NATO, gati për mësymje në Afganistan. Talebanët përgatiten
Në Afganistanin jugor, militantët taleban po bëhen gati të luftojnë forcat e NATO-s që po përgatiten për një mësymje madhore në pika kyçe ku strehohen kryengritësit.
Dëshmitarët thonë se talebanët po sjellin furnizime me armë dhe po hapin transhe përreth zonës Marijah në provincën e Helmandit, strehë e rreth 80 mijë njerëzve dhe një qendër trafikut të opiumit.
Nga ana tjetër, komandantët e NATO-s thonë se mijëra forca të koalicionit dhe trupa afgane po përgatiten të rimarrin Marijah, në një prej mësymjeve më të mëdha të luftës 8 vjeçare në Afganistan. Kjo do të jetë beteja e parë kryesore nga forcat e koalicionit qëkur presidenti Obama dha urdhër për 30 mijë trupa shtesë në Afganistan për të mundur rezistencën talebane
***
Konferenca, 140 milionë dollarë për ripajtimin në Afganistan
Një konferencë ndërkombëtare për stabilizimin e Afganistanit përfundoi në Londër me një angazhim të delegatëve për të kontribuar më shumë se 140 milionë dollarë në një fond të ngritur për të riintegruar militantët talebanë në shoqërinë afgane.
Sekretari i Jashtëm britanik David Miliband njoftoi premtimin dje në përfundim të takimit njëditor ku morën pjesë delegatë nga rreth 70 vende.
Kryeministri britanik Gordon Brown tha se fondi i ri do të financojë programe të ripajtimit dhe do të japë alternativa ekonomike për ata që nuk kanë asnjë mundësi.
Presidenti afgan Hamid Karzai tha se do të thërrasë një këshill të paqes me përbërjen e udhëheqësve fisnorë ku do të ftojë anëtarë të Talebanit për të diskutuar ripajtimin në Afganistan.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë përpjekjet dhe i kërkojë Arabisë Saudite dhe Pakistanit të ndihmojë procesin e paqes.
Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara tha dje se anëtarë të udhëheqjes talebane ishin takuar fshehtaz me përfaqësuesin e OKBsë për Afganistanin Kai Aide për të diskutuar mundësinë e fillimit të bisedimeve të paqes me qeverinë.
Një zyrtar i paidentifikuar i OKB-së tha se takimi është zhvilluar më 8 janar në Dubai me kërkesë të militantëve. Më parë, Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton, iu tha delegatëve se plani i riintegrimit i Presidentit afgan Hamid Karzai, për të riintegruar militantët talebanë , mund të sjellë stabilitet dhe siguri më të madhe në vend.
Klinton tha se ndërmarrjet e sakta, ku pjesëtarë të nivelit të ulët apo të mesëm të Talibanit mund të bëhen pjesë e demokracisë së vendit, vetëm nëse dënojnë dhunën dhe pranojnë kushtetutën e Afganstanit.
****
Obama: Fund luftës në Irak, trupat amerikane tërhiqen brenda gushtit
Presidenti amerikan Barak Obama mbajti fjalimin e parë mbi gjendjen e vendit ku parashtroi politikat dhe synimet e tij për vitin në vazhdim.
Presidenti e përdori këtë fjalim për të lehtësuar shqetësimet rreth ekonomisë në vështirësi ndërkohë që u përpoq të bindte popullin amerikan për nevojën e reformave të tij ambicioze. Me presidencën e tij në udhëkryq, pas nivelit më të lartë të papunësisë në dekada, defiçitit dhe humbjes së mbështetjes së publikut, Barack Obama premtoi të zgjidh problemet ekonomike dhe të jetë udhëheqësi transformues që amerikanët besuan me zgjedhjen e tij në postin e presidentin. Ai tha se nuk ka qenë asnjëherë më optimist për të ardhmen e Amerikës por se demokratët dhe republikanët duhet të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e vendit.
SFIDAT
"Përballemi me sfida të mëdha dhe të vështira. Ajo që shpreson populli amerikan dhe ajo që meriton ai është për të gjithë ne demokratët dhe republikanët të punojmë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona për të dalë mbi peshën mpirëse të politikës".
Duke deklaruar "nuk dorëzohem" presidenti premtoi në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit të bëjë krijimin e vendeve të reja të punës përparësinë e tij kryesore dhe i bëri thirrje kongresit të ndarë të nxisë ekonominë me shpenzime të reja stimuluese.
Megjithë sprapsjen në reformën e kujdesit shëndetësor presidenti premtoi të luftojë duke thënë se në se reforma nuk miratohet në Kongres kostot e sigurimeve shëndetësore do të vazhdojnë të rriten dhe defiçiti do të shtohet. Ai pranoi pergjegjesine e tij per reformen shendetesore.
"Eshte nje ceshtje e komplikuar dhe sa me shume zgjatet debati aq me shume njerezit behen skeptik. Mbaj persiper te gjithe pergjegjesine qe nuk u kam shpjeguar sic duhet reformen amerikaneve. Por kjo eshte nje problem qe nuk do te ezaurohet, nuk do te braktise amerikanet dhe te njejten gje duhet te beni edhe ju te Kongresit", theksoi Obama.
Presidenti pranoi se vendi përballet me probleme dhe sfida serioze dhe se disa nga vendimet e tij kanë qenë politikisht jo popullore. Megjithatë ai tha se nuk do të heq dorë nga planet e tij ambicioze për të zgjidhur problemin e kujdesit shëndetësor, energjisë dhe edukimit.
KERKESA PER REPUBLIKANET
Presidenti u mundua tu shtrijë dorën republikanëve duke thënë se ka ardhur koha për një bashkëpunim të ri dhe për të mos luftuar më të njëjtat beteja të lodhshme që kanë dominuar Washingtonin për dekada me radhe.
"Të investojmë tek njerëzit për të mos u lënë një mal me borxhe. Të përmbushim përgjegjësitë tona për qytetarët që na dërguan këtu. Të përpiqemi për synimin e përbashkët. Për ta bërë këtë duhet të kuptojmë se përballemi me më shumë sesa një defiçit të dollarit. Përballemi me defiçit të besimit".
Presidenti tha gjithashtu se administrata e tij ka sjellë përsëri në fokus kërcënimet terroriste. Ai tha se Shtetet e Bashkuara po punojmë për të ndrequr boshllëqet në sistemin e zbulimit që lejuan përpjekjen për sulmin terrorist në një avion amerikan ditën e krishlindjeve.
FUND LUFTES NE IRAK
Në çështjet ndërkombëtare, presidenti tha se edhe pse Shtetet e Bashkuara po luftojnë në Irak dhe Afganistan vendi përballet ndoshta me rrezikun më të madh për popullin - kërcënimin e armëve bërthamore. Ai tha se Korea e Veriut përballet me izolim në rritje dhe sanksione të fuqishme ndërsa Irani do të përballet me pasoja në rritje në se drejtuesit e tij vazhdojnë të injorojnë detyrimet ndërkombëtare.
"Ndërsa po luftojmë Al Kaidën, kemi përgjegjësinë që Irakun t'ia lëmë popullit të tij. Si kandidat, premtova se do t'i jap fund kësaj lufte dhe kjo është ajo që po bëj si president. Të gjitha trupat tona luftarake do të kthehen deri në fund të gushtit. Ne do ta mbështesim Qeverinë irakiane dhe do të vazhdojmë të jemi partner me popullin irakian për të promovuar paqe dhe stabilitet rajonal", tha Obama.
Sa i përket rrjetit terroist Al Kaida, Obama tha se në vitin e kaluar, "qindra" luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të Al Kaidës, përfshirë udhëheqës të lartë, janë kapur apo vrarë, shumë më tepër se në vitin 2008.
Në planin e brendshëm presidenti tha se do të punojë për të shfuqizuar një ligj që ndalon homoseksualët të shërbejnë në ushtrinë amerikane. Guvernatori i ri i sapo inauguruar i Virxhinias Bob McDonnell dha përgjigjen e republikanëve për fjalimin e presidentit Obama mbi gjendjen e vendit.
Zoti McDonnell tha se qeveria federale po përpiqet të bëjë shumë dhe ka shtuar borxhin kombëtar për gjeneratat e ardhshme. Ai tha se pa reforma rritja e madhe e qeverisë kërcënon lirinë dhe prosperitetin e vendit.
Burimi Informativ: SHEKULLI























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!