Petraq Kote: Kush zotëron dituri është i lire

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Bisedë me poetin, prozatorin, eseistin Petraq KOTE

Fieri.com:  Mirë se erdhët në hapsirën tonë elektronike zoti KOTE! Pyetja e parë është si gjithmonë. Kush është jeta juaj, femijeria, edukimi, lindja e deshirës suaj per te krijuar, dhe a keni hobe?

Petraq Kote Mirë se ju gjeta dhe ju uroj hapsirë shpirtërore! Më lejoni që këtë intervistë të parë me JU “ Fieri.com “ ta çel me një thënie të bukur të filozofit të madhë, Volter “ Nous laisserons ce - monde - ci aussi sot et mechant que nous l’avons trouve en y arrivant “  që afërsisht në shqip përkthehet Ne, këtë botë do ta lemë po aq të marrë dhe gënjeshtare Sa siç e gjetëm kur erdhëm në jetë.

... e që sëbashku me Talesin e Miletit, Sokratin, Platonin, Makiavelin, Epikurin, Shën Thoma D’Akuinin, Jungun, Shopenhauerin, Niçen, Xhon Lokun, Erazmin e Roterdamit, David Hjumin, Engelsin, Adam Smith etj., më pëlqejnë aq shumë...E më pastaj dihet se vendi i lindjes, emri nuk janë në dorën tënde. Të pëlqejnë a s’të pëlqejnë për ti patur në pasaportë. Ashtu siç dihet që e shkuara nuk blihet me lekë. Fëmijëria ime është në SheqMarinas. Rininë e kam në Tiranë. Atje i gjej sa herë që vete, sa herë që shkoj. Vendlindjen e dua shumë. Unë u linda nga prindër të shkëlqyer. Babi im vdiq më 1996. Kishte lindur po aty në Sheq Marinas nga Bushi Kote dhe Katerina Hila. Babai pat studiuar në shkollën e Fulcit në Golem, pastaj shkoi për specializim në Orizovo Çepan të Bullgarisë. Gati gjithë jetën e tij madhore e kaloi si krytar i KTL Seman dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit të Bashkuar Seman. Nëna ime është Kalije Dumi e lindur nga Bushi Dumi dhe Kostandina Vila. Edukimet e para i kam marrë në familje. Familja ime është tipike shqiptare. Asnjë pjestar i familjes nuk ka qënë ndonjeherë agjent i shërbimeve të huaja, bashkëpunëtor apo mercenar i ushtrive pushtuese. Mbiemri KOTE është i trashëguar brez pas brezi, ai rrok mijëra vjeçarë. Unë mendoj se baza e edukatës njerëzore është familja. Shkollën fillore të SheqMarinasit e fillova në shtator të vitit 1966. Mësuesja ime e parë ka qënë Vangjeli Tanku ( Çina ). Shkollën tetëvjeçare e përfundova në Topojë. Jam krenar që jam me gen nga Myzeqeja, ashtu siç jam krenar që thirrem  “ lalë “, por jo “ laluc “ siç nofkon Kadare në  romanin “ Hija “ për të cilin kam bërë një esse që u botua në shumë organe të shtypit e të letrave. Lalët e mi nuk e kanë turpëruar asnjëherë rracën shqiptare. Dhe asnjëherë nuk e kanë shitur shpirtin dhe kombin e tyre. Nga dy betejat historike kundër Perandorisë Otomane ( E Fushë Kosovës ), njërën, atë të Savrës e kanë bërë Myzeqarët e mi. Aq shumë luftuan, ata, sa dhe aq shumë u prenë në mish, në besë e në kockë nga tradhëtia.

“ Mullar me koka në mes të Myzeqesë

dhe trupa që dergjen në anë të xhadesë.

Një lumë me gjak rrëkëllen për detin

dhe korbëria

që barqe e zorrë shqepin...“

Genarët e mi, kthesat nëpër histori i marrin gjërë dhe pa u nxituar. Thellomën e matin tre herë me kallëm dhe kur bindet që s’ ka rrezik e kalojnë. Nuk kanë nevoj për polic dhe vija të bardha, nuk i presin kuurë rrugët.Lumin nuk e kalojnë në të turbullt, as natën. Kufijtë e lirisë së vëtë i përcaktojnë mirë. Këmbëzën e pushkës e heqin me dyzetë buaj. Sharjen e fusin në xhep, por s’e harrojnë kurrë. Nuk janë konfliktual. Shtetin e respektojnë dhe e besojnë verbërisht. Janë të sinqertë deri naivë. Unë kam lindur në zonën e Semanit ku dikur ishte një skelë që e lidhte me Italinë. Seman ka në dhjetë vende të botës. Ka dhe një violinë me emrin Seman. Ka dhe një raketë në Iran.  Kishte dhe një rrap në Seman 300 vjeçar, me emër “ Rrapi i Skelës “ Kishte dhe një hauz “ të veçëm “. Ishte dhe “ gropa e Rrodhes “.  Perandoria Romake merrte lëndë drusore këtu edhe kuaj. Kishte dhe një burrë që këndonte sa e “ vdiste “ këngën “ Laceja kur vjen nga stani... “ ai ishte Koli Sinani. Kam lindur ku ka lindur Jani Minga, akademik Jani Thomai ( Stefi ), dr. Jakov Milaj bërësi i librtit të famshëm “ Raca shqiptare “, Aristotel Mici, prozatori Andrea K Prifti, poeti Ylli Muçaraku, poeti, romancieri, përkthyesi Vladimir Marku, politikania komuniste Naunka Shqepa ( Bozo ), ish drejtori i drejtorisës KTL Nikollaq Janko, leksikologu Uani Çina, piktori Vladimir Semini, këngëtari me nam Llazi spiro ShënPjetra etj. Myzeqarët kanë shpirt poetik. Janë të pazgjidhshëm me tryallin e tyre. Në një poezi që kam shkruar për vendlindjen time mbushur me ajër deti e pishash, me ajër shpirti e dashurie, me ajër mikpritje e bese, me ajër urtësie e zgjuarsie, por që kjo trashëgimi etnologjike kaq e vyer, kaq e bukur, gjason se së fundi po pikëpyetet, i kam ngritur trarvesa besimit duke bërë kontranvers:

… fshatarët e rinj pa lavdi

Shkoj për në fatin tim të lindjes …

Dhjetëra vjet në çantën e shpinës

me pluhur,

me re,

me mjegull shqisash veshur.

Dikush m’a fsheh parjen !…

Mbi supe s’kam lavdi, thjesht kam pluhur,

pluhur  natyre,

zëra të ndotur

dhe shikime të pista.

Për fat të keq

edhe vuajtjen,

pse miqtë i kam të zgjuar

dhe armiqtë budallenj!

Kur të arrij në fshat do ta shkund veshjen,

por

po e gjeta gjallë të dashurën,

se kujt tjetër t’i shfaqem pa këto re dhe pastër?!

Oh,

nuk mund ta kapërcej

poshtë pragut të fshatit

kështjellën ku dikur i mbrohesha armiqve të zgjuar;

paskan vënë

patjetër

poshtë kështjellës

edhe varrin e dashurisë time!

Një korb po më thotë se ka vdekur edhe varri,

mirë s’e kuptoj!

Kthehem …

i kthyer mbrapsht, si xhaketë e vjetër

tek rrobaqepësi qorr.

Sheqmarinas, tetor 2003 

Të shkruash për vendlindjen është siç të shtosh diçka në pasaportën tënde. Vendlindja, babai dhe nëna janë tre kulmet fondamentale të lindjes së njeriut. Pa njërin nga këto kulme nuk realizohet gjasa e lindjes. Babai im Todi Kote ishte prind i ftohtë, akull. Fjalë pak, autoritar, punëtor dhe tejet i ndërgjegjshëm. Nuk e shprehte dashurinë atërore, por kjo nuk do të thoshte se nuk na donte. Nuk ishte i dhënë pas qefit. Studionte çdo libër që dilte në treg. Gjithë jetën ia kushtoj shoqërisë njerëzore kooperativiste, më pak familjes, shtëpisë. Ishte i gjatë e në kokë mbante një kasketë të blujtë të thellë, si qielli i pranverës.

Babait ( 1928 – 1996 )

Atje, ku lotët me shkojnë pa më përfillur.

Tani atje

kuajt e Harresës hazdisin,

kamzhiku i Kujtesës vitheve u bie pa reshtur,

karroca e dhimbjes aty ka ngecur,

treni i shpirtit vonohet

aty …

… në Sheqmarinas.

Shkurt, 2006!

Ndërsa me nënën time Kalije Kote ndodh ndryshe. Ajo si përherë ende e  mbanë të ngrohtë folenë e jetës ku mblidhen zogjtë dhe stërzogjtë e saj. Dhunti e nënave myzeqare, kjo ngrohtësi. Ja këtë kohë m’u kujtua një thënie e shkrimtarit të madhë Danilo Kish, Kadaresë “ Nëna ime ishte malazeze. Shpesh më thoshte: Nënat malazeze janë më të mirat në botë, por si nënat shqiptare nuk ka!  “

Po për këto gra, nëna, nga  afër dy shekuj distancë vjen edhe një tjetër shkrim i lakmuar:  “ Gratë e Myzeqesë dhe të rrafshit të Tomorrit janë thesare me vlera të vërteta bukurie për kurorën e dashurisë. Me sy të mëdhenj, të kaltër e të ndriçuar me flakë qiellore, me flokë gështenj në të verdhë apo gështënjë të errta, hundë të hollë, gojë të ëmbël dhe elegante  këto janë dhuratat që japin gratë toske. Me lëkundjet e tyre trupore, elegante dhe të ndjeshme, me finesën e këmbëve të tyre, çdokush mund t’i marrë për perëndesha të lashtësisë, apo për nimfa, me të cilat Profeti zbukuroi parajsën ku priste miqtë e tij më të nderuar... të gjitha çfaqen si prototipe të përkryera të bukurisë”. Këto fjali gdhendi në memorje pasi u magjeps prej bukurisë së tyre gjatë udhëtimeve të tij nëpër Toskëri, Pouqueville në vitin 1806, të cilat do t’i shënonte  në librin e tij “ Voyage de la Grece ” botuar në vitin 1827.

Nuk ka fëmijë në botë që nuk i ka kushtuar qoftë edhe një varg, një strofë, një poezi nënës së vetë. Dhe në se nuk i ka shkruar e nuk i ka kënduar, i ka pëshpëshur udhëve të gjata, të vështira, ato. Dëshmitare është era. Unë i kam botuar. Fat për të dy. Unë poet, ajo nënë poeti. Dhe pse e di se çfarë kuptimon orthodoksisht Kalije dmth “ e mirë “, unë e kam quajtur edhe me emrin  e judeshës Noemi të Mitrush Kutelit, atë ditë në 70 vjetor kur i shkrova këtë poezi.

Zogjtë

Ia kushtoj  nënës sime, Kalije Kote ( Dumi ) ose judeshës Noemi  në 70 vjetorin e lindjes…

Ajo është Arrë. Degët e merakut të hapura si krahë.

Pretë zogjtë e kohës,

këngët e kënduara në zërat e rinj.

Edhe mua... Kthehem nga fluturimet e shëmtuara të ekzistencës,

pa sqep...

Pastaj bëhet qiell mbushur me re malli...

... dhe s’reshtë shiu.

Vjeshtën që shkoi

e rrëzoi stuhia e gjakut.

Ne, lindjet e saja të konvertuarë në pemë,

u turrëm duke u rikthyer përsëri në zogj me shpëtimin sqep.

Pastaj qielli ynë u mbush me re trishtimi e çurgoi kimera cicërimash.

Dhe pse katër, nuk ia mbuluam dot qiellin me drurë të vetëtimur,

të trazuar, të nëpërkëngur.

I vumë një pemë të re mbështetëse... si rruga Ypsilon e plazhit të Semanit,

Afërditën

nusen e dashurisë dhe të vëllait tonë.

E ngritëm... pa një degë...

pa një ligjërimë të pyllit...

pa një hije ku prehen dashuritë e kujtimit “ Todi  “ me diejtë e vdekur.

Ishte dikur zogë dhe nëna jonë,

me pemë nënën e saj...

Oh, këngët!

Tremben nga fletët e librave të mi

e, shkojnë e ulen në buzët e vajzave ( zogëzave ),

mësueseve të reja të kulturës së qytetit tim...

kam një mall përgjysëm. S’kam duar.

Ma zbërtheni gojën ta them!

Sheq Marinas, pranverë 2008

... ndoshta kam marrë formën e librit! - 1

E di! Nesër është edhe oronim i asaj që s’vjen

... e sot,

baladë me vargje Dhoqinë

ose Shqipëri  në gjëmë nëne...

që e dua sa qaj...

Më rritën në formë pushke

në duart e atdheut,

të vrisja armiq...

kisha vrarë miq!

Armiqtë s’u dukën më këtej,

ata të largëtit,

... mbiu fara e tyre ndër ne...

Nëna ime i ngjante grasos,

më mbulonte të mos ndryshkesha nga gjaku.

Po kur  vitet antigradë në rrugë me atdheun më lanë,

na pastroi me lotët e nderit e na futi në gjoksin - depo.

Se nëna ime është dhe nëna e Atdheut tim.

Një mijë e nëntëqindë e nëntëdhjetë e shtata, më shiti...

Tani unë s’kam as nënë, as atdhe, as depo!

Nëna vdiq. Atdheu u roit. Depua u shëmb.

Në liqenin ngjyrë mëngjesi të syve të mi,

janë varri, lëvizjet e Brovnit, gërmadhat…

Të uritur më përdor kushdo.

Thonë se vras armiq!...

por... po filloj të shoh me sytë e mi fushë,

se shqiptarët qënkan prerë nga gjuhët cirilike

dhe plumbat e mi “ internacionalë “!...

ndoshta kam marrë formën e librit!

Se m’u kujtua gjaku i shtëpisë sime të Mesjetës...

s’e mora kurrë ndër vjedhës... s’kisha kohë. Vrisja miq!

Ndaj kam raporte të pakicës, unë

ku sipërfaqet e mia të egra

janë terminale të butësive të arta,

pa gropa, pa qivure, pa harta...

Vlorë, verë 2008

Le ti kthehemi pak fillimbisedës, për një pjesë të pyetjes. Tingëllimet e para të poezisë sigurisht, naïve, ia kam dëgjuar vetes në shkollën ushtarake “ Skënderbej “ Tiranë. Ishte mesuesja e letërsisë Vasilika Vasi njëherazi edhe poete, ajo që drejtonte rrethin letrar të kësaj shkolle prima. Në krye nesh, ishte Arben Duka. Tekstet e Arbenit në festivalet e fundvitit në rtv Sh, ishin të gjitha fituese. Ishim krenar për ‘të. Kisha në rreth, poetin Odise Kote, poetin Llambi Qiriazi etj., që për çudi ende s’e kam pyetur në ka lidhje me lirikun tonë të bukur, mikun tim të shenjtë Dhori Qiriazi, që vdiq para pak kohësh dhe shteti shqiptar e varrosi si qen. Po a mund te varroset një lirik i klasës “ excellent “, ashtu? Atë që shkroi poezinë e famëshme për Kristinën.

… atëherë në vjeshtë kur pellgjet ngrijnë,

nga lartë dëgjoj të sajinn zë,

aq shumë e desha unë Kristinën

sa n’botë s’e deshi jo, asnjë…

Janë dhe dy mjeshtra që më kanë mësuar ecjen në udhën e universit letrar. Përkthyesi Perikli Jorgoni dhe kritiku prof. dr. Adriatik Kallulli. Shumë edhe e lanë rrugën e nisur në atë bashkësi minore belbatike letrare. Unë e vazhdova. Mendoj se kam arritur te pragu i artit letrar. Por jo si hobi. Poezia, proza, letërsia  nuk është më hobi për personin tim. Është profesion. Ky stad na vesh edhe me “ përgjegjësi “ shoqërore. Çdo krijim yni, prej këtej e tutje duhet vetëfiltruar prej vetëkritikës, pse jo edhe vetëcensurës. Realizimi i letërsisë - art është shumë i vështirë. Ishte një term që më vonë u kthye në kështjellë, ku është vështirë të hysh me prodhimin tënd, në se nuk gjeneron përmbi bukuri letrare. Ajo gurë – ngrehinë quhet ESTETIKE. Shumë botime nuk arrijnë as t’i afrohen asaj dhe për ër çudi shumë njerëz e pretendojnë me ngulm emrin e shkrimtarit! Unë kam ende shumë jetë për të bërë, fizike, shoqërore, letrare.

Fieri.com Cili eshte kontributi juaj ne letersi? Cili eshte raporti i krijimtarise suaj me krijimtarinë kombëtare, me  kritiken dhe lexuesin? Sa ju ben ajo te pergjegjshem per misionin tuaj fisnik ne sherbim te shoqerise?

Petraq Kote Së pari kam dhënë kontribut në produktin e mbrojtjes së vendit, me atë akt shoqëror që quhet “ punë “, për të cilën taksa paguesi shqiptarë më ka shpërblyer duke ma konvertuar në vlerë monetare, për hirë të një specialiteti, e më vonë të një tjetëri, kam ndjerë satisfaksion. Kam mbaruar me nota shumë të mira shkollën e mesme të famëshme ushtarake “ Skënderbej “ në Tiranë. Pas përfundimit të saj, shkova në hidrocentralin e Fierzëz për të bërë stazhin e punëtorit. Atëhere kishte një thënie për Fierzën: “ Në se nuk ke marrë pjesë në luftë, shko në fierzë “. Pas stazhit nji vjeçar të punëtorit ( saldatorit - hekurkthyesit ) që për mendimin qe i pa kuptimt, vazhdova për afër  katër vjet Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha “ dhe më 23. 12. 1982 jam diplomuar oficer për Specialitetin Fizkulturë. Më 1 janar 1983 jam emëruar Shef i përgatitjes Fizike të Brigadës së Nëndetseve të RPSSH. Punë që e kreva deri në vitin 1987. Prej vitit 1987 e deri në vitin 1994 isha shef i përgatitjes fizike të Divizioni të Këmbësorisë në Fier. Pas largimit nga forcat e armatosuar të RSH, kam punuar si shef i kulturës së Bashkisë Fier, mësues i edukimit fizikë në gjimnazin e Patosit, etj. Cili është kontributi im në letërsi? Mendoj se tashmë ( më në fund ) kam një kontribut letrar. Në se përpara pesë – gjashtë vjetësh kisha kontribut veç  për historinë e letërsisë shqiptare, gjë që është jo e këndëshme për një poet, shkrimtarë ambicioz, me dy – tre librat e fundit, ku unë, por dhe kritika e specializuar shqiptare veçoj “ Ngjarje ndër Muzakë “ tregime, “ Mirë se erdhe Lamtumirë!... “ poezi, “Portretin kam varur në muret e Kohës “ edhe ky vëllim poetik, mendoj se kam kontribut në artin e vërtetë bashkohor letrar. Pra, kam një raport me krijimtarinë letrare artistike mbarë kombëtare, me kritikën e më qensorja me lexuasin! Dhe pse kritikën e mirëfilltë letrare e lindi letërsia ( kritika lindi pas letërsisë, arteve ose në të njëjtën kohë me letërsinë art, me artet, por, veç, kur të dyja ishin brenda atij që bënte artin letrar, artet. ), ajo ndikon në mënyrë të  “ përbindëshme “ në lindjen e letërsisë së vërtetë. Për fat të mirë me fundin e soc – realizmit letërsia dhe kritika shqiptare, nuk nënshkruan fundin e vetë. Unë konstatoj duke përdorur metodën e krahasimit që në letërsi është terminologji dhe e “ ligjëshme “ se jo vetëm ka letërsi dhe kritikë letrare pas ’90, por është e shkallës së lartë dhe po aq dinjitoze e ndoshta më shumë se ajo letërsi botërore ( komerciale ) dhe pse me Nobel ( Pamuk ), Braun etj., që i është servirur lexuesit shqiptarë. Të dallueshëm janë Rreshpja, Shllaku, Kongoli, Kulli, Hajdari, Myrtaj, Tufa, Hatibi, Shehu, Tosku, Xhaferri, Tafa, Shamata, Kallupi, Bardhi, Plaku, Mehmeti, Zela, Dashi, etj nga ku do të veçoja kritikën pedante moderne të Agron Tufës, Mark Markut, Kolec Traboinit, Agim Vincës, Petrit Nikës, Faik Shkodrës, Fatmir Terziut, Aida Dismondit, Merita McCormack etj., duke mos harruar patjetër edhe atë pjesë kritike të specializuar e kompetente që punoi matan vijës ndarëse, ku gëlon roza e që prurjen e re ( letërsinë kapitaliste ) e pa jo si mëkat, duke përqafuar pa dyzim realitetin e gjallë letrar. Për mua dhe letërsinë time kanë shkruar e folur shumë. Sigurisht edhe duke më kritikuar. Të njohur e të pa njohur. Pjesa dërrmuese e tyre janë prof. dr. në shkencat gjuhësore e letrare. Në një farë mënyre kam qënë i privilegjuar. Ja ligjërimet e tyre:

Agim Gashim Gjermani... Petraq Kote eshte cope shpirti poetik i kombit.

Master e gjuhëve gjermanike Aida Dismondy për librin  “ Mirë se erdhe Lamtumirë!... “ ka shkruar se

 “ Me këtë vëllim poetik Kote mund të quhet l’enfant terrible. “  

Prof. dr Agim Vinca në studimin ATDHEU LAKURIQ NË NJË POEZI PA STOLI, ka ligjëruar: Kote, poet i bashkëkohësisë. Kote poet i tipit avantgard.

Prof. dr. Adriatik Kallulli në revistën Mehr Licht ndër të tjera ka shkruar:

… e ngjeshur me emocione të lindura nga përjetime të thella, poezia e sotme pasqyron një lëvizje të brendëshme, një evolucion krijues në ide, formë, arsenal mjetesh shprehëse që të bëjnë për vete. Ndërkohë ndien se zërat poetikë… përbëjnë vlera të reja, ashti si filozofimet e Frederik Rreshpjes, Ndoc Gjetjes, Ervin Hatibit, Petraq Ristos, Primo Shllakut, Petraq Kotes, të detyrojnë t’u kthehsh e rikthehesh poezive të tyre dhe të mendosh gjatë ato që pohohen në vargje… Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombetare.

Dr Moikom Zeqo…

… Poezia e Petraqit dhe proza është artikulim i guximit. Metafora e tij është sociale. Kërkon, arsyeton, rrebelohet. Jeta paradoksale është lënda e ndjeshmërisë së tij…

Prof. dr. Valter Memisha

…fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten, edhe ripërmasohet. Ajo shpreh vetë dashurinë, shpreh shpresën, shpreh njerëzoren. Ajo ndalet, merr frymë, do që të urrej, por ofron miqësinë. Fjala e këtij poeti tashmë të profilizuar plotësisht, metaforizohet në çdo kumt e ndjenjë… Poezia e tij të ngroh, të mbush, të shton ngjyrat në përjetimin e të përditshmes…

Prof.  Memisha poezitë e mia i ka futur në librin e ushtrimeve të lëndës së leksikologjisë për degën gjuhë – letërsi Shqipe të universiteteve shqiptare.

Dr. Faik Shkodra

… në poezi mishërohen ngjarje me frymë aktuale, Mishërohen tipa e karaktere njerëzish të ndërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, të sinqert dhe të pasinqert, të moralshëm dhe të pamoralshëm. Ndaj këtyre ngjarjeve autori me vargje spontane dhe origjinale, vargje të realizuara me një kompozicion të mrekullueshëm, me gjuhë e mjete poetike të gjetura me inversion të lartë artistik, reagon dhe shpreh revoltën ndaj kontradiktave, duke shpresuar në idealet dhe shpresat e fuqishme drejt triumfit të të drejtës, së arsyeshmes dhe të virtyteve të njerëzve në përgjithësi… poezia e tij reflekton një varg çeshtjesh, fenomenesh, proekupimesh dhe idesh, të cilat janë vendosur në raport të drejtë midis realitetit ekzistues jetësor dhe realitetit të botës artistike…

Xhevdet Shehu

Poet, përkthyes ka shkruar:

... Poezia e Petraq Kotes është e natyrshme. Autori nuk merr poza kur shkruan. Poezia e tij rrjedh me ndryshmërinë e lindjes së një dite të re apo fluturimin e një zogu. Dhe këtu ai është vetvetja, është Uni i zërit të tij që tingëllon harmonishëm me atë të fisit të poetëve, e, njëherësh i veçant. Ajo është poezi tokësore... të impresionon me konkretësinë e imazheve të përjetuara vrullshëm dhe me itensitet. Ai është përherë në kërkim sepse e di që kështu bëhet poezia e bukur... midis hapsirës së pafundme...Radio Tirana, e hënë 4 shkurt 2008, ora 20 : 30’ – 21 : 30’.

Ylli Xhaferri poet, prozator, publicist në një emision të radio Tiranës, e hënë 4 shkurt 2008, ora 20 : 30’ – 21 : 30’. kushtuar poezisë sime ka artikuluar:… poeti apolloniat Petraq Kote po ngre një Apolloni të re, Apolloninë Letrare Ilirike. Brezat që do të vijnë do t’i jenë më shumë se mirënjohës, atij.

Përsëri në pranverë të 2008 prof. dr Adriatik Kallulli ka ligjëruar: ... Petraq Kote i përket brezit të poetëve koherent, modern. Ai erdhi pa bujë në letërsinë shiptare, me unin dhe zërin e tij. Dinjiteti, krenaria, antikonformizmi, janë këmbët me të cilat ecën poezia e tij krenare. Realiteti i sert shqiptar, ballkanik është materiali dhe një kohe punishtja ku ai gatuan artin e vetë, me të gjitha ngjyrat brilante të figuracionit. Klasi i lartë i leksikut, i metaforës, derdhur në vargje e vendos atë në çdo hapsirë lexonjëse elitare. Petraq Kote është semantikë e veçantë poetike. E kam thënë edhe më parë... Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare...

Master Miftar Kurti

Petraq Kote është poet i metaforave te medha, te gjetura me invencion e shkathtesi.    

Poeti, përkthyesi, publicisti, gazetari i Radio Shkupi, Mustafa Spahiu ka shkruar: Petraq Kote është Vilhelm teli i metaforës shqiptare.
Prof. dr Begzad Baliu shkruan për poezinë time “ Kohezion “:

Poezia juaj sot ishte nje ogur i mire dhe pasuroi diten e se dieles. Kjo poezi që gruaja ime (dr. e historise se letersise) e quan poezi mendimtare, ishte nje sinteze e mendimit tona per albanologjine dhe besoj e rezultateve shkencore ne fushe te qyteterimit shqiptar, qofte ky edhe mendim tashme shpesh i identifikuar si mendim pak a shume folklorik.Le te jete edhe ashtu, sepse ky mendim ka ruajtur dhe ka mbajtur drejt krenarine kombetare qe nga periudha e Rilindjes Kombetare e deri me sot. Shpesh ne tekstet e mia (shih "Kriza e albanologjise") kam mbajtur qendrim kritik per nivelin kritik te mendimit ne fushe te albanologjise, por kur me ka ardhur momenti te vleresoj funksionin etik dhe historik te koncepteve largvajtese per temat e ndieshme, sikur jane bie fjala, vendi i formimit te popullit shqiptar e te gjuhes shqipe, prejardhja pellazgjike apo ilire e popullit shqiptar etj., kam vene re se ato kane pasur ndikim me te madh te mbrendshem se te gjitha shkollat moderne te Europes. Nuk mund te mos theksoj ketu vargjet antologjike: arnoja varkën time në detin e besimit, (...) me djepe pimë vuajtje (...) në varre na përkundin nënat, apo vargun qe gjithe poezise i jep vertet paradigmen e poezise mendimtare "… pasi varrosen rriten shqiptarët", sepse nuk sjell vetem konceptin tashme etno-historik mbi pavdeksine e shqiptareve, por etimologjine e kerkimit te rrites se shqiptareve permes arkeologjise dhe pse jo sematikes se shtrirjes se fjelesit te shqipes. Edhe njehere faleminderit miku ime, mbrema isha i skuqur nga lajm, si nje vajze e turpshme para pasqyres, sonte jam krenar per miqesine me krijuesin qe sigurisht nuk me takon vetem mua, po gjithe letersise shqipe.

Poezi e analizës së thellë…

Kritikë rreth librit “ Mirë se erdhe Lamtumirë!... të poetit Petraq KOTE

Shkruar nga Maku Pone poet, prozator

… një libër kur e kudo ta hapësh, ta shfletosh, gjen poezi befasuese… atëherë kemi të bëjmë me letërsinë e mirëfilltë, madje të shquar. I tillë është vëllimi poetik i poetit Petraq Kote  “ Mirë se erdhe Lamtumirë!..., titull ky gjithashtu, domethënës. Pikërisht këta libra i mungojnë lexuesve të sotëm ( por jo tregut, që shpesh herë është suletrar ). Mrekullisht poeti ka gjetur filtrin ku filtron prurjen e tij poetike. Nga poezia e parë deri tek e fundit, të gjitha në harmoni të plotë, herë duke e pohuar njera-tjetrën e herë duke e kundërshtuar. Të ngjizura në një strukturë që veçse talente kalibri e mjeshtra si Petraq Kote, dinë ta realizojnë. S’na mbetet tjetër veç ta urojmë poetin në këtë festë të librit të tij e një kohë, tonën. Po ku është ai mister, ajo enigmë që e bënë një libër të shquhet në të gjitha pikat, në lartësinë e ngjitur? Mendoj se një nga tiparet thelbësore të poezisë së Kotes është densiteti , i kuptuar si konceptim mendimi e ndjenje, si filozofi dhe përvojë…

Poeti Albert Habazaj në gazetën “ Ndryshe “ dhe “ Tirana Observer “ e shtunë 29 mars 2008 shkruan:

Petraq Kote është shprehja kyçe e poezisë së brezit të tij

… O Poet! Ti s’shkruan, s’mund, do para, nuk jemi ne apo s’ka lindur akoma ajo lloj kritike pa frerë krerësh me kollaro? Nërkohë krijimi yt është shprehje kyçe e poezisë sonë, më saktë identifikimi i asaj që kritika s’flet, s’shprehet. Ti je krijues dinjitoz, më vjen mirë që po ta them disa herë këtë vlerësim apo më saktë evidentim, konstatimin tim, sepse më kujtohet  E.Kanti kur shprehej: “Individi pa dinjitet s’mund të prodhojë vepra dinjitoze.”
Ja ç'më shkruan ndër të tjera Shkrimtari Aleko Likaj nga Bordoja e Francës:më dërgon nga Kanadaja shkrimtari tjetër gjeni i tregimit të shkurtër, anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kanadasë Faruk Myrtaj: … nuk mund që të levizë dot asnje presje per kur shkruan per poetin Petraq Kote. Më mrekulluan. Thashe me vehte. Lexova nje autor qe jo vetem jep shpresa por edhe rrezon pertoke edhe " nje mit " te rreme nga ata qe quhen sot poeter dhe qe natyrisht i kemi ...me lopate. I shijova jo vetem si nje lexues i hershem i poezise... Fatmiri ( Terziu ) ( shkrimtar, studiues i letërsisë dhe botues i “ Fjala e Lirë “ në Londër ) me sa duket ia kishte bere " hysmetin " me perpara duke e botuar te plote librin, dhe natyrisht edhe vleresimet nga specialiste dhe poete tane nga me te miret…. Pra çeshtja duket ne udhe te mbarë. Tani të shkojmë te përgjegjshmëria letrare. Në se unë nesër do të publikoj një libër poetik, prozë, eseistikë, studimistikë etj., me nivel të dobët artistik, jam unë ai që humb më shumë, jo lexuesi. Lexuesi humb një poet të radhës. Unë humb një personalitet. Letërsia është si puna e aksioneve në bursë… Gjithmonë duhet ta kesh shtëpinë brenda shtëpisë së etikës, estetikës, kohezionit, modernitetit. Aty gjendet leksiku, morfologjia, sintaksa, gjuha, norma letrare, sinonimia bashkohore, aq e nevojëshme për stilistikën për t’u vendosur mbi një kompozitë të caktuar.

Fieri.com Ju jeni sekretar i Unionit te Shkrimtareve ose ish Lidhjes së Shkrimtarëve te qytetit te Fierit. Si funksionon kjo shoqate nga ana organizative, sa anetare ka dhe cili eshte kalendari i aktiviteteve tuaja? A e konsideron veten kjo shoqate pjese aktive te jetes kulturore te Fierit dhe a ndikon ajo ne zhvillimet e saj?

Petraq Kote Është shumë dhe asgjë të jesh i zgjedhur në emërtesën Sekretar i Unionit të Shkrimtarëve të një qyteti. Gjithëkush shkrimtar, poet, publicist, artist mund të gjendej i shenjuar si i tillë. Për mua është vetëm një “ task “ shoqërore të cilën mundohem dhe e kryej. Ky post funksionon, lëviz. Unioni i Shkrimtarëve të Fierit u themelua si vazhdimësi e Lidhjes së Shkrimtarëve që unë në shkrimin “ Kohë e Vdekur Letrare “ e kam quajtur Lidhja e Krimtarëve… dhe me të vërtetë, sa krime ndaj vetëvetes ka prodhuar, ajo! Tani Unioni funksionon ndryshe. Do të mjaftonte vetëm operimi i hapur, tejparja që i bënë ai “ punës “ ditore, mujore, vjetore që të thuhej, ndryshe. Mjaft autorë fierak “ të së shkuarës “ dyzantë, nuk e urrejnë unionin pse quhet UNION, na urrejnë ne ardhësit e rinj në letërsi, që nuk i morrëm leje atyre dhe konformizmit të kuq, lidhur fijshëm me ish organet e sigurimit të shtetit. Unioni promovon, mbështet, publikon prurjet e reja letrare nëpërmjet një plani vjetor të detajuar nga kryesia, por edhe ato vepra që vijnë spontane. E veçanta jonë është se promovojmë artiste fierakë. Nuk importojmë vlera. I kemi këtu vlerat kombëtare. Madje edhe me shumicë, siç thotë Gëte: “ Unë kam për vete, aq sa nuk më tepron, gjë. “

Unioni, kolegjon dhe konvergon me idetë, mendimet progresive shoqërore të qytetit, pushtetit vendor. Bëhet palë me të ardhmen artistike, duke ruajtur trashëgiminë kulturore etnike, atë të pa molepsurën. Në Fier ekziston edhe BKAF. Ndër themeluesit e tij kam qënë edhe unë. Ato kohë Lidhja e Shkrimtarëve nuk funksiononte. Ishte futur në gjirize si minjtë. Kishte probleme me vetveten. Kishte frikë nga ndëshkimi. Unë habitem si qeveria shqiptare nuk po hap dosjet?! Ne, nuk bëjmë garë se kush ka më shumë anëtarë? Është punë ndjesie komoditeti, pjesëbërja në shoqata. Mirë është kur arti ka një tingull përfaqësie ( nuk flas për zërat ), por edhe në se ka shumë sa edhe zhanret, s’është keq! Respektimi i brendavetes, brendaartistit do të krojonte një klimë më të ngrohtë në mardhëniet ndërmjetësore artistike në Fier. Kjo do të varësonte edhe lexuesin, shoqërinë, pushtetin vendor e qendror,  politikën kombëtare. Shoqëria e shkrimtarëve fierak e gjen veten të pa ndarë nga ambjenti jetësor i komunitetit. Aktivitetet kulmore, siç Takimi mbarëkombëtar  poetik “ Apollon “, “ Apollonian Poetic Night “, përkujtesa “ Post Mortum “ etj., janë regjistër në kompleksin e zërave të artit Fierak.

 

Fieri.com A është përkthyer letërsia fierake ne gjuhe te tjera? Po pjesemarrje te tyre ne aktivitete jashte kufijve te vendit, a ka patur?

 

Petraq Kote Përkthimi i letërsisë shqiptare ne gjuhë të ndryshme të botës ka dy momente. Marim përkthimin në anglisht.

-          Kur letërsia e aksh poeti, shkrimtari përkthehet në gjuhën angleze nga vetë Mbretëria e Bashkuar dhe

-          Kur letërsia e aksh poeti, shkrimtari përkthehet në gjuhën angleze me inisiativa vetiake. 

Kur ndodh e para është mrekulli. Poeti, shkrimtari i përkthyer në rastin tonë në gjuhën angleze është i përzgjedhur i një shteti  një kombi, pra ai është gjetje për anglistikën, siç ndodhi me Kadarenë për frankofoninë. Me sa di unë letërsia fierake është përkthyer në gjuhë të tjera. Poeti ynë Nuri Plaku është rumanisht në një antologji të poetëve ballkanas. Ndërsa unë jam përkthyer në rumanisht nga revista  prestigjioze “ Haemus “. Përkthyes është dr. Ardian – Christian – Kyçyku.  

Gjithashtu jam duke u perkthyer ne italisht nga poeti italian Alessandro Zilli. Ai para disa diteve me ka derguar te perkthyer ne italisht poezine "Vdekje Artistike" ose"Morte artistica" Është përkthyer në Kentaki USA romani “ The last Chapter “  roman i Vladimir Markut, si dhe vëllimi “ A - Z of Vladimir “ poetry. Alfred Mehmeti është përkthyer në frengjisht nga prof. dr. Edmond Tupe. Ky përkthim poetik i dha atij edhe një çmim të parë letrar europian. Të tjerë, nuk di! Uroj të ketë! Në rastin konkret është niveli estetikë ai që përcakton përkthimin ose jo të  një poeti, prozatori etj., në gjuhë të huaj. Por të jemi edhe të sinqertë, mosnjohja e poezisë, prozës sonë përtej kufijëve tanë shtetëror e bënë të pa mundur përkthimin. Ndaj sinqerisht i ftoj të gjithë krijuesit letrarë shqiptarë të komunikojnë me internetin, me miqtë e tyre në mbarë botën letrare!

 

Fieri.com Ne nje interviste z. Andrea Prifti, nje takim pune tuajin në Gjilan e ka konsideruar si të rendomte dhe të paperfillshem. Çfarë mund të flisni për këtë?

 

Petraq Kote  Përurim dhe diskutim libri më serioz, organizuar nga biblioteka “ Fan Noli “ e Gjilanit, unë nuk kam parë. Poeti promovues i radhës ishte fatmiri Nuri Plaku dhe pikërishtë libri poetik “ Jaka prej Bryme “ i sa nxjerrë nga botimi. Aty shpalosën kritikën e tyre personalitete kosovare e shqiptare. Fatmirësisht ato janë të filmuara dhe të shkruara në shtypin e Kosovës të asaj date. Shumë retorika, vokalica, ligjërime negative, anti, perversive janë rrjedhoja ndërtimesh, motivimesh. Pjesa dërrmuese e njerëzve në botë e shohin natyrën realisht me ngjyra sepse ashtu kanë edhe shpirtin. Disa miliona e shohin artistikisht. Pjesa e mbetur e shohin të zezë sepse ashtu e kanë edhe shpirtin. “ Të jesh njeri i mirë nuk koston edhe të jesh njeri i lig nuk koston. “  ka thënë Herakliti. E ç’koment do të bëja për këtë ngjarje? Këta tipa janë mbetjet e armatës së spiunëve, borizanëve dhe nimfave të partisë ( PPSH ) siç i quante doktor Lasgushi.

Fieri.com Po fluksin e kritikave te tij ndaj dy poeteve fierakë, shqiptarë si i konsideroni?

 

Petraq Kote Ai, nuk ka bërë kritikë. Mua më vjen keq për faqet që zënë ato në websitin tuaj. Kaq të lira e ordinere i keni hapsirat?!  Një tjetër produkt letrar me vlerë edukative duhet të ishte atje. Tjetër mision kanë ato shkrime, atë të vrasjes së paguar dhe asnjëherë atë të kritikës. Në një shkrim timin eseistik kam shkruar: “ Letërsinë nuk e vretë kritika. Letërsinë e vret ajo që nuk është letërsi. “ Unë mendoj se këta dhëmbë kriminelë që ngulen kohë pas kohe në mishin e bukur të letërsisë së vërtetë bashkohore shqiptare pse jo edhe europiane të pas viteve ’90, janë përpjekja e fundit jo për gjallesë e së djeshmes së soc – realizmit, se ajo dua s’dua unë do të ekzistoj, po për fron. E quaj kohë të humbur të zgjatem më tej.


Fieri.com Ç’mendim keni per letersine fierake ne pergjithesi? Po per ate Shqiptare?

 

Petraq Kote Letërsia fierake e pas viteve ‘90 është letërsi estetike. Letërsi me vlerë kombëtare. Ajo nuk ka më kufij vijat e verdha të qytetit të Fierit. As fijet e shpirtit cinik të ndonjë mezopoeti, mezoprozatori hermofrodit. Kur flas për letërsi estetike, flas për produktorët e saj, poetët, prozatorët Maku Pone, Aleksandër Bardhi, Tasi Proko, Alfred Mehmeti, Nuri Plaku, Zoi Dashi, Përparim Hysi, Eleni Liçaj, Gentian Banaj, Luljeta Dano, Valentina Dafa, Fran Ukcama, Spiro Sota, Arben dhe Aida Velo, Bujar dhe Majlinda Rama, Brunilda Boçova, Myslym Maska, Murat Aliaj, Petrit Nika, Lili Gogu, Leonidha Prifti, Xhevdet Shehu, Ylli Muçaraku. Përfshi letërsinë dhe studimet gjigante të prof. Nasho Jorgaqit, kritikën dhe monografinë e “ Mësuesit të Popullit “ Kristaq Shtëmbari. Shumë natyrshëm dhe me dinjitet letërsia fierake “ e Jul Varibobës “  ka përfaqësuar letërsinë shqiptare në dhjetra takime ndërkombëtare jashtë kufijëve shtetëror, duke u ndjerë e barabartë. Mendoj se paralel me këtë letërsi duhet të ngrihet edhe kritika e specializuar. Këtu ka një të tillë, është z. Edor Gjergo. Ne, duhet ta riaktivizojmë, atë. Letërsi shqiptare këtë çast ndodhet në qënësinë e saj më të mirë, të të gjitha kohërave. Së bashku me letërsinë e Kosovës, letërsinë shqiptare të Malit të Zi, letërsinë shqiptare të Maqedonisë dhe atë të diasporës ne, bëhemi zë i bukur që duhet dëgjuar nga Europa, bota.

 

Fieri.com Ju veç se jeni shkrimtar, poet, eseist, nderkohe kryeni edhe detyren e kryeredaktorit te gazetes social - kulturore " Fieri Profil ". Ç'mund te na thoni per raportin e kesaj gazete me arealin e kulturës fierake, kombëtare?

 

Petraq Kote Gazeta social – kulturore që mua më pëlqen ta shkruaj social - letrare “ Fieri Profil “ është organ i bashkisë Fier. Ajo lindi fal një nisme dhe një mbështetje. Nisma ishte e një grupi shkrimtarësh fierak të Unionit, mbështetja, ajo e kryebashkiakut “ Kalorësit për Paqen “  Baftjar Zeqaj. U bë i pa shmangshëm botimi i kësaj gazete për llojin e vet. I mungonte ky zë mediatik Fierit, që në fakt është zëri i poetëve, shkrimtarëve, studiuesve, shkenctarëve, publicistëve, gazetarëve, socialiteve të qytetit. Gjithëkush prej artistëve, shkencëtarëve, drejtuesve aty ka një vend për art, për shkencë, për drejtim. Aty fillojnë e marrin jetë profile të gjalla. Kjo gazetë nuk e njeh vdekjen. Ka lidhje pune me njerëzit më të shquar të hapsirës shqiptare, prof. Shabani Sinani, akademik Rexhep Qosja, prof. Agim Vinca, prof. Begzad Baliu, dr. Moikom Zeqo, prof. Bardhosh Gaçe, dr. Faik Shkodra, dr. Ermir Xhindi, prof Rahmi Memushi, master Miftar Kurti, dr Shefkije Islamaj, dr Lami Koço, prof. Bashkim Vreka etj., etj.

 

Fieri.com Po per Petraqin, njeri, familjar, mik, bashkeshort e prind çmund te na thoni?

 

Petraq Kote Unë e di se njeriu është ende në fazën e përsosjes dhe ende ka rrugë të gjatë për të bërë drejtë saj. Unë nuk ndaloj së vrapuari. Luftoj të mësoj sa më shumë, që të jemë i lirë dhe lirinë time të brendëshme të mos e shes kurrë me asnjë çmim dhe në tmerrin më të madh në se më ndodh. Lufta për të mbetur njeri është e gjatë, është e vështirë, është e shenjtë. Mbaj mend një thënie të një shoqes sime  të grupit të madh  kur studioja  në Universitetin e Vlorës për Gjuhë – Letërsi Shqipe:

“ Petraq të urrej! “ më tha.

“ E përse? “ e pyeta i habitur.

“ Pse ti i do të gjithë njerëzit, prandaj! “ ma ktheu.

Unë qesha, por ajo e kishte seriozisht…

Sëbashku me familjen, jemi në të njëjtën llogore. Jeta matanë nesh çdo ditë e ndërron fytyrën. Herë, herë nxjerrë vetëm dhëmbët në pah. Bashkëshorten ende e dua ashtu siç e desha kur e pashë për herë të parë. Është nëna e dy djemve, jo pak për një familje mashkullore shqiptare! Edhe djemtë i dua  dhe më duan tmerrësisht. Enea mbaroi UT  për financë dhe tani punon në një kompani private ndërtimi në Tiranë, Elvi studion në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë për skenografi – kostumografi.

 

Fieri.Com ...po per soc - realizmin cmund te thuash?

 

Petraq Kote Deshi Zoti që nuk linda andej, jo fizikisht. Pati edhe andej pjesë të bukur. Sigurisht duke patur bërës të së bukurës. Ca i hëngri brendalloji që mbijetoi, ca shpëtuan fal zgjuarsisë siç Lasgushi, siç Xhaferri. Ca, fal infiltrimit në organe të tjera. Të ishte lënë i lirë Petro Marko, emri i tij do të ishte mbi atë të Ernest Heminguej. Të kishte shkruar me atë itensitet që shkroi dy vëllimet e para Poradeci i vdekur së gjalli, Europa do të kishte një  Hajne, një Gëte edhe në Ballkan. Të mos qe burgosur menjëherë pas “ lirisë “ dr Mitrush Kuteli,do ta kishim një Balzak edhe ne. Soc – realizmi shqiptar ka qënë snajperi më i rrezikshëm në luftë me të vetët.

 

Fieri.com Dhe se fundi, diçka për “ planet “ tuaja te ardhme letrare.

Petraq Kote Në letërsi nuk ka plan, as plane. Letërsi estetike nuk shkruan dot në çdo kohë. Kjo e  vërtetë katërcipe i shuan planet. Kam gati për botim romanin “ Gjerana “, shënimet kritike të të tjerëve për letërsinë time dhe esetë e mia për të tjerët të përmbledhura nën titullin “ Qiellzanat Trillane “. Kam një libër poetik me lirika në punim e sipër, që nuk do t’ia zbuloj emrin. Kaq!... sepse “ Kaq “ është titulli edhe i një përmbledhje poetike të poetit dhe mikut tim të urtë Faslli Haliti.

Dhe për t’i lënë të ardhmes ato që do të flasim për të ardhmen, më lejoni ta mbyll këtë bisedë ose intervistë të veçantë me ju zoti Alliaj si përfaqësues i “ Fieri.com “  po me Volterin

“ … jeta është tepër e shkurtër, nuk ia vlen barra qiranë ta kalojmë duke u zvarritur nën këmbët e horrave të përçmueshëm! “

Ju falenderoj!

 

Bisedoi për Fieri.com Arben Alliaj

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (17 postuar)

avatar
Verion Mihaj 11 October, 2009 09:51:48
Z.Petraq Kote eshte nje poet shkrimtar, qe nuk eshte e lehte ti besh nje koment. Kur lexon nje liber te poetit ,lex. brenda tij shpirtin krijues,qe mbart vlera te larta shpresedhenese. Rreshtat poetik te bejne te mendosh ,aty gjen goditje dhe shume shprese ,tipike karakteristike e myzeqarit qe me shume te ofron kulture se te largon.

Fieri eshte qyteti qe mbart njerez me vlera ne pene. Keta jane njerez shtylla qe qe tregojne vlerat e dijes njerezore te qytetit. Do ti uroja Petraqit suksese ne punen e tij krijuese.
avatar
Perparim Hysi 12 October, 2009 01:45:38
Më erdhi mirë,si fierak që jam, që në"fieri.com" kishit bërë intervistën me Petraq Koten. Është një poet me peshë dhe vërtet i çuditshëm:duhet të djersitësh dhe të shkojnë djersët palë (qoft dhe në stinnë dimri),që të arrish atë që thotë autori.

Një Poet që të befason me figurat e tij(të tilla,me aq dëndësi dhe pa e humbur kripën), që, unë si lexues i kam parë kur lexoja mitikun grek Jani Ricos. Gjeron dhe ligjëron një poezi pak unike. Vargu i tij i ngjan atij grurit gjelbërosh e të shëndosh se është nga farë elite.Dhe i tillë,befasues,është dhe në prozë.I tillë si esseist;i tillë si kritik;por dhe si historian a më tej.

Është vështirë që ta bësh si duhet portretin e tij si krijues.Është disaplanesh apo si ushtarak që ka qenë:gjithëarmësh.Po kjo"aritleri e rëndë dijesh etij",për fat të mirë,nuk e ka bërë kapadai e grefakeq.Përkundrazi,ky myzeqar denbabaden,është aq paqësor dhe i thjeshtë si vet thjeshtësia.Ligësiinë nuk e njeh:e ka bërë dalje.Dhe janë të gjitha këto,të mbledhura tok,që ai rritin lavdinë dhe ia zbukurojnë ballin e bardhë.E përshëndes nga larg dhe i uroj gjithë të mirat si krijues dhe në jetën etij të përditshme.

Me të tillë krijues si Petraq Kote, Fieri duhet të krenohet. Kjo krenari, mandej, shkon pak më tej: Petraq Kote është një Poet që i bën nder Letërsisë Shqiptare të sotme.

Përparim Hysi,Florida,USA.
11 tetor 2009
avatar
Perparim Hysi 12 October, 2009 01:13:19
Petraq Kote,njëkrijues gjithëplanesh:gjithëarmësh(si ushtarak që ka qenë)dhe unik në llojin e vargut,në alternimin e figurave,dëndësia e të cilave më kujton,mitikun grek,Jani Ricos.Të lexosh dhe ta shijosh vargun e tij,nuk është punë e lehtë.Përkundrazi,do të shkojnë djersët palë,se pas vargut ka një aluzion;ka një mesazh.Se Poeti mendon,pa shkruan.Është një bujk që zgjedh farën,pa mbjellë arën.Dhe fara e grurit poetik të Petraq Kotes,është elite.Ndaj dhe jep kallinj të gjelbër dhe të shëndoshë.Si gruri që rritet andej nga fushat e Sheq-Marinasit,të Topojës,të Semanit;të fushës hambar të Myzeqesë.Për Fierin,ky krijues,është krenari dhe unë,si fierak,e di mirë se emëri i Poetit,Petraq Kote,demensionet e tij të një profili gjithëplanesh,janë të njohur në mbarë letërsinë shqiptare apo dhe më tej.Se kush lexoj nga Petraqi dhe nuk u kënaq.Në poezi ku është lëmi i parë si krijues,po dhe në prozë që,edhe këtu,është unik.Po Petraq Kote është dhe një esseist i bukur dhe ajo që të çuditë,më tej,me të,se ai të skuq me erudicionin që ka për historinë e gjeografinë,në përgjithësi,dhe,veçanërisht,për atë shqiptare.Është universal në dije dhe mso kujtoni se e kam takuar ndonjëherë në jetën time.Jo.Asnjëherë.Por besoj se e njoh prej kohësh.E njoh dhe,në shkruaj kështu për të,e kam nga ç'kam lexuar nga ai.Me sa shoh në fotografi,të jep përshtypjen e një djaloshi buçko.Si një lis me gjithë degët në gjelbërim.I uroj krijimtari të mbarë dhe gjelbërim të përhershëm në zë gjitha drejtimet.
avatar
Big Kadriu 12 October, 2009 03:04:23
A doni me per Belulin ?
avatar
Dhimitraq Xhoxhi 14 October, 2009 04:00:26
Ne rath te par dua te falenderoj Fieri.com per mundesin qe i keni dhen Z,Petraq Kote qe te paraqes ne poezit dhe rrefimet e tija fytyren dhe shpirtin aq bujar te myseqarit qe jan njers shum te dashur dhe te mir qe nuk i gjen ne bot. Une Petraqin e kam lexuar qe kur ishm femi 10 -14 vjec,kur ne loznim me top ,Petraqi kishte qef te shkruate hartime dhe ti lexonte te nesermen ne shkoll jemi rritur bashke,por shkrimet e petraqit nuk ekeni iden sa prekin mua qe jam shum lark nga Shqiperia une nuk do i bej shum koment poezive te Petraqit ato kush do qe ti lexoj do pelqej,Por komenti im esht perPetraqin qe esht shum krenar per vendelindjen e tij dhe me te vertet esht shum i bukur.Prandaj nuk esht vendi qe ben histori por jan njerzit qe e bejn at pavarsisht se nga je,
dhe nje her pergezimet e mia, mos tu lotht dora se shkruari.
avatar
Spiro Cobo 17 October, 2009 10:54:28
Petraq Kote krijues. Poet dhe prozator. Por Petraqi se pari eshte myzeqar dhe per kete eshte krenar. Kjo eshte me kryesorja dhe kjo ka me shume vlera. Petraqin e kam njohur jo shume kohe me pare. Qe ne krye te heres me ka bere pershtypje. Dicka te vecante ka ky njeri qe me terheq. Ndoshta qe edhe une jam aq myzeqar sa edhe Petraqi. Eshte interesant Petraqi ne krijimet e tij. Por me interesant eshte ne shoqeri dhe vecanerisht ne tryeza te shtruara (ne sofra do thoshte Petraqi). Ai e mban gjalle atmosferen fale aftesise fine te komunikimit, fale njohurive qe ka dhe jo vetem ne fushen e letrave. Ne fakt une nuk kam qene asnjehere ne ndonje sofer te shtruar, bashke me Petraqin. Percaktimin e mesiperm e kam me te thene. (Ende thashethem do thoshte Cani tek Zone e lire). Ma ka thene nipi im, nje nder miqte me te ngushte te Petraqit. Pershendetje Petraqit.
avatar
laureat roshi 20 October, 2009 08:47:54
Sa shume mllefe per atdheun, njeriun te kjo letersia e ketij Kotes... O Beni kjo intervista ka me shume cdo Petraqi te thote per veten dhe jo krijimtaria e tij..

me fal respektoj kohen e lexuesve dhe akoma me shume kohen tende.

mikja jote Lori
avatar
Enea Gjermeni 21 October, 2009 01:38:16
Me pelqen poezia e z. Kote qe ka shpalosur ketu por kur lexoj kete artikull gjerat me neveriten. Me vjen keq qe Redaksia e portalit fierak ka publikuar kaq shume pjese ne kete artikull ku Z. Kote nuk thote gje tjeter vecse "Doni me per Belulin..." Eshte per te ardhur keq qe per te treguar vetetite e tij prej poeti i kundervihet nje tjetri.

Te gjithe duhet te kemi aq tru sa te pranojme se ne kete bote edhe na duan edhe na urrejne, edhe na lavderojme edhe na kritikojne.

Fakti qe z. Kote nuk pranon te kritikohet me ben te kuptoj se eshte nje poet vertete lokal, i nivelit te ri ne perpunim e siper, pa ate eksperiencen dominuese te nje personazhi publik. Pa ate qetesine aq te nevojeshme per te ecur perpara.

Uroj qe keto kritika z. Kote ti marri ne konsiderate, sepse me keto mllefe qe shkruan thjesht i ul shume pike dhe merita vetes.

Te fa,a
Enea
avatar
aida 26 October, 2009 09:51:47
... me kujton Sharl Bodlerin me " Lulet e se keqes ", te cilin shoqeria franceze e denoi me 300 franga ar. Pol Verlenin dhe Artur rembo qe " shkatërruan "
" Parnasin " e Parisit...
avatar
vladimir çala 02 November, 2009 08:52:01
me behet shum qefi per petraq kote.deri sote nuk e kam ditur qe te ishte shkrimtare me fame. e kam pasur edhe shok klase(banke).ai iku ne shkollen e bashkuar, e une u bera shofer , e nuk jemi pare me qe nga 1974.pashe dhe dhimitraq xhoxhin qe ishte i gezuar.urime e gjithe te mirat petraqit.(Te fala shume vasilit)
1 2 next total: 17 | displaying: 1 - 10

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
3.00