BE dhe Rusia arrijnë marrëveshjen për misionin vëzhgues
Momente lehtësimi për Evropën, pasi Rusia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan dje marrëveshjen mbi mandatin e një misioni vëzhguesish ndërkombëtar, i cili do të kontrollojë fluksin e gazit rus që kalon transit në Ukrainë drejt kontinentit të vjetër. Dokumenti u nënshkrua në prezencë të kryeministrit rus Vladimir Putin dhe presidentit të radhës së BE-së, kryeministrit çek, Mirek Topolanek. Siç njoftuan agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, Rusia hapi rubinetet e gazit pas mbërritjes së vëzhguesve të parë të BE-së. Siç pohoi vetë Putin, dokumenti që i jep fund krizës energjetike u firmos për palën ruse nga zëvendëskryeministri Igor Secin dhe kreu i “Gazpromit”, Aleksei Miller. Ndërsa për palën çeke që mban presidencën e radhës së BE-së, nënshkroi ministri i Industrisë dhe i Tregtisë, Martin Riman, dhe komisionari evropian i energjisë, Andris Piebalgs. Ndërkohë, po dje nisi punën misioni i tetë vëzhguesve të parë të dërguar nga Bashkimi Evropian në Ukrainë (në total do të jenë 18), për të verifikuar fluksin e gazit që vjen nga Rusia dhe kalimin e tij transit drejt klientëve evropianë.
Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i “Ukrtransgas” (pjesë e kompanisë shtetërore ukrainase “Naftogaz”, që kujdeset për rrjetin e shpërndarjes) Volodymyr Trikolich, i cili saktësoi se vëzhguesit kanë nisur tashmë punën e tyre në zyrat qendrore të kompanisë ukrainase për të inspektuar instrumentet e matjes së volumit të gazit që kalon transit. Mbërritja e vëzhguesve të parë bëri që të nisë menjëherë rifillimi i furnizimit me gaz drejt Evropës. Vëzhguesit do të kontrollojnë veç të tjerash, edhe tubacionet në gjashtë pika të ndryshme përgjatë kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë. Trikolich shtoi se vëzhguesit rusë do të jenë të mirëpritur për të kryer verifikimet e tyre të pavarura. Kievi ka përsëritur disa herë, se akuzat e Moskës janë të pavërteta dhe vetë presidenti Jushçenko deklaroi dje në emër të vendit të tij, se Ukraina nuk ka vjedhur asnjë metër kub gaz. Por pavarësisht arritjes së marrëveshjes, kryeministri rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se edhe pasi të ketë rinisur furnizimi me gaz, Moska mund ta ndalojë sërish nëse sheh ndonjë vjedhje nga Ukraina. Sipas tij, Kievi nuk po dërgon sinjale pozitive, ndryshe nga sa deklaruan ndërmjetësit evropianë. Ndërkohë, zyrtarët në BE, Ukrainë dhe Rusi, të gjithë konfirmuan se, pavarësisht arritjes së kësaj marrëveshjeje, do të duhen disa ditë përpara se tubacionet të mbushen dhe gazi të mbërrijë nëpër vendet e BE-së në sasi të konsiderueshme. Temperaturat në pjesët më të mëdha të Evropës mbeten ndërkohë nën zero gradë celsius. Në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, shumë fabrika janë mbyllur përkohësisht, shkollat gjithashtu, ndërsa furnizimi me gaz nëpër banesa është racionuar në mënyrë drastike.
Burimi Informativ: Korrieri























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!