Hamza Gora – Jeta dhe veprimtaria e inxhinierit gjeolog

Font size: Decrease font Enlarge font
image Hamza Gora

Hamza Gora jetoi e punoi në Fier për 40 vjet me radhë. Me Fierin e lidhi profesioni i tij i gjeologut dhe karriera në institucionet e industrisë së naftës. Ai iu përkushtua këtij profesioni, me pasion, vullnet të jashtëzakonshëm, ndershmëri, aftësi intelektuale e fizike. Po kështu, natyrshëm u lidh edhe me qytetin, ku jetoi e punoi.

E deshi Fierin edhe nuk pranoi ta ndërronte me qytetin e shumëdëshiruar nga të gjithë në atë kohë, Tiranën, edhe kur pati fatin ta ftonin në kuadrin e një projekti të udhëhequr  nga Instituti i Fizikës Bërthamore për metodat e reja bërthamore të çpimit të puseve, për të cilin ai punoi muaj të tërë.

Hamza Gora ishte bir i një familjeje me tradita patriotike, të ardhur nga Labëria. Babai i tij, Nexhipi, ishte nga fshati Gusmar i Kurveleshit, nënprefekturë e qarkut të Gjirokastrës, në atë kohë, që shtrihet nën malin e Kërdevicës. Nexhip Gora ka qenë një burrë i nderuar nga gjithë krahina. Ai shërbeu për vite me radhë në strukturat e shtetit të asaj kohe, Mbretërisë së Ahmet Zogut. Nexhipi, ka shërbyer në krahina të ndryshme si Dibër, Kavajë, Tiranë etj. I specializuar në Itali, i pajisur me gjithë virtytet që i duheshin një ushtaraku të karrierës, si ndershmëria, trimëria, urtësia, drejtësia, ai për vite me radhë punoi duke i munguar edhe familjes. Thonë që i ati i Nexhipit, Manxhar Gora, ka marrë pjesë me armë në dorë në Lëvizjen kundër Reformave të Tanzimatit.

E ëma e Hamzait, ishte Razia, nga familja e nderuar Hasanmema e Nivicës, fshat i bukur në rrëzë të malit të Këndrevicës.

Hamzai lindi në 25 qershor 1939. Ishte fëmija i dytë, pas motrës, Sebies. Ishte kohë e vështirë dhe lufta italo-greke kishte frontin e vet në Kurvelesh. Këto kanë qenë ditët më të vështira për Hamzanë-foshnjë. Nëna e tij, Razia i tregonte këto ngjarje me shumë dhembje. E mbetur e vetme me foshnjën e saj, në mes të vijës së frontit, ku luftohej mes dy mbretërive të mëdha ( burri me vajzën u ndodhën në Tiranë) ajo u përball me luftën, plagosjen, zhvendosjet e popullsisë nga ushtria greke, tmerret e bombardimeve dhe privimeve nga jeta normale, por Hamzanë nuk e lëshoi. Fati e deshi të dilnin të dy gjallë nga ky jerm, që ajo do ta kujtonte vazhdimisht derisa iku. Menjeherë pas kësaj, në fillim të viteve 40’, Nexhipi e transferoi familjen e tij në Kavajë, ku lindi dhe djali i vogël i familjes Gora, Xhemali.

Sistemi komunist e transferoi familjen Gora në Kuçovë, ku Nexhpit ju ofrua të punonte si punëtor nafte. Burri i urte, me shtat të lartë e të bukur, që vinte nga një karrierë e suksesëshme ushtarake, u detyrua të punonte, për të mbajtur familjen, në punë të vështira. Po ashtu Razieja bëri të njëtën gjë, duke punuar tokën, për t’i shpëtuar zisë së bukës, të cilën fëmijët e saj, sic thoshte shpesh ajo, nuk e provuan.

Këtu duhet theksuar një moment, kur familja e Nexhip Gorës u vu në listë për tu kthyer në Kurvelesh, prej shtetit të kohës, pasi ai kishte qenë nën shërbimin e Mbretit. Thonë, që fati e desh, që një burrë shumë i famshëm i asaj kohe, Shefqet Peçi, ta fshinte emrin e Nexhip Gorës nga kjo listë. Me sa duket si bashkëpatriot dhe ushtarak, ai kishte patur rastin ta njihte nga afër Nexhip Gorën, gjë që mjaftoi për t’ia kursyer atij kalvarin komunist, që po përgatitej.

Hamzai kreu në Kuçovë shkollën 7-vjecare (1946-1953) dhe Teknikumin e Naftës,  Dega Prodhim (1953-1956) me rezultate të shkëlqyera.

Disa nga diplomat e dëftesat e asaj kohe i drejtoheshin Nexhipit, me respekt nga drejtorët e shkollave, që e përgëzonin, duke e vënë në dijeni se i biri, Hamzai, kishte rezultate shumë të larta në mësime dhe sjellje shembullore.

Hamzai ishte bërë një djalë me trup të lartë e të lidhur, tepër sportiv, me flokë të zinj e të dredhur, me tipare tepër të rregullta e të hijshme. Shokët e shkollës e kujtojnë për forcën e tij të fizikut, logjikës e karakterit.

Në vitin ’56, pasi mbaroi me rezultate maksimale Teknikumin, i doli e drejta studimit për në Moskë. Rast ky që ai do ta kujtonte me dhembje më pas. E ëma, Razia, gruaja e fortë dhe fisnike, për cudi në këtë moment vuri veton si nënë dhe nuk pranoi ta largonte djalin.

Kështu Hamzai filloi punë si Teknik Nafte në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës Patos, sektori i prodhimit (1956 – 1960) dhe shteti e sistemoi me shtëpi gjithë familjen në Fier. Gjatë kësaj kohe, ai u angazhua me skuadrën e futbollit të Patosit, ku spikati si futbollist, falë aftësive të tij fizike e teknike si edhe vullnetit, për tu stërvitur. Më pas do ta vazhdonte futbollin edhe me skuadrën e Apollonisë.

Pas 4 vjetësh pune të palodhur, atij i del përsëri e drejta e studimit dhe bursa e shtetit për të studjuar në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti i Inxhinjerisë së Gjeologji – Minierave,  ku studioi për 5 vjet: 1961-1965.

Kujtonte me shumë respekt pedagogë si: Qazim Turdiu apo Fatos Arapi, me të cilët krijoi mardhënie respekti të ndërsjelltë. Tirana hapi një faqe të re në jetën e Hamzait. Fletoret e tij të leksioneve, edhe sot janë model për brezin e ri. Blloqe të trasha, me kapakë plastikë, të mbushur me shkrim të rregullt me leksionet. Cdo gjë ishte e përsosur. Që nga datat, titujt, figurat, grafikët, formulat gjithashtu të pasqyruara me 4 bojra të ndryshme, për të theksuar përmbajtjen.

Shokët e universitetit e kujtojnë me dashuri dhe respekt Hamznë student. I veshur bukur, tepër i pashëm, i pjekur. Puna në naftë i kishte dhënë mundësinë të merrte eksperiencë profesionale, por edhe të përsoste karakterin e tij.

Në vitin 1965, Hamzai diplomohet Inxhinjer Gjeolog dhe emërohet Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës Visokë, Sektori 5, ku punoi  me përkushtim per dy vjetë. 

Në këtë kohë, ai lidhet me Nizajeten, vajzën e re e të hijshme, që sapo kishte filluar punë si laborante röntgeni, në Poliklinikën e qytetit. Nizajetja ishte bijë e familjes Shehu, familje shumë e lidhur me zhvillimet patriotike të vendit. I ati i Nizajetes, Eqerem Shehu-Qamili, ishte figurë e njohur e Mallakastrës. Pronarë tokash, ullishtash e bagëtish, kjo familje kishte ndikim të madh në gjithë krahinën. Familja Shehu kishte nxjerrë në vite figura të patriotizmit, që nga Alem Hekali (shek. XVI-XVII), Brahim Hekali (shek. XVIII), Rrapo Hekali (shek. XIX) deri tek Zenel Hekali (shek.XX). Zenel Hekali, xhaxhai i Nizajetes, ose profesor Hekali, ka qenë një figurë e ndritur e historisë kombëtare. Ai ka qenë pjesëmarrës në kryengritjen e Fierit, bashkë me Riza Cerovën, anëtar i KONARE-së (Komiteti Nacional Revolucionar, u themelua më 25 mars të vitit 1925 në Vjenë me Fan Nolin në krye. Në programin e vet ky komitet, ndër të tjera, kërkonte vendosjen e një regjimi republikan, zbatimin e reformës agrare dhe vendosjen e kufijve etnikë të Shqipërisë); mësues në Liceun e Korcës, anëtar i Grupit Komunist  të të Rinjve, pjesëmarrës dhe drejtues bashkë me të vëllanë, Eqeremin, babain e Nizajetes, në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku të dy kanë spikatur si komandantë e udhëheqës, njëri pas tjetrit të Çetës së Mallakastrës, pas clirimit – pedagog psikologjie në universitet si dhe autor shkrimesh mbi psikologjinë.

Eqeremi kishte shërbyer pas clirimit si kryetar komiteti i Mallakastrës, dhe në detyra të tjera të rëndësishme derisa doli në pension.

Nizajetja pati një ndikim të madh mbi jetën e Hamzait. Ajo e adhuronte atë. Iu përkushtua totalisht Hamzait dhe së bashku krijuan një familje të bukur me tri fëmijë: Majlindën, Meritën dhe Maksin. Ai ishte i përsosur si bashkëshort e prind: besnik dhe i përkushtuar, i ndershëm, punëtor; adhuronte familjen dhe fëmijët e tij. “Familja -thoshte, mbahet me ndershmëri, jo me diplomaci!”          

Kaluan së bashku 33 vite martese të lumtura me gjithë kuptimin e kësaj fjale, deri ditën kur vdekja e rrëmbeu nga gjiri i familjes. E respektoi gruan e tij dhe e trajtoi si shoqe. Po ashtu dhe fëmijët e tij. Përveç që i deshi fort si çdo prind, ishte edhe shoku i tyre më i mirë. I dëgjonte me orë të tëra pa u lodhur, kur ata kishin nevojë të shpreheshin me të, deri në detajet e mardhënieve me shokët e tyre apo për biseda pafund për sportin, librat, filmat, shkollën, mësuesit, e më pas për familjet, që krijuan. Jepte më pas me kujdes sugjerimet e tij, jo në formën e urdhrit, por të këshillës së mençur.

Hamzai gjatë 40 vjetëve, karrierë profesionale, shërbeu në sektorin e naftës në shumë detyra si: Inxhinjer Gjeolog, Shef Sektori e Kryeinxhinjer në Drejtorinë e Përgjithëshme të Naftës Fier (1967 – 1974); Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës Patos (1974 – 1978); Institutin e Naftës Fier (1978 – 1981); Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës Marinëz (1981 – 1992); Bankën e Shtetit Fier (1992 – 1995) ; Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës Marinëz (1995 – 1998).

Ai punoi me pasion, devotshmëri, precizion të lartë, korrektesë e përgjegjshmëri, në sektorin nga më të vështirët e më të rëndësishmit e kohës, në Industrinë e Naftës, deri më 1998-kur doli në pension.

Ishin kohë të vështira dhe sektori  i naftës, si sektor strategjik, që kishte lidhje direkt me sigurinë kombëtare, ishte tepër i rëndësishëm për sistemin e kohës. Presioni nën të cilin punonte ai dhe gjithë kolegët e tij të nderuar, ka qenë maksimal. Detyra e gjeologut ishte jo vetëm tepër e vështirë, por edhe tepër e rrezikshme. Një llogaritje e gabuar e vendburimit, që do të çonte në dështim të çpimit e do t’i  kushonte shtrenjtë shtetit, kishte të ngjarë të quhej edhe “punë armiqësore”. Ishte koha kur figura të tilla profesionistësh e drejtuesish të naftës si: Lipe Nashi, Petraq Xhacka, Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Enriko Veizi, etj- eprorë dhe kolegë të nderuar të Hamzait, u arrestuan dhe pësuan përndjekjet më të egra të shtetit të kohës. Hamzai, së bashkë me kolegët e tij, specialistët e talentuar si: Asti Papa, Fotaq Diamanti, Vangjel Vreto, Nazmi Dafa, Rudolf Sahatci etj, duke qenë në mes të kësaj vorbulle, nuk kishte si të mos e ndjenin jo thjeshtë presionin por edhe rrezikun e madh. Kjo ishte arsyeja që ai iu shmang detyrave të larta. Por nga ana tjetër, edhe integriteti i karakterit të tij, e bënin të papërshtatshëm për hierarkinë e lartë të kohës. Ndërkohë, që për kolegët e vartësit ai ishte jo vetëm specialisti i talentuar e manaxheri profesionist e tepër korrkt, por edhe njeriu zemërgjerë, shoku i mirë e mbështetësi i tyre i përhershëm.

Përvec detyrave organizative, Hamzai mori pjesë në 27 tema e projekte madhore, të cilat ruhen në Arkivat e Industrisë së Naftës. Në shumicën e këtyre projekteve, ai ka qenë udhëheqës teme dhe bashkëautor. Ndër studimet më të spikatura kanë qenë:

-          Llogaritja e Rezervave të Naftës e Gazit në vendburimin e Visokës;

-          Studim për vënien në punë të puseve të fondit të ndalur;

-          Studim për shpimin e pikave të reja për rritjen e nxjerrjes së Naftës dhe Gazit në vendburimin e Marinzës e Patosit;

-          Paleogjeografia dhe perspektivat gazmbajtëse të depozitimeve pliocenikenë Ultësirën pranadriatike;

-          Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajëse e rajonit Lezhë-Shkodër;

-          Ndërtimi gjeologjik dhe perspektiva naftë-gazmbajëse e rajonit të Karaburinit;

-          Llogaritja e rezervave në shtratimin naftë-gazmbajtëse të Cakranit;

-          Relacion mbi shpimin e pikave të reja të shpim-shfrytëzimit në pjesën jug-perëndimore të vendburimit Driza-Patos;

-          Studim për përsosjen e teknologjive të reja për shfrytëzimin e puseve me naftë viskoze;

Në të gjitha këto tema e studime, edhe sot ndihet puna e tij e thelluar e shkencore dhe pa kompromis me të drejtën dhe realitetin teknik të kohës. Ai ka bërë e mbajtur studime delikate për kohën, sidomos ato që kishin të bënin me argumentimin e rezervave të naftës, mbi të cilat ndërtoheshin dhe planet strategjike të prodhimit. Këto tema kërkonin argumentim të fortë shkencor, përballeshin me diskutime të forta dhe mbroheshin para përfaqësuesve të lartë të shtetit të kohës, deri edhe të ministrave të Industrisë, që kanë qenë edhe anëtarë të Byrosë Politike si Adil Çarçani, Manush Myftiu, Besnik Bekteshi. Hamzai në shumë prezantime të tilla, para krerëve të Industrisë, shpaloste profesionalizmin, korrektesën por edhe interpretonte me elokuencë e finesë, e ndërkaq guxonte të përballej me kërkesën e këtyre të fundit, për rritje me çdo kusht të rezervave të naftës e gazit, plane të fryra etj. Kjo kërkonte kurajo, përgatitje shkencore e ndershmëri, veti këto që Hamzai i kishte dhe i manifestonte në cdo kohë. Inxhinjerët janë skllevërit modernë të shoqërisë, thoshte, duke i krahasuar me artistët, të cilët si në shkollë, si në jetë ishin të privilegjuar, e për më tepër, kur iknin nga kjo botë, përcilleshin me shtrat topi. Puntorët e naftës, bëjnë punën më të vështirë se kushdo, thoshte shpesh.

Njohës i shkëlqyer i gjuhës ruse, ai lexonte literaturë shkencore në rusisht. Në bibliotekën e tij edhe sot ndodhen libra për naftën dhe gazin, në rusisht.

Hamzai punoi edhe si Pedagog i Jashtëm ne Teknikumin e Naftës Patos. Gjithashtu si kërkues shkencor, u angazhua me Institutin e Fizikës Bërthamore Tiranë për Studime për metodat e reja, bërthamore të shpimit.

Hamzai, në jetën private, I pëlqente të shkruante poezi dhe ka lënë disa. I pëlqente kënga e muzikës së lehtë (Adriano Celentano, Vace Zela). Por atij i pëlqente pafund edhe polifonia labe. E adhuronte atë dhe e këndonte në çdo gëzim. Ishte anëtar i shoqatës Labëria.

Nga natyra ishte perfeksionist e ky tipar shpalosej në gjithë aktivitetin dhe qënien e tij, që nga respektimi absolut i orareve, blloqet e shënimeve nga më personalet e deri te profesionalet, ku aktiviteti ditor i puseve e gjithshkaje përshkruhej me precizionin më të lartë e paraqitjen më dinjitoze, sendet e punës: kalkulatricet e sofistikuara, lapsat e mprehur mjeshtërsisht-gati për vizatime teknike, vizoret pafund, hartat, buletinët profesionalë për naftën e gazin, setet e pajisjeve teknike (gjithe llojet e kacavidave etj), kujdesi për prezenën e sendet personale, mikro-magazina e tij, ku mund të gjeje qumësht dallëndysheje etj.

Duke qenë vetë sportist, i dy ekipeve të FK Puntorit të Patosit dhe Apollonisë së Fierit, si edhe tifoz i zjarrtë i Partizanit, Brazilit etj, i ushqeu edhe fëmijët me dashurinë për sportin. Dy prej tyre u bënë profesionistë, e luajtën me skuadrat e basketbollit të Apollonisë dhe Studentit, Merita e Maksi. Ndërkohë që Majlinda, pasoi të atin në profesion dhe u diplomua për Inxhinieri Elektrike e më pas kreu Master në Administrim Biznesi. Ajo sot, pasi punoi për vite me radhë në Institucione të ndryshme Ndërkombëtare në kuadër të projekteve të BE-së, SHBA-ve, DANIDA-s etj, punon në biznesin e saj privat , kompani sistemesh elektrike e telekomunikacioni, bashkë me të shoqin, gjeneral Bilbil Mema, ish Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Gjithashtu Majlinda është edhe pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës. Merita dhe Maksi emigruan në vitet ’90 në SHBA, ku kanë punuar e studiuar. Merita studioi për Medical Billing (Ekonomiste në fushën e shëndetësisë) dhe punon sot në një nga organizatat më të spikatura të shëndetësisë Westchester, New York. Maksi, kreu studimet e larta për Edukim Fizik, për kontabilitet si edhe Master për Manaxhim Sporti në New York dhe sot punon si mësues fizkulture në një shkollë 8-vjecare në NY si edhe si trajner basketbolli e tenisi, për grupe fëmijësh. 

Të tre fëmijët kanë krijuar familje e kanë nga dy fëmijë. Katër të parët, Hamzai pati fatin ti njohë dhe falë dashuri. Po ashtu edhe ata e donin shumë gjyshin. Dy fëmijët e Maksit, që lindën në New York, ai nuk pati fatin ti njohë. Të gjithëve u mungon Hamzai. Nizajetja fluturon e malluar nga Tirana në New York e anasjelltas për të takuar fëmijët e saj. E gjithmonë kthehet në Fier, për tu “çmallur” me Hamzanë.

Prej 11 vjetësh, ai i mungon jo vetëm familjes, por edhe të afërmve, miqve, shokëve, bashkëqytetarëve.

“Sazan e karaburunë / Pse ngre dallgë e ngre furtunë / Apo ke Vlorënë lumë...”- Do ti këndonte e motra, Sebieja;

“Ike, i zemëruar, që s’e mundëm dot vdekjen!” – do shkruante poezi i vëllai, Xhemali;

“Malli më kish marrë / ka një kujtim të çuditshëm / Dëshira për të qarë / Njeriun e paarritshëm” – do të shkruante kolegu dhe miku i tij, Ing. Stefan Mato.

 

 Fieri.com / Arben Alliaj

Bazuar në dokumente të Arkivës së Albpetrolit, si edhe në artikullin e botuar më 26 Gusht 2010, në Gazeta Republika nga: Prof. Dr. Fatmir Shehu ; Ek. Xhevdet Veliaj; Ing. Hill Mëhilli;

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (8 postuar)

avatar
Perparim Hysi 17 January, 2011 06:47:39
E kam njohur nga afër, të ndjerin, Hamza Gorën se nuk ndahej nga bashkëfshatari im nga Petova, Zoi Korrovshi që dhe, ky një ingjinier i zoti, që është ndarë nga jeta.Duke shkruar,për të ndjerin Hamza (me të na bashkonte tifozëria për "Partizanin" në sport) dhe veç kësaj,që të dy: edhe Hamzai, edhe i ndjeri Zoi qenë të pasionuar pas letërsisë.

Them, se me aq sa e njoh,aq sa më vjen mirë që përkujtohet Hamzai, dua si fierak të bëhet dhe një shkrim për të ndjerin,Zoi Koroveshi( jam i sigurt që ky,i fundit,duhet të ketë lënë shkrime(edhe letrare!) se ka qenë i pasionuar.Më vjen mirë,që "Fieri.com" është bërë një tribunë ku evokohen figura përfaqësuese që janë nder për Fierin dhe janë si "lexione" për brezat e rinj.

Familjes( veçanërisht,bashkëshortes) i uroj që të rrojnë dhe ta kujtojnë Hamzanë që qe aq i dashur për të gjithë.I drejtohem asaj edhe për një shkak:së pari,se është bijë e atij babai,Eqrem Qamilit që e kujtoj me përmallim, kur fjala"burrë" merr vlera tlë veçanta ( e kam patur kryetar të lokalitetit dhe e kam provuar se ç'pushtetar i përkushtuar ka qenë) dhe së dyti me të vëllanë, Tajarin (edhe ky u bë për ndjesë e për t'u kujtuar) kemi qenë shokë klase.

Hamza e Zoi ju kujtoj që të dyve dhe ndjej dhimbje.Të kujtoj,o Tajar,që s'dite njëherë në jetë të nxeheshe. Të paharruaar qofshi, o Njerëz aq të mirë!

Rrofshi ju, të"Fieri.com" që dini të mos harroni! Këtë e ndjejmë ne që jemi larg.

Edhe njëherë BRAVO ju qoftë!

Florida,17 janar 2011
avatar
Arqile Pipa 17 January, 2011 09:14:07
Gjithmone kujtoj nga nje lexim rreth psikologjise ne rinine e hereshme, qe me shume se cdo gje ne familje e shoqeri rrezaton modeli qe perfaqeson nje individ, se sa morali qe predikon ai; jo se ky i fundit nuk eshte i rendesishem; perpos kesaj tek Hamzaj me te cilin kam qene ne kontakte pune dhe te cilin e perfshiva ne shume punime te Institutit Teknologjik te Naftes Patos, une kam gjetur modelin qe me beri per vehte, gjeta inxhinjerin kurajoz, analitik dhe erudit, gjeta kolegun me lartesi te admirueshme civile dhe shoqerore. ... gjeta ne funde te fundit ate qe te gjithe e deshirojne ta kene por me veshtiresi, bile pse jo dhe me fat e gjejne.

C'eshte e verteta Zoi koroveshi ma referoj si fillim ate emer si bashkepuntor ne nje studim te fondit te ndalur, por ne vijim une nuk kisha nevoje per reference sepse ate ne punimin e pare e cimentoj vete Hamzaj, i cili kurre nuk u mungoj punimeve te mija. Me nxirrnin pengesa drejtuesit e ndermarrjes se Marinzes se asaj kohe, por gjithmone vija veton dhe e merrja hamzane, sepse ajo qe afronte ai ne studime ishte e pazevendesueshme.

Une kame qene me fat qe kam punuar me njerez te tille i thosha shpesh nje mikut tim, sepse te punosh me njerez si Sejdin Murati, Hamza Goraj, Zoj Koroveshi, etj. eshte jo vetem nje kenaqesi, por dhe privelegj qe te gjithe do te deshironin ta jetonin.

Ju faleminderit Fieri.com, dhe ju lutem vazhdojeni kete tradite.

Dr. Arqile Pipa

Cleveland, Ohio, 17 Janar 20011.
avatar
stefo mato 18 January, 2011 11:54:02
Neper gjurme ecin vetem vetem ata qe duan te gjejne origjinen e saj.Figurave te tilla,si edhe Hamza Gora, u matet gjatesia e hapit te tyre te sigurte,me ate mase qe ne rendim brenda kesaj gjatesie dhe perseri mbesim larg.
avatar
Stefo Mato 18 January, 2011 12:44:36
Neper gjurme ecin vetem vetem ata qe duan te gjejne origjinen e saj.Figurave te tilla,si edhe Hamza Gora, u matet gjatesia e hapit te tyre te sigurte,me ate mase qe ne rendim brenda kesaj gjatesie dhe perseri mbesim larg.
avatar
Agim Duda 21 January, 2011 01:14:12
Ndjen nje kenaqesi te vecante kur lexon shkrime te tilla qe u dedikohen burrave te persosur sic ishte kolegu dhe miku yne i dashur Inxh. Hamza Gora. Z. Hamza ishte nje nga ata njerez i kompletuar ne fushen profesionale dhe i pa krahasueshem per vlerat e larta njerezore e shoqerore. Perhere mesoje dicka te dobishme nga Ai burre fisnik dhe i zgjuar. E them me bindje te plote se ne qe e kemi njohur e punuar me te, kemi qene me shume fat dhe te privilegjuar ne jete.
Me shume respekt per vlerat fisnike dhe jeten e te nderuarit Z. Hamza Gora.
Montreal, me 20 Janar 2011.
avatar
Merita Gora Celsula 22 January, 2011 03:05:28
Prononcimi im nuk eshte rreth vlerave te babait tim te dashur Hamza Gora, pasi nuk me takon,eshte thjesht nje falenderim te cilin e ndjeva si obligim kundrejt stafit te fieri.com te cilet mundesuan postimin e ketij shkrimi.Dua te perforcoj ate qe eshte permendur pak me lart nga koleget e tij te dashur, Hamza Gora bashkejetoi me figura te nderuara si Pertaq Xhacka, Henriko Veizi,Sejdin Murati, Zoi Korriveshi keta dy te fundit miq te ngushte te familjes, intelektuale me vlera e kontribut te vecante ne Industrine e Naftes, Fier. Nje pershendetje per koleget e tij qe sot jane ende duke dhene kontributin e tyre ndaj shoqerise, ne vend e diaspore (sepse intelektuale te tille kudo qe jane dine t'i shpalosin vlerat).
Nje falenderim i vecante per ata kolege te nderuar qe jane prononcuar me kometet e tyre,jane teper te rrespektuar kudo qe ndodhen. Edhe njehere faleminderit fieri.com qe ndricuat vlerat e babait tone te dashur Hamza Gora.
Yonkers, NY 21 Janar 2011
avatar
Mimoza Xherahi 31 January, 2011 08:37:08
Respekte per kete figure te nderuar,ka qene babai i shoqes time te shkolles Majlinda,eshte vertet krenari kur kujtohen bashkqytetar te nderuar qe kane lene gjurme dhe jane shembull per brezat e ardhshem.
Calgary,Canada 2011
avatar
31 January, 2011 08:52:13
respekte
total: 8 | displaying: 1 - 8

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
5.00