Ditarin e nje krimineli te penduar nga Fieri dhe zbardhja e krimeve te bandave te Fierit!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ditarin e nje krimineli te penduar nga Fieri dhe zbardhja e krimeve te bandave te Fierit!

“Ju rrëfej krimet nga Ben Qimja tek Kastriot Jaupi”

Çfarë ndodh me të penduarin që zbardhi krimet e bandave të Fierit?

"Ilirjan Sallku sot ka hyrë në ditën e 11-të të grevës së urisë, në ambientet e spitalit të burgut në Tiranë, ku edhe ndodhet. Sipas burimeve të besueshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, dita e sotme pritet të jetë edhe fundi i grevës së urisë, pasi "Drejtoria e Mbrojtjes së Dëshmitarëve ka vendosur t'i pranojë kërkesat e tij". Dhe, sipas një çudie që mund të ndodh vetëm në Shqipëri, Sallku është lënë në grevë urie, pasi vendimi për miratimin e kërkesave të tij nga drejtoria është marrë në fund të orarit zyrtar të së premtes. Meqë e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi zyrtare, sipas të njëjtit burim, Sallkut i është dashur të qëndrojë edhe tri ditë të tjera në grevë urie, deri sot, kur pritej t'i komunikohej vendimi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Kërkesa kryesore e tij ka qenë largimi nga Spitali i Burgut dhe dërgimi, qoftë edhe në ndonjë burg të sigurisë së zakonshme. Sallku ka kërkuar të plotësohen të gjitha pikat e marrëveshjes që është bërë me të kur ka vendosur të bashkëpunojë me Drejtësinë. Në fakt, është hera e dytë brenda një viti që Sallku vendoset në Spitalin e Burgut. Ai vetë, nëpërmjet një telefonate të kryer me Gazetën, ka deklaruar se nuk ndihet i sigurt në këtë vend. Duke iu referuar ditarit të tij, ku përshkruhet hera e parë që është vendosur në Spitalin e Burgut, i transportuar në të njëjtën autoambulancë me Agim Boriçin, Sallku përshkruan se aty ndodhej edhe një i dënuar përjetë, me të cilin ka pasur një përleshje me thikë. Ai quhet Gëzim Guri, dhe Sallku e përshkruan në këtë mënyrë: "Gëzim Guri është nga Shkodra dhe nga dhuna e tij ka vdekur një i burgosur në burgun e Burrelit. Ai është i dënuar i përjetshëm. Unë isha grindur me të një herë më parë dhe e kam qëlluar me thikë. Kjo ka ndodhur në burgun e Peqinit, më 21 shkurt të vitit 2007. Duke u bazuar tek kjo përplasje me këtë të burgosur, mendova që më kishin krijuar kurth me qëllim që unë të trembesha..."

"...Por, unë ju them të gjithë shqiptarëve që kjo ishte dëshira ime. Të dalin të gjithë para ligjit. Në këtë vend të ketë drejtësisë njëlloj për të gjithë. Unë di 3 vetë nga Fieri që kanë marrë 39 vjet burg për vjedhjen e një telefoni, ndërsa shumë vrasës që unë kam denoncuar janë jashtë të lirë dhe drejtojnë bizneset e tyre të pista...." Nuk është Roberto Saviano, por krimet dhe organizatat kriminale që ai tregon janë po aq të përgjakshme dhe të organizuara sa edhe "Gomorra". Quhet Ilirjan Sallku, dhe jeta që ai ka kryer, arrestimet dhe burgosjet e shpeshta, e kanë bërë që të njohë e të bëhej pjesë e organizatave kriminale të Fierit. Krimet dhe trafiqet e këtyre i kalojnë kufijtë e vendit, ndërsa sipas Sallkut, vazhdojnë aktivitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një pjesë e eksponentëve kriminalë që ai përmend në ditar, ndodhen në qeli, të arrestuar nga policia, dhe prangosja e tyre vjen fill pas dëshmive të Sallkut. Tashmë është 29 vjeç, në qeli prej dy vjetësh dhe i dënuar me 16 vjet e 6 muaj burg për krimin e vrasjes. Vetë jeta e tij e hedhur në rreshtat e një fletoreje, që e quan "Ditar i krimeve që unë di", është dëshmia e gjallë e jetës së një krimineli, që e ka nisur aktivitetin me vjedhje të vogla, ka vijuar me grabitje, vrasje, korruptim të prokurorëve e gjyqtarëve, trafik e shitje armësh dhe lëndësh narkotike. Gazeta publikon sot dëshmi të reja për vrasje të tjera të pazbardhura, si edhe për ekzekutime, si ajo e vitit 1999 në Fier, për pronësinë e Fabrikës së Tullave të Krapsit, të cilat janë mbyllur nga Prokuroria. Gjithashtu, zbardhen përplasjet mes gjyqtarëve për t'i marrë kush e kush për vete dhe për të mos i ndarë bashkë 30 milionë liretat që nxorën nga burgu vetë Ilirjan Sallkun, pas arrestimit për vrasjen e Genci Muhos. Sallku sjell dëshmi edhe për jetën e Fatos Nanos në Burgun e Bënçes, dhe darkat, që sipas tij, Fatos Nano kalonte në qytetin e Gjirokastrës, jashtë burgut.

 

Jeta prej krimineli

Sallku vjen nga një familje të dënuarish politikë, ndërsa i ati është burgosur nga diktatura komuniste. I rritur pa baba dhe i molestuar nga mësuesit që në moshë të mitur, Sallku nuk e kishte të vështirë ta gjente veten mes botës dhe njerëzve të krimit. "U rrita pa baba dhe që 10 vjeç, mësuesit kanë abuzuar me mua", - shkruan për veten Sallku. Ai tregon se në 26 gusht të vitit 1986 ka rënë në burg për herë të parë për vjedhje. "Bëra gjashtë muaj. Më pas, ndenja dy muaj jashtë dhe u rifuta për të qëndruar edhe dy vjet të tjera", - vazhdon rrëfimin. "Pasi u ktheva nga Gjermania, në 16 janar të vitit 1997, Shqipërinë e gjeta në trazira. Unë isha antikomunist dhe e doja Partinë Demokratike me shpirt. Mua më dhanë dy kallashë kur u ndanë në PD-në e Fierit, me qëllim që të mbronim pushtetin", - është një tjetër dëshmi e Sallkut. Në vitin 1998 plagoset, dhe sipas të njëjtit rrëfim, duke mbrojtur godinën e PD-së, pas trazirave të 14 shtatorit të vitit 1998. U arrestua për tentativën e vrasjes së Arta Dhjarit dhe fëmijëve të saj. Sipas policisë, Sallku kishte vrarë vëllanë e Dhjarit, Genci Muha dhe donte të vriste dhe të motrën e këtij për të mbyllur hetimet. Vetë Sallku pranon vrasjen e Muhos, edhe që kishte fituar pafajësinë për këtë krim pasi kishte paguar për të korruptuar gjykatësit dhe prokurorin, 30 milionë lireta në 14 qershor 1999.

Korruptimi i gjyqtarëve

"Mua personalisht, më 14 qershor të vitit 1999 më dhanë pafajësinë, pasi pagova 20 milionë lireta për gjyqtarë e prokurorë dhe 10 milionë lireta ia dhashë avokatit tim. Kur dola nga burgu dhe mora pafajësinë, liretat ia dhashë I.D., dhe...

 

Si e nxirrnin Fatos Nanon për darka nga Burgu i Bënçes ...

L.S.. Të dy këta ishin gjyqtarë të çështjes sime dhe më dhanë pafajësinë në këmbim të 30 mijë liretave. Dy gjyqtarë më liruan, kurse A.Z., edhe kjo gjyqtare, edhe pse ishte në trupin gjykues të çështjes time, nuk ra dakord, sepse ajo i donte të gjitha liretat vetë. Ajo nuk donte të ndante shumën e liretave me gjyqtarët e tjerë, pasi burri i saj, që quhet J.Z., e që punonte në polici ishte duke ndërtuar një pallat 7-katësh dhe pikërisht për këtë pallat kërkonte 30 milionët e mi. Pasi pagova 30 milionë liretat dhe mora pafajësinë, pavarësisht qejfmbetjeve në radhët e drejtësisë së Fierit, katër vjet brodha i lirë pa pasur asnjë lloj problemi. Por, nuk zgjati shumë pafajësia ime dhe 20 ditë para se të martohesha në vitin 2003, më ngritën një akuzë të rremë, sikur unë do të vrisja motrën e viktimës që kisha vrarë vetë, si dhe vajzën e saj 8 vjeçe, me qëllim që të mbuloja gjurmët e vrasjes së të vëllait të saj, që e kisha kryer në vitin 1997. Akuza e rremë që u ngrit ndaj meje u mbrojt me pretendimin se unë doja të shfarosja motrën dhe mbesën e viktimës, pasi motra ishte e vetmja dëshmi. Unë betohem dhe deklaroj, duke u thënë të gjithë shqiptarëve dhe banorëve të Fierit, se unë e kam vrarë Genci Muhon dhe se motra e tij nuk di asgjë si ai është vrarë..."

"Aldo Bare" i PD-së

"Aldo Bare i PD-së, apo me emrin real Xh.M., është i lidhur me krimin në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, ai është i lidhur edhe me politikën. Xh.M. ka në pronësi lokalin në qendër të Fierit që quhet... Ai ja ka grabitur atë bashkë me Agim Boriçin dhe Agim M., një shtetasi nga Kosova. E kanë marrë më dhunë. Në vitin 1997 e kanë detyruar atë që të firmosë me imponim. Gjysmën e pronës e ka B.B., kushëri i Agim Boriçit. Xh.M. dhe dy Gimat, ranë dakord që "Barin" e grabitur ta shitnin për 210 milionë lireta. Xh.M. u ju jep dy Gimave nga 70 milionë lireta dhe mban vetë. Xh.M., ka vrarë një person dhe një e ka plagosur në vitin 1999 para Gjykatës së Fierit, për pronësinë e Fabrikës së Tullave të Krapsit. Për këtë ngjarje Xh.M. është dënuar vetëm me 2 vjet burg, pasi atë dosje ja mbylli Th.S.. Xh.M. Gjatë kohës që ka qenë në punë shofer i drejtorit të Burgut të Bënçës, merrte Fatos Nanon dhe Petrit Selacin, eksponent i njohur në Fier, dhe dilnin jashtë burgut për të ngrënë darka. Ata kanë shkuar për darkë deri në Gjirokastër. Xh.M., dhe vëllai i tij L.M., janë shitësit numër një të drogës. Xh.M. ka vjedhur shtëpitë e të përndjekurve. Në qoftë se një familjeje i takonte një banesë, familjarët e Xh.M-së kanë marrë nga katër hyrje secili. Xh.M., sot është bërë avokat. Dua të di, kush ia dha licencën 'Aldo Bares' së PD-së? Gjatë kohës që ai punonte në burgun e Rrogozhinës, bënte korrupsion me drejtorin. Ai kishte qenë me të në Tepelenë dhe shëtiste Fatos Nanon bashkë me Petritin. Të shkoje tek burgu i Rrogozhinës, duhej që një herë më parë të merrje lejë tek Xh.M., dhe jo tek drejtori i Burgut. Unë dhe gjithë shqiptarët dua të di, ku shkon një si Fatos Nano me një Petrit Selaci? Ku i hanë ata darkat bashkë?"

Prokurori i Krimeve të Rënda me trafikantin, bashkë për qejf dhe femra në Mal të Zi

"Ben K., nga Berati, vëllai i Ylli K., ish-presidentit të Klubit të Futbollit... janë dy shokët e mi. Me Yllin kam punuar me drogë. Ja çonte nga Holanda një shoku im, Gerti Q., nga Fieri, që ka një vilë katërkatëshe, kur ikën për në Vlorë, në krah të majtë afër doganës. Yllit, në vitin 2001, i kam çuar dy kilogramë kokainë në Torino me çmimin prej 35 mijë euro, pastaj rashë në burg. Ylli, Beni, Afrimi dhe Skerdi, të tërë si shokë e vëllezër kanë punuar me prostitucion. Beni edhe sot e ka femrën në Itali. E quajnë Lida. Vetëm Lalanio nuk merret me asgjë. Beni edhe në maj erdhi të më takojë në Spital. Ylli K., ka lidhje edhe me një prokuror tek Krimet e Rënda. Ai e ka ndihmua Yllin në një çështje dhe janë shokë që nga viti 2005. Më ka treguar Beni se Ylli me një prokuror ka ikur në Mal të Zi, për qejf, për femra. Ju mund të merrni informacion nga pikat doganore, të cilët mund të tregojnë se kush është ky prokuror. Të nesërmen, Ylli me thotë jam në Tiranë e se do të takoj prokurorin, se na degjeneruan me lajme televizionet private..."

Kastriot Jaupi

"Unë kam strehuar pas vrasjes së Ilir Ngresit, autorin, Kastriot Jaupin, që ishte nga Berati. E kam mbajtur atë në shtëpi tri ditë. Në shtëpi ma solli Agim K., kushëriri im. Kastriot Jaupi më shpjegoi se pse e kishte vrarë Ilir Ngresin. Kastrioti me Ngresin ishin zënë për çështje banale, por i kishin vrarë vëllanë Ilirin. Sipas Kastriotit, e kishin marrë zvarrë në furgon dhe pasi e kishin qëlluar në kokë, Ilir Ngresi me M.H., thanë dhe u justifikuan se Ilir Jaupi kishte rënë nga mali dhe se pas goditjes koka iu shkëput për t'u përplasur në gur. Megjithatë, Kastrioti e dinte se kush ishin ekzekutorët e të vëllait. Kjo ngjarje ishte parë nga 9 uniforma blu. Ilir Jaupi me gjithë Shaipin, pasi shpëtuan gjatë plagosjes ishin fshehur tek K.H., në Zhuaon. Kastrioti thoshte: 'Po të ma fuste njeri vëllanë në burg për jetë, atë person do e bëja vëlla'".

Arben Isufi ose Qimja

"Unë me këtë person kam qenë vetëm për pak kohë. I kam shitur atij dy mina me telefon. Në vitin 2002 i merrja armët në Shkodër tek Isa K. Ai e ka shtëpinë përballë hotel 'Amerikës', vila në krah të djathtë kur hyn për në Shkodër, rrëzë malit. E kam njohur nga kushëriri im, P.Sallku që jeton në Kiras. Lekët që u shitën bombat tek Ben Qimja m'i dërgoi kushëriri me Wester Wnion. Bombat me telefon i kemi shitur 2500 dollarë për copë dhe unë fitoja 500 dollarë për secilën. Me I.K., kam punuar më parë, se sillte pistoleta pa zhurmë. Më sillte edhe mua, edhe një kushëririt tim, K.M.. Më pas, dhëndri i këtij, Erioni nga Vlora, së bashku me vëllain e tij i çonin pistoletat drejt Greqisë. Erioni ka shtëpi në lagjen 'Çole' të Vlorës, në fund fare, pas pallateve e ka shtëpinë babai i tij, të cilin e ka invalid. Babai i Erionit e ka humbur një dorë pas shpërthimit të një sasie dinamiti, duke gjuajtur peshk. Kur I.K. erdhi nga Shkodra në Fier, solli armët për t'ia shitur Ben Qimes. Kam qenë unë A.I., kushëri i "Qimes", vetë Qimja, dhe dy shokë të ngushtë të tij R. dhe K.. Ai shikonte kur ne provonim bombat. Pasi Qimja mori armët dhe i dha drekë I.K.-së, dhe ky iku në Shkodër. Kemi shkuar me Qimen edhe në Shkodër tek I.K., madje rrugës kushëriri i "Qimes" (të cilit Gazeta i publikon vetëm inicialin e emrit) R., më tregoi sesi kishin vrarë Pirro Koçiun në Tiranë. E ka vrarë bashkë me Ro..., që kishte një automjet të tipit 'Mercedez Benz' të zi, 250 që punonte me naftë. Atij i kishin kapur makinën edhe telefonin."

"Eskobari"

"Dilo N., 'Eskobarin' shqiptar e kam njohur më parë, kurse punën e kam filluar me të në vitin 2001. Rrugën e parë me hashash ja kam dorëzuar Adin Sh. I çova 300 kg hashash me Dilon. Fitova dy milionë dhrahmi. Droga ka qëndruar e fshehur një javë në lokalin e K.M., në Fier. Pronari me dhëndrin e tij me Dilon. Rrugën e dytë çoj rreth 230 kg me Benin, shoferin e tij në Belgjikë. E mori S. R. E shiti dhe unë fitova 10 mijë marka për rrugën e tretë dhe më dha Dilo një dhuratë më pas. Dilo vijoi të më jepte 200 kg hashash dhe atë e shiti Erioni. Fitova tre milionë dhrahmi në Greqi dhe më pas Dilo më tha se duhet të iki nga Greqia drejt Belgjikës. Dilo më tha se do të bënte një ngarkesë të madhe me autobot gazit. Erioni dhe Meli më bëjnë një pasaportë nga Vlora me emrin Armando. Pasaporta u bë në lagjen 'Çole' dhe për të është paguar një polic me 400 mijë lekë të vjetra. Jam nisur unë, Meli dhe K.M. nga Kakavija. Unë mora vizë, kurse Meli ishte me dokumente greke. Qëndrojmë 15 ditë në Greqi dhe më pas i drejtohemi Belgjikës, ku na priste Getë Q. për të siguruar tregun me K.M. Këtë e njoha edhe vetë se ka nusen nga Fieri, edhe pse vetë është nga Burreli. Informohemi se droga hashash kishte hyrë në Itali nga Durrësi me tragetin e Triestes. Ishte vendosur me pas në magazinë në Napoli. Sasia e saj ishte 7 ton e 500 kg. 3 ton i kishte daja i Erjonit dhe Melit, më duket se ai quhet Berti, kurse 3 ton e 500 gramë ishin të Dilos. K.M., mori 1 ton e 300 kg. Ngarkesën e bëri Meli në maune angleze. Pas sistemit të rrugës jam kthyer në Shqipëri, në datën 11 shtator 2001. Kam ndjekur itinerarin Belgjikë-Romë-Tiranë. K.M., pati probleme me tregun e saj në Angli. Një vit më vonë, në vitin 2002 Dilos, iu kap edhe një sasi prej katër ton me hashash në një autobot gazi. Dilon, në fakt nuk e ka gjetur dhe nuk e ka gjetur gjë. Dilo sot ka hotel."

Fatmir Emini i njohur si “Mile Çami”

"Mile Çamin unë e kam spiunuar për vrasjen e nënës së Lul Cakës, por edhe për vrasjen e bosit të pallateve Gjergji Halo. Halon, në fakt e ka vrarë Bledar Y, i cili ka qëlluar për llogari të Mile Çamit. Në vrasjen e nënës së Lul Cakës ka marrë pjesë një tjetër, që është M.H.. Ky e ka marrë me forcë nënën e Lul Cakës dhe e ka futur në makinë. Milja, Tani, Bledi, M.H., këta e vranë. Edhe pse u zbardh vrasja e nënës së Lul Cakës, pse emri i M.H. nuk u përmend? Me Tanin e Bledarin kemi qëndruar bashkë në Belgjikë. Ishim në Bruksel në vitin 2002, dhe atje mësova vrasjet që kishin bërë këta."

Agim Boriçi

'Më 12 maj të vitit 2008 me kanë transportuar për në spitalin e Burgut të Tiranës, me një mjet ambulancë dhe në të njëjtin mjet ndodhej edhe Agim Boriçi, për të cilin unë isha marrë në pyetje dhe kisha dëshmuar. Agim Boriçin e njoh mirë. E shoqëroja në gjyqet dhe mësova se çfarë kishte bërë. M'i ka thënë me gojën tij." "Vrasës, grabitës personash, shitës droge, vënie gjobash, pra me pak fjalë të gjitha poshtërsitë ka bërë ai", -kështu e përshkruan Sallku në ditarin e tij Agim Boriçin. "… Agim Boriçi sot ndodhet në burg. Ai vrau Mond Zefin dhe plagosi shokun e tij, Agim Mulën. Vrau Altin Yzeirin bashkë me Edi Binxhon, pastaj vret edhe këtë të fundit, që e kishte shok të ngushtë. Dhe, për të realizuar vrasjen e Edi Binxhos, merr bashkëpunimin e kushëririt, S.D.. Gim Boriçi ka qenë shumë vite para se të arrestohej në arrest shtëpi, por në banesën e tij prokurori N.T., dhe avokati T.K., hanin darka bashkë tek shtëpia e tij. Sot prokurori N.T. ka dalë për korrupsion nga puna. Agim Boriçi dhe A.M., vranë Tanin tek Lokali 'Zërat e Natës'. Kur udhëtuam bashkë për në spitalin e burgut, Agim Boriçi më tha: 'Ilir, më futën në burg nga inati se mora të gjithë tenderat në Fier dhe e di se kush ma bëri. E di këtë. Vetëm mos dalsha prej këtej'"...

Biseda me 'Qimen'

…Më pas, Isai më merr në telefon. Më thotë se kishte gjetur disa armë të tjera dhe na fton që të shkonim t'i shihnim. Unë i bëj ftes 'Ben Qimes' dhe R.., shokut të tij dhe ikim në Shkodër. Sa hynë në autostradë, bie zilja e telefonit. Flet 'Ben Qimja'. Sa mbaron me të 'Qimja', më thotë se ishte 'hetuesi'. 'E kam shok, - thotë, - ai do më ndihmojë nëse më vjen letra nga Interpoli. Ai do ta zhdukë fare atë'. Bëhet fjalë për Xh.Hasanbelliun (për këtë kishte diskutuar në telefon). Në vitin 2002, Hasanbelliu ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe për të pritej që të vinte një porosi nga Belgjika, - më ka treguar 'Ben Qimja'. Letra që pritej të vinte nga Belgjika bënte fjalë për vrasjen e hasmit të tij, Julin si dhe ka plagosur Kasandër Nogën. Xh.Hasanbelliu ka qenë bashkë me Miklovanin nga Vlora. Miklovanin e kam pasur dy vjet në burgun e Tepelenës. 'Ben Qimja' e ndihmonte Hasanbelliun dhe kishte mjaft detyrime për të, pasi ai me gjithë Julianin vranë në Spanjë hasmin e Benit, Pajtimin. Juliani, që tashmë ka vdekur, është nipi i Benit. Jo vetëm me Julianin, por edhe me kushëririn e Benit, R…, unë kam pasur shoqëri. Ai më ka treguar edhe për vrasjen e Lad Hasanit. Unë me R…, kushëririn e Ben Qimes, shokun e tij R…, dhe me Benin kemi shkuar bashkë në Maqedoni me makinën time. Nëse vinim në Shkodër tek Isai, shkojmë në krah të djathtë të rrugës, pasi andej është kufiri. Poshtë një ure, 1 km larg vjen një shoku i Isa Kryeziut, sjell armët. Beni i shikon me radhë dhe provon dhe vetë një armë të rëndë. Me të në dorë kthehet nga unë dhe thotë: 'Ilir, unë dua një armë të mirë se do t'i zhduk çamët e malit'. Ai qëllonte. Qëllova edhe unë e R…. Më pas drekuam së bashku. 'Ben Qimja', edhe pse provoi shumë armë, nuk bleu asnjë atë ditë, por arriti dhe bleu një makinë të vjedhur, të tipit "Audi" për gjashtë mijë euro. Shoku i tij, R…, atë ditë gjatë kthimit, u sëmur mjaft rëndë. E çuam në spital dhe u ndamë. Marr vesh disa orë më vonë se R…, kishte hequr...

 

"Gëzimin e vranë dhe e hodhën nga Ura e Semanit"

Vrasja e Agim Dervishit

"Maksi Q… ka vrarë Agim Dervishin. Gimi ka qenë shok me mua, me Selam Ramën, Fatmir Krasniqin, Adriatik Resulin. Rrinim shpesh bashkë edhe me një Gecë Nilo nga Hoxhara e Fierit. Gimi ishte zënë me Maksin për rrugën me makinë. Gimi nuk kishte duruar dhe kishte nxjerrë pistoletën. I kishte shpuar gomat Maksit dhe i kishte thënë, po të lajmëroj dhe se herë tjetër e kishte në kokë. Pas kësaj, Tiku, Miri dhe unë ikëm në Itali. Selam Rama kishte ikur para nesh dhe vjen të na takojë. Më mori për darkë dhe më thotë se janë hapur fjalë për mua, sikur kam dorë në vrasjen e Zudhapit. Më thotë gjithashtu se nuk kishte të bënte fare më këtë vrasje dhe se atë e kishte kryer Maks Q…."

Vrasja e Paulin Toskës

"Fatmir K…, Arben V…, Altin P…, Lenc K…, si dhe Bledi F…, janë shokë. Edhe unë dikur kam qenë shokë me ta. Me tre të parët kemi qenë në birucat e policisë së Fierit gjatë vitit 1999. Fatmir K., nga Fermë Çlirimi u arrestua për grabitjen e makinës së lekëve që drejtohej nga Klodi Nana. Ai e nxori emrin e Fatmir K. në polici. Në gjykatë gjithçka u rrëzua, pasi Fatmir K. u lirua shumë para meje, pasi bëri presion. Arben V., ka shkaktuar një plagosje në Patos, por pagoi lekë dhe doli paq. Lenc K. akuzohet për një grabitje. Ai ka grabitur një gjirokastrit në bashkëpunim me kushëririn e tij, Agim K.. U lirua pasi pagoi lekë dhe arriti që gjirokastriti i grabitur të ndryshojë thëniet. Fatmir K., Arben V., Altin P., dhe Lenc K., kanë plagosur në gusht të vitit 1999, tek shkolla "Mark Dashi" në Fier, Julian Topallin, të cilit iu këput këmba më vonë. Arben V., Fatmir K. dhe Altin P., kanë vrarë Paulin Toskën, nga frika se mos ai merrte hak për Julin. Më vonë, në Milano, Lenc K., dhe Bledar F., kanë vijuar aktivitetin e tyre. Bledar F., sot është në grup me Arjan Selimin. Altin P. është në burg…"

Dhuna në burgje

Pjesë e ditarit të Sallkut, të cilin ai e quan "Ditar i krimeve që unë di", është edhe trajtimi dhe dhuna që ushtrohet në burgje. Sallku sjell një episod ku protagonist është polici i burgut të Peqinit, të cilit ne i kemi publikuar vetëm inicialet L.A., dhe që sipas ditarit, është personi që e pyeste rreth bisedave dhe dëshmive që Sallku jepte për prokurorët dhe oficerët e policisë për ngjarjet kriminale të bandave të Fierit. "Unë kam vuajtur rrahjen e burgut të Tepelenës, atë të burgut të Burrelit, por dhuna ndaj të burgosurve në formën më çnjerëzore regjistrohet në burgun e Peqinit. Unë këtë burg e quaj Burgu i Spaçit, që kishte emër para '90-ës. Në burgun e Peqinit rrihen të burgosurit, degjenerohen në kulm. Ju tregoj një shembull. Ishte një djalë nga Elbasani me emrin Liu. Ai u zu me një korçar në burg. Kur po rriheshin këta dy të burgosur, rastësisht erdhi shefi L.A., dhe e qëllon mjaft fort Liun. Liu ia kthen dhe shefi i policisë e qëllon më pas me grusht. Por, edhe Liu vijoi ta qëllojë me grushte. Kur e qëllonte shefi i policisë Liun e shkretë, e shante edhe nga robtë. I thoshte që 'të q… motrën', 'mua më qëllon o b…q…'. Ja merrte kokën dhe ja shkelte me këmbë. Kur e çuan në izolim Liun, i thyen edhe dy brinjë. L.A., e rrihte Liun natën. Ia lagte dyshekun me ujë kur bënte ftohtë dhe kur ishte dimër i madh. E detyroi me torturat e tij që Liu të priste damarët e duarve për të vdekur. Shefi L.A., ia nxiu jetën Liut. Këto tortura nuk bëheshin edhe në kohën e Enver Hoxhës. Në atë kohë, dhe në hetuesi speciale nuk të trajtonin si trajtoi L.A-ja, Liun e gjorë, por për çudi kjo ndodhte në vitin 2007, në kohën kur qeveriste PD-ja. Familja e Liut bën denoncim pranë Avokatit të Popullit për shefin dhunues. Familja e hoqi denoncimin prapë, pasi shefi L.A., i thoshte Liut: 'Hiqe denoncimin që dhe unë të trajtoj më mirë'. Shefi i policisë ra në kompromis me Liun që të hiqnin të dy palët denoncimin, pasi sipas tij ishin burra dhe e mbanin fjalën…"

Gardiani

"Mua më merr shef L.A., në dhomë më vete dhe më thotë: 'Ilir, pse të takoi Agron Kuliçi?'- Unë ia kthej se është punë për mua. 'Mirë, - më thotë ai, - por mos i beso shumë Agron Kuliçit se nuk është burrë i mirë dhe mos i fut shokët të gjithë në një thes se disa kanë detyrime e disa nuk kanë'. Shef L.A.., është shok i ngushtë me Xh.M., që për mua është Aldo Bare i Fierit. Për këtë incident unë lajmëroj drejtorin e burgut, Shpëtim Kalemin si dhe shefin e regjimit. Ata folën me Agron Kuliçin. Pas dy ditëve të kësaj ngjarjeje, vijnë tek mua oficerët e policisë që mbaja kontakte dhe unë në takim me ta u them, 'se si një shef policie mund të flas për Agron Kuliçin?'. Ata ma kthejnë se 'aman o Ilir, bëj sikur nuk di gjë'. Tani L.A-në e kanë çuar në burgun e Rrogozhinës..."

Keti Bita

"Me Keti Bitën kam qenë në birucë në vitin 1999. Unë kisha dëgjuar më parë se në lagjen e Ketit ishte vrarë një arixhi. Shkak i vrasjes kishte qenë se ai shkonte me një femër të bardhë. Kur hapet muhabeti me Keti Bitën, më thotë se këtë vrasje e kishte kryer ai dhe se motiv i vërtetë kishte qenë marrja e një sasie të madhe hashashi dhe mosdhënia e lekëve për të. Sipas asaj që më tregonte Keti në qeli, mësova se arixhiu kishte hezituar të shlyente për hashashin që kishte marrë dhe për rrjedhojë, merr plumb në kurriz. Këtë ia kam shpjeguar dy herë radhazi prokurorit Altin Binaj. I tregoj Binajt një detaj: Arixhiu është vrarë prapa shpine. Në kurrizin e tij ka shenjën e plumbit. Ai hapi dosjen, e pa dhe shprehu hapur që arixhiu ishte vrarë pikërisht në kurriz dhe më deklaroi se ishte e vërtetë ajo që unë i thashë. Edhe pse kjo është një vrasje e zbardhur këtu e 10 vjet të shkuara, duhet thënë se Keti Bita është sot në burgun e Rrogozhinës." Kujtim Eqimi "Kujtim Kuçi, vëllai im Bert Sallku, Ilir Mërnica në 1997 kanë plagosur Kujtim Eqimin. Kujtimi vdiq më vonë në Greqi. Kujtim Kuçi ka dalë nga burgu në vitin 1997. Pagoi mjaft lekë dhe e mbylli këtë çështje. Vrasja e Kujtim Eqimit po bën 10 vjet pa zbuluar".

Grupi i Arjan Selimit

"Dritan Dh., e kam njohur nga vëllai i im i madhi, Edi. Janë arratisur bashkë në vitin 1990 nga Semani. Tani ka punuar me Erionin në 2003. Tre herë i kam shitur mall. Ai e çonte në Greqi. Tre kilogramë të pastër me 11 mijë euro kilogramin. Fitova 500 euro. Atëherë më çoi Tani në Greqi dhe e shita vetë të gjithë sasinë. Tani është më grupin e Arjan Selimit. Ai ka marrë pafajësi. Në vitin 2004 është arrestuar Dritan Dh.. Ai pagoi lekë. Kur vajta në Bënçë i kërkova 1 kilogram heroinë të pastër dhe ma dha. E çoj në Greqi tek Berti im. Gjysmat e lekëve ia çoj Ben K., dhe Tan Dh., i cili ka një lokal me emrin ... dhe ka një mjedis të madh afër lokalit. Tani është i fuqishëm dhe vetë e shiste, por edhe pinte vetë heroinë."

Gëzim Hajdari

"Kur isha në biruca, më sjellin në dhomë Dritan Koçiun, nga Sektori Seman në Fier. Jam rritur me të në një fshat dhe tani më thoshte se kishte dashnore Valbona Hajdërin. Ai më tregoi se e kishte shitur të dashurën për 600 mijë lekë të vjetra. Blerësi ishte një Arben Prifti, nga Fieri. Unë e njihja si Benin edhe Valbonën, pasi kjo e fundit punonte në Torino si prostitutë. Dritan Koçiu akuzohej me gjithë Albert Gjodeshin, për grabitje. Ndërsa, Dritani ishte kapur, Berti im akoma jo. Kur u kap Berti, Dritan Koçiu u tërbua fare. Vinte në birucë vërdallë. Shante Bert Gjodeshin dhe thoshte se më la në burg shkërdh..., se e kishte lënë në burg për gjithë jetën. 'I kisha çuar haber pse iku jashtë në Greqi', -thoshte. Dritani pyeste policin: 'Ik pyet Bertin, ka treguar gjë deri tani'. Derisa polici i solli përgjigje se Berti nuk kishte folur. Unë e pyes Dritanin: Pse je kaq i shqetësuar. Pse kërkon që Berti të mos tregoj? Çfarë ke bërë? Ai më kthen përgjigje se kam kryer disa grabitje më të në Përmet. Kur ika në Greqi në vitin 1999 i them një shokut tim nga Sektor Semani. Ai është polic me specialet në Tiranë. E pyes pse Dritani u mërzit kur u arrestua Berti. Kishte shumë frikë dhe shante. Ai më tha: 'Pse nuk e dije t'i pse është frikësuar? Sepse, Dritani me gjithë Bert Gjodeshin kanë vrarë Gëzim Hajdarin, vëllanë e Valbonës. Gëzimi i kërkonte atyre motrën, të cilën ia kishin rrëmbyer. Arben P., Dritani dhe Arben Gjodeshi vranë Gëzimin me thikë në vitin 1996 dhe më pas e hodhën në lumin Seman. Ai ishte gjysmë i gjallë dhe në qafë i lidhën një gur të rëndë. Deri më sot familja e tij enden nuk ka marrë asnjë lajm. Nëna, bashkëshortja dhe vajza e vogël që ai la. A nuk është krim i shëmtuar ajo çfarë bëri Beni, ndërsa Gëzimi kërkonte të motrën?

 

 

Burimi Informativ: GAZETA SHQIPTARE

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (19 postuar)

avatar
ervis 12 May, 2009 05:26:09
sdi cte them
Reply Thumbs Up Thumbs Down
-3
Raporto nje shkelje rregullash
avatar
Mondi 01 June, 2009 02:57:48
Lutemi dergojani kete material Z.Sali Berisha dhe Z Fatos Nano. keta do ta cojne Shqiperine ne Europe... Vitin tjeter do liberalizohen vizat per qytetaret shqipetare, ndersa personazhet e mesiperm perfshi Z.Berisha dhe Z.Nano mund te levizin lirshem ku ata duan....
I lutemi zotit qe te gjithe qytetaret shqipetare qe presin te integrohen ne Europe, te fitoje llotarine Amerikane...
avatar
gjermani 23 July, 2009 11:34:58
turp i math per vendin ton qe eshte udhehequr nga keta dhoj njerzish si f.nano dhe eshte akoma ne duart e nji si s.berisha .mjer populli shqipetar qe ka vuajtur dhe do vuaj akoma me keta njerez qe jan kriminela dhe te koruptuar ne qeveri .si dhe bravo ketij ilirit qe mori guximin te tregoj per fytyrat e verteta te qeveritareve thon do luftojm krimin kur krimi i organizuar jan vet keta.
avatar
luli 12 August, 2009 12:36:03
marreeeeeeeeeeeeee per popullin shqiptar
avatar
toni 09 October, 2009 08:40:03
tung qdi qka te thom shum problem
avatar
beqir 05 March, 2010 10:32:20
dinte Enveri me ca kafhsesh kishte te bente prandaj i kerkonte pasoshin per te hyre ne tirane,jonxha e asaj kohe do ti kete bere kriminela keta kafshe.
avatar
iliri 05 March, 2010 10:34:02
dinte Enveri me ca kafhsesh kishte te bente prandaj i kerkonte pasoshin per te hyre ne tirane,jonxha e asaj kohe do ti kete bere kriminela keta kafshe.
avatar
jane 18 May, 2010 02:03:34
tung nga vajza shqipetare . .
meekatper popullin tone me te mire shqipetar
avatar
besimi fier 25 July, 2010 02:54:54
po pse e kan len me kaq kte rrefimin pse se kan nxjerr pjesen tjeter nejse fieri vazhdon dhe do vazhdoje te jete ne dore te mafias sepse kshu jemi skemi ca ti bejm ketu kshu jemi rritur...megjithate ky iliri se ka ber mir qe i ka tradhtuar shoket e tij se ata e kan ber me lek dhe me emer dhe ky i tradhton tani ti vij turp...
avatar
aqif 08 October, 2010 12:45:14
qyteti i fierit kshu ka qene gjithmone me probleme.dhe kshu do mbetet mendoj.na nje an e kan mir.se pa luft nuk ecen dot perpara...
1 2 next total: 19 | displaying: 1 - 10

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
3.71
Tifozeria Fierake