Patosi nga 135 tonë naftë në 24 orë në vitin 2005 ka arritur që të prodhojë 35 tonë në 24 orë, Marinëza po shkon drejtë shkrirjes si ndërmarrje. Ndërkaq specialistët pranë “Albpetrol” kanë pohuar se puset që kanë pasur prodhimtari të lartë u janë dhënë firmave të huaja të nxjerrjes së naftës. Momentalisht ndërmarrja e nxjerrjes së naftë në Marinzë nxjerr 20 ton naftë në 24 orë ndërkohë që në vitin 2005 në 24 orë nxirreshin 280 tonë naftë bruto. Në këtë zonë, puset që kanë prodhimtari u janë dhënë firmave të huaja. Puset nuk janë dhënë në bazë të PPE-së (prodhimi para ekzistues) dhe në këtë drejtim nuk ka faj vetëm drejtoria e kompanisë “Albpetrol” por edhe Ministria dhe qeveria. Puset që momentalisht kanë prodhimtari nuk duhet që t’u jepen për shfrytëzim firmave të huaja që operojnë në këtë aspekt, pohojnë inxhinierët e specialistët e naftës. Të huajt që kanë një teknologji më moderne duhet që të marrin puset me prodhimtari të ulet e ti bëjnë ata rentabël, pra tu risin prodhimin, thanë ata. Ky është defekti kryesor në menaxhimin e vendburimeve të nxjerrjes së naftës së “Albpetrolit”. Kjo dukuri është vënë re jo vetëm në Marinëz por edhe në Sheqishte, Ballësh e së fundmi edhe në Visokë.
Mungesa e programit
Në kompaninë e naftës “Albpetrol” nuk ka një program zhvillimi financiar gjë që ka bërë që punonjësit të marrin pagat një herë në dy muaj. Punonjësit e Sheqishtes dhe Marinzës e morën pagën vetëm një javë më parë ndërkohë që punonjësit e ndërmarrjes së Prodhim Patosit ende se kanë marrë. “Isha për të marrë rrogën, se kemi dy muaj pa u paguar, ka pohuar për gazetën, një punëtor i cili ka 25 vjet që punon në këtë ndërmarrje. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë, i kam të pa punë, të pa punë kam edhe gruan. Nuk dimë çfarë të bëjmë. Po të ikim nga puna nuk dimë ku të shkojmë. Këta na paguajnë një herë në dy muaj, por ka pasur raste që pagat janë vonuar edhe mbi dy muaj. Të njëjtë gjë pohojnë edhe punonjës të tjerë, por edhe punonjës të administratës së kësaj ndërmarrje. Nga biseda me punonjës të sektorit të pestë në ndërmarrjen e prodhimit të naftës Patos mësojmë se shumë puse në këtë ndërmarrje i ka marrë një kompani e huaj. Ajo ka kushte më të mira pune si edhe pagesë por kërkojnë punonjës të kualifikuar dhe me arsimin përkatës. Krahasimi që punonëjsit i bëjnë ndërmarrjes private me “Albpetrolin” qëndron në faktin, se “Albpetrol” lë me qëllim puset të shkojnë drejt shkatërrimit dhe për defektin më të vogël, një pus do të rrijë me ditë të tëra pushim. Kjo sjell ndërprerje të prodhimit të naftës. Kjo periudhë qetësie për një pus nafte shkakton probleme dhe vështirësi në hollimin me injektues .Por kjo bënë që edhe ranorët të bllokojnë puset nga pauza e pusit për shkak të defektit.
Ndërmarrja shfrytëzohet për përfitime personale
Specialistët tregojnë me detaje mënyrën se si “Albpetrol” apo punonjësit e saj ndikojnë negativisht në këtë ndërmarrje, madje duke e shfrytëzuar atë edhe për përfitime private. Kompania e naftës “Albpetrol” ka dhënë në kompani të huaja që operojnë në këtë sektor në Marinzë puse të cilat kanë pasur prodhimtari të mirë në nxjerrje të naftës bruto. Marrja në dorëzim e atyre puseve bëhet pasi largohet kulla dhe pajisjet e tjera siç janë çipllaku dhe vulfi. Këto janë pjesë hekuri brum dhe kanë peshë shumë të madhe. Ato magazinohen ne ndërmarrje por kulla e cila është rreth 25 metra e gjatë lihet për tu marrë pjesë pjesë më vonë. Bashkëpunimi i drejtuesve të sektorëve apo ndërmarrjeve me persona të papërgjegjshëm ka bërë që kulla të pritet pjesë pjesë brenda një nate dhe të shitet për skrap ndërkohë që mëngjesin e ditës tjetër aty të mos ekzistojë më kullë pusi. Nuk janë vjedhur vetëm këto. Të shumtë kanë qenë rastet kur janë vjedhur tubacione të transportit të naftës bruto, të transportit të solarit. Një pus naftë që shërben për nxjerrjen e naftës bruto nga thellësia e nëntokës duhet të ketë dy dalje tubin dhe kezink në puset e naftës si në Marinzë, Sheqishte, pra në 80 % të puseve të kompanisë “Albpetrol” këto mungojnë. Këto janë disa çështje imediate dhe të domosdoshme për një pus nxjerrje nafte”, pohuan specialistët e naftës për gazetën. Në shumë raste grabitësit janë kapur edhe kanë qenë banorë të zonave naftënxjerrëse por edhe punonjës të sektorëve të ndryshëm të naftës por në më të shumtën e rasteve nuk janë dënuar. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur janë kapur edhe vjedhës të këtyre kullave dhe nuk dihet nëse janë dënuar apo jo, apo nëse e kanë shlyer dëmin që i kanë bërë ndërmarrjes apo jo.
“Albetrol” po shkatërrohet qëllimisht
Lënia e këtij thesari në gjendje të mjerueshme dhe shkatërrimin e mëtejshëm tregon qartë se kjo ndërmarrje po shkatërrohet qëllimisht në mënyrë që privatizimi të bëhet më i lehtë dhe t’i ulet çmimi i privatizimit. Nga deklarimet e specialistëve të naftës, të cilët kanë mbi 25 vjet në këtë profesion vihet re qartë se tashmë çdo gjë po shkon drejt falimentit, drejt pikës zero. “Nuk po i kushtohet rëndësi e veçantë shumë pikave kyçe”, pohuan ata për gazetën. “Ka disa kohë që po shfrytëzohen objekte pune të cilat janë jashtë kushteve teknike dhe rregullat e sigurimit teknik në punë. Pothuajse të gjithë puset që kanë kabinat elektrike janë me dhe pa dyer, me dhe pa kyçe gjë që mund të sjellë edhe vdekjen e ndonjë punonjësi apo banori të zonës. Puset janë të pa rrethuar. Edhe pse ky shqetësim është ngritur me dhjetëra e dhjetëra herë ata përsëri janë në atë gjendje. Kanë ndodhur aksidente në punë si dhe vdekje të banorëve të zonës dhe përsëri nuk është marrë asnjë lloj mase për zbatimin e rregulloreve. Mungesa e një trajtimi ashtu si duhet dhe parashikon rregullorja në punë ka bërë që jo vetëm banorë të zonës por edhe punonjës në sektorë të ndryshëm të kapen prej policisë duke vjedhur lëndë hollues për naftës bruto siç është solari. Vjedhja e tij (kjo lëndë holluese vjen një herë në javë) por edhe i kullave të puseve të nxjerrjes ka bërë që të ulet ndjeshme prodhimi i naftës bruto në ndërmarrje të kësaj kompanie. Ka pasur raste që kulla e pusit është vjedhur brenda një nate dhe është shitur për skrap”, pohojnë inxhinierët e naftës.
Fshehja e falimentimit të qëllimshëm, nuk rifreskohet faqja në internet
Falimentimi që po i bëhet kësaj kompanie kërkohet të fshihet nga drejtuesit e kësaj ndërmarrje por edhe nga drejtuesit në ministri, të cilët kanë shfaqur interesa të vazhdueshme për të kryer privatizimin e kësaj ndërmarrje. Për të fshehur falimentimin e qëllimshëm dhe që kompania e naftës “Albpetrol” ka rënie në prodhimtarinë e naftës bruto faktohet edhe nga të dhënat e kësaj kompanie që ka të afishuara në sitin e saj në internet kur pohon se prodhimi i naftës bruto në vitin 2008 ka qenë rreth 216 mijë tonë për pesë ndërmarrje që merren vetëm me nxjerrjen e naftës bruto. Pas këtij viti nuk ka asnjë të dhënë zyrtare edhe pse kanë kaluar mbi një vit gjë që të lë të aludohet se prodhimi i naftës bruto ka pësuar një rënie.
Fieri.com / Xhemil Beharaj























Komente (2 postuar):
Rusia ka krijuar klasen e bosave te naftes me 20 miljard dollare, nga industria e naftes dhe gazit, ndersa keta shkojne ne falimentim.
Kaq anishqiptare paskan qene? Mjere ne po nuk i rrezuam, do na pine gjakun keto shushunja.
Ju Pershendetesim nga Canadaja dhe SHBA!
Spirua, Mondi, Xhela dhe Iliri,
ish Inxhinjere ne Institutin Gjeologjik Fier.
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!