SHBA-Evropë, lufta ndryshe kundër krizës

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Ndërsa kriza ekonomike po merr gjithnjë e më për keq, vendet e industrializuara janë në mëdyshje për përzgjedhjen e mënyrave për ta zgjidhur situatën. Obama u ka kërkuar evropianëve që të përdorin paketat stimuluese ekonomike, por Merkel dhe vende të tjera të Evropës, ngulmojnë që kjo nuk është rruga më e mirë për të vepruar. Aspekti më i rëndësishëm i një takimi politik, shpesh është fotoja përfundimtare.

Palët shtrëngojnë duart me njëra-tjetrën dhe u falin kamerave buzëqeshjet standarde, duke tentuar kështu t‘i përcjellin publikut idenë se mes tyre ka mirëkuptim dhe gjithçka është në rregull. I parë nga kjo perspektivë, takimi i parë i Presidentit amerikan, Barak Obama me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, verën e kaluar ishte një katastrofë e moderuar. Para tërheqjes në bisedimet kokë më kokë, dy politikanët pozuan pranë derës së zyrës së Kancelares. Obama preku shumë lehtësisht krahun e Merkelit, ndërsa ajo në dukje u shfaq e buzëqeshur.

Më pas zonja i shtriu dorën Obamës, ndërkohë që ky e kishte vështrimin tjetërkund. E ndërsa kandidati i atëhershëm për në Shtëpinë e Bardhë e kuptoi se duhet të kryente ritin e duartakimit, Merkel i kishte kthyer shpinën e po bënte drejt zyrës së saj. Siç e vuri re edhe një vëzhgues mes tyre ndihej një lloj tendosjeje, ankthi. Ai që nisi si një takim i ngurtë mes të dyve ka marrë, tashmë një përmasë të re. Kontradikta e radhës mes Presidentit të ri dhe Kancelares gjermane mund të ketë të bëjë me atë që konsiderohet si çështja më e rëndësishme sot për sot në politikën globale: Si duhet ta luftojë komuniteti ndërkombëtar krizën më të rëndë ekonomike që pas Luftës së Dytë Botërore? Për Obamën, përgjigjja është e qartë: Evropianët, veçanërisht gjermanët duhet të bëjnë shumë më tepër për sa i përket stimulimit të rritjes ekonomike, përmes krijimit të paketave stimuluese shumëmiliardëshe. Merkel, nga ana e saj dhe jo vetëm ajo në Evropë, është një nga kundërshtaret më të zjarrta të kësaj ideje. Së fundi, ajo refuzoi kërkesën për një paketë stimuli që iu propozua gjatë takimit që pati me Kryeministrin britanik, Braun në Londër. "Asgjë nuk ka ndodhur në terren. Nëse vërtet duam që të shohim ndonjë efekt nga paketa të tilla duhet që së pari t‘i vëmë në zbatim".

Kancelarja gjermane po kërkon që idetë e saj t‘i mbështesë edhe Bashkimi Evropian. Në një konferencë të fundit për shtyp, Presidenti francez, Sarkozi u shpreh dakord me gjermanen, duke e mbështetur në idenë se thelbësore për zgjidhjet e krizës nuk është të shpenzosh sa më shuam para, por futja në punë sa më parë e një rregulloreje të re për sistemin financiar. Në vijim të marrëdhënieve të tensionuara gjermano-amerikane, konflikti kërcënon që të shtrihet edhe gjatë takimit të G-20-ës në Londër që do të nisë më 2 prill. Deri më tani, çështja që kryesonte axhendën e mundshme të takimit ishte ajo e mbikëqyrjes së tregut ndërkombëtar financiar, por siç bëhet e ditur, amerikanët janë vetëm pjesërisht të interesuar për një çështje të tillë, ndërkohë që përqendrimi i tyre ka të bëjë me ndërmarrjen e një iniciative globale për të stimuluar kërkesën e tregut përmes programeve të posaçme qeveritare. Për të vendosur këtë çështje në krye të axhendës, sipas gjermanëve, amerikanët po bëjnë një presion të madh.

Për shumë ekonomistë, konflikti aktual amerikano-evropian, ose më mirë amerikano- gjerman sjell në skenë kujtime të pakëndshme. Gjatë krizës ekonomike botërore të viteve ‘30, vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën sërish një mosmarrëveshje të gjatë dhe të ashpër në lidhje me krijimin dhe zbatimin e një strategjie të përbashkët. Pasojë e kësaj mosmarrëveshjeje ishte fillimi i një lufte tregtare të përbotshme, që përshpejtoi edhe më zhytjen e botës në depresion. Në takimin tyre të parë të madh për krizën në Uashington, nëntorin e kaluar, vendet më të industrializuara të botës e bënë të qartë që një situatë e tillë, si ajo e dhjetëra viteve më parë nuk duhej lejuar të përsëritej në kushtet e krijuara. Por aktualisht mosmarrëveshja mbi termat e zgjidhjes së krizës mes Evropës kontinentale dhe Shteteve të Bashkuara po bëhet gjithnjë e më e madhe. Ndërkohë, kriza po rritet nga muaji në muaj. Për herë të parë që nga Lufta II Botërore, prodhimi i ekonomisë botërore do të bjerë ndjeshëm këtë vit, sipas parashikimit të FMN-së, që do të publikohet në prill. Përfaqësuesit e FMN-së kanë paraqitur një përmbledhje të parashikimit në takimin e fundit të ministrave të Financës së G20 të mbajtur para disa ditësh dhe sipas tyre rritja ekonomike botërore do të jetë e masës 0.5%.

Tashmë një gjë është e qartë që situata në të dyja anët e Atlantikut sa vjen e po përkeqësohet. Ekspertët ekonomikë raportojnë se eksportet, urdhrat dhe prodhimi industrial në Gjermani janë në rënie të lirë. Instituti Kiel për Ekonominë Botërore parashikon që ekonomia do të tkurret me 3.7% këtë vit, ndërsa papunësia do të ritet në mënyrë drastike. "Po zhytemi çdo ditë e më tepër në thellësi të reja të krizës", bëri të ditur Gustav Adolf Horn, kryetari i Institutit të Politikave Makroekonomike me qendër në Dysendorf. Përmirësim vetëm pas vitit 2010 Ekspertë të ndryshëm nuk janë në një mendje me parashikimet e qeverisë gjermane dhe parashikojnë një tendencë pozitive vetëm në fund të vitit 2010. Situata nuk është më e mirë në Shtetet e Bashkuara, ku recesioni e ka çuar papunësinë, muajt e fundit në kufijtë e situatës katastrofike. Parashikimi për këtë vit po errësohet nga muaji në muaj, ndërsa korporatat e mëdha po lajmërojnë vazhdimisht shkurtime të vendeve të punës. Obama ndodhet nën një presion të madh për arritjen e suksesit në frontin e politikës ekonomike. Duke pasur parasysh situatën aktuale nuk është befasuese që këshilltarët e tij po i përmendin një këshillë të vjetër të mençurisë ekonomike: "Programi më i mirë stimulues është ai për të cilin paguan fqinji yt. Shefi amerikan i thesarit, Timothy Geinther, një javë më parë deklaroi gjatë një konference për shtyp se "kriza globale ka nevojë për një kundërpërgjigje globale".

Me pak fjalë ai kërkonte të thoshte se vendet evropiane, në veçanti, duhet të hedhin më shumë para, shumë më tepër nga sa kanë bërë deri më tani, në ekonominë botërore. "Ekonomia jonë ka nevojë për një rigjallërim të rritjes globale", deklaroi Geinther. Presidenti Obama nga ana e tij tha: "E të njëjtës rëndësi me atë të masave drastike që Amerika ka marrë deri më tani, është edhe veprimi i vendeve të tjera, pra lëvizja e tyre në të njëjtin drejtim, sepse ekonomia botërore është një e vetme". Javët e fundit Shtëpia e Bardhë ka lëshuar vazhdimisht sinjale që lënë pak për të dyshuar në lidhje me hapat që do të ndërmarrë administrata e re. Lery Sumers, shefi i këshilltarëve ekonomikë të Presidentit Obama , në një intervistë të dhënë javën e kaluar, që duket se ishte e adresuar ndaj partnerëve evropianë, e bëri të qartë se administrata e re e vendit të tij do të fokusohet në zgjidhjen e problemit të krizës në mënyrë globale: "Objektivi ku duhet të fokusohet G20 është kërkesa globale dhe bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për një gjë të tillë". Por amerikanët nuk mbetën me kaq. Së bashku me zyrtarë të tjerë të Departamentit të Thesarit, Sumers u ka bërë presion homologëve evropianë që të mbështesin propozimin amerikan.

Sipas amerikanëve, Gjermania mban një përgjegjësi të madhe në çështjen e zgjidhjes së krizës. Së pari, ekonomia gjermane me tepricën e saj të madhe tregtare, është mbështetur për vite të tëra tek "oreksi‘ i madh i vendeve të tjera për të konsumuar mallra gjermane. Së dyti, sipas amerikanëve, financat e qeverisë gjermane janë relativisht në rregull, ndaj Gjermania mund t‘ia lejojë vetes nxjerrjen e shumë parave për të stimuluar kërkesën e tregut. Në fakt, diferencat mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të shumta duke filluar me krahasimin e deficiteve buxhetore mes të dy vendeve çka sipas Gjermanisë përbën edhe thelbin e ndryshueshmërisë së masave që duhet marrë për të dalë nga kriza. Në takimin e përmuajshëm në Bruksel, në fillim të javës që shkoi, ministrat evropianë të Financave ranë në një mendje që, për momentin, të mos e mbështesin propozimin e amerikanëve. Sipas ministrit gjerman të Financave, përpjekjet e Evropës duhet të përqendroheshin në masat që tashmë ishin aprovuar.

Reagimi në Shtetet e Bashkuara ishte ai që pritej. Sipas një analisti të njohur amerikan, Paul Krugman, kundërpërgjigjja "ishte tipike gjermane". "Ndonjëherë mendoj se Gjermania ende nuk po e kupton shkallën e gjerë të krizës", tha ai. Shtypi amerikan ka nisur të bëjë gjithnjë e më shpesh pyetjen: "A mos vallë ka marrë fund dashuria mes Obamës dhe evropianëve?"

 

 

Burimi Informativ: SHQIP

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Komente (0 postuar):

Shkruani nje koment comment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00
© 2002 - Fieri.com - Portali Fierak Online. Te gjitha te drejtat e rezervuara - All rights reserved.