Lamtumira e Leka Zogu I, i biri: Do ndjek rrugën e Mbretit

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Përcillet për në banesën e fundit pretendenti i fronit mbretëror

Qindra e mijëra qytetarë përcollën për në banesën e fundit, pretendentin e fronit mbretëror, Leka Zogu I. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit kishin mbërritur shumë qytetarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë, si dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Aftifete Jahjaga. Homazhet u zhvilluan në godinën ku mbahen seancat plenare për më se dy orë. Në këtë ceremoni nuk munguan as ambasadorët e SHBA-së, OSBE-së, Britanisë së Madhem, Polonisë. Të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të monarkive të tjera në botë, si dhe figura të artit dhe të kulturës shqiptare.

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi vendosi një kurorë me lule dhe u përul në shenjë nderimi para trupit të pajetë të Leka Zogut I, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta djalit të tij, Princ Lekës, si dhe familjarëve e të afërmve të të ndjerit. Kryeministri Sali Berisha, me bashkëshorten e tij, si dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli bënë homazhe në trupin e të ndjerit. Në këto homazhe ishin dhe zv.kryeministri Edmond Haxhinasto, ministrat Arben Imami, Genc Pollo, Aldo Bumçi, si dhe krerët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe Ilir Meta i LSI-së. Të pranishëm ishin dhe deputetë të mazhorancës. Në këtë ceremoni mortore ra në sy mungesa e zyrtarëve të Partisë Socialiste. Ish-kryeministri Pandeli Majko dhe Erjon Velia ishin të vetmit socialistë të pranishëm në këtë ceremoni. Prezentë ishin dhe përfaqësues të katër komuniteteve të besimeve fetare. Në sy ra mungesa e kreu të Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastas Janullatos. Në emër të këtij komuniteti fetar, foli At Nikolla Marku.

Pas lutjes së bërë nga katër përfaqësuesit e lartë të komuniteteve fetare, Mysliman, Katolik, Ortodoks dhe Bektashinj, fjalën e lamtumirës e ka mbajtur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. “Familja Mbretërore nuk pranoi dhe nuk u bë kurrë vasale e ndonjë Perandorie tjetër, ashtu sikundër shumë familje mbretërore bashkëkohëse u bënë. As Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu, nuk negociuan kurrë, pas prillit të vitit 1939 Kurorën Mbretërore, duke e konsideruar atë një kurorë të shqiptarëve, të kombit shqiptar. Kjo është një barrë e madhe dhe historike, të cilën Leka Zogu, me trupin e të cilit ne ndahemi sot, e kreu me nder”, u shpreh Basha. Më tej ai shtoi se “vijmë këtu sot, për t’u ndarë përgjithmonë me një princ shqiptar, Leka Zogu.

Një princ i cili lindi dy ditë përpara se sa avionët e një fuqie të madhe fashiste, të nxinin qiellin e shqiptarëve dhe të ndërprisnin brutalisht një dinasti mbretërore arbërore, që kish emblemë, shpatë dhe shqyt, kryeprincin e shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun”. “Leka Zogu mbarti kësisoj në jetën e tij një amanet të madh kombëtar, të mbronte dhe të ishte i denjë për emblemën e Kastriotëve dhe të nderonte e të luftonte për kujtimin dhe veprën e atit të tij, Ahmet Zogut, mbret i shqiptarëve.

Mbreti Zog është tashmë një figurë historike e gdhendur thellë në aktet e dhe politikën shtetformuese të Shqipërisë. Asokohe Shqipëria ishte dhe shumëkush nga jo miqtë e Shqipërisë, do të donte të ishte një vend i përçarë dhe pa Zot. Një vend pa ligje dhe pa shtet. Një tokë e përçarjes, vëllavrasjes dhe anarkisë permanente. Përgjatë një jete të tërë emigracioni të detyruar nga diktatura komuniste, atë e bir, ngado në botë, mbartnin me vete një copë të Shqipërisë, një flamur, një ide kombëtare dhe një emblemë të legjendës së Kastriotëve”, theksoi Basha. Sipas tij, “përkushtimi i Leka Zogut, për demokracinë në Shqipëri, për rezistencën kundër diktaturës shfytyruese që shqiptarët përjetonin, nuk ndahej asnjë çast, nga vëmendja e jashtëzakonshme për fatin e Kosovës. Kosova e shtypur dhe e masakruar, Kosova e martirizuar që përjetonte dhunë dhe shfarosje, ishte një fushëbetejë që princi Leka, e ka zhvilluar me patos atdhetar të veçantë”.

Kryebashkiaku e mbylli fjalën e tij me “Ndaj jemi mbledhur sot këtu. Jo për të vajtuar, ndonëse zemrat i kemi plot pezm, jo të ligështuar ndonëse ndarja e tij e parakohshme na ka helmuar thellë. Por për të nderuar plot mirënjohje historike dhe krenari kombëtare veprën e Leka Zogut, bir i Ahmet Zogut, mbret i shqiptarëve. U prehtë i qetë në tokën arbërore. I paharruar qoftë kujtimi i tij”. Pas kësaj të pranishmit janë nisur drejt varrezës së Sharrës, ku trupi i Leka Zogut I ishte mbuluar me flamurin kombëtar. Në nder të tij pati dhe të shtëna armësh. Gjatë fjalimit në ceremoninë e varrimit, i biri i pretendentit të fronit mbretëror, Leka Zogu i Dytë u betua se do të ndjekë rrugën e të atit. “Betohem se do të ndjek rrugën e Mbretit Leka dhe do jem në shërbim të kombit dhe atdheut”, u shpreh Leka Zogu II. Ndërsa kushëriri i parë, Skënder Zogu, u shpreh se “motoja e tij ishte “Atdheu mbi të gjithë”, ashtu siç e kishte edhe Mbreti Ahmet Zogu. Ai theksoi se ai luftoi për Kosovën, Çamërinë”. Ndërsa kori i kishës së ardhur nga Kosova shoqëroi ceremoninë mortore me muzikë funebre. Leka Zogu I, i ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, u varros pranë varrit të Nënës Mbretëreshë, Geraldinë dhe bashkëshortes Suzanë. Për nder të tij shteti shqiptar shpalli 3 dhjetorin si ditë zie.

 

Burimi Informativ: Shqip

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00