Greqia dështon me shelfin shqiptar

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Mediat kanë botuar së fundi disa shkrime lidhur me bisedimet gjatë muajit të fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë, për problemin e përcaktimit të kufirit detar. Këto negociata kanë ardhur pas një procesi të ngjashëm që është zhvilluar edhe me Italinë. Por nëse në rastin e fqinjit të përtej Adriatikut ka qenë e lehtë të përcaktohet kufiri detar (për shkak të detit të hapur që i ndan dy vendet), në rastin e Greqisë janë dashur disa takime për të përcaktuar se cili do të ishte parimi mbi të cilin do të llogaritej kufiri ujor mes dy shteteve.


Pala greke pretendonte se përllogaritja e vijës kufitare duhej bërë bazuar mbi vijën e zbaticës më të futur në det. Pra, mbi marrjen parasysh të linjës së bregdetit nëpër gjiret e shumta të Jonit, çka e bënte të vështirë kalkulimin e saktë të vijës kufitare. Pala shqiptare, bazuar në nenin 15 të Konventës për të Drejtën e Detit, përkrahu idenë e linjës ndarëse që shtrihet në mes të pikave më të afruara mes dy brigjeve. Bashkëngjitur këtij debati për kriteret e përllogaritjes, ka krijuar jo pak probleme edhe çeshtja e hartave. Sipas burimeve diplomatike, pala greke ka paraqitur disa harta të cilat e afronin tej mase kufirin grek, në dëm të atij shqiptar. Autoritetet shqiptare thanë se tashmë gjithçka është zgjidhur dhe se linja kufitare është ruajtur në parametrat egzistues.


Marrëveshja me një titull shumë të gjatë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, do të nëshkruhet mes dy qeverive në datën 27 prill, pas një serie të gjatë takimesh në Tiranë dhe Athinë, ku janë diskutuar jo pa probleme disa diferenca në formulime.


Neni dy i marrëveshjes ka qenë molla e vërtetë e sherrit me palën greke. Në këtë nen, sipas propozimit grek, përcaktohet se shteti bregdetar ka të drejtë e ushtrimit të sovranitetit jo vetëm në ujrat e tij territoriale, por edhe në ujrat ndërkombëtare. Kjo ka sjellë kundërshtimin e palës shqiptare, e cila kaNë ndryshim nga shtetet e tjera, që aplikojnë parimin e detit territorial me gjërësi 12 milje, Republika e Greqisë ka shtrirje të detit territorial prej 6 milje detare. Kohët e fundit, Greqia ka shprehur pretendimin për shtrirjen e detit territorial në 12 milje detare, por kjo ka gjetur kundërshtimin e fortë të Turqisë dhe mosmiratimin e SHBA. Aktualisht mes Athinës dhe Ankarasë ka një debat në vijim e sipër, pikërisht lidhur me këtë çeshtje, e cila prek vijën ndarëse në detin Egje, ku ndodhen mijëra ishuj.


Në vijim të kësaj, është formuluar parimi, i sanksionuar edhe në Marrëveshje, se shteti bregdetar ushtron mbi detin territorial dhe shelfin kontinental të drejta sovrane me qëllim shfrytëzimin dhe eksplorimin e burimeve të tij natyrore. Me përcaktimin e kufirit detar, të parashikuar edhe në titullin e marrëveshjes, secila palë do të respektojë hapësirat e saj juridiksionale të lejuara nga e drejta ndërkombëtare dhe të përcaktuara në marrëveshje. Statusi ligjor i ujërave dhe i hapësirave ajrore mbi shelfin kontinental rregullohet nga Konventa.
Marrëveshja rregullon edhe regjimin që do të zbatohet ndaj depozitave të burimeve natyrore (biologjike) dhe jo-natyrore (minerale) të cilat janë shfrytëzuar si dhe instalimeve për shfrytëzimin e tyre, të cilat janë pozicionuar në vijën ndarëse.
Një tjetër çeshtje e diskutuar mes palëve ka qenë ajo e shfrytëzimit të burimeve dhe instalimeve egzistuese. Lidhur me instalimet tashmë të ndërtuara palët ranë dakord që pas konsultimeve paraprake me mbajtësit e licencave do të përcaktohen metodat për shfrytëzimin e pasurive të sipërpërmendura në mënyrë të tillë që të sjellin sa me shumë përfitime, sidomos kur këto instalime janë pozicionuar në njërën anë të vijës. Ndërsa për pasuritë e shfrytëzuara, pas konsultimeve me mbajtësit e licencave të sipërpërmendura, do të arrihet në një marrëveshje për kompensimin financiar në përputhje me vijën ndarëse të përcaktuar në nenin 1 të kësaj Marrëveshje. Sa i përket lejeve të shfrytëzimit të dhëna para nënshkrimit marrëveshjes nga autoritet e njërës prej palëve, do të jenë të vlefshme vetëm brenda zonës detare të shtetit përkatës. Gjatë zbatimit të metodave për shfrytëzimin e pasurive të sipërpërmendura palët do të kujdesen të mos sjellin efekte negative anësore për ekologjinë dhe mjedisin.


Përtej perceptimeve fillestare, të nxitura nga ecuria e bisedimeve, mund të thuhet se Shqipëria ka dalë pozitivisht nga ky proces i vështirë bisedimesh jo vetëm të një karakteri delikat politik, por edhe të një natyre teknike mjaft të komplikuar. Të gjitha dispozitat e parashikuara në Marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, si dhe janë konform të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare në çështjet e delimitimit, duke përcaktuar se të drejtat që gëzon shteti bregdetar mbi ujrat territoriale dhe shelfin kontinental, parashikohen në dispozita të veçanta të Konventës. Kjo konventë është këtej e tutje baza mbi të cilën do të operojnë dy vendet tona në zbatimin e Marrëveshjes.



“E vërteta e ndarjes së ujërave me Greqinë”

Flet Besnik Bakiu, ekspert në çështjet e sigurisë dhe ish drejtues i policisë kufitare, për një periudhë të gjatë kohore. Si është historia e caktimit të kufirit dhe si u caktua vija në Kanalin e Korfuzit. ”A po i dhuron shteti shqiptar Greqisë pjesë të ujërave territoriale shqiptare?!”- përgjigjet i intervistuari


Duket shumë burokratike, por është shumë interesante teknika e ndarjes së kufirit. Duke hequr elementin e dhimbshëm në historinë tonë sesi është vepruar me kufijtë tanë në të shkuarën, sot operohet në bazë Konventash dhe me nënshkrime marrëveshjesh të përbashkëta. Një gjë të tillë, mundohet të na rrëfejë ushtaraku i njohur.

Jeni në dijeni të siglimit të marrëveshjes për delimitimin e hapësirës detare dhe shelfit kontinental me Greqinë?
”Po, jam në dijeni nga njoftimi zyrtar i publikuar në faqen elektronike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për këtë marrëveshje, i cili është një njoftim më shumë se sa i shkurtër dhe i mbushur me gabime ortografike. Në mos gaboj mban datën 19.3.2009, dhe konfirmon siglimin e kësaj marrëveshje, e cila do të nënshkruhet së shpejti. Në të, për marrëveshjen thuhet se : është me rëndësi të veçantë për të dy vendet, e bazuar në parimin e të drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht në Konventën e OKB për detin”


Personalisht më shqetëson mungesa e transparencës në përgatitjen dhe siglimin e kësaj marrëveshje. Duhet të jemi realist për ndjeshmërinë që kanë të tilla marrëveshje në shoqërinë shqiptare, e cila megjithëse reagon me vonesë (si kofini pas të vjelit), vazhdon të mbetet e interesuar në raportet nacionale”.

Zoti Bakiu, ju për një kohë relativisht të gjatë keni qenë një nga drejtuesit e policisë kufitare. A keni pasur informacion mbi kërkesat e palës greke lidhur nënshkrimin e një marrëveshje të tillë?
”Unë kam qenë pjesëmarrës (direkt dhe indirekt) në takimet zyrtare shqiptaro-greke për problemet e menaxhimit të integruar të kufirit, për një periudhë gati 8 vjeçare (deri në vitin 2006) dhe në asnjë rast nga përfaqësues të palës greke, nuk është ngritur një shqetësim apo pretendim i tillë. Madje ka qenë pala e jonë që ka ngritur shqetësime për nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunimin ndërkufitar në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit”.

Mund të na jepni një tablo të shkurtër të historikut të caktimit të kufijve?
”Pa dashur të marrë rolin e rapsodit folklorist-nacionalist, mendoj se duhet të rikujtojmë ngjarjet e fund shekullit të XIX dhe fillim shekullit të XX, të cilat pas Protokollit të Firences të vitit 1913, sollën në këta kufij që sot ekzistojnë.
Çështja e kufijve të shtetit shqiptar është jo pak e koklavitur. Fillon me Konferencën e Londrës, formalizohet me Protokollin e Firences të vitit 1913, vazhdon me Konferencën e Ambasadorëve në Paris më 9 nëntor 1921, e cila vendosi që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences dhe përfundon me nënshkrimin e Protokollit të Firences në vitin në 26 korrik 1926.
Përfundimisht në 30 korrik 1926 u nënshkrua akti final i caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe shteti shqiptar morri në dorëzim kufirin shtetëror të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 17 dhjetor 1913. Ky akt i nënshkruar prej përfaqësuesve të Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Japonisë dhe përfaqësuesve te palëve të interesuara drejtpërdrejtë Shqipërisë, Jugosllavisë dhe Greqisë, është i regjistruar edhe në Lidhjen e Kombeve, gjë që institucionalizoj kufijtë shtetëror që kemi sot.
Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër te Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mërira, dhunë dhe lot deri në shekullin e XXI.
Në atë kohë populli shqiptar akuzoi: “ Shqipërinë e vogëluat, e bëtë siç deshët vetë”.
Për caktimin e këtyre kufijve konkretisht në vend u formuan dy komisione me përfaqësuesit e katër fuqive nënshkruese. Vendosja e shenjave kufitare kishte jo pak gabime, pasi gjatë caktimit në terren të vijës së kufirit nga komisionet ndërkombëtare të caktimit të kufijve (për vetë vështirësitë që ju krijuan nga shtetet fqinjë), mbetën gabimisht jashtë territorit të shtetit shqiptar rreth 260 hektarë sipërfaqe tokësore e ujore.
Shqiptarët të drobitur nga luftërat dhe të tradhtuar nga diplomacia evropiane, vendosën t’i zgjidhin vetë problemet, duke vënë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha. Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjës etj, sollën pranimin e Shqipërisë më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve.
Merita e madhe i takon edhe Presidentit Willson, që siç thotë Noli “… jo vetëm nuk vuri firmën, por u përgjigj dhe me dy nota, që janë dy nga xhevahiret më të ndritshme te karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë që gëzojmë sot”.
Pas 30 korrikut 1926 kufiri shtetëror është po ai që ekziston sot“.

Si u caktua vija e kufirit në kanalin e Korfuzit?
„Sipas akteve ndërkombëtare të sipërcituara, kufiri në kanalin e Korfuzit nis: “nga Kepi i Stillos, vazhdon në mes të kanalit të Korfuzit, duke ia lënë Shqipërisë, ishullin e vogël Togo, pastaj vijon në drejtim të veriperëndimit, duke kaluar në ujërat e brendshme, deri në ujërat territoriale të Shqipërisë“.


Gjatë sistemit komunist caktimi i vijës së kufirit në det është bërë me dekrete të veçanta të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Deri në vitin 1961 gjerësia e ujërave territoriale të shtetit shqiptar ka qenë 10 milje, me dekretin e shtatorit të këtij viti u rrit në 12 milje gjë që vazhdoj edhe me dekretin e marsit 1970. Në vitin 1976 kjo gjerësi u rrit në 15 milje.


Në vitin 2001 me ligjin nr. 8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë“: “Ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë shtrihen gjatë gjithë bregut të saj, në një gjerësi prej 12 miljesh detare, duke filluar nga vija e drejtë bazë që shkon nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i Ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës, dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Gjerësia e ujërave territoriale nga derdhja e Bunës në det deri te Kepi i Rodonit shtrihet deri në vijën e kufirit shqiptaro-jugosllav (Mali i Zi)“.


Ky përkufizim, përforcohet edhe në ligjin nr. 8875, datë 4.4.2002 “Për Rojën Bregdetare Shqiptare“, ku me termin “Deti territorial“, kuptohet: “brezi ujor që përfshihet midis vijës bazë dhe vijës së hequr paralel me të nga ana e detit, në distancën 12 milje vijë detare“.


Pra në të gjitha këto akte ndërkombëtare e shqiptare të kohëve të ndryshme, kufiri me Greqinë në kanalin e Korfuzit ndahet në mes të këtij kanali“.

Si e vlerësoni nënshkrimin e kësaj marrëveshje?
”Para se të flasim për këtë marrëveshje të sigluar është e nevojshme për lexuesin të shpjegojmë kuptimin e tre koncepte që lidhen me vijën e kufirit:
”delimitacion”, është caktimi në vija të përgjithshme, pa hyrë në hollësira i vijës së kufirit (këtë veprim bëri me vendin tonë Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912-1913);
”demarkacion”, është caktimi i vijës kufirit me hollësi, duke përdorur shenja të posaçme kufitare (këtë veprim e benë Komisionet ndërkombëtare të caktimit të kufijve);
”ridemarkacion”, është verifikimi i vijës së kufirit, që është përcaktuar më përpara dhe përfshinë rindërtimin ose zëvendësimin e shenjave kufitare (ky veprim është kryer gjatë periudhës 2002-2005 në kufirin shqiptaro-grek, për të cilin u ngritën dhe funksionuan komisione të përbashkët Shqiptaro-Greke për mirëmbajtjen e piramidave kufitare).


Tani të vijmë te kjo marrëveshje. Duke u nisur apriori vetëm nga titulli i kësaj marrëveshje (e vetmja e dhënë që kemi për të), jam kategorikisht kundër, pasi:
Së pari, Shqipëria nuk është në fazën e delimitacionit të kufijve të saj. Siç kuptohet qartazi edhe nga këto përkufizime, ”delimitacion” është një proces nëpër të cilin kalojnë shtetet e krijuara rishtazi (rasti i Kosovës) dhe nuk ka të bëjë fare me shtetet e konsoliduara, të cilat e kanë kaluar shekuj përpara këtë proces (rasti i kufirit shqiptaro-grek)!???
Së dyti, momenti i zgjedhur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje është i dyshimtë.
Së treti, ky proces nuk është i nevojshëm dhe i përcaktuar as në legjislacionin shqiptar e as atë ndërkombëtar.


Meqenëse për të parën folëm më sipër, po përpiqem të argumentoj juridikisht pikën e tretë. Legjislacioni shqiptar nuk e parashikon fare “delimitacionin” dhe nuk ka asnjë institucion shtetëror të ketë të drejtën të nënshkruaj marrëveshje për të bërë ”delimitacion” e hapësirës detare.


Sipas ligjit Nr. 9861, datë 24.1.2008 ”Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, Kreu III, neni 9 (”Përcaktimi, shënjimi dhe rregullimi i vijës së kufirit”): “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë ...kryen punë, që kanë të bëjnë me saktësimin e vijës së kufirit, si dhe bën përgatitjet e duhura për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për kufirin”; kurse: ”Policia Kufitare dhe e Migracionit, në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, kryen matje, shënjime, rinovime dhe mirëmbajtje të shenjave kufitare, të përcaktuara në kufi, si dhe përgatit dokumentet për kufirin.”


Legjislacioni ndërkombëtar, më konkretisht Konventës e OKB-së të vitit 1982 ”Mbi të drejtën e detit”, ku shteti shqiptar ka aderuar me ligjin Nr. 9055, datë 24.4.2003, ka përcaktuar shumë saktë (në nenin 3) gjerësinë e ujërave territoriale: ” Çdo shtet ka të drejtën e vendosjes së një gjerësie mbi ujërat territoriale deri në kufirin që nuk kalon 12 milje detare, të matur nga vija bazë...” dhe mënyrën e kufizimit të detit territorial ndërmjet shteteve që janë ballë për ballë ose fqinjë (në nenin 15): ”Kur brigjet e dy shteteve janë ballë për ballë ose në afërsi me njëri-tjetrin asnjë nga dy shtetet nuk do të ketë të drejtën, përveç kur është bërë një marrëveshje ndërmjet tyre, për të zgjeruar detin territorial përtej vijave të mesme pikat e së cilës janë të baraz-larguara nga pikat më të afërta të vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të dy shteteve. Parashikimi i mësipërm nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme në rastet e ndonjë titulli historik ose rrethana të tjera të veçanta për kufizimin e detit territorial ndërmjet të dy shteteve sipas mënyrave të mësipërme.”


I vetmi detyrim (sipas nenit 83 të kësaj konvente) për të nënshkruar këtë marrëveshje, është ”kufizimi i shelfit kontinental ndërmjet shteteve me bregdet ballë për ballë ose shteteve fqinjë”.

 

 

Burimi Informativ: REVISTA MAPO

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (3 postuar)

avatar
anest toska 22 April, 2009 10:43:22
Greqia se ka problem te thote se edhe Shkodra eshte e imja. Keshtu ka bere Greqia gjithmone prandaj nuk duhet te habitemi.
avatar
aqif kopertoni 25 April, 2009 01:13:45
sai ram berisha është tradhëtari më i madh i kombit shqiptar. Shqiptar dilni në rrugë dhe mos e lejoni presidentin e greqisë dhe kokëministrin e shqipërisë të shkruajnë aktin e turpshëm të shitjes-blerjes së tokave dhe ujrave të shtetit shqiptar dhe tuajat o shqiptarë
avatar
NESHET DUDUSHI 19 October, 2009 03:57:59
Te them te drejten, a ka mundesi qe dikush te me tregoj me saktesi qe ku kane qene dikur kufinjte ujore me Greqine, dhe ku pretendon Greqia se duhet te vendosen, mundesishte me harte,
total: 3 | displaying: 1 - 3

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
2.00