Masakër në qendër të Bagdadit, 136 të vdekur, 500 të plagosur
Shpërthimet kishin në objektiv disa ndërtesa qeveritare
Është vërtet i frikshëm bilanci i atentatit të dyfishtë të ndodhur dje në qendër të Bagdadit. Sulmi është konsideruar si ndër më të rëndit në historinë e këtij vendi të trazuar, ku shpërthimet terroriste të herëpashershme janë bërë më se të zakonta. Dy autobomba shpërthyen pak minuta nga njëra-tjetra në qendër të kryeqytetit irakian, që kishin në objektiv një ndërtesë të qeverisë provinciale si dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Bilanci, ende provizor, flet për 136 të vdekur dhe 500 të plagosur, ndërsa qeveria irakiane ka shpallur tri ditë zie kombëtare. Shpërthimi i parë u bë në orën 10:30 me orën lokale në kryqëzimin ku gjendet Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punës, ndërsa i dyti vetëm pak minuta më pas, në godinat përreth selisë së guvernatorit në lagjen "Salhiyeh". Nuk dihet se nga kush drejtoheshin autobombat.
Dhjetëra makina u shkatërruan, ndërsa e gjithë zona u pushtua nga flakët, tymi dhe kaosi. Bëhet fjalë për një nga ditët më të errëta për Bagdadin, që nga ajo e 19 gushtit, ku dhjetëra persona humbën jetën në sulmet kundër Ministrisë së Financave dhe asaj të Punëve të Jashtme. Kryeministri irakian, Nuri al-Maliki, ka vizituar vendet e atentatit, por nuk ka dhënë asnjë deklaratë apo detaje të hollësishme. Sulmi ndodhi pak para mbledhjes së parashikuar për të dielën pasdite mes liderëve irakianë për të kërkuar një marrëveshje mbi reformën elektorale dhe për të shtyrë për më vonë zgjedhjet parlamentare në vend, të fiksuara për më 16 janar.
Dy ndërtesat e goditura ndodheshin afër lumit Tigër, në zonën jeshile, një hapësirë e kontrolluar, ku gjenden selitë e pjesës më të madhe të institucioneve irakiane dhe njëkohësisht ambasadat e shumë vendeve perëndimore. Zjarrfikësit arritën të nxirrnin dhjetëra trupa të karbonizuar dhe të gjymtuar. Të shumta ishin makinat që fluturuan në ajër për shkak të shpërthimit. Për shumë prej banorëve të zonës është një mrekulli që janë ende gjallë. Shpërthimi ishte i ngjashëm me një tërmet të fuqishëm që shkatërroi dhe prishi çdo gjë.
Zyrtarët amerikanë thanë se sulmet e këtij lloji kanë për qëllim të thellojnë konfliktet mes sunitëve dhe shiitëve, që shpërthyen në vend pas pushtimit nga Amerika në vitin 2003. Një tjetër objektiv mendohet se ka qenë "minimi" i besimit ndaj Kryeministrit Nuri al Maliki në prag të zgjedhjeve legjislative, të parashikuara për vitin e ardhshëm. Bilanci i viktimave të këtij atentati të dyfishtë është më i rëndi i këtij viti, duke kaluar edhe rekordin e 19 gushtit, ku humbën jetën më shumë se 100 persona nga një sërë atentatesh të njëpasnjëshme në qendër të Bagdadit. 74 të vdekur në qershor nga shpërthimi i një bombe në treg; 70 në korrik në një seri sulmesh kundër shiitëve dhe mazhorancës fetare Shabak; 55 në një seri sulmesh kundër shiitëve në gusht dhe 136 në tetor, çka flet për një situatë të pa stabilizuar në vend.
Edhe pse askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet, zëdhënësi i qeverisë irakiane, Ali al-Dabag, tha se aktet e dhunshme mbajnë vulën e "Al-Kaedës". Edhe pse dhuna në Irak është ulur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, kryengritësit vazhdojnë të ndërmarrin sulme sporadike, si kundër forcave të sigurimit, ashtu edhe kundër civilëve.
Ministri i Brendshëm i Irakut beson se bomba është e lidhur me sulmin në muajin gusht, në të cilin u vranë afro 100 vetë. Presidenca Suedeze e BE-së e dënoi sulmin dhe u shprehu ngushëllimet të afërmve të viktimave.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!