Home | Familja & Jeta ne cift | Fëmijët e dhunshëm dhe faktorët që ndikojnë

Fëmijët e dhunshëm dhe faktorët që ndikojnë

image

Fëmijët janë objekt dhe subjekt i dhunës. Mbi ta padrejtësisht, arbitrarisht dhe në kundërshtim me Kartën e të Drejtave të tyre, ushtron dhunë psikologjike e fizike prindi, mësuesi, polici, më të rriturit, por edhe një pjesë e fëmijëve përdorin dhunë mbi njëri -tjetrin, ndaj fëmijëve më të vegjël në moshë, bile në disa raste edhe ndaj të rriturve. Me dhimbje, por duhet të pranojmë se është rritur numri i rrahjeve midis fëmijëve (në disa raste edhe grup me grup), është rritur numri i fëmijëve që mbajnë thika, në ndonjë rast edhe armë, është rritur numri i vjedhjeve e i grabitjeve prej tyre, veçanërisht ndaj vajzave dhe grave, rastet e plagosjeve me thika, me armë, që çojnë deri në vdekje. Natyrshëm lind pyetja: Përse është rritur numri i fëmijëve të dhunshëm? Se shoqëria jonë është e dhunshme, se në familje ka dhunë, se po rritim fëmijë të dhunshëm. Nuk lindin të dhunshëm..., por bëhen të tillë. Fëmijët e familjeve ku ka dhunë, vuajnë më shumë nga probleme të sjelljes dhe janë më pak të aftë për të vepruar në shoqëri, në krahasim me fëmijët që vijnë nga familje ku nuk ka dhunë. Një studim kanadez tregon se, nëse fëmija është i pranishëm në konfliktet e prindërve, ku përdoret dhuna si mjet për zgjidhjen e tyre, "ka shumë gjasa të parashikohet se edhe ai vetë do të bëjë krime kundër personit kur të rritet, si sulme ndaj personit, përpjekje për përdhunim, përpjekje për vrasje, rrëmbime dhe vrasje". Edhe një përqindje e lartë e fëmijëve të rrugës, janë rrjedhojë e dhunës në familje. Origjina e dhunës i ka rrënjët në strukturën shoqërore dhe në një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që lidhen me të. Dhuna është shkak i një personaliteti agresiv.

Faktorët që ndikojnë tek fëmijët për t'u bërë të dhunshëm e për të kryer krime, janë shumëdimensionalë:

1. Faktorë ekonomikë: varfëria, veçanërisht në zonat rurale e të izoluara nga pjesët e tjera të territorit. Shumë fëmijë e kanë braktisur shkollën për shkaqe ekonomike. Gjithashtu, një pjesë e tyre, nga komuniteti rom apo nga familjet që kanë ardhur në metropolin Tiranë-Durrës, apo kanë zbritur nga zonat malore në qytete, nuk gjejnë mjedisin e përshtatshëm social dhe ekonomik për të zhvilluar personalitetin e tyre, për shkak edhe të kushteve të rënda ekonomike.

2. Faktorë që lidhen me familjen: mungesa e kontrollit të përshtatshëm prindëror, prindër të ashpër me një orientim disiplinor jo të qartë, divorcet e prindërve, mungesa e vlerave familjare. Studimet psikologjike tregojnë se fëmijët e keqtrajtuar nga prindërit e tyre bëhen më vonë prindër keqtrajtues për fëmijët e tyre.
Jeta në një shtëpi të dhunshme, apo në një komunitet të dhunshëm, mund të krijojë turbullime tek fëmija, sepse ai beson se prindërit e tij nuk mund ta mbrojnë. Kështu, fëmijët më të rritur kërkojnë të gjejnë "të fortët" dhe "ata me pushtet", kryesisht në grupet e moshatarëve sesa në marrëdhëniet me prindërit. Pra, sjellja agresive dhe dhuna e shfaqur janë reagim ndaj situatave që ai i mendon se e kërcënojnë. Aspiratat e prindërve për fëmijët dhe vlerat prindërore luajnë rol formues në të gjitha aspektet e zhvillimit të tij, sepse shkak i shfaqjes së dhunës tek fëmijët është keqpërshtatja midis prindërve dhe fëmijës (një fëmijë i shkathët dhe energjik dhe një prind i ngathët, krijon lidhje emocionale të tendosur).
Prishja e marrëdhënieve familjare, konfliktet dhe mosmarrëveshjet prindër-fëmijë, janë shkaku i rritjes së frikës dhe pasigurisë së fëmijëve, i largimeve të tyre nga shtëpia deri në braktisje të familjes, i futjes së tyre në banda kriminale.

3. Faktorë që lidhen me shkollën: frekuentim i dobët, largime nga orët e mësimit, dobësim dhe prishje e disiplinës në shkollë, marrëdhënie jo të mira mësues-nxënës dhe nxënës-nxënës, dhunë fizike dhe psikologjike nga ana e mësuesve ndaj nxënësve, motivim i pakët i nxënësve për të mësuar, shkatërrim i bazës materiale në shkollë, kontroll i dobët dhe ndëshkime të buta për nxënësit që vijnë në shkollë me mjete të forta, thika apo edhe armë zjarri.

4. Faktorë politikë: lidhja e krimit me politikën, mosfunksionimi i shtetit ligjor, veçanërisht në sistemin e drejtësisë për të luftuar kriminalitetin, e veçanërisht krimin e organizuar. Dhuna e pandëshkuar është terren i mirë që njeriu të kalojë pa shumë hezitime në sjellje agresive.

5. Faktorë socialë: alkooli, droga, prostitucioni, pabarazia e gruas me burrin, programe me karakter joshoqëror që transmetohen nga mediat, ku një rol negativ dhe shumë të dëmshëm luajnë filmat me vrasje (me killera). Dhuna e filmave merret si model për reagimet e mëvonshme personale dhe njeriu modelohet për t'u sjellë në mënyrë agresive.

6. Faktorë psikologjikë: stresi, depresioni, sëmundjet mendore, prejardhje nga familje të dhunshme, faktorët individualë të personalitetit si, temperamenti, dëshira për të qenë i fuqishëm, kurioziteti për të ushtruar dhunë.
Teoria e të mësuarit social e vlerëson agresivitetin si një formë të sjelljes së mësuar sociale. Agresiviteti mësohet nëpërmjet vëzhgimit dhe imitimit të njerëzve të tjerë dhe ruhet nëpërmjet përforcimit pozitiv.
Rritja e dhunës tek fëmijët, përveç rrezikshmërisë shoqërore, cenimit të të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut, çon edhe në rritjen e kostos ekonomike, rrit shpenzimet nëpërmjet shërbimeve që shoqëria duhet të kryejë për t'u ardhur në ndihmë viktimave, për trajtimin mjekësor, për policinë, gjykatat, shërbimet e sigurimeve shoqërore, etj.
Nuk mjafton të marrësh nisma për uljen e dënimeve të fëmijëve, për trajtim më të mirë në qeli e për përmirësimin e kushteve në burg (nuk e mohojmë se edhe kjo ka anët pozitive), por e rëndësishme është të zbatohen politika arsimore, ekonomike, juridike, sociale që e ulin shkallën e kriminalitetit tek fëmijët, adoleshentët.
Parandalimi i krimit tek fëmijët është një problem serioz për shtetin e shoqërinë tonë, është e duhet të jetë pjesë integrale e politikave të arsimit.

12 sugjerime për mësuesit dhe ne të tjerët

Dhuna fillon në mendjet e njerëzve. Shkolla duhet të edukojë individë që ideojnë "mbrojtjen e paqes" në mendjet e tyre. Në shkollën tonë duhet të ketë më shumë programe e tema mësimi kundër dhunës.
-Të aftësohen nxënësit e mësuesit për zgjidhjen paqësore të konflikteve, për rritjen e përsosjen e aftësive komunikuese midis palëve, për demokratizimin e marrëdhënieve.
-Mësuesit të kenë një qëndrim model për nxënësit e tyre në zhvillimin e sjelljeve e të zakoneve jo të dhunshme.
-Rritja e shërbimeve këshillimore psikologjike, sociale e pedagogjike në shkollë.
-Të organizohen konferenca me karakter edukativ mbi dhunën.
-Forcimi i disiplinës, zbatimi i rregullores. Ndëshkime të ashpra për nxënësit e dhunshëm dhe për mësuesit që përdorin dhunën.
-Projekte të përbashkëta shkollë-familje-shoqëri me temë: "Edukimi dhe toleranca", "Të njohim e të zbatojmë Konventat e të Drejtave të Fëmijëve".
-Të ngrihet shkolla e riedukimit dhe të rritet bashkëpunimi komunitet-polici.
-Shkolla t'u afrojë prindërve programe konkrete e të specializuara, me nivel të lartë se si mund të rriten e edukohen fëmijë jo të dhunshëm. Kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet dhe shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet që, këta fëmijë (të vegjël sot), edhe kur të rriten e të martohen, do të imitojnë sjellje të dhunshme të prindërve, me përjashtim të rasteve kur kanë kërkuar ndihmë të specializuar për të ndryshuar sjelljet e tyre. Fëmijët e mësojnë këtë ves (dhunën) në familje dhe e përdorin për të siguruar atë që dëshirojnë. Ndëshkimi i prindërve që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre.
-Programe për fëmijët e rrugës, veprimtari që u interesojnë fëmijëve, çlodhëse dhe argëtuese.
-Dhënia e hapësirës së domosdoshme për çdo fëmijë.
-Inkurajimi dhe stimulimi i grupeve të ndryshme të fëmijëve që nuk e përdorin dhunën.
-Ndryshime në legjislacion, në rregulloren e shkollës, në kodin penal, civil dhe familjar, veçanërisht ligji për mediat, që lidhet me filmat me dhunë e vrasje, të cilët jepen në çdo kohë.

Vargjet sintezë të Nolte janë tepër domethënëse
"FËMIJËT MËSOJNË ATË QË JETOJNË"

Nëse një fëmijë jeton në kritikë, mëson të dënojë.
Nëse një fëmijë jeton në urrejtje, mëson të luftojë.
Nëse një fëmijë jeton në ironi, mëson të jetë i ndrojtur.
Nëse një fëmijë jeton në turp, mëson të ndihet fajtor.
Nëse një fëmijë jeton në tolerancë, mëson të jetë i durueshëm.
Nëse një fëmijë jeton në inkurajim, mëson të ketë besim.
Nëse një fëmijë jeton në lavdërim, mëson të vlerësojë.
Nëse një fëmijë jeton në çiltërsi, mëson drejtësinë.
Nëse një fëmijë jeton në siguri, mëson të ketë besnikëri.
Nëse një fëmijë jeton në pranim dhe në miqësi, mëson të gjejë dashurinë në botë.

 

 

Burimi Informativ: SHEKULLI