Kristaq Shtembari - Konsulli i Kultures Fierake

Font size: Decrease font Enlarge font
image Kristaq Shtembari

Kristaq Shtëmbari i përket bijve më të shquar të “arealit” fierak të cilët me punën dhe veprën e tyre elitare, e ngritën lavdinë e këtij qyteti në majat më të larta të zhvillimeve të tij historike dhe e vendosën atë në panteonin e kulturës sonë kombëtare.  Ai ishte bir i fisit të nderuar të Shtëmbarëve, ardhur në Fier nga fundi i shek. XIX prej njërës nga zonat periferike të këtij qyteti. Krahas fiseve të tjera të zbritur nga Voskopoja, Ulqini, Golloborda, Berati dhe Gjirokastra, fisi i Shtëmbarëve u bë pjesë aktive e zhvillimeve të hovshme ekonomike dhe kulturore të jetës sonë qytetare në vitet ’30 të shekullit të kaluar. I jati, Nasi, ishte një tregëtar konfeksionesh i dëgjuar për tolerancën, favoret dhe bamirësitë e tij humane. Ai ishte ndër figurat më të thjeshta dhe më të nderuara të këtij qyteti. Njeri perspektiv,“i bredhur e i kënduar”, kunat me Vangjel Lulen, njërin nga patriotët më aktiv të emigracionit në Amerikë dhe Luftës së Vlorës më 1920, aktivistin e devotshëm të shoqërisë “Bashkimi”, Nasi kishte arritur të krijonte në ambjentet e tij familjare, klimën  e ngrohtë të kulturës, moralit të shëndosh shoqëror dhe ndjenjës së përhershme patriotike.

Kristaqi lindi në vitin 1934 në lagjen “Belik”, (sot “Konferenca e Pezës”), e cila së bashku me lagjen “Kishë” (“Kongresi i Përmetit”), përbënin mëhallat më emblematike të këtij qyteti të ndara nga një rrugë e vetme. Ai u rrit në ambjentet e tyre romantike, në rrugicat e mbuluara nga pemët frutore, mbushur plot intimitete dhe aventura  rinore, në oborret e vilave njëkatëshe të qytetarëve dhe ato dykatëshe të të pasurve, hijezuar nga kopshtijet, sheshet e blerta dhe sidomos në brigjet “enigmatike” të Gjanicës ku ujrat kristalor të “Jordanit” të tij të fëminisë, e “pagëzuan” me dashurinë e pashtershme të vendlindjes. Këtu ishin “pagëzuar” edhe bijtë e tjerë të këtyre mëhallave, Kryetari i Bashkisë Tonç Kilica, i cili hyri në histori me aktin patriotik të ngritjes së flamurit të pavarësisë më 29 Nëntor 1912 në Fier, Legjenda e “Lumit të vdekur”Jakov Xoxa, luftëtari dhe shkrimtari i humorit Miço Kallamata, koreografi i talentuar Vlash Kallamata, aktoret; Marika Kallamata, Liri Dhimitri, Urani Axho (Verria), Fuat Boçi, shkrimtarët; Tashko Lako, Leonidha Prifti etj. Të gjithë bijë e bija që populli i lindi për vete, i lindi “me këmishën” e fatit të paracaktuar, për të trasmetuar nëpër kohë vlerat e tij më përfaqësuese e më vitale. Të gjithë në rolin e udhëheqësit shpirtëror të tij.

Të gjithë konsuj  të artit dhe kulturës sonë. Edhe Kristaqi lindi i tillë. Në trupin e tij hijeshonte këmisha e kulturës artistike, qendisur me ornamentet e lirikave qytetare fierake të cilat e mbrujtën shpirtin e tij me pasione të pashtershme  për jetën, natyrën dhe njerinë. Bashkë me brezin e tij, ai ndikoi fuqimisht në formimin e realitetit intelektual të këtij qyteti, mbrujtur me reflekset e pafundme kulturore të viteve ’30. Vlerat e tij më të spikatura e më elitare, mund të përvijohen në katër dimensione. ; arsim, sport, kritikë letrare dhe etikë.

Dimensioni i parë, ai  arsimor, ishte më karizmatiku për të. Ai e  çoi drejt titullit më të lartë të kësaj kariere. Arsimin 7 vjeçar dhe të mesëm i kreu në qytetin e lindjes, ndërsa dipllomimin e bëri në Universitetin e Tiranës në fakultetin e shkencave humane, në degën Gjuhë –Letërsi shqipe. U emërua mësues dhe shërbeu për një kohë të gjatë në fshatrat e thella të Mallakastrës dhe Myzeqesë si; Çorrush, Cakran, Bishan, Pojan, Shtyllas, Lalar, Kallm, Kraps, Levan, Mbrostar, NB,”Çlirimi” etj. Kudo ku vinte,  krijonte kontakte shpirtërore dhe raporte korrekte me njerëz të moshave dhe psikologjive të ndryshme duke përfituar kështu një fond të gjerë e të larmishëm eksperiencash. Ai zbatoi në mënyrë krijuese dhe pasionante metodat bashkëkohore të mësimdhënies, e pasuroi orën e mësimit me sfondin emotiv të shprehjes, e bëri atë më të gjallë e më ekspresive duke arritur në nivelet e  një mjeshtri të vërtetë të procesit operator pedagogjik.

Ai dallohej ngado për sqimën e hollë të artistit, veti kjo aq e rëndësishme dhe aq produktive në profesionin e mësuesit. Duke qenë i tillë, mësues – artist, ai arriti të shfaqte edhe  vlera të tjera krijuese, në lidhje me stilin e komunikimit publik, në krijimin e situatave efektive dhe pasurimin e mëtejshëm të mjeteve dhe praktikave didaktike. Në konceptin e tij, shkolla u konsiderua si një obelisk i ndërgjegjes dhe i shpirtit krijues të brezave, me faqe të dyanshme, mësues dhe nxënës. Krahas emërave të mirënjohur të kësaj fushe si Jovan Ndreko Libofsha, Kristo Vide, Perikli Ikonomi, Jani Boçova, Teki Sadiku, Ymer Haxhija, Sokrat Plaku, Vasil Prifti etj, Kristaq Shtëmbari u bë shumë shpejtë një nga protagonistët më në zë të arësimit fierak e më gjerë. Ai drejtoi për 26 vjet Kabinetin Pedagogjik të rrethit, periudhë kjo mjaftë produktive gjatë së cilës i dha impulse të veçanta aktiviteteve kërkimore shkencore e studimore për rrethin e Fierit. Organizoi dhe drejtoi konferenca të shumta shkencore dhe seminare  të ndryshëm kualifikimi. Drejtoi dhe udhëhoqi vëzhgimet ndaj teksteve të reja shkollore si ato të shkollave bujqësore dhe profesionale, bujqësore – teknike etj. Ndërsa në Cakran eksperimentoi me sukses programin e shkollës së organizuar.

Ndërkohë, ai ka ushtruar edhe një aktivitet të gjerë publicistik. Në organet e ndryshme të shtypit të kohës, sidomos në gazetën “Mësuesi” dhe revistën “Arësimi popullor”, gjenden dhjetra artikuj të tillë të cilët pasqyrojnë me përgjegjësi e profesionalizëm probleme të ndryshme aktuale. Nëpërmjet tyre ai i bënte jehonë traditës sonë arësimore, shpirtit arsimdashës dhe mendjes së etur për dije e kulturë të qytetarit tonë. Shkrime mbi historikun e arsimit, demokratizimin e tij, hulumtime figurash të mësuesëve patriot dhe protagonistëve të ngjarjeve kryesore historike të rrethit, e veçanërisht trajtesat  për zhvillimet perspektive të arsimit tonë kombëtar, përbëjnë kontributet e tij më të shënuara të kësaj fushe.

Atij i takon merita për hulumtimin dhe gjetjen e gazetës së parë që doli në qytetin e Fierit, “Djersa e bujkut” më 20 shkurt 1922 me drejtor patriotin e nderuar, zotin Gani Aliko. Kjo gazetë e quajtur, fletore e përdyjavshme, ku përfshiheshin shkrime me karakter ekonomik, politik dhe shoqëror është botuar vetëm në një numër dhe atë, ai arriti ta gjente  në Bibliotekën Publike të Elbasanit, në fondin e krijuar prej Lef Nosit. Në një nga shkrimet e tij kushtuar kësaj gazete, ai e quan atë,“ yll në vargun e shtypit përparimtar shqiptar”. Museu Historik i Fierit i ka të ekspozuara artikujt e kësaj gazete në stendat e tij, pikërisht nga puna përkushtuese e këtij studiuesi. Është në meritën e tij gjithashtu edhe përcaktimi i datës së fillimit të krijimtarisë letrare në rrethin e Fierit në fillimet e shek. e XX që lidhet me poezinë “Shqipëria” të Zoi Ndreko Libofshës, botuar në “Kalendari Kombiar” më 1910. Ai konturon gjithashtu edhe figurën e këtij poeti si,”një ndër mësuesit e parë të Myzeqesë i cili që në moshë të re luftoi për mësimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Së bashku me patriotë të tjerë solli nga  Stambolli abetaren e parë dhe kontribuoi për çeljen e shkollës së parë shqipe në Myzeqe, në Libofshë në gusht të vitit 1908”.

Kontribut të vlefshëm Kristaq Shtëmbari ka dhënë sidomos në hartimin e “Historikut të Arsimit për rrethet Fier e Mallakastër” ku përfshihen gjithë zhvillimet e kësaj fushe deri në vitin 1980. Historiku është punuar nga një grup autorësh me emra të njohur të kulturës sonë, ku bënin pjesë, Neritan Ceka, Iljaz Gogaj, Naun Kule, Teki Sadiku, Qemal Isufaj, Hajro Kadareja dhe Kostandin Boçova. Kristaq Shtëmbari ishte kryeredaktor i këtij grupi.

Ai është gjithashtu edhe bashkëpunëtor i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Me hapjen e filialit të Universitetit të Tiranës në qytetin e Fierit ai angazhohet në përbërje të stafit të tij të mësimdhënies. Ndërkohë angazhohet me punimet e temave shkencore edukative në kolektiva të ndryshëm punonjësish dhe veçanërisht në radhët e kuadrit ushtarak.

Në nëntor të vitit 1972, Kristaq Shtëmbari merr pjesë në Kongresin Kombëtar të Gjuhës shqipe në Tiranë, si delegat i qytetit të Fierit dhe bëhet firmëtar i dokumentit vendimor të këtij kongresi krahas figurave më të shquara të kësaj fushe, si Eqerem Çabej, Aleks Buda, Rexhep Qosja, Mahir Domi, Lasgush Poradeci, Jakov Xoxa, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, Jup Kastrati, Bedri Dedja, Shaban Demiraj, Dhimitër Shuteriqi, Jani Thomai, Fatmir Agalliu, etj. Vendimet që mori ky kongres për njehsimin e gjuhës sonë letrare kombëtare, u japin atyre, rëndësinë historike të firmëtarëve të aktit të shpalljes së pavarsisë dhe formimit të shtetit të parë shqiptar. Pikërisht si i tillë, ky akt përbën një nga kulmet më të vlerësuara të aktivitetit intelektual të Shtëmbarit dhe e radhit atë pa hezitim në vendin më të lartë të nderit krahas figurave të tjera të enciklopedisë shqiptare. Për merita të tilla, të shkëlqyera në fushën e arësimit e kulturës, ai është dekoruar me medalje të arta dhe urdhëra pune, me titullin “Mësues i Merituar” e deri te titulli më i lartë i kësaj fushe, “Mësues i Popullit”.

Në periudhën e demokracisë, Shtëmbari angazhohet për disa vjetë me drejtimin e shoqatës “Myzeqeja” si kryetar i sajë. Më pas emigron në Greqi dhe kthehet në vitin 2000. Po këtë vit zgjidhet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dega Fier, deri në vitin 2006, kur largohet për të bashkëjetuar me fëmijët në Londër. Gjat kësaj periudhe jeta kulturore e krijuesve fierak ka njohur hapa të ndieshëm ecurie dhe zhvillimi të pandërprerë. Është meritë e tij e padiskutueshme krijimi i  traditës së festivalit të fjalës poetike, “Apolloni 2004” e në vazhdim të çdo viti kalendarik. Për herë të parë në Fier, mblidhen poetë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Belgjika, Maqedonia e Mali i Zi dhe për herë të parë prezantohen vlerat e fjalës poetike të këtij qyteti. Për herë të parë poetët fierak u hapën me qytetet e tjera të vendit. U shkëmbyen vizita pjesëmarrëse nëpër festivale poetike brenda dhe jashtë kufijve të tij, u zgjeruan njohjet midis krijuesëve dhe u lartua e u nderua më tej emri i qytetit të Fierit nga bijtë e tij të talentuar. Mjaft shkrime vlerësuese, falenderime dhe emisione televizive e radiofonike, janë bërë në këtë periudhë nga autorë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë për poetët e prozatorët fierak. 

Një eveniment i rëndësishëm ka qënë gjatë kësaj kohe, pjesëmarrja e poetëve fierak në takimin poetik ndërkombëtar “Kepi i Shpresës së Mirë” në Mitrovicë, më 12 e 13 nëntor 2004, kushtuar poetit Fahredin Gunga. Në këtë takim, ata kryesoheshin nga Kristaq Shtëmbari i cili ishte zgjedhur midis shumë kritikëve të tjerë të Shqipërisë për të referuar mbi poezinë e Fahredin Gungës. Referimi i tij u prit me shum interes dhe u botua në revistën “Fjalë e Valë” të Mitrovicës. Më pas, ai do të tërhiqte vëmëndjen me disa studime të tjera për vepra dhe autorë të ndryshëm, sidomos për krijimtarinë e poetit dhe studiuesit të mirënjohur, Agim Vinca.

Në vitin 2003, ai zgjidhet Kryetar i Komitetit të Kulturës së Rrethit Fier. Ndërkohë, ai jep një kontribut të rëndësishëm në ndihmë të botimeve të reja. Bëhet redaktor dhe përgatit parathënien e vëllimit poetik, “Kryqëzim stinësh” të poetit Kristaq Prifti, redaktor i vëllimit poetik “Dhimbja e lisave” të N. Plakut dhe kryeredaktor i librit historik “Fieri” , botim i Muzeut Historik Fier, punuar me grup autorësh.

Dimensioni i dytë i kontributeve të Shtëmbarit lidhet me aktivitetet sportive të klubit “Apollonia” të futbollit. Ai ka qënë për shumë vjet i angazhuar me grupin udhëheqës të djemëve  të kësaj skuadre, në rolin e komisarit të fushës, një rol ky gati prej aspiruesi dhe psikologu. Shoqërimi i përhershëm me ta, pjesëmarrja intime në sukseset dhe humbjet e tyre, gjurmët e emocioneve të pashlyera, udhëtimet, këshillat, ovacionet, intimitetet, familjarizimi dhe respekti i ndërsjelltë, e frymëzuan atë t’i gdhendëte me majën e penës të gjitha përshtypjet e veta në memorjen publike të këtij qyteti, nëpërmjet monografisë së parë të kësaj skuadre, titulluar, “Djemtë e Apollonisë”.

Ky është një libër i merituar, një histori sportive e shkruar në “mënyrë sportive”, me stil të rrjedhshëm dhe elegant, që herë herë arrin deri në përshkrime dhe pasazhe të bukura lirike. “Djemtë e Apolonisë” siç thot edhe vet ai, i kushtohet ekipit të futbollit me rastin e 75-vjetorit të formimit të shoqërisë kulturore – sportive të qytetit tonë. Ai është dhe një homazh që i bëhet kujtimit dhe nderimit të atyre të rinjve fisnikë të qytetit të Fierit që iu përkushtuan kësaj loje kaq të bukur dhe të dashur dhe i falën asaj vitet më të bukura të jetës së tyre, atyre djemve që ndër vite nëpërmjet lojës së futbollit, lartësuan veten dhe emrin e qytetit të Fierit”. Libri është i pari në lloin e tij kushtuar kësaj skuadre. Si i tillë ai do të mbetet një nga “lapidarët” më të vlefshëm të historisë së shkruar të futbollit në qytetin e Fierit.

Dimensioni i tretë lidhet me kritikën dhe studimet letrare.  Kritika ishte një nga fushat më të spikatura të talentit të tij. Ai angazhohet me atë qysh në rininë e hershme. Kultura e gjerë dhe ndjesia e hollë letrare e bën të njohur, gati me të gjithë autoritetet e spikatur të kësaj fushe. Kur shkruhej “Lumi i vdekur”, Kristaqi ishte një nga shokët më të afërt dhe më të konsultuar të Jakov Xoxës. Ishte ai që organizoi diskutimin e parë të romanit “Lumi i vdekur” në sallën e Bibliotekës Publike të qytetit të Fierit me pjesëmarrjen e krijuesëve, intelektualëve, artistëve dhe mësuesëve të letërsisë së qytetit, fill mbas botimit të parë të kësaj vepre. Kur luhej në Apolloni filmi “Emblema e dikurshme” sipas motiveve të novelës me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, ai do të ishte një nga konsulentët e trupës së xhirimit dhe aktori që luan rolin episodik të profesorit. Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Fatos Arapi, Nasho Jorgaqi, Dhori Qiriazi, Dalan Shapllo e shumë e shumë shkrimtar e artistë të tjerë të mëdhenj, kishin patur njohje të afërt me të, duke krijuar tek ai një memorje të pasur me përshtypje e kujtime nga më të bukurat. Në biseda të ndryshme, ai tregonte episode dhe kuriozitete të pafundme nga marëdhëniet që kishin patur midis tyre.

Në vitet ’70,  fillon të botojë artikuj me karakter kritik e studimor në disa nga organet më prestixhoze të kohës si gazeta “Drita”, revista “Nëntori” “Studime filologjike”etj. Pikërisht në këto vite ai tërheq vëmëndjen e lexuesëve e fillon të profilohet edhe si studiues në hulumtimin dhe botimin e poezisë së panjohur të viteve të LANÇ dhe poetëve dëshmorë. Në këto vite, me propozim të Dritëro Agollit, bëhet anëtar i Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe merr pjesë në shum seminare dhe kongrese të krijuesëve.

Në vitet ’80, doli me përmbledhjen e krijimtarisë së dëshmorit Jani Dodi, titulluar “Rruga e paharruar”, përmbledhjen e krijimtarisë së 24 poetëve të rënë gjatë viteve të pushtimit fashist, titulluar “Flakërim me ngjyra gjaku” si dhe përmbledhjen poetike të dëshmorit Dhimitër Mino, titulluar “Po të pres agim i qeshur”.

Të gjitha këto botime, shoqëroheshin me shkrime analitike të një niveli të lartë cilësor. Ai arriti  jo vetëm të pasqyronte krijimtarinë e “harruar” të këtyre autorëve postmortum, endur nëpër faqet e zverdhura të shtypit të kohës dhe blloqeve të xhepit të mbushura me thërmija baroti, por edhe të paraqeste para lexuesit vlerat e tyre të mirëfillta inkuadruar në  rrafshin e përgjithshëm të letërsisë sonë kombëtare. “Vjershat dhe shkrimet e Dhimitër Minos, thot ai në mënyrë konstatuese, hedhin dritë në formimin ideoestetik të kontigjentit të pritshëm të penave të reja, që me krijimtarinë e tyre me problematikë popullore me Luftën e kombëtare, trokiste në pragun e letërsisë së re, që lindi tok me Luftën  Nacionalçlirimtare”.

   Ndërsa për krijimtarinë e Jani Dodit, do të konkludonte:

“Jani Dodi i përket brezit të atyre letrarëve të rinj si Qemal Stafës, Kristaq Tutulanit, Gjik Kuqalit etj., të cilët nisën hapat e parë në pjesën e dytë të viteve ’30 nën ndikimin e letërsisë përparimtare; ata shkruan pak gjëra, por shkrimet e tyre kanë rëndësi historiko – letrare. Krijimtaria e autorëve të rinj flet për ndryshimet që po ndodhin në letërsinë shqiptare të këtyre viteve, e cila po pasurohej me ide, tema dhe heronj të rinj”.

Hulumtimet dhe kërkimet e vazhdueshme të tij për poezinë e kohës së luftës, do t’i tërhiqnin vëmëndjen njërit prej figurave më të rëndësishme të kritikës sonë letrare, Adriatik Kallullit, i cili do të shprehej,   ” Kërshëria e tij e vazhdueshme dhe përherë ngulmuese për krijimtarinë e shumë autorëve kthehej në një pasion të vërtetë kërkues dhe hulumtues. Kështu i është vënë ai punës së gjurmuesit për të gjetur gjithçka që kanë shkruar disa poetë dëshmorë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kur merresh me të vdekurit, përherë dëshmon se ke një zemër të madhe”

Një pjesë të rëndësishme të veprës së tij, Kristaq Shtëmbari e përmblodhi në vëllimin me gjurmime, studime e kritika, titulluar, “Udhëve të hapësirës letrare” Libri u botua në vitin 2002, nga shtëpia botuese “Toena” dhe u prit me interes nga lexuesit, veçanërisht nga studentët e universiteteve të degës gjuhë – letërsi. Për nga hapësirat e rrokura të krijimit, numri i autorëve dhe evidentimi i vlerave të tyre më të spikatura, ky libër do konsideruar libri i jetës së tij.

Aty analizohen mbi 40 autorë dhe vepra letrare duke u futur në galeri të thella e labirinte të shumta vlerash dhe idesh. Fillohet me veprën e Asdrenit, me trokitjet e para në dramën shqiptare që nga “Besa” e Sami Frashërit, vazhdon me Gramenon, Nolin, Çajupin, Fishtën, Harapin e deri te analiza e hollësishme e krijimtarisë së Kristo Floqit, në fillimet e para të shekullit XX. Me të njëjtin sens vazhdohet edhe me Dom Ndoc Nikaj si nismëtar i romanit shqiptar, për të shkuar tek Zef Skiroi

Thanas Konomi e deri te profili madhor i Branko Merxhanit si një nga figurat më madhore të publicistikës shqiptare të viteve ’30. Nga Branko Merxhani ai gjen rastin të shkëpusi një thënie tepër pikante për kuptimet e saj aktuale dhe pikërisht, “...Si mjerë ata popuj që nuk kanë ideal... Si mjer ai grusht njerëzish që adhuron tre perëndira nënë një qiell.”

Thënie të tilla shkëputen qellimisht për të evidentuar rëndësinë e një krijimi apo autori të caktuar në përputhje me filozofinë dhe problemet më të rëndësishme të kohës së tij. Përqasja vëzhguese e tyre tregon sensin kuptimor të studiuest, nivelin dhe  dhe aftësinë e tij për të bërë analogji me kohën kur kryhet ky studim. Nga një pikë e rëndësishme analitike, vështrohen në libër edhe krijimtaria e autorëve të anatemuar nga regjimi i diktaturës komuniste. Janë autorë që i përkasin një tragjedie të dyfishtë, për vete dhe për veprën e tyre. Ai i ngre ata me kujdes nga hiri i harresës, i vlerëson dhe nderon si të jetë me ta, bashkëvuajtës shpirtëror. Është aftësi e lindur e një studiuesi përjetimi i një vepre që merret në studim prej tij. Me një analizë të tillë Shtëmbari bëhet pjesë e “dramës” së autorëve dhe veprave të tyre njëkohësisht, aftësi kjo që nuk e manifeston kushdo në përmasën e tij. Sepse fjala e tij është njëherazi fjalë shpirti e mendimi.  

Po kaq vëmëndje dashamirëse tregon ai edhe për autorët fierak. Jakov Xoxa shikohet në një plan krejt të ri, si poet, Nasho Jorgaqi shikohet përmes veprës “Udhëtime letrare”, fokusohet Jakov Milaj, në kujtimet e tij për Migjenin, Maku Pone dhe Spiro Sota me krijimtarinë e tyre  poetike, Zoi Dashi me nëntekstet kuptimore të figurave letrare të përdorura që në diktaturë e të tjerë, gjithnjë me idenë e pohimit dhe përjetësimit të vlerave të tyre krijuese. Poeti, thoshte ai shpesh,lind rrall dhe është pasuri kombëtare.

“Pa rënë aspak në krahinarizëm dhe në gjykime të harruara nga subjektivizmi, shkruan Prof. Dr. Adriatik Kallulli në parathënien e këtij libri, studiuesi e konsideron obligim, por edhe nder që të merret me shkrimtarë që kanë dalë nga dherat e Fierit dhe të Myzeqesë dhe që me veprat e tyre kanë fituar reputacion të qëndrueshëm kombëtar”.

Ai e quan Kristaq Shtëmbarin “konsull” të letrave në qytetin e Fierit, në këtë qytet ku kan jetuar dhe punuar mijra intelektual, “shumë të përgatitur në profesionet më të ndryshme, por edhe thellësisht të interesuar për një atmosferë të vërtetë kulturore brenda qytetit të tyre.”

Dimensioni katërt i tij është etika. Etika në kuptimin e gjithanshëm të paraqitjes, të sjelljes së përditshme, taktit në komunikim, të shprehjes së qytetarisë dhe moralit social. Ishte një etikë fisnikërie në përputhje me genin e klasës borgjese qytetare. Një sjellje sallonesh që krijon atmosferën e duhur dhe prezencën imponuese në ambjentet e ngritura intelektuale. Ai rridhte pikërisht nga një klasë e tillë dhe ishte shprehja më e koncentruar dhe më përfaqësuese e saj. Elokuenca e tij, fjalori i pasur, lëvizjet dhe xhestet e buta të shprehjes, buzëqeshja respektuese, vëmëndja e treguar, interesi i gjallë dhe përshëndetja tipike shoqëruar me lëvizjen elegante të kokës, përbënin modelin më të mirë të kësaj shtrese. Ndoshta sepse ai kishte edhe një tjetër privilegj. Natyra e kishte veshur  me pamjen e një burri të hijshëm. Që në moshë të re  ai  do ngjasonte me statujën e djaloshit të gdhendur nga Praksiteli në mermer. Trupi i lartë, i drejtë dhe kurora e kaçurrelave do ta shoqëronin atë deri në fund të jetës së tij duke e përgjasuar me zotat mitik të lashtësive. Ai qe një zot i vërtetë, plot talent, aftësi dhe profesionalizëm në të gjitha fushat e jetës ku kontribuoi. Ishte një model që qytetarëve fierak do ju mbetet një shembull i përhershëm krahasimi. Një imazh i bukur që do ndjeki edhe kujtesat e brezave të ardhshëm. Një konsull i vërtet e dinjitoz i vlerave më të spikatura, kulturore, shpirtërore dhe fizike të popullit të Fierit

                                                       

 Per Fieri.com Nuri Plaku - Specialist i muzeut Fier


Per me shume foto nga kliko
KETU                            

 

 
Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
4.00