Andrea K. Prifti - Shkrimtari dhe Regjizori fierak
Ne rubriken Personazh ne Fieri.com kesaj here perzgjodhem Shkrimtarin dhe Regjisorin e njohur Fierak Andrea K. Prifti.
Por cili eshe ai?
U lind në Topojë, (Fier) më 11.11.1954. Pas kryerjes së shkollës 8-vjeçare në fshatin e lindjes, ai do të ishte fitues i konkursit të pranimit në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, dega pikturë. Iu mohua e drejta e studimit për artet figurative për shkak të trajtimit klasor në shtetin komunist: Ishte biri i një ish- nëpunësi të lartë të kohës së Mbretërisë…
Mbasi kreu gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë në vitet 1969-1973 me rezultatet maksimale, fiton të drejtën e studimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, fakulteti Gjeologji-Miniera, dega Gjeofizikë. Mbas dy vjetësh do t’i hiqet e drejta e studimit për shkak të biografisë. Për disa vite me radhë, punon në bujqësi ku edhe nisi krijimtarinë letrare. Krijoi dhe botoi tregime dhe novela (“Ura nën shelgje”, “Udhë pa fund”, “Ndalesë e vogël”, etj) duke arritur nivele të larta artistike për të cilat edhe do të vlerësohej me disa çmime letrare (1982, 1988, 1989,etj.) Ndërkohë atij do t’i rijepej e drejta e ndërprerë e studimit në fakultetin e filologjisë, dega gjuhë-letërsi. Njëkohësisht do të fitojë të drejtën e mësuesisë të cilën e ushtroi deri në vitin 1991 kur nisën proçeset Demokratike. Për disa vite, (1991-1997) do të përfshihet në politikë si drejtuesi kryesor i PSD-së në qytetin e Fierit. I zhgënjyer prej politikës, do ta linte vendin për të emigruar në Greqi ku do të punonte për më shumë se dy vjet.
Pas kthimit në Shqipëri, do t’i kushtohet tërësisht krijimtarisë letrare e artistike. Bashkëpunon me skenën dhe ekranin me drama, komedi (“Pusi”, “Parajsa”) dhe skenarë duke realizuar disa telefilma, artistikë dhe dokumentarë, të financuar nga Ministria e Kulturës, nga donatorë të ndryshëm shtetërorë apo privatë. Këtyre viteve u përkasin telefilmi artistik “Lamtumirë mik”, apo dokumentarët mbi jetën dhe veprën e disa personaliteteve artistike të qytetit të Fierit e të atyre kombëtarë si Fuat Boci, Zana Prifti etj. Është autor dhe regjisor i dhjetra realizimeve humoristike të metrazhit të shkurtër për ekranin (“Peshkatarët”, “Kasapi”, “Artisti”, “Një dhi për Llazin”, “Ura” “Mëkatarët”, “Skleroza” etj. si edhe i disa rubrikave apo spektakleve artistike) Aktualisht është skenarist dhe regjisor në televizionin “Apollon”
- Z.Andrea, Ju jeni shkrimtar, keni lëvruar gjinitë e prozës, tregimin dhe novelën, dramën, skenarin artistik jo pa sukses. Jeni vlerësuar me çmime letrare. Sipas njoftimeve në shtypin e asaj kohe, jeni fitues i çmimeve të para në tregim dhe novelë në vitët 1982, 1988,1989…Përse nuk po shohim më botime të prozës suaj?
-Nuk kam para të botoj.
- I ratë shumë shkurt!
- (Qesh) Gazetarët e tjerrin gjatë…Po nuk është vetëm kjo. Më bëtë një pyetje që më nervozon. Si mund të gjenden dy milion e gjysëm lek të tepërta për të botuar libër që nuk shitet? Diçka më tepër se kjo shifër përbën gjithë të ardhurat vjetore të një të punësuari në punë të ndershme!
- Po ju duhet të keni më shumë besim tek vlerat e krijimeve tuaja…Shiteni librin! Pastaj unë nuk besoj se të gjithë ata që botojnë merren me punë të pandershme!
- Vërtet botojnë shumë…
- Dhe nuk janë të pandershëm…
- Shumë nga ata “të shumtit që botojnë” janë të pandershëm edhe kur nuk vjedhin, edhe kur shfrytëzojnë pozitën e të qënit “dikushi” në një vend ku nuk evidentohen dot vlerat e askushit! Pandershmëri është kur i vardisesh një biznesmeni me deftesë shkollore të blerë, të të sponsorizojë… Ai mund të jetë zemërbardhë ose manjak i lavdisë së inspiruar nga tangërlliku por dëmton kulturën kombëtare duke servirur si vlerë antivlerën së bashku me idiotët letrarë! Këto janë krime të vërteta sidoqë të pandëshkueshme…
- Sidoqoftë, ”gjithsesi, sidoqë”…në” juridiksionin aktual tonin”, e drejta kushtetuese…
- Shlodhu, i dashur, e di që po talleni me ata të mjerët që braktisin gjuhën e bukur shqipe të cilën nuk arritën dot ta mësonin dhe u hodhën në parcelat e përçudnuara të zhargonit të akullt e hipokrit të politikanëve dritëshkurtër. E mora vesh, më kujtove të drejtën e të gjithëve për t’i fyer të tërë! E në këtë mishmash antivlerash të mëdha dhe vlerash të pakta, politikani injorant është më i rrezikshëm për kulturën kombëtare se sa biznesmeni i paditur që harxhon paratë e tija, sepse vringëllon paranë publike atje ku grafomani pëllet a llomotit frazat letrareske pa mendim por me paramendim…E dini ju, i dashur se t’i imponohesh pushtetarit si shkrimtar dhe artist do të thotë t’i zhvatësh atij një trastë parash?Sot këtë “aftësi” e kanë jo krijuesit e artit por menaxherët e tij Pikërisht këtë “nder”i bën politika artit të vërtetë, aftësive menaxhuese dhe jo atyre krijuese!
- Po përse e bën këtë politikani?
- Është në natyrën e mendjes abuzive e jo të asaj kreative…Por kjo është temë tjetër që unë, në paça durim dhe juve kohë, kam dëshirë ta them të tërën atë ç’ka kam përjetuar nga politika në atë kohë e, ca më tepër, sot…Po të duash vazhdojmë me artistët që reklamohen të shumtë kur janë aq pak !
- Dakort!
- I quajnë “kollos”, “viganë” ca të ngrefosur që as biblioteka e qytetit, (po të kishte punonjës të kualifikuar) nuk duhet t’ua pranonte librushkat në fondin e saj. Dhe, këta emërtues-miq që nga kohët kur njëri qe sekretar e tjetri bujk, njëri qe naftëtarë e tjetri punëtor-nafte, i thërresin nëpër ditëlindjet e tyre, dalin shëtitje nëpër rrugët e qytetit që po zbrazet për t’u mbushur me fshatarë që braktisin fshatrat për të lënë lopët për t’ u pagëzurar “artist”, “shkrimtar”, “poet” kur u servirin lexuesve që numërohen me gishta paçavuret me letra ose, “shkencëtar” për të na kujtuar atë shprehjen “mbeti fshati në dorë të Llazit”! Dhe këta “intelektual” i marrin me vete nëpër tubime politike dhe “artistike” këtu dhe përtej kufijve ku një mëhallë katundi përtej reklamohet si qytet i madh këtej…
Një ditë të vjeshtës së kaluar, kur pata luksin të pija i qetë një kafe, vura re përtej xhamave të dritares së lokalit, një pushtetar të qytetit tonë tek kapardisej në mes dy “Llazëve”. Eh, njëri krye-krijues për tre krijues të mplakur pa qënë të rinj në krijimtari dhe dy letrarëve të rinj pa asnjë të dhënë për t’u mplakur dot në letërsi. Tjetri “krye-shkrimtar” në Tiranë-dje dhe i rrasur për trafik droge në Itali-sot! Dhe, e dini, çfarë? Plasi xhelozia tek të gjithë “shkrimtarët” dhe “artistët” që në qytetin tonë të vogël ose fshatin tonë të madh, përpiqen t’i imponohen jo banorëve por këtyre pushtetucëve për t’u zhvatur ato para për… për…Për t’i përdorur “ku ta kenë të nevojshme”. E dini se këtu kemi më shumë shoqata krijuesish se sa krijues?
Njëra “Grumbullim…”, tjetra “Uni-un”, e treta “KFAXHB”,ka rrëmbyer gjysmat e gërmave të alfabetit meqë nuk nuk arriti dot të grumbullonte rreth Un-it çerekun e krijuesve! Pleqë nostalgjikë të kohëve që nuk u bënë dot krijues të nivelit kombëtar, turren të regjistrohen anëtarë të kryesive pa anëtarë, të asaj kryesie që natën e kaluar në kafene e kanë sharë; të rinj euforikë, që lëpihen para liliputëve-miq, kapardisen në ëndërrat e lavdisë së ëndërruar …A e dini se ca muaj më parë për pak ja vesha me shpullë njërit nga këta lavdi-përvëluar kur më tha se “po ta kisha patur mirë me njëfarë agai me tre bujq-vargëtarë që i lëpihen pushtetarëve si lodrimi i kotorrëve dhe viçave për të cilët “krijojnë”, do të më jepej mundësia të shkoja në takimin “ndërkombëtarë” të krijuesve për të cilin Bashkia e qytetit do të prishte ca dollarë?!
- Më duhet t’ju ndërpresë: Më duket se po thoni të thëna të njohura… Krijuesit të gjithë e shajnë njëri-tjetrin! Sa mirë që e ditke, veç nuk mbaron me kaq, duhet plotësuar binomi shkak-pasojë. Deri tashti treguam pasojat, po shkaku, cili është? Një personazh i Manxonit qeshte me pulat që, këmbëlidhur në dorën e tij, çukisnin me sqep kokat e njëra-tjetrës sepse, me ato pak tru që kishin, kujtonin se këmbët ja kishte lidhur shoqja e saj! …O pulëz e mjerë, ai që të ka lidhur po të çon në pazar dhe tallet me miopinë tënde, më vjen të thërrasë!..Po ku? Në ç’vend e në ç’rast? Poetucët dhe shkrimtarucët jargaviten, pushtetucët kapardisen të rrethuar nga “intelektualët” në tubime e davete politike!
- Në diskutimet krijuese, në debatin artistik, në këshillat artistike,sa herë që jepet rasti!
- Harroji, unë i kam harruar! Pa kaluar më larg, në Fier, kanë vite që rreken me gjasme të ngrenë një Këshill Artistik. Provojnë të miratojnë një të tillë me vjershëtorë-miq dhe miq-politikë që duhet të gjykojë për vlerat e një drame pa pare asnjë e jo më të ketë lexuar ndonjë! Këshilli Bashkiak nuk e paskej miratuar! Ekzekutivi u turret emrave të nderuar të krijuesve të kombit dyzet vjetë më parë larguar!..Flokëbardhë, nostalgjikë për kohën kur patën krijuar, te kjo trevë ku qenë dalluar, do ta prisnin të përmalluar mandatin e miratuar, por…
- Më falni, por ju gjithnjë e, për çdo gjë do gjeni një “por”!
- Po, sepse Ata krijues të shquar që sot janë në Tiranë, nuk besoj ta kenë takatin të vërshojnë në Fierin tonë “artistik” për t’u miratuar” kryeveprat” artistike të krijuesve që do të financojë Bashkia! Ky është shkaku dhe, të vazhdoj me pasojën, dinaku ekzekutiv, mbasi të ketë bërë apelin e të ketë evidentuar mungesat e atyre fisnikëve flokbardhë, do të firmosë për vepra dhe projekte që ja don zemra,(interesi)…Epo, Këshilli Artistik i “vendosi”!
-Po, si i bëhet?
- Ashtu siç është bërë prej vitesh, ecet drejt shkatërrimit të plotë të interesit të komunitetit për institucionet artistike e të librit, për tubimet në tryezat e rrumbullakta dhe katrore ku burra arti që s’janë artistë, bëjnë sikur shkruajnë sa herë vënë re se po u drejtohet objektivi i kameras …Si mund të ndodhe ndryshe kur aktori Enver Petrovski (pa qënë asnjëherë dramaturg) merr aprovimin e veprës se tij që e kishte lexuar vetëm ai, vetëm me një telefonatë në bashki dhe u firmos çeku disa milionësh që do ta merrte ai edhe për regjinë e tij! Po se mos vetëm ai! Aprovimi i “veprave” bëhet me kërkesë në telefon. Sa duhen?..Paguan bashkia. (fierakët)!
- Si u prit vepra?
- Duhen pyetur ata dhjetra që e panë me ftesa dhe lutje si edhe të 17-ët ose të13-tët spektatorë të të dy netëve në vijim që, në fakt, vajtën për ta parë shfaqjen, për t’u bërë homazh parave të varrosura!... Mora vetëm një shembull sepse për teatrin tonë mund të thuhet shumë. Edhe për skenën në përgjithësi…Snobë dhe ksenofobë ka patur dhe do të ketë gjithnjë por, e keqja është se vite e vite të tëra, shuhen pa u ngritur zërat në përcaktimin dhe mbrojtjen e një raporti të drejtë mes të parës edhe të dytës. Është pikërisht ky raport mes asaj ç’ka është shqiptare e ç’është vepër e huaj, që do të zbuste fenomenin e akullt të braktisjes së interesit të publikut tonë për skenën dhe ekranin, pavarsisht nga begatia e organizimit të paradave artistike shqiptare me vepra të huaja përkthyer nga amatorë të përjetshëm dhe regji të blerë me pesë euro kaseta që shiten nëpër tezgat ndanë rrugëve nga “regjisorë” të emëruar të ëmbël në të kominikuar!
- Në të vërtetë, prodhimi cilësor shqiptar për skenën edhe ekranin pranohet se është i paktë. Si mund të nxitet ai?
- Arsyet nuk duhet të kërkohen te mungesa e dramaturgëve e as te paaftësia e tyre. Ajo ka të bëjë me diskriminimin e tyre, deri diku trashëguar nga e kaluara e para viteve nëntëdhjetë. Them “deri diku” sepse atëhere, në atë katrahurë vlerash e antivlerash, shteti diku paguante lejet krijuese. Në funksion të filizofisë sunduese të barazimit të vlerave, rrafshimit të tyre dhe shkatërrimit të personalitetit të krijuesit, zëri i harabelit duhet të kishte forcën e shqiponjës ose, thënë ndryshe, kjo e fundit të cicërinte si gushkuq, poshtë, shkurreve, ndanë moçaleve ku zhgrryheshin anemitë e jetës kolektive… Sot libretet mediokre të spektakleve “mis”, me nja shtatë a tetë emërtesa sipas fantazive të miqve buxhetdhënës, apo varieteve banale “variant-para” e plotë sajesave “festivalike” të kulturës massive, paguhen ku e ku më shumë se sa një dramë a komedi e mirëfilltë! Duan të thonë se autori mund të merret vesh për honorarin me dashamirësit e tij në institucionin buxhetor, bie fjala me Bashkinë…O zot, po ata që nuk kanë kohë e as që duan të gjuajnë miqësi të tilla, të mos shkruajnë më?! Unë mendoj se këta kanë kohë të shkruajnë e të respektojnë vetveten me “pagjumësinë e tyre fisnike” siç thotë çehovi e…E pikërisht këta nuk i “shesin” dot veprat e tyre! Më të blershme janë veprat e huaja. E dini përse?
- Sepse, atje mund të gjenden vepra shumë të mira!
- Po, por, kryesorja, autorët ose kanë vdekur ose, atje, në atë botë të nxituar e të zhurmshme matanë kufirit ku janë, nuk arrin dot jehona e veprës së tyre vënë në skenën e teatrit të …Të njërit nga teatrot e boshatisura të një vendi pa respekt për pronën intelektuale, me një pronë të përçudnuar materiale! Ja, një miku im përkthen autorë të huaj, pa u marë leje atyre dhe vjen e i shet në teatrot tona duke ua ndërruar pa gjë të keq emrat e personazheve nga Foti në Llazi, nga Laura në Llambë! dhe ky “krijues” është i mirëpritur në institucionet tona sepse realizon edhe mundësinë që trupat tona artistike me tam-tamet e posterave elegante që në zërat e shumta të projektit artistic me realizues rrogëtarët, mban “shpenzime të promocionit” që , për nga mufatja financiare ja kalon edhe honorarit të autorit shqiptar!
- Mos po bëni shaka? Sepse kësaj i thonë…
-“Kompleks inferioriteti me pasojë fyerje të kulturës kombëtare në emër të injorancës dhe të zhvatjes së parave publike”…Ka edhe një tjetër formë të shfaqjes së këtij kompleksi: Në emër të “modernizimit”, “të sjelljes në kohë”, bastardohen në skenë kryeveprat e letërsisë botërore. Perëndi e madhe, kemi parë personazhet e Molierit të komunikojnë me celularë, Mercedes dhë qerre te fshatit tonë të varfër në vend të pajtonit luksoz të mesjetës, sharje rrugaçësh të kompjuterizuara në vend të poezisë të epokës së romantizmit! Klasikja ndër këmbët e vulgares, magjia e artit në mesazhe pa mesazh!
- Nuk ju shkon në mend se do t’ju quajnë” konservator” për këto mendime?
- Ti do të më kujtosh se duhet mbajtur mirë me ata që financojnë artin?...Mos ki mëshirë për mua, tërë jetën nuk i jam lutur e lëpirë askujt sepse e di fundin…Mos mendo se po filizofojë, ekzistencializmin nuk do ta marrë si argument në hullitë e kësaj jete provinciale, mediokriteti i binomit pushtetar-“krijimtar” vërtet do të ringjallet në forma të tjera, ama, këta të tanishmit e kanë mandatin të përcaktuar në kohë: aq sa zgjat legjislatura…Sa turp. sa e trishtueshme është të qënit të rënë nga vakti, kur ke rënë nga posti dhe sheh se si njërëzit të largohen e vetëm ndonjë sentimental siç jam unë të përshëndetë duke respektuar humbjen njërëzore… Të gjithë të rënit nga pushteti, të gjithë ata që në luftën për para dhe tangërllik humbasin, janë e do të jenë miqtë e mi! Tashmë ata nuk flasin më për artin, dhe, befas, kujtohen se ata kurrë nuk e kanë njohur atë e se, është për këtë arësye që nuk duhen rrahur për vulgaritetet që financuan! Vulgarja është derivat i injorancës dhe miopia artistike mediokriteti i kohës që jetojmë, kohë që është gati të riprodhojë deri edhe një Rembrandt apo Rubens me “mjetet artistike” të bojaxhinjëve që llangosin posterat e fushatave elektorale!..Më duket se thashë që nuk do të merrem sot me politikën dhe politikanët, apo jo?!
- Mirë që u kujtuat!..Ju keni shkruar edhe dramë. Pse keni hequr dorë prej saj?
- Duket që nuk më keni ndjekur me vëmendje…Më shkurt, po ju kujtoj përgjigjen e Ali Pashës dërguar Napoleon Bonopartit. Kur marinarët e Perandorit shkuan të mbushnin për së dyti dyshekët e anijeve me leshin e deleve të Aliut, ky i përzuri me përgjigjen: Napoleon, sill paratë të marrësh leshtë!” Po, do t’i shkojë në mend ndokujt: Kujt iu bë vonë?! Natyrisht,vetëm atyre njërëzve me kulturë që kanë investuar për të, edhe dashamirësve të artit që , sidoqoftë, jetojnë në atë botën e vet fisnike me dhimbjen e tkurrjes përballë vanitetit dhe injorancës që mbulohet me tam-tamet zhurmëmëdha të tifozllikut politik i cili ka ngërthyer në përmasa të frikshme kohën që jetojmë!
- Ju jeni autor dhe regjisor i shumë pjesëve të humorit edhe për ekranet televizive. Për humorin thuhet se është “shëndet” dhe ky “shëndet” në krijimtarinë tuaj, mos është njëkohësisht edhe tregues i një jetë të qetë pa telashe ?
- Zakonisht, kur niset një bisedë e tillë si kjo e jona, pyetet për origjinën, për atë se si jemi edukuar dhe cili nga të afërmit tanë ka ndikuar në atë ç’ka arritëm të “arrinim” …Ju nuk e bëtë këtë dhe unë thashë me vete “shyqyr” që e anashkaluam rutinën që të imponon ca përgjigje shtampë të spërkatura me marifet me ca doza të fshehta tangërlliku e vetemburrje jo aq të huaja për natyrën njërëzore…Zotrote, këtu erdhe që erdhe! Po mos prit të të flas për “lumturinë” time, as edhe për “betejat” në emër të luftës kundër ligësisë njërëzore. Kjo, jo ngaqë nuk dëshiroj t’i tregojë këto, madje me fëmijtë e mi, kjo është një temë jo pak e preferuar por, dashamirësit e artit, njërëzit e telasheve të një jete të vështirë ku do të jetë edhe vendndodhja e personazheve të mi , nuk ka arsye t’i dinë, boll kanë brengat e tyre!
- Sidoqoftë…
- Sidoqoftë, kur flitet për krijimtarinë, së pari duhen treguar veprat e jo ata që i kanë krijuar ato! Sot në kritikën letrare duhet të diskutohet fort mbi raportin Autor-Vepër, ai duhet të përmbyset natyrshëm “Vepër” e, pastaj për pakëz “Autor” le të mësojnë ata kureshtarë që kurrë nuk u thelluan dot ose as që e kanë intelektin e domosdoshëm për ta kuptuar krijimtarinë artistike! Ku janë sot ata emra që dikur, në vitet e “bollëkut” komunist, pompoheshin nga pushteti të cilit i shërbenin, me veprat “madhështore” të realizmit socialist? Mbeten pak por gjithsesi pas veprave të bukura që krijuan. E, mbasi emocionohemi tek i lexojmë, kujtohemi për ta pa na i rekomanduar as pushteti e as partia!
- Më duket se nuk jua kuptova qart mendimin…
- Kur dikujt i thashë me sinqeritet se nuk më kishte pëlqyer ajo që më kishte dhënë për ta lexuar, ai u përpoq të më kundërvihej me argumentin se vetë Kryetari i Bashkisë e kishte quajtur të “shkëlqyer”…Unë ia ktheva se Kryetari ose i kishte bërë qejfin ose nuk merrte vesh fare nga kjo puna e të shkruarit… Kryetari nuk marrka vesh?! Ai zgurdulloi sytë…Hiç fare! ja preva… Tre vjet kanë kaluar e ai ma mbanë kokën mënjanë!... Jo se ai vdes për kryetarin por duhet ta marr vesh ky lloj kryetari se Ky është mbrojtësi i tij që…(që duhet shpërblyer!)
- Po vetë kryetari?
- Nuk kam tagër të vras mendjen për gjëra të tilla. Gjithnjë ato kanë qënë objekt humori për mua. Më 1992, një forcë politike më kishte ekspozuar si kandidaturë për deputet e, me këtë rast, zgjedhësve u ishte dhënë mundësia të mësonin civinë time ku, pasi lartësohesha deri në qiell për “meritat se isha i persekutuar”, thuhej edhe se isha shkrimtar…Njërëzit shtyheshin të shihnin fotografine time me ate tifozëri të neveritshme që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shiu binte pjerrtas, kurse mua me shihte ngultas portreti im i viteve te studentllikut… Shkrimtari Koço Kosta shkëputet dy hapa larg meje (që nuk na e ka thënë deri tashti Partia(!)”,” nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë”, “nuk e kemi lexuar”, “nuk e njohim” etj. Po Jakov Xoxën, ndërhynë Koço Kosta, e njihni?...O, atë po, përgjigjen njërëzit në kor…Dhe e keni lexuar?, vazhdon Koçoja…Tashti, për ta lexuar nuk e …Epo, i ve vulën Koçoja, merreni dhe pranojeni edhe këtë meqë po ju thonë ca politikanë të tjerë!... Edhe sot e kësaj dite qesh me idiotizmin e kësaj bote, një qeshje e trishtuar ku mendimi trembet e shkon larg në ato vite të vegjëlisë kur i ndjeri im atë më shihte me dashuri e përdëllim e nuk më spjegonte dot se në këtë dreq botë dinjiteti është një luks tepër i kushtueshëm!...Vonë, vite më vonë, do ta kuptoja thellë dhimbjen e tim eti, atëhere kur, ashtu si Ai, vetë, do ta ndjeja pëshën e rëndë të persekutimit, të asaj përplasje me ligësinë njërëzore që buron nga fakti i të pasurit respekt për vetveten, kur respekton mendimet e tua e jo të lëpihesh përpara idiotëve pushtetarë të djeshëm a të sotshën qofshin!... Dje më pengonte injoranca e mjeranëve komunistë, sot hipokritët vanitozë të “shkërdhatokracisë”!
- Më falni, ju më duket se po flisni seriozisht e, megjithatë, nuk e kurseni fjalën “artistike”!
- Pse, të jesh serioz do të thotë të thuash fjalë të rëndomta?! Oscar wilde ka thënë se “nuk ka poezi më të madhe se poezia e dhimbjes!”… Në një takim të dy viteve më parë, një pushtetar më ka thënë se “edhe sikur më i madhi në botë të jesh në letërsi, nuk ecën dot pa u mbështetur në një forcë politike”! Puna është se këta ustallarë politikë gjithçka e masin me kutin e tyre dhe kujtojnë se jemi aq naivë sa paskemi nevojë për këto këshilla “dashamirëse”! Sa e dhimbshme! Politika ja ka mbushur mendjen vetes se ajo është dhe duhet të vendosë mbi gjithçka në këtë vend… Sa e trishtueshme që pikërishtë kjo është vërteta, e zeza e vërtetë aq e thjeshtë për ta parë çdo ditë nga e përditshmja ku zvarritemi! Dhe ky vend ku u linda e po i afrohem muzgut të jetës, mbetet mbretëri e mediokërve!...Operativë të dikurshëm, ish sekretarë të byrove a instruktorë të asaj partie, militantë tifoza histerikë të luftës së klasave, ziliqarë edhe për copën e bukës që kapërdijmë si gjithë ata që nuk kanë qënë të persekutuar, që nuk i janë kundërvënë vijës së “lavdishme” të partisë dje dhe të partive “karizmatike” sot, që deri dje “marshonin me njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, dhe sot “me një dorë rrëmetin dhe me tjetrën ryshfetin”, i shoh te kalojnë përpara meje… Dhe unë ul kokën të mos ndeshem në vështrimin e tyre ashtu siç bëjmë tutje, i shmangemi atij që ka fytyrën të palarë a pantallonat e zbërthyera që të mos i lëmë të kuptojë se ja pamë pisllikun për të mos e vënë në siklet…Po, kështu duhet të ishte por, o zot, ata vetë të shohin në dritë të syrit, madje në fytyrë iu nderet një nënqeshje triumfuese: E, e more vesh, ne ishim, ne jemi! Ata janë, tërë jetën e kanë ndërtuar “zyrtarisht”, asgjë “individuale” nuk ka tek ajo: Tek mënyra e të ngrënit, të të fjeturit, (me veshët ngrehur si lepuri përgjojnë zhurmat e fshehta që paralajmërojnë ndërrimin e pushtetit).Ditët i ngrysin nëpër zyrat “zyrtare” ku sajojnë “projekte” (edhe “artistike”) i miratojnë vetë “zyrtarisht”, financohen nga po ato zyra ku marrin rrogat e askujt nuk i shkon në mend se kjo dukuri e frikshme që, në gjuhën juridike quhet “konflikt interesi” që në zhargonin politik të kundërshtarit emërtohet “korrupsion” se është vërtet korrupsion, pavarësisht se përdorimi i saj konvertohet në kapital politik nga krahu tjetër i politikës në tërësinë e vet e korruptuar! Po ata që nuk ja kanë ngenë ose, nuk u do qejfi të merren me politikë? (t’u shërbejnë mediokërve dhe hajdutëve) që e ndërtojnë jetën jo “politikisht” por “individualisht”, ç’të drejta do të gëzojnë”? … Egalitè, fraternitè, libertè e vivè…Viv… “shkërdhatokracia”!
- Cili është mendimi juaj në atë se si duhet riparë mënyra e vlerësimit të letërsisë së viteve të para 90-tës?
- Varet se cili do ta bëjë këtë “rivlerësim” Zot na ruaj nga të paaftët! Janë pikërishtë këta të paaftë e të patalentuar që kanë marrë flamurin e rishikimit e të rivlerësimit. Nën pretekstin e evidentimit te “vlerave të vërteta” , këta që nuk botuan dot as një vjershë a tregim në shtypin letrar të kohës që iku, kërkojnë te “rivlerësojnë” krijimtarinë e kohëve të përmbysura në tubime qesharake “letrare e artistike”. Pasi vjellin vrerë edhe atje ku xixëllon e mjerëza dritë e artit, shkojnë e ngrenë dolli për pushtetarët që u kanë financuar tangërllikun me paçavuret e “promocionit” në sallat që ka ndërtuar dikur ajo kohë e nëmur a nëpër pika turistike të bosëve modernë tek rrëkëllejnë pijet alkolike në mes të erës së qepëve e salcave të prishura, zhurmëmëdhenjë si vetë kumbimi i hapësirave të ndërtuara jashtë çdo ligjësie të fizikës e të inxhinierisë nga muratorë të vetquajtur “arkitektë”!
-Po përse mendoni se janë kryesisht të patalentuarit ata që kërkojnë të peshojnë krijimtarine e viteve të diktaturës?!... Ju mendoni se nuk ka patur krijimtari të pavlerë?!
- Zot na ruaj nga ekstremet! Unë nuk e thashë një gjë të tillë! Problemi qëndron në atë se duan të hedhin poshtë gjithçka, dhe pikërishtë ata që nuk arritën dot asgjë, që me pretekstin e keqtrajtimit klasor, “nuk i paskëshin lënë të botojnë, të vizatojnë a të kompozojnë”!
- Po ju, vetë, si i persekutuar, nuk patët fare pengesa në botimin e krijimtarisë suaj?!
- Unë shkrova në kushte të vështira, kjo qëndron, por është gjë tjetër dhe, siç e thashë ca më lart, lexuesi për të cilin shkruajmë e me të cilin kërkojmë të komunikojmë, nuk ka pse t’i dijë telashet e të krijuarit, atij i intereson veç krijimtarija .Mua askush nuk më pengoi të botoja, kuptohet, kur trajtova temat që nuk përbënin tabu. Mbaj mend që nga vëllimi me tregime “Ura nën shelgje” më hoqën vetëm tregimin “Trëndafila në dimër”. Shefi i tregimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, i ndjeri Sami Çabej, më tha në konfidencë: “Me këtë tregim nuk e rrëzon dot komunizmin, prandaj shiko të shkruash ca të tjerë si “Çelësi i Kilos” apo “Përmallimet”…Kanë kaluar mbi një çerek shekulli dhe unë, në çastet e mërzisë sime, i them vetes se gjithnjë, në çdo kohë, ka patur e do të ketë njerëz të mirë, nuk është koha që i bënë njërëzit por janë njërëzit që bëjnë kohën! I paafti lind e vdes i tillë, i afti le të ndeshet tërë jetën me prapësirat, ndaj edhe natyra e ka bërë të tillë!...Mos të dukem gjë mburravec?
- Jo, vetëm se dolët nga tema…
- Oh, kjo është një dukuri e zakonshme sot mes atyre që shkruajnë, mjafton t’i hidhni një sy ndonjë të ashtuquajture “parathënie” të vëllimeve me vjersha, prozës nuk para i afrohen sepse amatorizmi i parathënësit do të zbulohej qysh në rreshtat e para të “krijimit”…
- N. q. s. do ta pranoja, pse ndodh kjo dukuri?!
- Sepse me to marrin ndonjë dorëz para, ose për ta vënë veten në rolin e “ustallarëve” në krye të ca tavolinave të mjera të tubimeve “poetike” apo takime “ndërkombëtare” për ca…O zot, prapë po përsërisë vetveten! Dua të them se sot lajkatarët meshkuj zhgarravisin parathënie edhe ndaj femrave “të talentuara”! Ose, një tjetër dukuri qesharake: Të çuditur nga “zbulimi” i mençurisë së të tjerëve kur i lexojnë për herë të parë në prag të moshës së thyer, kur u është mbushur mendja se janë të talentuar, i huazojnë ato për t”i servirur si gjykime të tyre për parathënie-zhgarravina ndër “vepra” “me forcë hyjnore artistike”! Mediokriteti i krijimtarisë letrare, në hullinë e një shoqërie pa identitet, ku politika me revanshin e saj ngjason me “yryshin” e kalorësit mesjetar, është në kontekstin e krizës së tanishme të identitetit tonë kombëtar!...E lemë me kaq bisedën e sotshme?
- Edhe një pyetje: - Jeni skenaristi dhe regjisori i disa realizimeve të ekranit: telefilma, dokumentarë apo dhjetra pjesë të humorit, i shohim në ekranet televizive. Jeni i kënaqur me to?
- Në ç’kuptim?
- Në kuptimin e të vlerësuarit… Ka dy aspekte të vlerësimit: Paratë dhe dashamirësia e publikut. Për të dytën, jam tepër i kënaqur, kjo më obligon të përpiqem më tutje…Sa për paratë, ato nuk para venë atje ku duhet dhe unë e di këtë, e di edhe se jam “konfliktual”.A nuk dëshmon edhe kjo bisedë që bëmë së bashku?! Po e përsëris për së dyti: Dinjiteti është një luks tepër i kushtueshëm, bir, më thoshte shpesh im atë me atë vështrim të hedhur larg, të pashqetësuar nga era që i trazonte flokët e zbardhur… Dhe unë, me luksin tim shpirtëror, jam i qete në varfërinë time!
- A më lejoni të hedh diçka nga krijimtaria juaj në faqen tonë të internetit?
Edhe sikur të mos ju jepja leje unë, juve po t’ju tekej, do ta bënit. Në këtë vend që quhet “Shqipëri”, ku unë jam lindur, vidhen pasuritë kombëtare e jo më ato individuale (qesh)
- Ju faleminderit!
SHENIM: Per me shume foto klikoni KETU
Intervistoi per Fieri.com Arben Alliaj























Komente (3 postuar):
Bravo z. Andrea
Bravo Fieri.com per kete interviste te kendeshme
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!