Home | Shendetesi | Hipertensioni, shkaktarët, mjekimi dhe shenjat

Hipertensioni, shkaktarët, mjekimi dhe shenjat

image

Është sëmundja më e përhapur në popullatë. Rreth 18-20% e popullsisë vuan nga hipertensioni arterial. Trashëgimia, stresi, duhani, sëmundjet e veshkave etj., janë disa nga shkaqet e kësaj sëmundje kronike. Kështu shprehet kardiologu për SH2, mjeku specialist pranë Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve, Valer Manushi. Por, cilat janë grupmoshat më të rrezikuara dhe cila është mënyra më e mirë për ta parandaluar? Ja se çfarë thotë kardiologu në intervistën për gazetën:

Çfarë është hipertensioni dhe nga se shkaktohet?

Hipertensioni arterial është ngritja e presionit në enët e gjakut. Kjo shkaktohet nga disa faktorë dhe për këtë arsye ndahet në dy grupe të mëdha: a) hipertension arterial esencial, i cili edhe pse bëhen një sërë ekzaminimesh nuk arrin të kuptohet se nga vjen. Kjo shpesh ka origjinë trashëgimie ose stresi, pra ka origjinë të brendshme.

Grupi i dytë është hipertensioni arterial sekondar, që tregon se ka një shkak të ndryshëm që mund të jetë një person që ka vuajtur nga veshkat, nefriti apo infeksione të veshkave dhe quhet hipertension renovaskular.

Shkak tjetër mund të jetë, sëmundje të tjera të veshkave, si p.sh., ngushtimi i arteries renale që furnizon veshkën me gjak, duke mos u furnizuar si duhet me gjak në veshkë krijohen çrregullime të prodhimit të hormoneve dhe për pasojë ngritje të tensionit.

Shkak tjetër është problemet me gjëndrat e tiroides, kur shtohet funksioni i tyre, çon në prodhim të tepërt të hormonit të tiroides, gjë që shton rrahjet e zemrës, e për pasojë rritje të tensionit në enëve të gjakut.
Shkaqe të tjetra për këtë lloj hipertensioni janë diabeti, tumori i gjëndrave mbiveshkore.

Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara?

Nga tensioni vuan gati 12-20 % e popullatës, dhe me rritjen e moshës rritet dhe përqindja e të prekurve. Por, më e rrezikuar është mosha mbi 45-50 vjeç për burrat dhe 50 -55 vjeç për gratë. Te gratë kjo lidhet me hyrjen në periudhën e menopauzës dhe çrregullimet hormonale karakteristike të kësaj periudhe, ndërsa te burrat me çrregullimet që pësojnë enët e gjakut, nga përdorimi i kripës, duhanit, alkoolit.

Enët e gjakut humbasin elasticitetin, ngushtohen dhe nisin problemet me tensionin e gjakut. Kohët e fundit po vihet re se hipertensioni po shfaqet dhe te moshat e reja. "Fajtorët" për këtë duhen kërkuar te trashëgimia, por dhe stili i jetës, aktiviteti i ulët fizik dhe regjimi ushqimor me kalori të tepërta dhe pa vlera ushqimore.

Si ndikon stresi në shfaqjen e hipertensionit?

Stresi krijon një dominante në sistemin nervor, e cila shton prodhimin e adesteronit në veshka, e për pasojë çon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe shfaqjen e hipertensionit.

Cila është periudha më problematike për këta të sëmurë?

Periudha e dimrit, për shkak të temperaturave të ulëta. I ftohti, ngushton enët e gjakut, dhe rrit 2-3 gradë tensionin. Prandaj, këtyre pacientëve u rekomandohet të jenë korrekt në marrjen e ilaçeve dhe të kenë kujdes me menynë dhe stilin e jetës. Të eliminojnë daljet në ditët shumë të ftohta, të dalin vetëm gjatë orëve të ngrohta dhe të vishen mirë.


Ju thatë se një nga shkaktarët e hipertensionit është menopauza. Si ndikon kjo periudhë?

Kjo lidhet me çrregullimet në prodhimin e hormoneve, sidomos estrogjenit që ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut nga arterosklerozat. Në moment që këto hormone janë në nivele të ulëta, nis formimi i arterosklerozave, e për pasojë hipertensionin.

Ju thatë se përdorimi i duhanit shton rrezikun për shfaqjen e hipertensionit arterial. Si ndikon konkretisht?

Nikotina që përmban duhani çon në ngushtim të enëve të gjakut, e për pasojë rritjen e presionit të gjakut.


Çfarë mund të bëhet në kushtet e shtëpisë, nëse këta pacientë pësojnë krizë hipertensioni?

Në rastet e shtëpisë, ndihma më e mirë dhe më e shpejtë që mund t'i jepet pacientit është futja e këmbëve në një enë me ujë të ngrohtë, pastaj duhet t'i jepet adelati, i cili duhet vënë nën gjuhë dhe duhet pritur derisa të qetësohet. Nëse gjendja vazhdon të jetë e njëjtë duhet të shkoni urgjent te mjeku specialist.

Pse ujë të ngrohtë?

Uji i ngrohtë ndihmon në zgjerimin e enëve të gjakut, lehtëson qarkullimin e tij, dhe largon fluksin e gjakut nga pjesët e rrezikshme të organizmit, si truri dhe zemra.


Si mund të parandalohet hipertensioni?

Parandalimi i hipertensionit arterial duhet të nisë me eliminimin e të gjithë faktorëve që shërbejnë si burim për shfaqjen e hipertensionit. Të tilla janë kryerja e një jete aktive, me sa më shumë aktivitet fizik, eliminimi i duhanit, kufizimi i kripës, ushqimeve me kalori që përmbajnë shumë yndyra, sheqernave.

Përdorimi i zarzavate, yndyrave me origjinë bimore, si p.sh., vaji ulliri, por dhe me këto nuk duhet abuzuar. Këto rregulla duhen zbatuar nga të gjithë, por sidomos nga ata persona që vënë re se kanë luhatje të tensionit, që kanë prindër apo të afërm që vuajnë nga hipertensioni, apo kanë pasur vdekje të papritura të të afërmve nga sëmundjet e zemrës. Këta persona përveç këshillave të mësipërme duhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme të tensionit të gjakut.

Shenjat

Pacienti kur vuan nga hipertensioni mund të shfaqë:
Dhimbje koke
Marrje mendsh
Probleme shikimi (pamje e turbullt)
Skuqje në fytyrë
Zhurmë në vesh
Dobësi e përgjithshme