Studimi: Arsyet pse shqiptarët nuk i preferojnë prezervativët
Shumica e shqiptarëve të të gjitha moshave, kryesisht mbi 18 vjeç, nuk parapëlqejnë të përdorin prezervativin për t‘u mbrojtur nga viruset, por njëkohësisht edhe nga shtatzënitë e padëshirueshme.
Raporti i shëndetit riprodhues i Ministrisë së Shëndetësisë detajon me përqindje metodat që përdorin sot shqiptarët për t‘u mbrojtur nga shtatzënia, por njëkohësisht edhe për të qenë të mbrojtur ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si HIV/AIDS, hepatit, sifilis, gonorea. Konkretisht, sipas studimeve të popullatës, anketimeve, studimit të vizitave në qendrat e planifikimit familjar, por edhe në bazë të vëzhgimeve, specialistët e shëndetit publik, në bashkëpunim me disa organizata shëndetësore kanë mbledhur një rrjet të dhënash për sa i takon planifikimit familjar, metodave të përdorura për mbrojtje gjatë marrëdhënieve seksuale. Po ashtu, këta specialistë kanë bërë edhe sugjerime për sa u takon pikave që duhet të përmirësohen në kujdes të popullatës.
Nga të dhënat preliminare rreth studimit të kryer të grupeve të indikatorëve të shumëfishtë në vitin 2006, rezultoi se përdorimi i metodave moderne kontraceptive ka arritur në vlerat 22.3%, ku 10.8% e zë përdorimi i prezervativit. Për sa u përket metodave tradicionale, ato luhaten në vlerën 37.7%, ku tërheqja zë 28.1%.
Po kështu, edhe për vitet 2007-2008 ka një rritje të përdorimit të metodave kontraceptive me rreth 7% për çdo vit.
Studimi i fundit i shëndetit riprodhues tregoi se në Shqipëri kemi shkallë të lartë të përdorimit të metodave kontraceptive, por shkallë të ulët të përdorimit të metodave moderne, ku metoda tradicionale e tërheqjes mashkullore zë 67% të përdorimit dhe metodat moderne vetëm 8%. E njëjta situatë u paraqit edhe për burrat. 77% të burrave raportuan përdorimin e metodave kontraceptive, ku 3% e zinte metoda moderne.
Ecuria e përdorimit të kontraceptiveve në periudhën pas studimit të shëndetit riprodhues (2002-2007), mbështetur në të dhënat nga sistemi i informacionit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe studimet e projekteve që punojnë në fushën e shëndetit riprodhues tregon se ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës.
Studimi kombëtar i shëndetit riprodhues në Shqipëri më 2002-shin i realizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, me mbështetjen teknike dhe financiare të USAID, UNFPA, UNICEF bëri një analizë të plotë krahasuese të indikatorëve kryesorë të planifikimit familjar. Studimi ndihmoi në vlerësimin e gjendjes dhe nevojave të planifikimit familjar për vendin.
Ai tregoi se vendi ynë ndjek modelin e vendeve të Evropës Lindore/Qendrore, që paraqesin një prevelancë të lartë të përdorimit të kontraceptivëve ndër gratë e martuara. Raporti demografik dhe shëndetësor shqiptar që po zhvillohet do të japë në fund të vitit 2009 të dhëna më të sakta lidhur me përdorimin e metodave moderne për periudhën 2002-2008.
Planifikimi familjar
Sistemi i informimit për kontraceptivët
Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e shëndetit publik në rrethe sigurojnë informacionin e duhur për të monitoruar dhe përmirësuar shërbimet e planifikimit familjar, nëpërmjet sistemit kombëtar të informimit dhe menaxhimit logjistik LMIS.
Ky sistem, që është shtrirë në të gjitha rrethet e vendit që nga viti 2002, siguron menaxhimin, regjistrimin dhe shpërndarjen e mjeteve kontraceptive dhe koordinon aktivitetet në nivelin e qendrave të planifikimit familjar, drejtorive në rrethe dhe Ministrinë e Shëndetësisë. LMIS operohet nga Instituti i Shëndetit Publik që nga viti 2006. Indikatorët e gjeneruar nga ky sistem krijojnë mundësinë e krahasimit të veprimtarisë së rretheve të ndryshme dhe të komunave të çdo rrethi.
Premtimi
Në 2010-ën kontraceptivët do t‘i sigurojë shteti
Çdo vit, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë financon blerjen e kontraceptivëve, duke u rritur me 10 për qind të nevojave totale.
Shqipëria siguron kontraceptivët për sektorin publik me mbështetjen e UNFPA, ndërsa social marketingun me financim të KFW. Në vitin 2003, Ministria e Shëndetësisë aprovoi strategjinë kombëtare për sigurimin e kontraceptivëve. Kjo strategji ka dy objektiva kryesorë: Sigurimin e kontraceptivëve nëpërmjet furnizimit të garantuar afatgjatë me kontraceptivë cilësorë.
Arritjen e pavarësisë kontraceptive: përballimin nga vendi me burimet e veta financiare të nevojave për kontraceptivë pa qenë nevoja për dhurues të jashtëm për të blerë kontraceptivë apo për logjistikë dhe asistencë teknike të lidhur me blerjen
Në kuadrin e kësaj strategjie, Ministria e Shëndetësisë ka bërë rregullimet e nevojshme të politikave dhe buxhetit në mënyrë që të arrijë sigurimin e kontraceptivëve.
Duke filluar që nga viti 2005, shëndetësia ka nisur kontributin e saj financiar për blerjen e një pjese të nevojave vjetore në sektorin publik për kontraceptivë me fondet e buxhetit të shtetit dhe do të arrijë pavarësinë e plotë financiare në vitin 2010, ku të gjitha kontraceptivët e nevojshëm për shërbimet tona shëndetësore do të blihen me buxhetin e shtetit.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!