Petraq Xhacka: -Afër fundit, partia shihte vetëm armiq. Sektori i naftës nuk kish më të paaftë!!!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Petraq Xhacka

"E gjitha duket si një takim spiritistësh, si një fantazi e çartur, si jerm, ku bisedojnë të vdekurit me të gjallët. E pra, nuk është e tillë. Gjithçka thuhet këtu është e vërtetë. Pyetjet e mia janë të vërteta, ashtu si të vërteta të padiskutueshme, janë përgjigjet e mikut tim të ndjerë, Petraq Xhaçkës. Të gjitha këto mund të dëshmohen fare kollaj duke shfletuar librin e tij të çmuar memorialistik, që për mua dhe për shumë të njohur dhe kolegë të mi, është një nga veprat më tronditëse të shkruara për kalvarin e intelektualve të shquar gjatë diktaturës, atyre që me patriotizëm të lartë, me përkushtim e sakrifica dhanë gjithëçka për të mirën e vendit. Kjo intervistë nuk është as edhe një kapriç letrar, formalist. Ky shkrim synon të shpluhurosë edhe një herë egërsinë e regjimit komunist enverianoramizist, që në përpjekjet për t’i zgjatur qëndrimin në ajër balonit të tyre, flaku nga koshi i balonit, edhe personalitete me peshë, intelektualë të karatit të lartë: nacionalistët një herë dhe të vetët paskëtaj!..." - Pëllumb Kulla

Intervistë  Petraq Xhaçkës, marrë atij pas vdekjes-

 

 

Intervista:


-  I dashur Petraq, mirëse kthehesh mes nesh, përsëri i gjallë e na flet edhe një herë..

 

- Petraq Xhaçka: -  Gëzohem që nuk më harroni!

 

-  Jo, kurrsesi! Dua të të ve në dijeni se vdekja jote,- po e korrigjoj, me që është intervistë publike: - vdekja juaj shkaktoi pikëllim të madh, në rrethin tuaj familiar e  në miqtë tuaj të shumtë. Në Katedralen e Shën Gjergjit u bënë dy përshpirtje të ndjekura nga shumë vetë të ardhur nga larg. Libri juaj i botuar është pëlqyer së tepërmi nga ata që e kanë lexuar. Pa u thelluar në shkaqet, unë ve re se jehona e tij është mbajtur nën fre. Po para se të flisni ju, e ndoshta të thoni hamendjet tuaja, më lejoni të bëj për lexuesit, një paraqitje të shkurtër të librit tuaj “Kalvari i një intelektuali”

 

- Ju lutem! Më nderoni duke e bërë këtë!

 

-  Pas Hitlerit në Gjermani dhe Stalinit në Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë, kishte avantazhin par excellence, t’i shartonte dy përvojat e këtyre dy pararendësve e arriti të aplikonte një regjim terrori, deri tani të pashëmbullt në Evropë. Nga Hitleri përvetësoi indoktrinimin e verbër mbi superioritetin e racës dhe e shndrroi në superioritet iluziv të vegjëlisë. Nga Stalini zbatoi pikpërpikë krijimin e vakumit hierarkik mes tij dhe masave të punëtorëve dhe fshatarëve me anën e asgjësimit të hierarkisë intelektuale të trashëguar nga e kaluara, asaj partiake origjinale dhe më tej akoma: hierarkisë së ushtarakëve dhe inteligjencës së re të formuar në erën e tij të sundimit. Në këtë mënyrë, tirani ynë shqiptar, i favorizuar nga përplasja e dy kampeve madhore, të Perëndimit dhe të Lindjes, mbajti nën një regjim terrori shoqërinë e brishtë shqiptare mbi 47 vjet. Perëndimi dhe opinioni amerikan kanë një boshllëk informacioni mbi Shqipërinë e asaj kohe, pikërisht për shkak të armiqësisë të Enver Hoxhës me ShBA dhe të izolimit që i imponoi ai Shqipërisë, izolim që është deri tani më i ploti dhe për këtë nuk jap dot shëmbuj të tjerë krahasues. Totalitarizmi që ushtroi Enver Hoxha ka mbetur i panjohur publikut amerikan edhe për shkak të eklipsimit që i bën vetvetiu një vend i madh si Rusia, Shqipërisë, me madhësinë e territorit dhe numërin e natyrshëm të viktimave të atjeshme. Por shoqëria njerëzore nxjer njëlloj mësimet e saj, ashtu si nxirren vëzhgimet mbi bimët, pavarësisht në se ato janë vendosur në fusha pafund, apo parcela të kufizuara.


Njeriun që po intervistoj, juve, inxhinjer Petraq Xhaçka, pata nderin ta njoh prej tridhjetë vjetësh, që kur jetonim e punonim bashkë në Fier, qytet që merrte një rëndësi jo aq për madhësinë e tij, se sa për faktin që në të ishin vendosur shtabet qëndrore të kompanisë gjigande shtetërore të nxjerrjes së naftës. Industria e naftës ishte ndërkohë shtylla e ekonomisë të këtij vendi komunist. Unë punoja në një fushë tjetër, në kompaninë teatrale të qytetit dhe jam ndodhur aty, kur tufani i persekutimit goditi me valë të njëpasnjëshme bashkeqytetarët tanë që merreshin me administratën, kërkimet dhe prodhimin e naftës. Një njeri që e njeh sadopak stilin e jetesës në vendet socialiste, do ta besojë më lehtë, se si shtypi i kontrolluar partiak nuk pasqyronte asnjëherë ngjarjet më dramatike të vendit. Të gjithë dramën e naftëtarëve, ne në Fier, atëherë, e morëm të plotë nga tregimet gojore. Teknikë të thjeshtë të mikrofonave në mbledhjet që përfundonin me arrestime, psh. apo puntorë  të mirëmbajtjes të apartamenteve të qendrës, na e sollën të plotë edhe të ndezur atmosferën e prangosjes në publik të shefave të industrisë së naftës, vetvrasjen e kreut të partisë së rrethit e plot ngjarje të tjera, që përfundonin me vënien prapa hekurave të njerëzve të rëndësishëm të qytetit. Unë kam ende para syve imazhin e grumbullimit të familjarëve të individëve të arrestuar, para hetuesisë së qytetit. Atje përditë merreshit në pyetje nën tortura, ju, njerëz me vlera intelektuale, figura publike, që deri atë ditë ishit mjaft të njohur, për shpjegimet shkencore, dekorimet tuaja të bujshme dhe për intervistat që jepnit në të vetmin kanal televiziv shtetëror.


Ndaj, ndryshe nga të tjerët, libri juaj, zoti Xhaçka, zgjon tek unë një përshtypje të veçantë me përqasje kujtimesh më të gjalla se tek të tjerët. Por edhe duke lënë mënjanë  këtë lidhjen time emocionale, unë e shoh librin tuaj, si një dëshmi me vlera informative, analitike dhe me nje bukuri te rrallë artistike. Në të, me logjikë të përsosur, ju arrini të shpjegoni përsetë e shumta të atij fenomeni social e politik. Libri ka një forcë përgjithësuese, pa humbur për asnjë çast vlerën e kujtimeve individuale, që e bën përjetimin bindës, e bën tregimin të rrjedhshëm dhe librin mjaft tërheqës. Hera herës në libër hasen paragrafë meditimesh, që të kujtojnë mjeshtrat që kanë marrë si objekt studimi pasionin diktatorial të mposhtjes të karaktereve njerëzorë, siç është kryevepra e Sozhelnicinit “Arqipelagu Gulag” e fokusuar mbi të njëjtën temë.

 

- Faleminderit për fjalët e ngrohta e dashamirësinë tuaj të veçantë!

 

-  Libri të bën përshtypje edhe për një gjë tjetër që haset rrallë, në mos hiç, në librat me kujtime nga burgjet dhe hetuesitë komunistë. Në faqet e kujtimeve tuaja të botuara nuk ka qëndrime prej kreshnikësh, nuk ka demaskime oratorike të lojës së ndyrë të kupolës komuniste me kuadrot e saj të sprovuar. Ju aty nuk hidhni mbi supe pelerinën e heroit. Goditjet e torturat nuk bien mbi trupa heronjsh prej bronzi a mermeri, por mbi lëkura njerëzore, që nxihen e gjakosen menjëherë. Bën përshtypje pra, fryma realiste, pa heroizma filmash, por pa humbur nga dinjiteti juaj. Në këtë dritë shfaqeni në libër ju, apo gabohem?

 

- Nuk gaboheni. Unë kurrë nuk kisha ëndërruar, të më vinte një çast që të shfaqja heroizmin tim. Në botë rrojnë miliona, miliona dhe miliarda, që nuk janë heronj dhe askush nuk ua kërkon të bëhen të tillë. A nuk mund të kisha të drejtë dhe unë të mos isha i tillë, të mos isha hero? A nuk ka njeriu të drejtë t’i kërkojë qiellit dhe Zotit të mos e verë në një provë kaq të egër, ku kërkohet të jesh ose hero, ose frikacak i poshtëruar?

 

-  Ju, pra, jeni thjesht një dëshmitar. Në libër nuk është objekt vetja juaj, por mekanizmi represiv. Na thoni diçka, shkurt mbi veten tuaj,për para ditës së hidhur të arrestimit..

 

- Jam lindur më 14 Prill 1932, në Tiranë ku kreva dhe shkollën e mesme. Studimet e larta i kreva në Institutin e Naftës “Gubkin” të Moskës dhe i përfundova ato me diplomë të shkëlqyer. Babanë tim, Vasil Xhaçkën, e njohin si themelues të letërsisë shqipe për fëmije. Vasil Xhacka hapi të parën shkollë në gjuhën tonë, në zonën e Devollit, në Ziçisht, shkollë kjo që sot mban emrin e tij. Për afro një çerek shekulli kam patur drejtimin teknik, kryesisht të shërbimit gjeologjik të naftës e të gazit, duke dhënë një ndihmesë të shquar në zbulimin e vendburimeve të rinj, si punonjës shkencor dhe organizator me njohuri të gjëra të fushës. Para se të më përfshihinin në shtërngatat e spastrimeve staliniste të diktaturës, mora titullin Doktor i Shkencave Gjeologjike. Më nderuan dy herë me “Çmimin e Republikës “ dhe me shumë Urdhëra e Medalje të larta. Veç librit që përmendët ju, pata shkruar dhe botuar dy libra, tekste për Universitetin. Kam patur nderin të përfaqësoj nivelin shkencor të naftëtarëve në shumë delegacione pune, simpoziume e kongrese për naftën si në Kinë, Francë, Greqi, Jugosllavi, Itali, Irak, etj. Punën plot përkushtim, udhëheqja diktatoriale e shpërdoroi në konjukturat politike. Me një varg skenarësh dhe akuzash fallso, në vitin 1986, ashtu sikurse qe vepruar dhe me kuadro të tjerë më parë, u arrit që ne, njerëz krejtësisht të pafajshëm, të shihnim vite me radhë ferrin e burgjeve. Në vitin 1992, me kërkesë time dhe të Ing.Enriko Veizit, me të cilën patëm fat të përbashkët, Gjykata e Lartë rishikoi proçesin gjyqësor dhe na dha pafajsinë. Po atë vit, bashkë me familjen, u zhvendosa në Shtetet e Bashkuara. Vitet e fundit të jetës i kalova në South Boston, ku ime shoqe, Zhani dhe fëmijët, Ilda dhe Genci me familjet e tyre, vazhdojnë të jetojnë edhe pas vdekjes sime, nga kanceri i prostatit.

 

-  Nuk e dimë në se nga individë që bënin pjesë grupet e ashtuquajtura sabotatorë në fushën e naftës, ka kujtime te botuara, por me sa shihet menjëherë, të gjithë këto kuadro të rëndësishme, ju, Lipe Nashi, Koço Plaku, Enriko Veizi dhe të tjerë, nuk vinit nga origjina kundërshtarësh antikomunistë, përkundrazi. Po të huajmë termat enveriane, ju ishit, bash, të klasës së tyre, që nga lufta për çlirim.

 

- Familja jonë, e Xhaçkave, qysh në fillim të robërimit të vendit, qe bërë pjestare aktive e lëvizjes kundër pushtuesit. Në shtëpinë tonë shkruheshin trakte nga babai im Vasil Xhaçka, që bashkë me disa veprimtarë të tjerë punonin për shtypin klandestin. Vëllaj im më i madh Andoni, qysh në fillim të vitit 1942, u largua nga gjimnazi i Tiranës, ku vazhdonte shkollën dhe doli partizan në çetën e Pezës. Dy motrat e mia, Violeta dhe Sofika, u bënë aktiviste të lëvizjes për liri. Ato të dyja morën pjesë dhe në demostratën e zhvilluar në vitin 1942, të njohur me emrin Demostrata e Grave, ku u vra dhe Emine Peza. Violeta  u arrestua që aty, në demostratë. Atë e mbyllën për disa muaj, në Burgun e Vjetër të Tiranës, në repartin e grave. Në zhvillime të tillë të trazuara me ndjenja gjithëllojesh, po kaloja unë fëmininë time dhe ashtu, ende i parritur, mora pjesë në lëvizjen debatikase.

 

-  Me burgimin tuaj, pra, tipareve të ndyta të diktaturës i shtohet edhe pabesia, fallciteti i asaj që i thamë luftë klasore. Para shëmbjes, diktatura u bë e egër e kriminale edhe me njerëzit që konsideroheshin në anën e saj e që, vetvetiu, kishin postet kyçe në ekonomi.

 

- Nafta përbënte industrinë më të leverdisëshme. Ajo siguronte valutën më të madhe në dollarë, mbështeste më shumë se cilido prodhim tjetër vëndin, në politikën enveriane të izolimit e mbylljes së kufijve. Dhe jeta më vonë tregoi, se ne punuam mirë dhe drejt. Në këmbët e mia, më shumë kanë ndenjur mbathur çizmet e llastikut, se këpucët. Në ato kohë u bënë gjithnjë e më të shpeshta ardhjet në Institut të punonjësve të Sigurimit të Shtetit për sektorin e naftës, të cilët bënin bisedime e merrnin në pyetje naftëtarë të ndryshëm e u tërhiqnin atyre opinionet sidomos për çështjen e kërkimeve. Ne i vinin re këto gjëra dhe punonim me një tension e frikë të madhe. Udhëheqja e partisë kish shtruar kërkesën e saj që planifikimi i naftës për atë periudhë të arrinte shifrën e 3 milion tonëve në vit. Këto nuk ishin gjë tjetër vetëm planifikime absurde, bllofe, vetëm për propagandë, në trajtë fishekzaresh, për kongresin e ardhshëm të partisë. Udhëheqja e lartë e kish të lehtë të justifikonte në të ardhmen këtë mosrealizim me një grup tjetër sabotatorësh. Diktatura fabrikonte “grupe armiqësore”me njerëz të pafajshëm. Në atë kohë pothuaj u hoq fare nga përdorimi termi “i paaftë”. Në sektorin e naftës në Shqipëri, nuk do të kishim më të paaftë, do të kishim vetëm armiq!

 

-  Në librin tuaj bëhet e qartë se titullarët e shtetit komunist nuk mungonin kurrë në fushat e naftës dhe në sallat e mbledhjeve tuaja të frikëshme. Si është problemi i kuadratit të shpimeve, që ju kërkoi Mehmet Shehu?

 

- Në një pushim mbledhjeje në Institut, tek po dilja jashtë sallës, një nga shoqëruesit e Mehmet Shehut më zuri nga krahu dhe më tha të këthehesha në sallë, se më kërkonte kryeministri. E gjeta afër një stende, ku ne patëm vendosur një hartë të Shqipërisë. Sa më pa, Mehmet Shehu më pyeti: “Xhaçka, cilat janë, sipas teje, zonat më perspektive të vendit tonë për naftë e gaz? Dua mendimin tënd personal. Dua një kuadrat të qartë, ku duhet të përqëndrohemi në kërkimet tona. “Po shikoni, shoku Mehmet, - qesha unë, - është zor të flasësh prerë. Ne, gjeologët…” “Ohu, ju gjeologët, keni fjalë shumë. Unë dua një kuadrat! Më jep kuadratin!” Atëhere i përcaktova përafërsisht zonën e bregdetit të Lushnjës, vijën Dumre-Qytet Stalin, Patosin, vijën Gorisht-Vlorë, që zgjatej deri në bregdet. Nuk kishin kaluar veçse dy-tri javë nga ky takim, kur na vjen një broshurë që përmbante një fjalim të ri të Enver Hoxhës mbajtur në Sekretariat të Komitetit Qëndror të partisë, i cili paskej thënë midis të tjerash se  ”nga sa kam studjuar unë, zona më perspektive për naftë e gaz në Shqipëri, është kuadrati që nis me bregdetin e Lushnjës, vijën Dumre-Qytet Stalin, Patosin, vijën Gorisht-Vlorë e zgjatet deri në bregdet e këtu duhet të përqëndrohen kërkimet e naftës e të gazit.”  E kuptova se kjo ishte thënia që unë e formulova me nxitim pas pyetjes së kryeministrit, thënie që do të vazhdonte të na shitej si pjesë e studimeve të kryepartiakut mitoman. Ky përcaktim nga institucionet zyrtare u kanonizua me emrin “kuadrati perspektiv i përcaktuar nga udhëheqësi Enver Hoxha”. Ajo u bë një tabu, që duhej zbatuar me rigorozitetin më të madh nga ana e jonë dhe mbi tetëdhjetepesë përqind e puseve të kërkimit, duhej të ishin vetëm e vetëm brënda këtij kuadrati të shenjtë. Nëqoftëse shpohej larg tij, kjo cilësohej kundërvënie, apo thyerje e orientimeve të partisë dhe kishte pasoja të rënda për specialistët gjeologo-gjeofizikë, duke përfshirë edhe, mua të ngratin, që pa e vrarë mendjen, e formulova me nxitim, nën shtytjen e Mehmet Shehut! E ku mund ta mendoja unë, se një ditë aktakuza e ime për sabotim dhe veprimtari armiqësore, do të kish si pjesë thelbësore mëkatin që “bëra lejimin e kërkimeve me shpime jashtë kuadratit të përcaktuar qartë nga Enver Hoxha”! Në të vërtetë, unë kurrë më parë nuk kisha menduar, apo thënë, se nuk ka perspektivë kërkimi dhe në zona të tjera. Përkundrazi! E këto gjëra unë i kam shprehur në shkrime e studime, që janë me siguri të ruajtura edhe sot. Ta dija unë, se atë ditë me Mehmet Shehun, po formuloja aktakuzën time të ardhshme, do të isha menduar më mirë e do të këmbëngulja më shumë në sqarimin tim. Po njeriu nuk di ç‘i ka ruajtur fati. Unë nuk isha aq profet të prisja nafakën time të pas njëzet vjetëve, siç nuk ishte as vetë kryeministri, që vetëm pas gjashtë vjetëve do të përfundonte nën rrotat e makinës vrastare të Enverit.

.

-  Kur ju arrestuan?

 

- Më 6 mars 1986, në orën dhjetë të mëngjesit arrestuan Enriko Veizin. Pas pesë orësh, kryehetuesi i Fierit, u fut në zyrën time dhe më thirri me gisht: “Hajde pak me mua, në korridor!” Dhe në korridor më hodhi prangat.

 

-  Dihet që me ju u angazhuan katër hetues të egër. Ju keqtrajtuan fizikisht?

 

- Ata më godisnin me aq tërbim, sa unë vura re i tmerruar se ata më urrenin. Unë kisha dëgjuar që njerëzit torturohen, por mendoja se ata që bëjnë këtë gjë, e bëjnë thjesht se ajo është puna e tyre, si puna e atyre që rrahin lëkurët, dyshekët apo misrin në vrah. Mirë, le ta bënin punën, po përse më urrenin?!  Mua nuk më hiqej dot nga mendja se ata e dinin fare mirë që unë isha i pafajshëm! Ata kërkonin të pranoja, se unë isha anëtar i një grupi të gjërë sabotatorësh, ku bënin pjesë dhe anëtarë të udhëheqjes së vendit. Vendi më i preferuar i shqelmave të tyre, ishin gjunjët, ku dhimbjet ishin më të mëdha. E ushtronin mbi mua torturën fizike, por nuk pushuan asnjë çast së bëri terror psikollogjik, duke thënë se do të më rripnin, ashtu, siç isha gjallë, që të shtatë lëkurat që ka trupi deri sa të pranoja! Dhe po të mos pranoja, për mua mbetej plumbi. Mezi gjeja hapësirë mes goditjeve të tyre dhe klithmave të mia, t’u përsërisja se unë isha vetëm një specialist, qoftë edhe drejtues i shërbimit gjeologjik të naftës, që i pata siguruar atdheut dhe ekonomisë, të ardhura prej miliarda dollarësh. Unë çirresha pa ndërprerje, se industria e naftës nuk pat pasur asnjë të keqe nga mua!… Duke parë se kisha fizik të fortë e disa herë grushteve të tyre u pata bërë pritë aty për aty me pëllëmbët e mija, me urdhër të tyre, polici futi përsëri në valle hekurat. Sapo m’i pranguan duart prapa kurrizit, ata nisën të qëllonin fare lirshëm me grushtet e tyre mbi fytyrën dhe mbi trupin tim. Grushtet binin si breshër mbi një njeri të pambrojtur, mbi një individ të pafajshëm, mbi një burrë të moshuar. Këta njerëz pa vlera, që qysh prej fillimit të jetës së tyre e deri atë natë, nuk patën mundur të regjistronin asnjë meritë për asgjë vërtet të dobishme ndaj popullit e vendit, kishin lejën e plotë dhe nuk i ndëshkonte askush të qëllonin mbi mua, Doktoritn e Shkencave. Sikur ky shkencëtar, për një trill absurd, të kish qepur atë ditë mbi trup dekoratat që pat marrë gjatë jetës së tij të mundimshme, hetuesat e Fierit nuk do të gjenin vend të pazbuluar për grushtat e tyre idiotë dhe do të detyroheshin të godisnin përmbi urdhëra, medalje, shirita, rrudha e thinjë të respektuara!… Pas një maratone të gjatë prej rreth tetë muaj, të një maratone që përmbante tortura, presione, ekspertiza të rrema prej kolegësh specialistë, strese të rënda, jetesë në kushte të mjeruara e të neveritshme, izolim të plotë, errësirë informative për familjen, ne përfunduam aktin e deponimeve dhe e firmosëm atë. Lexoja aktin përfundimtar dhe nuk u besoja syve të mij, nuk i besoja vetvetes dhe pyesja: a jam unë ky këtu?! Kjo histori nuk mund të vazhdonte pa mbarim. Ne diktatura na kish mundur!

 

-  Pas burgut a ju ka kërkuar falje ndonjëri nga dëshmitarët, apo ekspertët, që ndihmuan Hetuesinë në fajësimin tuaj?

 

- Kur dola nga burgu, erdhi të më më takonte një pjestar i grupit të ekspertizës që u përgatit nga specialistët, kundër nesh. Në prani të personave të tjerë, ai u shpreh me dhimbje: “Zoti Petraq, të kërkoj thellësisht ndjesë që dhe unë u bashkova me të tjerët e nënshkrova ato gjëra të neveritshme. Më beso që e vuaj shumë. Por ti e di”, - më tha, -“që po të kundërshtoja, do të më sillnin dhe mua aty tek juve. Ata ma thanë copë! Mos më mbaj mëri, Petraq!” E falenderova për ndjesën që kërkoi para të gjithëve. “Nuk të mbaj, - i thashë duke i shtërnguar dorën që më zgjati. – Unë të kuptoj më mirë se këta shokët që na dëgjojnë. Po të ishte për mëri, unë së pari do t’i mbaja mëri vetes. Unë pranova se ishin të vërteta, më shumë monstruozitete seç pranove ti, por vetëm duket sikur unë kam një avantazh, ngaqë dëshmitë e mia dëmtonin po Petraqin. Po njësoj është! E ndjej veten fajtor edhe unë, si ty”

 

-  Ky i juaji ishte një kalvar i vërtetë. Më vjen keq se ju pyes juve, që tani keni vdekur, por megjithatë një pyetje e rëndë mbetet për t’u bërë: ky që i shprehët atij kolegut, ishte faji i juaj i vetëm?

 

- Kudo njerëzit punuan me litar në grykë, por asnjë sektor i jetës në Shqipërinë diktatoriale, nuk mund të krahasohet me atë terror që bënte kërdinë në fushat, institutet, laboratorët dhe zyrat e drejtuesve, që ishin angazhuar në prodhimin e naftës. Në asnjë sektor tjetër të ekonomisë, ky terror i pandërprerë gjatë dekadash të tëra, nuk bëri aq viktima e nuk prishi aq familje, sa në sektorin tonë. Shpërfillja e jetëve njerëzore ishte e egër e pamëshirëshme dhe këtë llogari historike, këtë rradhë, diktaturës nuk ia kërkojnë kundërshtarët ideollogjikë, apo të ashtuquajturat klasa të përmbysura. Pjesa dërmuese e atyre naftëtarëve, që panë t’u shkatërroheshin çerdhet familjare, që u torturuan, u poshtëruan, u burgosën dhe u pushkatuan, ishin komunistë dhe luftëtarë të luftës për liri e barazi. Ishin nga ato shtresa që duhet të paguanin haraçin e merituar, për fajin që iu bashkuan Enver Hoxhës dhe mostrave të tij, që në çastin kur bënë kërkesën për t’u antarësuar në partinë e tij e deri momentin kur kjo parti u shpërbë. Ishte haraçi më i merituar për një jetë të helmët e mostruoze në mbledhjet e organizatave, ishte dënimi qiellor për heshtjet tona, për shfytyrimin njerëzor, për shërbimin tonë ushtarak në rradhët e partisë, për dyfytyrësinë tonë të tejzgjatur, për mbytjen e klithmave tona që lindnin në atë pjesë të qënies, që na pat mbetur ende e pastër, ende e re dhe fëminore...

          Libri im, që ti ke në dorë, është një akuzë, por në asnjë faqe të tij, ai nuk pushon së qëni një vetakuzë ndaj vetes dhe shokëve të mij. Ndaj vetes dhe shokëve, që në llogaritë tona meskine, për t’i shpëtuar rrebeshit, e zgjidhëm duke mbyllur sytë përpara atyre, që ky rrebesh i mbyste ditë për ditë në dallgët e tij.

 

-  Petraq, faleminderit, që erdhe për pakë dhe na nxore mallin!


 

*      *      *

   

       Por të vdekurit nuk shfaqin ndjenja të tilla dobësie. Ata nuk vuajnë për ne, siç vuajmë ne për ta. Me një buzëqeshje të ngrohtë, miku im Petraq Xhaçka largohet, largohet dhe largohet, deri sa kthehet në vendndodhjen e tij të re: në amëshim!…



Pergatitur nga Pellumb Kulla per Fieri.com

 

 

 

 

SHENIM: Per me shume foto klikoni  KETU.

 

 

 

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Komente (2 postuar):

nina ne 30 December, 2008 11:22:35
avatar
Une jam nga Fieri dhe ne kete kohe kam qene studente ne vit te 3 te shkolles se larte dhe e mbaj mend kete periudhe ku u trumpetua me te madhe se u kap nje grup " sabotatoresh" ne nafte. Me ka ardhur shume keq per Ilden dhe Gencin se ishim me te vertete shume te kulturuar dhe me nnje nivel te larte. I uroj good luck them in USA.
Por Enveri i kishte frike njerezit qe ishin te zgjuar dhe gjithmone i godiste pa ndonje shkak . Por do ishte mire qe libri i Petraqit te jete dhe ne anglisht, sepse ka njerez te huaj qe duan te dine reth albanian socialism dhe
all the stories about it.
Petraq Zoto ne 06 May, 2009 08:30:34
avatar
Pëllumb i dashur, je burrë i zoti dhe me këtë besoj se e shpreh më së miri vlerësimin tim për këtë shkrim kaq të veçantë.
Të përshëndes përzemërsisht,
Petraq Zoto

Shkruani nje koment comment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Foto Galeri
Tags
Rate this article
5.00
© 2002 - Fieri.com - Portali Fierak Online. Te gjitha te drejtat e rezervuara - All rights reserved.