Home | Politike | Anglo-Amerikanet, sondazh qe rreh me pulsin e "doktorit"?

Anglo-Amerikanet, sondazh qe rreh me pulsin e "doktorit"?

image

John Withers, ambasadori amerikan në Tiranë, nxitoi dje të përgënjeshtrojë markën amerikane të një sondazhi që ka nxjerrë fituese Partinë Demokratike në një avantazh prej 10 për qind ndaj Partisë Socialiste. "Qeveria e SHBA ofroi burimet financiare për të mundësuar mbajtjen e një sondazhi shqiptar dhe jo të një sondazhi amerikan, dhe jo të përfundimeve amerikane", deklaroi dje Withers. Deklarata e diplomatit amerikan, duke pohuar një të vërtetë, ka zbehur entuziazmin e mbështetësve të qeverisë dhe medias pranë saj. Por megjithatë, ajo ka evidentuar një problem jo të vogël; atë se si është e mundur që me paratë e perëndimorëve të vazhdojnë të financohen sondazhe që, me rezultatet e tyre dukshëm të politizuara, vënë në siklet edhe diplomatët perëndimorë, duke i detyruar të distancohen publikisht prej tyre?


***

Në fakt, sondazhi i quajtur "Puls" dhe i financuar bashkërisht nga USAID dhe Ambasada Britanike në Tiranë, nuk mund të mos shkaktonte habi me përfundimet që ofroi, përfundime që bien ndesh me thuajse të gjithë sondazhet e zhvilluara, që nga janari e këtej, lidhur me rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Nga ajo që ofrohet është e vështirë të mos besosh që "Pulsi" ka rrahur në ritme të njëjta me "zemrën" e pushtetit të sotëm të demokratëve. Rezultati, që thuajse e nxjerr vetëm PD-në më shumë se e gjithë e majta, përmbys të gjitha rezultatet e dhëna nga sondazhet e kompanive shumë më të specializuara në këtë lëmë, si amerikania "Zogby", italiania "IPR Marketing" apo "Gani Bobi", që kanë nxjerrë deri më sot, për disa muaj radhazi, të majtën të paktën 6 për qind para të djathtës, pra para PD-së dhe aleatëve të saj.

Si ndodh ky revolucion në një sondazh të dy OJQ-ve shqiptare të financuara me para anglo-amerikane? Duket nuk do të jetë aspak vështirë të gjesh ato fije lidhëse mes "Pulsit" të sondazhit dhe pulsit të qeverisë, e që ndihmojnë të gjendet një përgjigje. Nga media mësohet se njëra nga organizatat joqeveritare, partnere në sondazh, është "Qendra për Kërkime dhe Zhvillim" (QKZH) që drejtohet nga Mirlinda Rusi, bashkëshorte e zv/ministrit të Integrimit, Albert Gajo. Konflikti i interesit është i hapur dhe nuk kërkon koment. E vetmja gjë që mbetet është të shpjegohet se si është bërë e mundur që, donatorë perëndimorë si USAID dhe Ambasada Britanike, të përfshijnë në një projekt të tillë partnerë me konflikt të hapur interesi? Një tjetër problem ka të bëjë me faktin se, ndërsa mediat shqiptare, si "Top Channel" apo "Ora News" bëjnë një hap para për t‘iu larguar politizimit tradicional të sondazheve, duke iu drejtuar kompanive të specializuara si "Zogby" apo "IPR", përse donatorët në fjalë bëjnë befas një hap prapa, duke futur në lojë OJQ jo të specializuara për sondazhe që prodhojnë rezultate aq të dyshimta, sa e bënë edhe Withers të nxitojë të deklarojë se vetëm paratë qenë "made in SHBA", por jo rezultatet?

Dhe më tej, përse duhen harxhuar para të taksapaguesve perëndimorë për një produkt kaq kontraversal, dhe me shumë gjasa, jashtë standardit, në një kohë kur ka jo pak sondazhe private në treg shumë më pranë standardeve që na duhen? Kujt i duhen sondazhe me dy kokë, njëra e majtë dhe tjetra e djathtë? Kujt i duhet sponsorizimi i produkteve që përforcojnë divizionizmin politik edhe deri në shoqërinë civile, e cila është e vetmja (dhe jo partitë) që ka për natyrë të priret tej së majtës dhe së djathtës?


***

Mediat pranë qeverisë, në një orvatje për t‘i bërë të duken sa më objektive rezultatet e një sondazhi që i kënaq, kanë nxituar të evidentojnë si partner në sondazhin e "PULS" edhe një OJQ që ata e cilësojnë si e "majtë". Është fjala për Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (ISPL), një institucion në fakt mjaft i njohur në fushën e studimeve ligjore. Është e vërtetë që ISPL qenë partner në sondazhin "Puls" me QKZH, por mbetet dyshimsjellës fakti që këto dy organizata jofitimprurëse, nuk kanë dalë në një konferencë shtypi për të konfirmuar publikisht dakordësinë me përfundimet e sondazhit. Nuk ka shumë dyshim se QKZH do të shfaqej entuziaste për përfundimet, por a do të bënte të njëjtën gjë partneri i saj i "majtë" në sondazh, ISPL? E themi këtë, sepse sikundër shkruhet edhe në faqen e internetit të "Puls", të dy organizatat jofitimprurëse duhet të monitoronin njëra-tjetrën për të mundësuar saktësinë e rezultateve të anketës. Nuk do të ishte keq që publiku të mësonte se cilat kanë qenë përfundimet e këtij monitorimi reciprok dhe nëse partnerët kanë pasur vërejtje për aspekte të punës së njëri-tjetrit (që mund të kenë ndikuar edhe rezultatin) a janë marrë ato parasysh? Aq më tepër, kur zëra specialistësh të mirinformuar për veprimtarinë e "Puls", por që nuk duan të identifikohen, pohojnë (dhe me këtë shpjegojnë edhe deformimin e rezultatit ekstremisht në favor të PD) se, elementët metodologjikë të sondazhit, si për shembull zonat gjeografike, janë mbikëqyrur dhe servirur nga struktura në konflikt interesi me objektivitetin e sondazhit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për QZHK-në, por edhe për përfshirjen e INSTAT, që është tashmë dukshëm një institucion i manipulueshëm nga qeveria.

Një konferencë shtypi apo një deklarim më i hollësishëm për të tilla gjëra është i nevojshëm, aq më tepër kur "Puls" dhe dy partnerët shqiptarë janë mbikëqyrur për aspektet teknike edhe nga një kompani amerikane e specializuar. Vetë donatorët perëndimorë duhet të ishin të interesuar për realizmin e maksimumit të transparencës lidhur me metodikën dhe procesin e realizimit të sondazhit. Sepse vetëm kështu do të mundësohej informimi dhe jo dezinformimi i popullit mbi "pulsin" e popullit. Vetëm kështu "Puls" nuk do të keqpërdorej si një "push poll" i degraduar, që kërkon të sugjestionojë zgjedhësit të rendin për të votuar një fitimtar të rremë. Dhe vetëm kështu, donatorët perëndimorë nuk do të bëheshin bashkëfajtorë në paraqitjen e humbësit si fitues dhe fituesin si humbës, duke kontribuar si padashje, në përgatitjen e alibisë së radhës për manipulimin e radhës së zgjedhjeve nga një pushtet i stërnjohur për këtë mjeshtëri. Vetëm kështu, "Puls"-i nuk do të ishte pulsi i Berishës, por i qytetarëve.

 

Burimi Informativ:  SHQIP