Fieri.com - Portali Fierak Online: Vera sjell një korrik përvëlues Vera sjell një korrik përvëlues ================================================================================ Sona on 11 June, 2009 01:29:00 Sinoptikanët: I nxehti nuk do të na shqitet për 4 muaj me radhë Vera e këtij viti do të jetë e nxehtë, me mot të kthjellët dhe me temperaturat më të larta të regjistruara këto vitet e fundit në Shqipëri. Sipas një rezymeje paraprake që kanë bërë sinoptikanët e institutit të parashikimeve "Meteoalb" rezulton se vera e këtij viti do të jetë e nxehtë në tre muajt zyrtarë të saj, madje edhe në nisje të vjeshtës. Në qershor, korrik, gusht dhe shtator do të kemi ditë të nxehta, ndërkohë që piku i temperaturave të larta është parashikuar të jetë në muajin korrik. Parashikimi i qershorit Mesdita e së mërkurës ka shënuar temperaturat më të larta që nga fillimi i këtij viti deri më 10 qershor 2009. Fundjava do të sjellë një rënie me 3 gradë të temperaturave, por java tjetër, sërish do të sjellë rritje të tyre. Pjesa e dytë e muajit qershor do të ketë temperatura të larta. Konkretisht, në zonat malore temperaturat maksimale do të ngjiten deri në 34 gradë, ndërsa në zonën e ulët parashikohet që deri në fund të qershorit të shënohet vlera maksimale prej 38 gradësh. Bregdeti shqiptar parashikohet të ketë po ashtu, temperatura të larta, kryesisht pjesa jugore e tij, ku do të shënohet edhe maksimumi prej 36 gradësh. "Po të krahasojmë muajin korrik dhe gusht, që është pjesa tradicionalisht më e nxehtë e stinës së verës, mund të themi se korriku do të përjetojë temperatura më të larta se muaji gusht. Gjatë muajit korrik do të shënohen edhe temperaturat më të larta të stinës së verës, ku zonat malore do të shënojnë vlera maksimale deri në 38 gradë, kundrejt 39 apo 40 gradëve në zonën e ulët", shkruan në raportin paraprak instituti i parashikimeve "Meteoalb". I nxehti afrikan Sipas kësaj përmbledhjeje, zonat jugperëndimore, të vendosura larg bregut të Jonit, por më në brendësi të territorit, parashikohet të arrijnë dhe vlerat më maksimale në rang vendi. Vlerat maksimale do të ngjiten deri në mbi 41 gradë Celsius. Këto vlera do të arrihen në episodet e të nxehtit afrikan dhe do të ndodhë në ditë të veçanta të muajit. Muaji gusht do të vijojë me temperatura relativisht të larta, por pa mundur të shënojnë vlera maksimale si ato të muajit korrik. Gushti do të ketë edhe episode me shira të intensiteteve të larta, të cilat do të zgjasin nga disa orë deri në 24 orë dhe në raste të veçanta deri në dy ditë. Me një vështrim të përgjithshëm mbi temperaturat e muajit shtator, parashikohet që të vijojnë të jenë relativisht të larta, shumë pranë vlerave të muajit qershor, ndërsa reshjet gjatë shtatorit do të jenë më tepër prezente në territor por, pa arritur normën mujore karakteristike për këtë periudhë. Sëmundjet e stinës dhe Drejtorja e Higjienës Të moshuarit dhe fëmijët janë ata që kanë problemet më të mëdha dhe që rrezikohen më shumë nga temperaturat e larta, virozat e stinës, problemet me shëndetin. Në kohën kur temperaturat maksimale janë 33 gradë Celsius, të moshuarit dhe fëmijët nuk duhet të dalin gjatë ditës, përveç se në mëngjes dhe në darkë. Ndërkohë që mosha e tretë duhet të zbatojë me rigorozitet rregullat e higjienës, prindërit nuk duhet t‘i veshin trashë fëmijët, duhet t‘i bëjnë banja të freskëta të paktën katër herë në ditë, t‘i ushqejnë ata me lëngje, vitamina dhe t‘i shëtisin në vende të freskëta dhe me gjelbërim. Sakaq, të moshuarit nuk duhet të konsumojnë pije alkoolike, pije me përmbajtje kafeine. Mosha e tretë duhet të shmangë daljen në pikun e diellit dhe punët e rënda. Shqetësimet shëndetësore nuk duhen anashkaluar. Secili duhet të paraqitet menjëherë te mjeku për çdo komplikacion të gjendjes shëndetësore dhe të mos kërkojë ndihmë te farmacisti më i afërt. Burimi Informativ: SHQIP