HAJRIE RONDO – “AMBASADORE” E TRI QYTETEVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Të kesh një lum në qytetin tënd është një meritë gjeografike pasi lidhet me favoret higjenike, të kesh një kala është privilegj historik, sepse bën të pranishme krenarinë tënde për të shkuarën, të kesh një tempull është dhuratë perëndish, pasi njerëzit kryejnë katarsisin shpirtëror e bëhen më të prekshëm e më fisnik.

 

   Të kesh një lum në qytetin tënd është një meritë gjeografike pasi lidhet me favoret higjenike, të kesh një kala është privilegj historik, sepse bën të pranishme krenarinë tënde për të shkuarën, të kesh një tempull është dhuratë perëndish, pasi njerëzit kryejnë katarsisin shpirtëror e bëhen më të prekshëm e më fisnik. Ndërsa të kesh një grua të ngritur në kult, është një dhuratë e paçmueshme, sepse nëpërmjet saj, shoqëria interpreton veten në nivelet sipërane të qytetarisë. Nga të gjitha këto mundësi, Fieri ka vetëm dy prej tyre; lumin dhe gruan. Dhe për çudi edhe lumi i tij ka emër femëror. Madje edhe një nga shenjtorët e tij është femër, Shën Mëria e derdhur në bustin blu që ngrihet në hyrjen lindore të qytetit, mbi ballkonin e  kishës katolike. Edhe vet Shën Gjergji duket si një kalorës gardian që gjuan me shtizë “kuçedrat” e mërive të qytetit, për të mbrojtur shpirtin e tij femëror. Femrat e këtij qyteti që gëzojnë të drejtën e kultit sikur kan diçka prej meandrave të lumit të tij, Gjanicës. “Meandrat”  janë profilet e tyre. 68 vajzat me moshë të ngurtësuar në mermerin e një shtatori, Liri Gero që kapi piedestalin pas vdekjes, Marika Kallamata që ushtoi në skenat shqiptare, e tashmë edhe ajo, artistja e të gjithëve, Hajrie Rondo.

Është e trishtueshme për psikozën e njerëzve të zakonshëm, kur përdorim epitetin “kult”, pasi konotacioni i këtij termi, të lë shijen e hidhur të përmasës abstrakte konturuar në imazhe hipotetike, por janë pikërisht këta njerëz, është pikërisht kjo masë që me duartrokitjet e tyre, evidentojnë vlerat e një artisteje të vërtetë. Me Hajrien ndodh diçka tepër e çuditshme. Në rrugë ngjan si në teatër; e ndalin, e përqafojnë, e lëvdojnë, e përkëdhelin, i marrin autografe dhe i luten për të bërë foto. Në teatër ndodh si në rrugë; e duartrokasin, e përqafojnë, i japin lule, i marin autografe e gjithashtu i luten të bëjnë foto. Gjithkund e njëjta gjë. Kjo do të thotë se portreti i saj tashmë i ka “rrëzuar” muret e gurta të skenës dhe ka dal në rrugën e madhe të mirënjohjes publike.

   Kur flasim për Hajrie Rondon duhet të përshkojmë 40 vjetë të punës së saj vetmohuese në skenën e teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit. Dhe për të parë më mirë këto 40 vjetë, duhet të shtegëtojmë në thellësi të origjinës së sajë, atje, në Delvinën e largët të bejlerëve, në lagjen “Papuçi” nën malin e Sopotit, ku banonte fisi i moçëm e Veizajve, nga i cili ajo u lind, më 1 Mars të vitit 1951. Gjeografia e kësaj treve është e pasur me “ujin e bekuar” të kulturës së hershme, me ndikime të theksuara orientaliste, në gurrën e së cilës kan pirë, pashallarë e dijetar të mëdhenj e të paepur për fitore. Në kohërat e reja moderne aty kan shuar etjen burrat e shtetit si, Sulejman Delvina e Faik Konica, Artisti i Popullit, koreografi Panajot Kanaçi, legjenda e futbollit shqiptar Panajot Pano, plaku i urtë Sabri Godo, e shumë e shumë figura të tjera të historisë dhe kulturës shqiptare. Këtu kishte shpërndarë alfabetin e vet Hasan Tahsini dhe këtu ishte burgosur në vitin 1874 pse kishte shprehur me zë mendimin atdhetar gjatë praktikimit të një riti fetar. ”Ne jemi një komb i veçantë, kishte thënë ai, kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerët”. Delvina e shikon botën me “syrin e kaltër” të ujrave, ndërsa netët i shikon me dritën e ndezur në shekuj nga “Veizajt”. Veipi, i ati i Hajries trashëgon këtë mbiemër pikërisht për hir të detyrës profesionale që ushtronin të parët e tij në periudhën osmane. Gjithë Veizët e tjerë, pararendës të fisit, ndiznin fenerët me gas a vajguri netëve të motmotit në udhët e kalldrëmta të qytetit. Ndërsa Veipi, “ndezi” një dritë verbuese, një yll në udhët e artit të skenografisë shqiptare, lindi Hajrien. Pavarësisht se nuk ishte i arsimuar, në qënien e tij shpërthente herë -herë ajo ndërgjegje e fshehtë krijuese që lidhej me genin e trashëgimisë fisnore. Imitonte bukur, këndonte bukur, tregonte bukur dhe shfaqte kudo një ndjenjë të bukur trazuar gjithmonë me një shije të hollë artistike. Kjo dhunti e fshehtë e të jatit, u shfaq hapur tek e bija. Në vitet e vegjëlisë, ajo improvizonte në oborrin e shtëpisë, një skenë prej çarçafi të ngritur në hijen e freskët të mënit dhe së bashku me motrat dhe vëllanë, interpretonin pjesw tw ndryshme teatrale. Ishin gjashtë  githsejë. Aty bëhej regjizura, aktorimi, grimimi… Ndërsa Nevrua, e ëma, kishte “shtrydhur” mbi djepin e së bijës, këngët e vjetra të folkut krahinor, mbushur me muzgun  e shekujve për jetën dhe fatin e trishtë të njeriut. Ajo dukej sikur e “fshihte” në cepat e përkrehëses sekretin e madh të fisit të saj, atë vëmendje të hollë përshruese që lidhej aq shumë me botën, dhimbjen dhe ndjeshmërinë e lartë prej natyre. Ndoshta këtu e ka burimin ajo ndjenjë e thellë dramatike që shfaqet me aq kopetencë në figurën e përsosur të nënave të moçme shqiptare, realizuar nga Hajrija.

   Ndërsa në vitet e shkollës së mesme, tedenca e saj artistike u shfaq që në estetikën e lukut. Një fustan mëndafshi ngjyrë floriri, hijeshonte trupin e gjatë lladigë të vajzës me dy gërsheta të gjata, të afta për të ngecur midis tyre edhe “një mbret”. Shumë nga “mbretërit” e saj, idhujve të kinematografisë shqiptare  si; Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Sandër Prosi, Hajrija ua shkruante emrat me shkumës në dërrasën e zezë të klasës, sa herë që i jepej mundësia midis orëve të mësimit. Pastaj dhuntitë e saj filluan t’i “lakonin” mësuesit në të gjitha lëndët. Ajo shkëlqente në sport, veçanërisht në atletikë dhe kërcimin me stekë. Shkëlqente në letërsi, në recitimet e poezive dhe balabave prekëse dhe sidomos në hartimet e bukura të cilët ja ekspozonin gjithmonë në këndin e “talenteve të reja”. Gjimnazi “10 Korriku” i Delvinës tashmë kishte një vajzë me shumë talente. Ajo prezantonte bukur, ajo vallëzonte bukur, ajo recitonte bukur, këndonte bukur po ajo. Por cilin nga talentet e veta do zhvillonte në të ardhmen kjo vajzë? Histori…, Gjeografi…, Letërsi…, Muzikë…, Sporte…, të gjithë e joshnin për të konkuruar. Ndërsa ajo vendosi në mënyrë “kubike” Aktrim, aktrim, aktrim. Konkursi u zhvillua në Sarandë dhe nga 20 konkurues fituan vetëm dy. Hajrija dhe një tjetër vajzë. Të nesërmen, e ardhmja e saj “u mblodh” në një valixhe studenti dhe “rrodhi” në drejtim të metropolit.

   Ishte viti 1969. Pedagogët e artit Drita Agolli dhe Birçe Hasko u bënë ndër të tjerë, edukuesit artistik më të spikatur e më të adhuruar të studentes së re delvinjote. Janë dy emra që nuk harrohen lehtë prej aktores, dy gjurmë të gdhendura me mirënjohje në mermerin e bardhë të kujtesës së saj.

Përsëri aty, në mes të metropolit, ajo ndërtoi një “Delvinë” të vogël, një shfaqje karakteristike të një talenti premtues. Talent në rritje, talent të sigurt. Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, dy të mëdhenjtë e filmit shqiptar, do ta zgjidhnin atë pa ngurim në rolet e tyre më të veçanta. Gërshetat vazhdonin të ishin po ai rrezik i “grackës” mbretërore dhe ajo vazhdonte të ruante po atë performancë femërore, nëpërmjet po atij luku fin dhe mondan. Bukuria e spikatur, eleganca e lëvizjeve, hiret e derdhura në ecjen dinjitare, që ngjasonin aq shumë me një perëndi ilire, do të shfaqeshin tani në një tjetër gjeografi qyteti, në Fier, ku sapo ishte hapur teatri “Bylis”. Ishte viti 1972 dhe aktorja e re porsa mbaron studimet e larta emërohet këtu. Teatri i këtij qyteti me emrin e një qyteti tjetër të hershëm, dukej sikur kërkonte ikonën e tij, perëndinë e adhuruar. Bylisi antik kishte patur vërtet të tilla. Dhe Hajrija u “blatua” për gjithë jetën në altarin e shenjtë të këtij institucioni, për 40 vjetë. Një jetë dhe një vepër monumentale ku u derdhën qindra role dhe personazhë dhe u morën qindra e mijra  buzëqeshje gëzimi, qindra e mijra duartrokitje e brohorima nga shpirtit artëdashës i popullit fierak. U blatua për të rilindur në një formë krejt të re, formën e mitit.

   Hajrie Rondo ka krijuar një mit. Fierakët jetonin me shpirtin e saj, çiftet e bënin rrugën e teatrit enkas që nuset e reja të shihnin Hajrien e Tanës, fëmijët kur shikonin filmat e parë, gozhdoheshin para ekraneve të Tv-ve dhe mësonin përmendësh emrat e personazheve të saj. Vajzat donin të bëheshin aktore si ajo. Të nesërmen nuset ndërronin modën e flokëve duke i mbajtur si ajo, një shall lejla si ajo, një kafe si ajo, nuset, vajzat, nënat, bëheshin një “ajo”. Ajo po bëhej steriotipi gjinor, modeli feminil i publikuar në formë etalloni, njësie matëse e virtytit, modës dhe vlerave më të spikatura të femrës moderne shqiptare.

    Ndërsa fierakët e moshuar sesi e shikonin aktoren e re. Edhe atyre diç ju kujtonte profili i saj. Gërshetat e Hajries që lodronin me flladin e mbrëmjes  nëpër udhët e pastra të qytetit të luleve, zgjonin në kujtesën e tyre imazhin e një tjetër vajze me gërsheta të tilla që tashmë kishte hyrë  në mënyrë të pakthyeshme në legjendë. Kjo ishte Liri Gero. “As sopata nuk i pret gërshetat e kësaj vajze”, thoshin fieraket e hershme për të. Por Liri Gero nuk mundi të rritej në këtë qytet. Ajo mbeti e re, përjetësisht e re si për t’i dhënë historisë së tij rininë e saj të përjetëshme. Rininë femërore dhe vet kultin e saj femëror. Por edhe qyteti nuk mund ta harrojë imazhin e bijës së tij. Ndaj dhe përngjasimi i gërshetave të Hajries me ato të Liri Geros, zgjonte mallin nostalgjik të fierakëve të vjetër.

   Miti i Hajrie Rondos lidhet me dhuntitë e saj natyrore dhe të kultivuara, me talentin dhe karakteristikat më të dukshme të personalitetit të saj artistik. Tek ky personalitet mëshirohet më dukshëm se kudo, thënia epistolare se, “Gjeniu është 99% punë dhe 1% talent.” Ky mishërim është gdhendur në ballin e saj me gërmat e rubinta të djersës. Lejtmotivi i saj ka qenë punë deri në raskapitje dhe pasion deri në çmenduri. Djersa dhe mundi i Hajrie Rondos kan shkruar për 40 vjet “biblën” e saj aktoriale. Kjo “bibël” ka 120 faqe, aq sa role ka realizuar ajo me përpjekjet e saj të vazhdueshme. 100 prej tyre janë luajtur në skenë, kurse 20 të tjerë në kinema e televizion. Në të gjithë këtë hapësirë kaq të gjerë aktiviteti , Hajrija ka dëshmuar një vëmëndje dhe seriozitet profesional absolut. Rolet e saj konceptohen me një diapazon të gjerë interpretimi cilësor gati poliedrik. Ajo ju ka dhënë atyre dritëhijen e shpirtit të saj të ndjeshëm, duke i ringjallur nëpërmjet pasqyrimit të brendshëm të vetvetes. Hajria e “gëlltit” personazhin brenda saj, e “gatuan” në magjen shpirtërore, me gjakun, me nervin dhe me ndjenjën e saj të vrullshme dhe pastaj e “rilind” sërishmi para nesh. Rolet e Hajries përbëjn një veçori karakteristike interesante. Ajo luan edhe në dramë edhe në monodramë, edhe në komedi edhe në skeç, edhe në filmë në recitim edhe në prezantime aktivitetesh. Është një nga aktoret më të spikatura në skenën shqiptare për zbërthimet psikologjike të karaktereve dhe si e tillë, është mjaft e preferuar nga regjizorët si, Pëllumb Kulla, Roland Çarka, etj. Rolet e saj në filma kan patur partner midis të tjerëve, edhe aktorët e shquar si; Robert Ndrenika, Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Roland Trebicka, Fatos Sela, Agim Agolli, Dervish Biba e Guljem Radoja. Ka lozur në filma të rëndësishëm, të tillë si; “Nëntor i dytë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kush vdes në këmbë”, “Një vit i gjatë”, “Një emër midis njerëzve”,”Ne dhe Lenini”  e shumë të tjerë.

   Aktiviteti i saj skenik i kapërceu shum shpejtë kufijtë rajonal të Fierit. Përmasat e tij nuk i mjaftuan as kufijve artistik të kombit tonë. Në vitin 1987 ajo ftohet të marri pjesë në festivalin ndërkombëtar, në Korinth (Greqi). Në vitin 1990 merr pjesë në festivalin ndërkombëtar që zhvillohet në Izmir(Turqi) dhe në vitin 2004  ftohet në një tjetër festival ndërkombëtar i cili zhvillohej në Trabzone të Turqisë. Në karierën e saj të suksesshme ajo e ka pasuruar biografinë e vet artistike edhe me një serë çmimesh e tituj nderi, akorduar nga juri dhe institucione të ndryshme shtetërore e sociale.

Çmimin e parë e ka marr në festivalin e teatrove për rolin e plakës te “Gjemimi i atij dimri”, në vitin 1976. Çmim të parë ka marr gjithashtu edhe në rolin e Tanës te “Përrallë nga e kaluara” me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit, në vitin 1988. Një tjetër çmim e ka marrë për rolin e Linës te filmi “Kush vdes në këmbë” me regjizor Vladimir Priftin në vitin 1984. Në vitin 2006 ka marr Çmimin e Karrierës në monodramën “Klithma e një nëne” dhe tre vjet më vonë, me po të njëjtën vepër merr çmimin e parë. Veç kësaj, Hajrie Rondo mban titullin “Aktore e Madhe e Myzeqesë”, dhënë nga Shoqata Social kulturore, “Myzeqeja”. Qyteti i saj i lindjes, Delvina e nderoi në vitin 2008 me titullin e lartë “Qytetare nderi” e këtij qyteti. Po këtë vit, Presidenti i Republikës i akordoi Urdhërin e Artë ”Naim Frashëri”.

Në vitet 2001 - 2004, Hajrie Rondo ka qenë drejtoreshë e teatrit “Bylis”.

   Për aftësitë e larta profesionale dhe talentin e saj të spikatur, ajo është vlerësuar nga kritikë dhe figura të shumta të artit skenik shqiptar.

    Kritiku i artit dramatik, Josif Papagjoni e konsideron atë një “artiste të shquar” e cila, në sajë të “vullnetit ka arritur kuotat e epërme të artit”. Ai e cilëson atë “aktore tragjike” për rolet pikante që ka luajtur në dramën e Artur Milerit, “Shtrigat” e Salemit”, si dhe në dramat e Agollit, “Gjemimi i atij dimri” dhe “Baladë për nënën”. Sepse Hajrie Rondo, thotë ai, “kap substratin sublim të artit” dhe se, “interpretimet e saj spikatin për dashuri njerëzore, temperament, ndjenjë, përjetim të thellë me frymë shqiptare, ekspresivitet, formë e elegancë, ritëm e dinamikë. Me talentin e saj të rrallë ajo ka vizatuar plot bukuri e mjeshtëri figura grash e nënash sa të ashpra e krenare, plot dinjitet, po aq të buta e mallëngjyese e shpesh me humor. E mrekullueshme është ajo posaçërisht në zhanret e komedisë ku spikat për burteskun e groteskun lumturisht të harmonizuara me të vërtetën, karakterin dhe natyrshmërinë.”

   Dr. Moikom Zeqo e cilëson Hajrie Rondon, “Një nga artistet e shquara shqiptare” e cila, “me karakterin e saj të spikatur, nëpërmjet detajeve të veçanta, dhe veçanërisht nëpërmjet frymës së sajë të brendshme, ka krijuar tipologjinë e vajzës së jugut, tipologjinë e një femre me personalitet, që nuk mposhtet. Hajria nuk është vetëm një aktore e shkëlqyer e Fierit por aktore e shkëlqyer e Shqipërisë. Ajo i bën nder Republikës së artit”.   

   Aktorja e madhe Margarita Xhepa do të shprehet se gjithashtu se; ”Hajrie Rondo fal talentit të saj, shquhet edhe për vullnet dhe këmbëngulje të vazhdueshme. I kemi duartrokitur personazhet e saj të veçantë e të hijshëm, thotë ajo, të cilët trupëzohen e harmonizohen nëpërmjet lojës së saj skenike duke e mbajtur linjën e interpretimit të tyre në vijueshmëri të pandërprerë. Ajo ka krijuar një karakter shqiptar duke u ngelur një nga kulmet e bukurisë sonë artistike.”

   Regjizori Dhimitër Anagnosti e konsideron “…talent natyror aktoresk të spikatur”, Albert Minga e quan një “Liza Strane”.

   Ndërsa regjizori dhe aktori Roland Çarka e lidh suksesin e teatrit “Bylis” pikërisht me kontributin e rëndësishëm të kësaj aktoreje “Është aktore e kompletuar, thotë ai, një aktore me botë të brendshme dhe me një psikikë të admirueshme të cilën pak aktore të këtij lloi e kanë në Shqipëri. Ka vokal shumë të mirë, kompletohet shumë mirë me partnerin dhe di të përcjelli shumë bukur emocionet e saj te spektatori. Hajria është aktore e cila e ka vënë vulën e saj jo vetëm në Teatrin e Fierit, por edhe në planin kombëtar. Ajo është një aktore tepër e zgjuar në ndërtimin e karaktereve. Është aktorja e vetme e këtij teatri që ka kaluar nga teatri në film. Nuk është rastësi që tek “Përrallë nga e kaluara” në të gjithë arsenalin e artistëve të mirë që ne kemi në gjithë Shqipërinë, një regjizor si Dhimitër Anagnosti ta aktivizojë Rondon në një rol kino-komedie dhe të luaj pranë artistëve shumë të shquar si Robert Ndrenika. Në veprën “Shtrigat e Salemit”, Hajries i besova Elisabetën që është një nga rolet kryesore të veprës karshi Xhon Proktor të Fatos Selës. Një arritje tjetër nga më të mirat të Hajries në regjinë time është drama “Dashuri me fantazmat” e Xhuzepe Skiliodi Maxhio. Hajrien e kam aktivizuar gjithashtu edhe në role komike si te, “Zotëria që tradhëton gruan”, me partner Roland Trebickën. Nëqoftëse regjizorët tanë donin të thoshin diçka në evenimentet kombëtare gjithmonë do të aktivizonin Hajrien. Atje ku ka patur arritje ansambli i Teatrit “Bylis” në rrafshin kombëtar, atje është padyshim kontributi dhe vlerat e aktores të mrekullueshme Hajrie Rondo.”

    Ndërsa regjizori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla, do ta quante  atë një  “Aktore të talentuar, me një humor të mrekullueshëm të nënlëkurës, aktore më ambicie të lartë profesionale dhe që të frymëzon me punën e saj.”

   Poeti dhe publicisti Petrit Ruko e quan Hajrie Rondon “Pasuri kombëtare” një “nyje të çmuar në gjerdanin e aktorëve të shquara shqiptare si Violeta Manushi, Marie Logoreci, Margarita Xhepa etj., nyje pa të cilën Teatri shqiptar nuk mund të kuptohet.” 

   Për regjizorin Mehmet Xhelili, me të cilin ka bashkëpunuar te “Klithma e një nëne”, Hajria është një “artiste e shquar me një personalitet tepër të spikatur.” “Simbol i aktrimit femëror shqiptar” do ta cilësonte me entisiazëm të dukshëm kolegu i saj durrsak Mirush Kabashi.

   Koleg të tjerë gjithashtu nuk reshtin së foluri për figurën e saj aktoreske. Por dimensioni artistik i Hajrie Rondos, nuk mund të kuptohet plotësisht pa patur parasysh edhe anën humane të saj, angazhimin familjar dhe social.

   Në vitin 1980 Hajrija vë kurorë me Kiço Rondon, himariotin simpatik “që fshihte dallgët e Jonit” në vështrimin e tij burrëror. Pasioni i Kiços ishte sporti i lojrave me dorë dhe vite e vite të tëra, organizoi në nivele më të larta kategorike volibollistet e qytetit të Fierit. Mes pasionit të artit dhe sportit, çifti Rondo lindën e rritën dy fëmijë, një “riprodhim” të vetvetes. Djali, Kliti mbaroi studimet e larta ekonomike, ndërsa vajza, Klea ka mbaruar studimet në Akademinë e arteve në degën e aktrimit. Hajrija e kujton me dhimbje fëmininë e tyre. I duket sikur profesioni i saj ka lënë diçka mangut në përkujdesjen dhe përkëdheljen e të vegjëlve. Ajo kujton ditët e provave kur në mungesë të kohës i merrte fëmijët me vete dhe ata i zinte gjumi të lodhur në stolat metalik të teatrit. Ky moment i shkakton një psherëtim të zvargur, dëshpëruese, pa harruar të thojë se teatri ka qenë përherë shtëpija e saj e dytë. Ky nerv i tendosur pune të kujton postulatin e njohur se aktorit nuk i lejohet të vdesi në skenë.

   Hajrija ka ndërtuar gjithashtu edhe një performancë të dukshme sociale. Ajo është një pjesëmarrëse e rregullt dhe veprimtare aktive e jetës së gjallë kulturore të qytetit të Fierit. Deri tani ajo numëron mbi 300 role konferenciereje dhe recituese në aktivitete të ndryshme të përmasave lokale dhe kombëtare. Nuk ka deri tani, datë përkujtimore në historinë e këtij qyteti, ngjarje të shënuar kalendarike, kremtime dhe manifestime festive ku të mos drejtojë dhe recitojë aktorja Hajrie Rondo.

Me emrin dhe figurën e saj karizmatike, me ndjenjën dhe përgjegjësinë e lartë morale dhe prezencën e dukshme qytetare, ajo përbën modelin më të spikatur të një gruaje, të një nëne e të një bashkëqytetareje shembullore. Tashmë vete e vjen shpesh e më shpesh në Delvinë dhe Himarë. Në vendlindje e pret nëno Nevrua, e cila i lutet gjithmonë e më tepër të kthehet sërish pran saj, sa “t’i shohi pak sytë e t’i dëgjojë zërin”. Ndërsa në Himar e pret i shoqi që punon me grupin e vajzave volejbolliste. Kiçua dhe Joni, deti që për hir të së vërtetës duhet thën se e “ka ngrën në besë”. Të gjithë besojnë se gërshetat e saj të dikurshme ku “ngecte një mbret”, tashmë i kan shthurur erërat e Jonit. A ndoshta është mëria xhelozuese e “Vajzës së valëve”.  Ndoshta sepse vetëm atyre bota e saj i ka besuar në formë hipotetike rininë e përjetëshme të njeriut. Dhe kjo është mëse e vërtetë sepse, vet bota e Hajries është një Jon i pafundmë dhe erërat e tij, nuk jan gjë tjetër veçse erërat e moshës së saj që risjellin shkumën e bardhë të valëve të spërkasi datëlindjet e saj me fisnikëri. Së afërmi ajo mbush 60 vjetë. Kaq vjet jan një detë i vërtetë në jetën artistike të Hajrie Rondos.

Ajo shfaqet shpesh aty duke u bërë pjesë e jetës himarjote. Delvinjotët, himarjotët dhe fierakët e kan atë gjithmonë midis tyre. Ndërsa ajo vete e vjen tek të tre qytetet duke u pritur e përcjellë nga ata,  si një ambasadore e vërtetë e vlerave të tyre artistike. Ambasadore e tre qyteteve, të lindjes,  martesës e të punës.

 

 

 

 

Per me shume fotografi nga aktorja klikoni KETU

Fieri.com / Nuri Plaku

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (15 postuar)

avatar
Perparim Hysi 23 November, 2010 04:14:30
Ka qenë fat për Fierin që,si bekim nga Zoti,i erdhi një artiste e madhe si Hajrie Rondo.Sado nga një qytet i vogël si Delvina,por e bëri ferk atë që thonë në Myzeqe:"Ferrë e vogël,fsheh lepur të madh".Duket se kjo proverbë që e ka kaluar kufirin e Myzeqesë,i rri për shtat kësaj aktoreje të madhe,që hyn në Panteonin e Artisteve ikonë,si Margarita Xhepa,Tinka Kurti,Drita pelingu,Esna Agolli,Violeta Manushi etj.Ajo i ka lujatur me pasion e dashuri të gjitha rolet dhe,sa për plakje,as mos i shkoj ndër mend.Është aq e plotë e me sharm sa duket si një tulipan që do rrijë gjithmonë çelur.Poezia e saj,dhëntë Zoti,të ketë po atë sharm që ka artistja,për t'ia bërë edhe më të bukur portretin.I uroj nga larg vetëm shëndet,për të na dhënë,ende,kënaqësi me rolet e saj dhe,siç shoh,edhe si poete.Mirëse vjen në sofrën e madhe të poezisë.
avatar
Matilda Dushku 02 December, 2010 01:37:43
Ka qene vertete fat per qytetin tone jo vetem ardhja e nje artisteje te madhe si Hajrie Rondo por mbi te gjitha fati i ketij qyteti qe ajo u dashurua me te dhe nuk e tradhetoi kurre... Qe e vogel kam ndjekur rolet e saj ne filem dhe teater duke u mburrur qe qyteti jone perfaqesohej me nje artiste kaq te mbrekullueshme por mbi te gjitha me nje potencial te paarritshem ne ze dhe ne pershtatje te karaktereve. Gjithmon kam perjetuar rolet e saj me emocion dhe ndienje dhe ajo qe mbaj mend eshte se ne cdo shfaqje teatrale ndiesha ne ankthin e pritjes se saj ne skene duke menduar se vetem atje ku ishte ajo ajo shfaqje do te kishte suksesin e duhur... Tani qe kete e diskutojme shpesh me miqte por edhe me vete Hajrien kam vertetuar qe kjo ndiesi ka qene per shume qytetare Fierake...
Kam privilegjin e madh qe tashme ajo te jete nder mikeshat e mia me te mira... duket sikur kam prekur nje yll qe ne femijerin time vetem e admiroja nga larg... Ky shkrim shkruar me aq mjeshteri nga artisti i fjales Nuri Plaku me kujtoi se ai yll eshte i joni e kemi akoma ne Fierin tone edhe pse cdo dite asaj i duhet te perballet me veshtiresite e jetes sikur nje njeriu te thjeshte qe sakrifikon veten per familjen me shpresen se e ardhmja do shperblehet me sakrificat e te kaluares... Pas gjithe ketyre sakrificave ajo perseri ndricon si nje yll, madje per syte tane ndoshta dhe me shume se me pare...
avatar
Matilda Dushku 02 December, 2010 01:41:05
Ka qene vertete fat per qytetin tone jo vetem ardhja e nje artisteje te madhe si Hajrie Rondo por mbi te gjitha fati i ketij qyteti qe ajo u dashurua me te dhe nuk e tradhetoi kurre... Qe e vogel kam ndjekur rolet e saj ne filem dhe teater duke u mburrur qe qyteti jone perfaqesohej me nje artiste kaq te mbrekullueshme por mbi te gjitha me nje potencial te paarritshem ne ze dhe ne pershtatje te karaktereve. Gjithmon kam perjetuar rolet e saj me emocion dhe ndienje dhe ajo qe mbaj mend eshte se ne cdo shfaqje teatrale ndiesha ne ankthin e pritjes se saj ne skene duke menduar se vetem atje ku ishte ajo ajo shfaqje do te kishte suksesin e duhur... Tani qe kete e diskutojme shpesh me miqte por edhe me vete Hajrien kam vertetuar qe kjo ndiesi ka qene per shume qytetare Fierake...
Kam privilegjin e madh qe tashme ajo te jete nder mikeshat e mia me te mira... duket sikur kam prekur nje yll qe ne femijerin time vetem e admiroja nga larg... Ky shkrim shkruar me aq mjeshteri nga artisti i fjales Nuri Plaku me kujtoi se ai yll eshte i joni e kemi akoma ne Fierin tone edhe pse cdo dite asaj i duhet te perballet me veshtiresite e jetes sikur nje njeriu te thjeshte qe sakrifikon veten per familjen me shpresen se e ardhmja do shperblehet me sakrificat e te kaluares... Pas gjithe ketyre sakrificave ajo perseri ndricon si nje yll, madje per syte tane ndoshta dhe me shume se me pare...
avatar
Artan Kalemaj 02 December, 2010 01:42:07
Te shkruash per nje artiste te madhe sic eshte Hajrie Rondo eshte vler,nder dhe respekt.Keto vlera per nje Zonje dhe Artiste te madhe sic eshte Zonja Hajrie jane te njohura,jane nga gjithe Shqiptaret dhe koleget e saj.Por mendoj se eshte nder per qytetin tone te Fierit qe ti japi kesaj Zonje te nderuar vleresimin qe i takon.Zoti i dhene jete dhe shendet Zonjes Hajrie Rondo qe ta kemi ne qytetin tone,ne skene dhe medja qe te japi dhe me shume jete dhe keaqesi ne rolet e saj dhe per te gjithe ne qe e nderojne dhe e respektojme.
avatar
laureta roshi 02 December, 2010 07:50:50
prsh eshte nje shkrim i shkruar me qytetari dhe nje minibiografi i zonjes Hajrie Rondo, artistes kombetare qe di te percjelle imazhin e saj ne vlerat e qytetit. Roli i saj si nje model i rralle i nenes, bashkshortes, mikes, artistes ne jeten e qytetit tone eshte i prekshem.
avatar
Majlinda Rama 05 December, 2010 12:06:14
E lexoj kete shkrim dhe befas mendoj: A mund te thuhet me fjale miti qe ngriti mbi artin emri i Hajrie Rondos. Eshte fat dhe krenari qe e kemi ne Fier . Jo te gjithe i kane mundesite te pershendeten me ikone te kinematografise shqiptare qe numeron role pafund. Pergezime edhe per autorin e shkrimit, zotit Nuri Plaku! Gjithcka e derdhur bukur , me fuqi dhe potence shprehjeje. Urime!
avatar
Ledjon zoi 06 December, 2010 11:24:10
Skena e Teatri i Fierit ka kenajsi qe ,ban gjithmon nje div te skenes shqiptare ne krahet e saj..dhe kjo eshte Hajrie Rondo.Pra me pak fjale ne kemi kurajon te krenohemi me dike ne Teatrin ton ku mund te themi...ne kete Teater luan Hajrie Rondo.Besoj se i ka dhene indetitet Teatri te Fierir me rolet qe ka ekzekutuar ne skene.

Uroj role sa me shume dhe faleminderit qe nderon Qytetin ton....
avatar
julia sinani 06 December, 2010 11:59:14
Eh...ka gjera qe njeriu nuk i shkul dot nga mendja per shkak te roleve qe keni luajtur ju....kjo eshte ajo qe te tjeret nuk kane dhe qe ju e keni,ne qe ju njohim krenohemi me ju,emocionohem kure flas per nje njeri te madhe qe i ka kushtuer rele pa fund keti vendi....

ju pershendes........
avatar
pranvera 07 December, 2010 12:25:11
Asnjehere fjalet nuk mund te permbushin personalitetin, potecialin, gjurmen e nje figure te tille sic eshte Hajrie Rondo, por gjithsesi falenderoj autorin e shkrimit per kete zgjim ...
Ështe fat dhe nder per Fierin qe hapat dhe arritjet e saj i percjellin permes emocionesh... Urime te dyve!
avatar
vali 07 December, 2010 12:59:39
Hajrie Rondo diti në mënyrën më të mirë të jetë shprehje e identitetit dhe e vlerave të një populli nepermjet roleve te saj, ndaj gjurmet e saj nuk mjafton t`i pershkruaj vetem ky shkrim, mjaft i arrire per kompozicionin dhe strukturimin nga z.N. Plaku...
Urime dhe respekteZnj. Hajrie dhe Autorit...
1 2 next total: 15 | displaying: 1 - 10

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
4.00