ODISE PLAKU. Gjeografia e një krijuesi

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Talentet letrare lindin herët. Kjo gjë është tashmë një fakt i pa kundërshtueshëm dhe i konfirmuar. Megjithëse rasti i Wollter Skotit, shkrimtarit të famshëm skocez, që romanin e parë e shkroi në moshën 40 vjeçare nuk e zbeh argumentin e mësipërm.

Edhe në Fier, si një nga hapësirat e Letërsisë shqipe nuk kanë munguar asnjëherë talentet. Ata janë shfaqur qysh në fillimet e letërsisë së shkruar, e cila për vetë kushtet e zhvillimit të saj,në këtë qytet u zhvillua gjatë shekullit të XX.

Mund të përmendim një sërë penash të tilla si: Jakov Xoxa, Nasho Jorgaqi, Miço Kallamata, Maku e Stavri Pone, pjesë e brezit të parë, të cilët do të pasoheshin nga të tjerë shkrimtarë, që janë bërë tashmë pjesë e letërsisë kombëtare.

Midis kësaj morie krijuesish një vend me peshë zë edhe Odise Plaku, një përfaqësues i brezit të dytë, rruga artistike e të cilit zë fill qysh në fillim të viteve 80-të.

Si të gjithë letrarët e rinj që aktivitetin e nisin me poezi dhe skica të thjeshta edhe ai nuk bëri përjashtim në këtë rast. Botimet e para, Odiseja i nisi qysh në moshën 10 vjeçare në revistat për fëmijë si: “Fatosi” dhe “Pionieri”. Skica e parë me të cilin nisi maratona e gjatë e botimeve të tij titullohej “Flutura dhe lulja,” botuar në revistën ‘’Fatosi’’. Më pas në shkollën e mesme nisi të formatohej profil krijues i këtij autori të ri.

Në këtë periudhë skicat, tregimet dhe poezitë e tij do të zinin faqet e gazetave: “Zëri i Rinisë” dhe “Pararoja” të Gjirokastrës. Ishin vitet kur ai studionte në shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri”, të qytetit jugor, nga i cili kishte dalë përfaqësuesi më i madh i letrave shqipe, Ismail Kadareja. E, kështu rrugëtimi arsimor i Odise Plakut u zhvendos më pas drejt veriut të vendit, ku për katër vjet të tjera kreu studimet larta në Institutin e lartë pedagogjik “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Një gjeografi e çuditshme që i ngjan asaj vjershës së dikurshme të letërsisë për fëmijë të socartit, ‘’Jam o shokë nga gjithë Shqipëria’’. Ndërkohë viti 1990 është koha e përfundimit të studimeve, ku për një periudhë 9 vjeçare Odiseja do të punojë si mësues në nivele të ndryshme mësimdhënieje, në disa shkolla të rrethit Fierit. Periudha në arsim përkon me etapën e parë të krijimtarisë së mirëfilltë të tij, ku në vitin 1995, botohet vëllimi i parë me tregime “Lotin nuk e fal”. I pritur mirë nga lexuesit dhe kritika, ai u pasua nga një vëllim i dytë. Ishte viti 1999, kur kësaj radhe me një kthesë që i çuditi të gjithë njohësit e letërsisë së tij, Plaku do të botonte novelën përrallë për fëmijë të titulluar “Qullaci”. Po këtë vit ndodhi ndryshimi i parë në jetën profesionale, sepse Odise Plaku do të nis të punojë si gazetar në televizionin lokal ‘’Kombi’’ në Fier.

Për gjashtë vjet Odise Plaku do të shndërrohet në ‘’ikonën’’ e gazetarisë televizive në Fier dhe në njërin nga personazhet më të dashur të qytetarëve fierakë. “Firmën” e tij do ta mbajnë me dhjetëra reportazhe, kronika televizive dhe emisione. Mund të veçojmë 32 artikuj të tij në publicistikën historike, që i kushtohen figurave të inteligjencës shqiptare si :Sejfulla Maleshovës, Ramize Gjebresë, gjeneral Gjin Markut, Lipe Nashit, Enriko Veizit, Pëllumb Kullës, etj.

Ishte një periudhë kur në Shqipëri lulëzoi media vizive, e cila thithi edhe mjaft pena të reja krijuese, të cilat nuk i shpëtuan dot ‘’grackës’’ së saj. Një periudhë heshtje, meditimi apo akumulimi për Plakun, i cili në vitin 2005 bën një tjetër shkëputje, duke braktisur vendlindjen. Tashmë me një profil të plotë, ai lë Fierin dhe largohet drejt Tiranës, ku pa ju larguar plotësisht gazetarisë, merret edhe me punë të tjera, për të përballuar këtë zhvendosje tjetër në gjeografinë e jetës së tij. Fillimisht e gjejmë si këshilltar në ministrinë e rendit publik në vitin 2004, fakt që dhe lexuesve i duket i çuditshëm, për të vazhduar si gazetar dhe drejtues emisionesh në televizionet A1 dhe Alsat, apo si drejtor i departamentit të informacionit në Telenorba Shqiptare. Për të theksuar edhe faktin, se në vitet 2008-2009 e gjejmë gazetar te gazeta ‘’Integrimi’’. Të pashlyera në kujtesën e publikut shqiptar do të mbeten imazhet e emisionit të tij ‘’Bashkëshortët’’, ku të ftuar në studion e A1-shit, do të ishin disa nga çiftet më të njohur si: Avni dhe Nina Mula, Zhani dhe Rudina Ciko, Mihal dhe Edi Luarasi, Dritan dhe Meri Prifti, Gerti Vaso dhe Enada Hoxha, Neritan Licaj dhe Olta Koci, Rexhep dhe Qelidhona Celiku, etj.

Ndërkohë që kjo periudhë e viteve 1999-2010, përkon me etapën e dytë të krijimtarisë së Odise Plakut, sepse në vitin 2005 në Tiranë ai boton vëllimin me tregime dhe novela: “Kthimi i Samantës”, si dhe vëllimin me poezi: “Dhe gjethet bien”, për të arritur kulmin në  Janar 2010, kur revista ‘’Obelisk’’, e specializuar në kritikën letrare, e shpall fitues të çmimit të parë, të konkursit të organizuar për gjininë e tregimit. Një sukses tashmë i merituar i këtij krijuesi të palodhur, për të cilin në shkrimin ‘’Emocionet e një gare krijuese’’ autorja e tij, Jonida Roli do të shkruante midis të tjerave për ceremoninë e ndarjes së çmimeve.’’Ka qenë shkrimtari Odise Plaku që nderohet me çmimin e parë në këtë konkurs për tregimin e tij “Dyluftim me hënën mashtruese”. Një dyluftim mes jetës dhe vdekjes. Një luftë jetësore e nënës së lodhur nga vitet e pritjes së kthimit të djalit me vdekjen që troket në shpirtin e saj prej nëne. Një hënë që mashtron me dritën e saj. Hëna dhe gjithçka rreth saj I morën jetën nënës, por jo dashurinë e saj për të birin, që mbeti e tillë deri në fund’’.

 

Dramaturgjia është një nga drejtimet më të suksesshme të veprimtarisë artistike të Odise Plakut. Këtë “rrugëtim” ai e nisi me monodramën “Klithma e një nëne të marrë”, në vitin 2006. Drama u vu në skenën e teatrit “Bylis” të Fierit, nga regjizori Mehmet Xhelili, pedagog në Akademinë e arteve të bukura. Me rolin e nënës, aktorja Hajrie Rondo, fitoi “Çmimin e karrierës”, në Festivalin Kombëtar të Monodramës të zhvilluar në Teatrin Kombëtar në Tirane.

Pas këtij suksesi të parë dhe të merituar, Odise Plaku shkroi dramën e dytë: “Ylli i mëngjesit”, e cilësuar nga media e shkruar si një vepër për etërit. Kjo dramë, nën drejtimin e regjisorit Edmond Mëhilli u vu në skenë në nëntor2008 nga teatri “Migjeni” i Shkodrës.

Në qendër të dramës autori ka vendosur një baba, i cili ka sakrifikuar një jetë për tu përkushtuar rritjes së djalit të vetëm, ardhur në jetë pas vdekjes së bashkëshortes.

Befas, babai që ka ndjekur me sakrifica hap pas hapi rritjen e të birit, Yllit, gjendet i braktisur prej tij. I vrarë në shpirt nga veprimet e të birit, i cili arrin deri aty sa të shesë edhe tokën ku ishte varrosur e ëma, ky baba fatkeq i jep fund jetës në mënyrë tragjike. Me këtë homazh të sakrificës së prindërve ndaj fëmijëve, autori zgjodhi Shkodrën, qytetin, ku dikur kreu studimet, duke u rikthyer aty pas 18 vjetësh.

Por “gjeografia” artistike e Odise Plakut plotësohet me monodramën “Velloja e bardhë” ,vënë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, nga regjizori Marko Bitraku. Për të përçuar mesazhin e kësaj vepre u përzgjodh aktorja Zamira Kita, si një artiste potente, e cila mund të mbante peshën dhe ritmin e shfaqjes.

Si në të gjitha veprat e tij skenike edhe këtu Odise Plaku nuk ju nda probleme sociale. Me penën e tij ai skaliti figurën e një gruaje, e cila e detyruar nga kushtet ekonomike, papunësia e saj dhe bashkëshortit, me fëmijët që i kërcënoheshin nga uria dhe me prindër të sëmurë, merr përsipër të prostituojë për të mbajtur familjen.

Duhet theksuar se, monodramat: “Klithma e një nëne të marrë” dhe “Velloja e bardhë” i kushtohen figurës së femrës. Pavarësisht se personazhet e tyre i përkasin dy grupmoshave të ndryshme, autori synon që nëpërmjet tyre tu japë guxim brezave të tërë të grave, që të thyejnë heshtjen e tyre. Një gjë të cilën shoqëria perëndimore e ka bërë 60-70 vjet më parë. Kjo është risia që sjell Odise Plaku, si një ekzistencialist ai i mëshon idesë së filozofisë se “ekzistenca i paraprin thelbit”, prandaj femra nuk është e tillë nga lindja, por bëhet e tillë.

Kështu Plaku ecën në gjurmët e filozofisë franceze Simone de Beovouir, e cila theksonte se “emancipimi i femrës është përpara të gjithash një aventure intelektuale”.

Për dramaturgun gruaja është gjithnjë e frustruar pavarësisht se ajo është një individ aktiv në jetë. Lajtmotivi kryesor i këtyre monodramave është revolta e gruas ndaj shoqërisë. Duket sikur autori i drejtohet asaj me thirrjen : Mos u bini në qafë grave. Mos i ngarkoni atyre aq e aq faje pa e kuptuar se në fajet dhe gabimet e tyre ka pjesën kryesore vetë shoqëria. Me një instinkt të mprehtë dramaturgu autori përpiqet dhe i zgjedh edhe vet aktorët që do ti japin jetë personazheve të tij. Mjeshtre të tilla të skenës si Hajrie Rondo dhe Zamira Kita, përçojnë me forcën e talentit të tyre idetë e guximshme të Odise Plakut, që me forcën e fjalës tenton të revolucionarizoje shoqërinë shqiptare.

Nëpërmjet monologëve të ndërtuar mjeshtërisht, autori ngre si pyetje kryesore atë që, kërkon të gjejë kuptimin e jetës në absurditetin e një jetë që njeriu nuk e ka zgjedhur vetë. Ndërsa, në dramën ‘’Ylli i mëngjesit’’, në ndryshim nga monodramat e tjera të tij, Odise Plaku vendos në qendër të saj figurën e një burri, i cili jeton me një brengë në zemër siç është mungesa e respektit nga i biri. Pra dy burra përballë njeri-tjetrit që përfaqësojnë dy breza, dy mentalitete të ndryshme. Këtu kemi një tjetër mesazh të fortë midis tragjikes që përshkon të gjithë zhvillimin e dramës o njerëz ç’po bëni kështu. Familja është gjëja më e fortë dhe më e shenjtë në botë.

 

Në ditët e nxehta të korrikut një pjesë e madhe e qytetarëve të Tiranës shkonin drejt Durrësit, për të harruar sadopak vapën mbytëse të verës në ujërat te Adriatikut. Këtij rituali i bashkëngjitej edhe shkrimtari O. Plaku, stacioni I të cilit nuk ishin Shkëmbi i Kavajës, plepat apo Golemi. Ai zbriste çdo pasdreke në qendër të qytetit aty ku ndodhej godina e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Me hapa të shpejtë dhe me çantë në dorë, nxitonte për të ndjekur çdo pasdite provat e trupës teatrore, e cila përgatitej të vinte në skenë dramën e tij të fundit ‘’Flakët e shpirtit’’.

Pas teatrove të Fierit, Shkodrës dhe Korçës, këtë herë ai zgjodhi Durrësin dhe teatrin e njohur të tij, për të shfaqur një tjetër dramë, të së njëjtës natyrë: asaj familjare dhe shoqërore.

Pas suksesit të 22korrikut ku ‘’Flakët e shpirtit’’ u prit shumë mirë nga publiku dhe kritika, mund të lind me të drejtë pyetja. Cili do të jetë stacioni i radhës së Odise Plakut ? Tirana apo Prishtina. Të shpresojmë, sepse tanimë ai po e plotëson gjeografinë e tij krijuese njëlloj si gjeografinë e aktivitetit të tij: mësues, gazetar, nëpunës, shkrimtar, apo dramaturg?

 

Fieri.com / Ilirian Gjika (Historian)

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
3.83