Gjurmët intelektuale të Kiço Konomit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Kico Konomi

Në periudhën e viteve 1923 – 1925 në qytetin e Fierit ka patur një zhvillim të ndjeshëm të elementit intelektual demokratik të kohës, i cili luajti një rol të rëndësishëm në gjallërimin e jetës politike dhe formimin e ndërgjegjes pluraliste të këtij komuniteti.

Gjatë këtyre vite, zë fill gjithashtu edhe ngjizja e gërshetimi i kulturave të ndryshme dhe konvergimi i tyre në jetën shqiptare, në atë që do të njihet më pasë si periudha e lulëzimit të viteve ’30. Qyteti atë kohë shënonte një qendër urbane jo shumë të madhe, e cila përbëhej nga lagjia “Pasha” me 73 shtëpi, “Bishanaka” me 68, “Kisha” me 39 dhe “Shkoza” me 91 shtëpi. Popullsia arrinte në 1510 banorë.[1]

   Fushata zgjedhore për Asamblenë Kushtetuese e dhjetorit 1923, problemi i transferimit të tregut nga qendra e qytetit në Bishanakë, konfliktet për zgjerimin e lagjes “Liri”, kërcënimet dhe vrasjet enigmatike të kryera ilegalisht ndaj elementëve aktiv të shoqërisë, mitingjet antifeudale dhe shpërthimi i lëvizjes noliste, përjetimi i muajve të revolucionit dhe raprezaljet e ndërmara pas rikthimit të Zogut në pushtet, përbëjnë vatrat e nxehta të kësaj periudhe në qytetin e vogël të Myzeqesë. Njëri nga personat më të rëndësishëm të këtyre viteve i cili ka lënë gjurmët e tij të pashlyeshme në jetën kulturore të këtij qyteti, ka qenë edhe Kiço Thanas Konomi. Ai erdhi në Fier me detyrën e drejtorit të shkollës femërore në shtator të vitit 1922 dhe u largua prej tij në dhjetor të vitit 1924.

   Kiçua u lind më 1880 në Labovën e Madhe të Gjirokastrës. Në këtë krahinë, diaspora shqiptare ka rezervuar vazhdimisht një nga burimet e saj më të pashtershme të emigracionit. Djemtë lindnin e rriteshin këtu nën trysninë e përhershme të udhëtimit dhe ëndrrën e ethëshme për fitim dhe mbijetesë. Iknin e ktheheshin nga udha e largët e përtejdeteve, vetëm për t’u martuar. Pastaj iknin përsëri sapo t’i linin gratë shtatzana, për t’u kthyer sërisht të plakur sa të martonin fëmijët, ose për të mos u kthyer më kurrë nga dherat e huaj. Fëmijët ishin si stinët e ngohta të motit që i kthenin kurbetlinjtë në sogj shtegëtarë. Në këtë “lëndinë lotësh” ku rakija e shijshme e vreshtave, përzihej me trishtimin mallëngjyes të këngëve të mallit për “Odrijen e bukur mbi kokojkë”, lindi Kiçua i Konomëve. Banorët e derdhnin dhimbjen në këngë. Dhe kënga e Odries që kishte ngritur vetë populli i saj, ishte dhimbja më e madhe e shpirtrave të sfilitur të atyre burrave me jetë të djegur nga mallet e vatrës së mëmëdheut.

“Odrije e zeza Odrije,/ Pse s’mbanë zi për djalërinë/ Që ikën e merr Vllahinë/ Ca Vllahinë ca Ameriqinë…”

   Familja nga rridhte Kiço Konomi i përkiste një fisi me trashëgimi të pasur vlerash patriotike dhe kulturore. I ati ishte patriot por vdiq në një moshë fare të re duke lën tre fëmijë, Gaqin, Kiçon dhe Froson. Në familjen e tij jan shquar për aktivitet patriotik sidomos Vasil Konomi. Ndërsa e ëma ishte nga dera e madhe e Meksajve. Ishte e bija e Apostol Meksit , cili kishte qenë nxënës në “Zosimea”, së bashku me Kostandin Kristoforidhin  dhe të dy i kishin mësuar gjuhën shqipe Hannit, kur ai kishte ardhur në Janinë me detyrën e konsullit të Austrohungarisë. Apostoli ishte prej Labovës së Gjirokastrës dhe kishte studjuar për mjekësi. “Për Hahn-in, Meksi mblodhi, në fshatin e tij, katër përralla shqipe, që u botuan në “Studimet shqiptare”,II (1954)” [2]

 Edhe daja i Kiços, Dhimitër Apostol Meksi ishte njeri i ditur. Ishte diplomuar për mjekësi në Athinë dhe e ushtronte profesionin e vetë në krahinën e Çamërisë. Gjurmët e tij janë të pashlyera në fushën e lëvrimit të shqipes. Profesor Jup Kastrati e përcakton atë si një nga mbledhësit më aktivë të folklorit shqiptar në kohën e Rilindjes kombëtare. Ai kishte përkthyer diçka edhe prej Sofokliut. Kur studionte në Universitetin e Athinës, e shohim t’i shkruante Jeronim De Radës, letër shqip më 2 shkurt 1883.[3]

   E ëma e Kiços, Haxho Konomi ishte një grua e zonja dhe e fortë. Ajo “bëri hasha” të vëllanë, Spiron sepse ky, kur u kthye në Tiranë nga Stambolli, ku kishte studjuar jurisprudencë, e ndërroi fenë nga ortodoks në mysliman dhe u riquajt Ismail Turku. Mëria e saj me të vëllanë zgjati thuajse gjithë jetën. I vetmi dhe i fundit rast që u takuan motër e vëlla ishte ai i vitit 1922, kur Kiçua trasferohet nga Elbasani në Fier, shkruan në kujtimet e tij njëri nga djemtë e tij, Anthimi. “Babai, Haxhua dhe unë qendruam disa ditë në Tiranë. Një ditë që të tre shkuam në kafe “London” (ku sot është hotel “Tirana”). Këtu babai u takua me Kristo Meksin. Kristua e pyeti Haxhon nëse kishte ndonjë vëlla në Tiranë. Kur Haxhua i tha se jo, nga tavolina u ngrit një burrë i moshuar, iu hodh në qafë dhe të dy qanë. Ishte Ismaili. Atë natë na mori në shtëpinë e tij.”[4]

   Vetë Kiçua i kreu studimet në Zosimean e Janinës në gjurmët e gjyshit dhe dainjve të tij. Aty mësoi e zotëroi mirë gjuhët greke, italiane dhe frënge.

   Ai dallohet për një ndjenjë të mprehtë demokratike dhe arsimore qysh në rininë e tij të hershme. Bashkpunon me patriotët që me hapjen e shkollës së parë shqipe, në qytetin e Gjirokastrës dhe shquhet për masovik dhe aktivitet të gjerë intelektual. Në vitin 1919 shkruan 2 artikuj në gazetën “Mësuesi”. Një për organizimin e shkollës shqipe dhe një për formimin e kishës shqiptare. Në të dy këto tekste ndihej analiza e thellë logjike dhe kultura e gjerë për trajtimin me kopetencë të problemeve të mprehta të kohës. Po këtë vit ai propozon krijimin e Lidhjes së mësuesve për t’i dalë zotë “ interesave të mësuesve të mjerë”. Kjo dëshirë u realizua nga Avni Rustemi në korrik të vitit 1921 i cili ngriti “Lidhjen e mësuesve të Gjirokastrës dhe Libohovës”. 

     Në shkollën e Gjirokastrës Kiço Konomi bashkëpunonte me një serë figurash të shquara të arësimit, si: Urani Rumbon, Asaf Cipin, Thoma Papapanon, Elmaz Vocen, Sali Bixhon, Hasan Xhikun, Haxhi Shapllon, Hysenj Hoxhën, Shemsi Hajron, Iljaz Hoxhën, Jorgo Meksin, etj.[5]

   Aktiviteti i tij spikat edhe si aktivist në shoqërinë demokratike “Vatra” dhe atë të “Opingarëve.” Në këto momente përfshihet në një aktivitet të vrullshëm kundër ndarjes së qytetit nga trevat shqiptare. Është periudha kur politika greke me idetë shoviniste të megalidesë kishte lëshuar andartët e saj të shqyenin e copëtonin si bisha të tërbuara trojet jugore të Shqipërisë. “Gjirokastra, shkruante ai në këtë kohë, me bukuritë e pamjes së saj e të fushave pjellore, nuk do të lejojë copëtimin. Populli trim, me një hov është gati të bëjë çdo sakrificë që të mos pësojë fatin e keq e të bjerë në thundrën armike…”[6]

   Kur qeveria provizore që doli nga Kongresi i Lushnjes mori nën zotërim qarkun e Gjirokastrës, Kiçua u emërua nënprefekt në Libohovë. Në këtë periudhë kur u bënë zgjedhjet për në asamble, Kiçua bëri fushatë në favor të kandidatëve të shoqërisë “Opingari.” Kjo nuk u prit mirë nga shtresat e pasura dhe nën “mërinë” e Myfit Libohovës e trasferuan nëpunës të gjendjes civile në Korçë.

   Në Korçë, pavarësisht se nuk lidhej drejtpërdrejtë me arsimin, ai nuk hoqi dortë prej tij. U mor me tekstet shkollore dhe pikërisht në këtë periudhë harton gramatikën e shkollave fillore dhe e boton në shtypshkronjën “Dhori Kote” të këtij qyteti. Në parathënien e gramatikës, ai shkruan: ”Nuk shtyhemi as prej madhështie as prej qëllimit të tregojmë dituri duke sjellë në dritë këtë gramatikë po se pandehim që mund të sjellim dobi shkollarëvet dhe mësuesvet le të jetë dhe e paktë. Përmbi nevojën e gramatikës me rast do të bëjmë fjalë gjër’ e gjatë, këtu mjaftojmë të njoftojmë se shkruam këtë gramatikë tuke u-bazuar mbi kufizimin pedagogjik që gjuha formon gramatikën edhe jo gramatika gjuhën”.

   Në respekt të këtij botimi, Prof. Jup Kastrati në veprën e tij “Historia e Gramatologjisë Shqiptare” (1635-1944), ka bër një analizë vlerësuese, duke i atribuar asaj një rol pozitiv në shkollat fillore të rrethit të Korçës në vitet 1922 – 1930.

   Në vitin shkollor 1921 – ’22 Kiço Konomi trasferohet nga Korça dhe emërohet mësues në Normalen e Elbasanit. Këtu krijoi lidhje të ngushta me figura të shquara të arsimit të asaj kohe si, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Salih Ceka, Ahmet Gashi e shumë të tjerë.

 Por, në ambjentet intelektuale të Elbasanit, Kostaq Cipo sulmohej nga krahu i bejlerëve, si element demokrat e patriot. Në këto debate përfshihet edhe Kiçua në favor të Cipos, gjë që ndikoi negativisht në opinionin qeveritar të qytetit. Si rrjedhojë, Kostaqin e pushuan nga puna, ndërsa Kiçon e trasferojnë në Fier. Kjo ndodh në fundverën e vitit 1922. Në shtator të po këtij viti ai mer detyrën si drejtor i shkollës fillore plotore 5 vjeçare të qytetit të Fierit. Kjo drejtori kishte një rrezatim mjaft të gjerë administrativ. Prej saj vareshin të gjitha shkollat e fshatrave të nënprefekturës së Fierit.

   Me banim u sistemua në një dhomë të familjes Mosko pran Gjanicës. Gruaja, Natalia nga Labova sapo i kishte vdekur, fare e re, në moshën 26 vjeçare duke e lënë me dy fëmijë jetim, Anthimin dhe Elisabetën. Bashkë me dy fëmijët e tij kishte nën kujdestari edhe të nipin, Thanasin djalin e Gaqes, të vëllait, për të cilin kujdesej si një at i vërtetë. Ndërsa Haxhua, në moshën 75 vjeçare, vdes sapo erdhën në Fier.

   Në këto kushte të rënda familjare nxiton martesën e dytë të cilën e realizon me Erifilli Shteton, një vajzë nga Vlora që jetonte vetëm me të ëmën. I ati kishte vdekur por prej tij trashëgonin të dyja, ëmë e bijë një dyqan dhe jetonin me qeranë e tijë. Me Erifillin Kiçua lindi edhe 2 djem të tjerë, Dhimitraqin dhe Simonin.

   Në Fier Kiçua ra në kontakt me një klimë të nxehtë demokratike. Ai u miqësua menjëherë me patriotet e këtushëm, mësues, demokrat dhe aktivist të flaktë të ideve përparimtare të kohës. Emri i tij është përfshirë në historikun e arsimit Fier – Mallakastër si aktivist i shquar krahas Anastas Laskës, Fani Pukës, Tuni Gjergjit, Kovi Saqellarit, Thanas Konomit etj…. “Puna e mësuesit Naun Doko (Prifti) në Sheqishte e Fier, lidhet e kombinohet kryesisht më atë të Kiço Konomit…Kiçua kishte edhe eksperiencën e organizimit, pasi vinte këtu si pjesmarrës i organizatave të tilla si “Opingarët” e Gjirokastrës, etj”. [7]

Jakov Milaj e përmend atë në shkrimet e tij si një burr të ditur të cilin e zgjidhnin për tu shoqëruar. Por ai më shpesh nga të gjithë shoqërohej me Llazar Kilicën, ish Kryetarin e Bashkisë së asaj kohe.

    Një angazhim të spikatur ka patur ai në fushatën zgjedhore të dhjetorit të vitit 1923. Duke shfrytëzuar mundësinë e kontrollit që kishte nëpër shkollat e fshatrave të nënprefekturës, ai prapagandonte me ngulm politikat e krahut demokratik të fushatës zgjedhore. “Në zgjedhjet e vitit 1923-tregon mësuesi  veteran Vlash Papa,- na mblodhi Kiçua në shtëpinë e tij edhe ne mësuesit e fshatrave dhe na foli për prapagandën që duhej të bënim e objektivat që duheshin arritur në zgjedhje.”[8]

  Një qendër e tillë zgjedhore dhe shumë e rëndësishme ishte Sheqishtja. Aty votonin fshatrat Rreth, Novoselë, Grizë dhe Zharrez. Qendra e votimit ishte në shtëpinë e një bujku. Në saj të prapagandës, demokratët kishin arritur që votuesit për të plotësuar fletën e votimit, nuk drejtoheshin tek grupi i bejlerëve por tek grupi i demokratëve. Rezultati në këtë qendër votimi qe fitore për demokratët dhe kjo qe një aspiratë e realizuar pikërisht nga përkushtimi i vendosur dhe pasionant i Kiço Konomit.

   Një tjetër aksion demokratik i Kiços ishte dhe mitingu antifeudal organizuar nga shoqëria “Bashkimi”, dega e Fierit përpara shtëpisë së Vrionasve. Kiço Konomi, ishte ndërkohë anëtar nderi i kësaj organizate revolucionare dhe me këtë status foli përpara popullit së bashku me Naum Dokon. Kiçoja i spiegoi popullit programin e Qeverisë Demokratike, perspektivat që i hapeshin vendit tonë nga zbatimi i tij për shpëtimin e popullit nga shfrytëzimi shekullor feudal.[9] Ky miting përmendet edhe në Historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe: Në Fier dhe veçanërisht në Berat, thuhet aty, u  bënë në muajt korrik e gusht 1924, manifestime antifeudale me përpjesëtime të tilla që nuk ishin parë ndonjëherë në të kaluarën. Parullat e demonstruesve fshatarë e qytetarë ishin; ”Poshtë feudalizmi! Poshtë bejlerët! Poshtë pashallarët!”, dhe kur kalonin përpara shtëpive të çifligarëve Vrionas thërrisnin: “Poshtë Vrionasit!” Ndër këto aksione antifeudale, më të fuqishmet qenë ato që u zhvilluan në Fier më 20 gusht...”[10]

   Një nga pikat nevralgjike të kësaj përpjekjeje, ishte kalimi i tregut nga pronat e Vrionasve në qendër të qytetit, në periferi, në zonën e Bishanakës. Kiçua e orientonte popullin se heqja e punishteve, dyqaneve dhe pazarit nga  tokat e tyre, do t’i shkëpuste ata sa më parë nga vartësia ekonomike. Kjo përpjekje u bë sa e hapur nga populli në foltoret e podiumeve, aq edhe e fshehur nëpër skutat e errëta të reaksionit, duke arritur madje edhe në terror. “Në Fier, Vrionasit vranë Sif Çukën dhe Sotir Baren, të cilët kishin guxuar të ngriheshin kundër interesave të tyre.”[11]

   Por krahu konservator i qeverisë së Nolit po reduktonte gradualisht shumë nga premtimet fillestare të qeverisë. ”Ajo e anuloi edhe urdhërin që kishte dhënë në fillim për ndërtimin e tregut të ri në lagjen Bishanakë të Fierit, sepse ky urdhër cënonte interesat e çifligarëve Vrionas të cilët kërkonin ta mbanin tregun atje ku ishte, në tokën e tyre.”[12] 

   Në fushën profesionale, Kiço Konomi u shfaq po aq i vrullshëm, pasionant dhe aktiv sa edhe në politikë. Gjendja arsimore në Fier nuk ishte e rregullt. Vitet 1920 – ’24 ishin përfshirë në një lëvizje të gjerë arsimore me karakter demokratik. Kjo periudhë karakterizohet në të gjithë vendin nga një lëvizje laiciste drejtuar kundër shkollave të huaja dhe atyre klerikale që shfrytëzoheshin   prej të huajve. Kiço Konomi u përqendrua veçanërisht në reformimin e metodës së mësimdhënies dhe edukimit shkollor. Fillimisht ai  hoqi nga shkolla ndëshkimin fizik, i cili kryhej mbi fëmijët me heqje veshi dhe goditje me fshikull apo tehun e vizores në pëllëmbë të dorës. Heqja e kësaj mase bëri përshtypje të thellë tek prindërit dhe nxënësit të cilët e vinin re kulturën dhe aftësinë edukative të këtij mësuesi dhe e respektonin atë më shumë se të tjerët. Nga ana tjetër Kiçua punonte me prindërit për të mos i penguar fëmijët të vinin në shkollë. Dhe rezultati i kësaj pune qe mjaft i dukshëm. Në kronikat e shtypit të kohës thuhet se  nën kujdesin e këtij drejtori gjendja e shkollave në Fier ka ndryshuar shumë. Nëse më parë shkolla e djemve mezi arrinte në 150 nxënës, për vitin arsimor 1922-1923 kjo shkollë arriti në 220 nxënës ndërsa shkolla femërore arriti më shumë se 120 nxënës.

    Ai jepte mësim në lëndë të ndryshme midis të cilave edhe bukurshkrim. “Bukurshkrimi shpreh respekt për gjuhën amtare dhe për vetveten”, u thoshte nxënësve. Dhe vetë ai shkruante bukur. Të bukur kishte edhe sjelljen... “Kam qenë nxënës i tij për një kohë të shkurtër, shkruan në kujtimet e veta Andon Kozma Ikonomi (1980), por figura e këtij edukatori ka mbetur e gdhendur në kujtesën time; burr i hollë, me shtat të lartë, i hequr në fytyrë, me mustaqe e mjekër të rregullt, i pastër në veshje e mbathje, me ecje energjike e sinkronike, i zjarrt në shikim dhe bindës në fjalë, burr serioz dhe i vëmëndshëm kundrejt bashkëbiseduesve.”[13]

   Një përshtypje të veçantë ka lënë ai në popull, veçanërisht në organizimin e festimin e datave të shënuara kombëtare të cilat shërbenin për edukimin patriotik të nxënësve. Në 28 nëntoret e vitit ’23 dhe ’24 me rastin e festës së Pavarësisë, i merte fëmijët në mënyrë të disiplinuar dhe i çonte për të kryer ceremoninë festive  përpara zyrave të pushtetit.  Rrugës ecnin me rregull duke kënduar këngë patriotike si; ”Kam mbas kambe majës së gurit çoi, çoi burra pas flamurit” apo, “Unë ushtar do vete për çështjen e mëmëdheut, me pushkën në dorë si i madhi Skënderbe”. Pastaj i rreshtonte  para godinës së bashkisë së qytetit dhe këndonte së bashku me ta hymnin e flamurit.

Në Fier në vitin 1923-‘24 kishte disa shkolla fillore nga të cilat vetëm ajo e Fierit ishte e plotë me 5 klasë. Të tjerat si në Grecalli, Kolkondas, Pojan, Sheqishte, Cakran, Gorishovë dhe Kreshpan, ishin me 2-3 klasë. Zhvillimi normal i mësimit në këto shkolla ishte i vështirë nga mungesa e kuadrit arsimor, varfërisë në popull, mentalitetit dhe sëmundjeve të shpeshta. Kiçua bëri çmos ta përmirësonte gjendjen. Ai shkonte shkollë më shkollë dhe kujdesej me këshilla e porosi për mbarëvajtjen e mësimit, duke krijuar kështu një eksperiencë të vlefshme, dhe një shembull të rëndësishëm prej kuadri aktiv i cili u ndoq më vonë me aq përkushtim, jo vetëm nga kolegët e tij por edhe nga nxënësit e vetë. Duke qenë  për një kohë drejtor i shkollës së Fierit, ai punonte edhe për të rritur aftësinë metodike e pedagogjike të mësuesve që punonin edhe në shkollat e fshatrave përqark, herë duke i mbledhur ata në Fier, herë duke dalë vetë nëpër këto fshatra. Mësuesve të fshatrave që ishin afër qytetit ju kërkohej nga ai që nxënësit që mbaronin atje klasën e tretë, të vinin edhe në qytet e të mbaronin plotoren.”[14]   

   Në dt.12 deri 21 Gusht 1924, në lokalin e shkollës femërore të Tiranës u mblodh Kongresi i Tretë i Arsimtarëve të Shqipërisë. Mernin pjesë 33 delegatë nga i gjithë vendi. Midis tyre kishte emra të njohur të kulturës dhe arsimit shqiptar si Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, Halim Xhelo, Thoma Papapano, etj. Kuadrin mësimor të Fierit e përfaqësonte Kiço Konomi. Kryetar i kongresit u zgjodh Ahmet Gashi dhe nënkryetar Jani Minga. Një nga problemet kyçe që trajtoi kongresi ishte çështja e laicitetit të shkollës shqipe. Pikërisht këtu kongresi hasi në rezistencën e ashpër të klerit katolik i cili u mundua t’i çekujlibronte punimet e tij me pretendimin e një “demokracie katolike”. Bazë veprimi e këtij krahu u bë letra enciklike e papës Piu XI, ku theksohej me të madhe që shkollat të ishin në dorën e klerit. Dy përfaqësuesit e këtij krahu Kol Margjini e Ndue Paluca u larguan nga kongresi në formë demonstrative. Por krahut përparimtar i dha mbështetje të fuqishme edhe nënkryetari i nderit të këtij kongresi Bajram Curri. Kur nuk e arritën qellimin, reaksioni u mundua t’i përçante delegatët duke shfrytëzuar kartën fetare të ndarjes në dy blloqe, mysliman dhe ortodoks. Edhe kjo përçapje e tyre dështoi në sajë të “qëndrimit të vendosur të Aleksandër Xhuvanit, Kiço Konomit, Thoma Papapanos, Jani Mingës etj.[15] Në fund Kongresi formoi Lidhjen e përgjithshme t’arsimtarëve të Shqipërisë, nën udhëheqjen e të cilit u zgjodhën kryetar Kiço Konomi dhe nënkryetar Ahmet Gashi.[16] Kiço Konomi, për gjithë opinionin e athershëm ishte një mësues i dalluar në Gjirokastër dhe një nga më aktivistët për problemet shoqërore i cili kishte qenë përkrahës i vendosur i Lidhjeve të arsimtarëve dhe kishte punuar pa reshtur për forcimin e tyre.[17]  Kontribut i tij është edhe kompozimi i figurës së stemës së Lidhjes, mali dhe dielli, si simbol i truallit tonë dhe i jetës së re që po lindëte në Shqipëri, i shoqërisë demokratike që duhej ndërtuar.

   Duke qenë një nga aktivistët kryesor të arsimtarëve, Kiçua e lidhi suksesin e punës së kësaj organizate me idealet e revolucionit. Në këtë kohë, në cilësinë e kryetarit, ai ka botuar në shtypin e kohës disa shkrime të rëndësishme nëpërmjet të cilëve mbronte interesat e mësuesve. Theksin e vinte veçanërisht në përmirësimin e gjendjes materiale dhe kulturore të tyre.

   Por, mbas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet, më 24 dhjetor 1924, datë të cilën vetë ai e shpalli “Ditën e Lagalitetit”, u morën “…masa të menjëhershme edhe për dënimin e të gjithë atyre që ishin fajtor në rrëzimin e tij në qershor të 1924-ës.”[18] Këto masa ishin nga më të ndryshmet ku përfshiheshin; vrasjet, burgimet e deri tek pushimet nga puna. Ato përfshinë me vrullin e tyre të egër edhe qytetin e Fierit i cili ishte bërë një vatër e rëndësishme e manifestimeve antifeudale dhe demokratike. Naun Prifti dhe Thanas Ikonomi (i nipi) e shumë të tjerë të cilët kishin mar pjesë me armë në dorë në lëvizjen antizogiste të qershorit, u larguan jashtë vendit.

   Ndërsa Kiçua në janar 1925 u pushua nga puna. Në një telegram dërguar Ministrisë Punëve Brendshme nga Prefektura e Beratit thuhej; “Kiço Konomi me shokë në kohërat e lëvizjeve të ndryshme tue helmue mendimin e djelmërisë të atyre rretheve ka plotësuar rolin më të madh në përhapjen e propagandës së “Bashkimit” pikë. Prandaj propozojmë pushimin e tij nga puna”.

   Para se të largohej, mësuesi mbledh nxënësit dhe ndahet me ta i mallëngjyer duke i porositur të mësonin vazhdimisht e pa u lodhur kurrë nga librat, të ishin të dashur e të zellshëm me mësimet, sepse kështu myzeqari do të mundëte varfërinë dhe sëmundjet e do të krijonte një rrojtje më të mirë. Në këto kushte terrori politik dhe varfërie ekonomike, shkon familjarisht në Vlorë, në shtëpinë e së shoqes.

   Por ndërkohë sëmuret dhe mbyllet nga pamundësia e dhimbjet. I dëshpëruar e shtyn jetën me ato pak të ardhura që merrte e shoqja nga qeraja e dyqanit. Ndërkohë shëndeti sa vinte e rëndohej gjithmonë e më tepër deri sa u bë krejt i pa shpresë. Në prag të vdekjes ikën në fshatin e lindjes, për të qenë “sa më pranë vorrezave”. Vdes në qershor të vitit 1926. 

     “Kam qenë nxënës i tij për një kohë të shkurtër, shkruan në kujtimet e tij Andon Kozma Ikonomi (1980), por figura e këtij edukatori ka mbetur e gdhendur në kujtesën time. Puna e tij si arsimtar dhe drejtues, qëndrimi i tij në jetën e vendit dhe ngjarjet e kohës, e bën të paharruar për ne dhe dendur në biseda kur bije fjala për të, hidhemi duke thënë, me mburrje, se kemi qenë nxënësit e tij. Kanë kaluar jo pak por 56 vjetë, që kur e pashë dhe e dëgjova për herë të fundit pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, por ai qendron edhe sot si atëherë para meje; burr i hollë, me shtat të lartë, i hequr në fytyrë, me mustaqe e mjekër të rregullt, i pastër në veshje e mbathje, me ecje energjike e sinkronike, i zjarrt në shikim dhe bindës në fjalë, burr serioz dhe i vëmëndshëm kundrejt bashkëbiseduesve”.[19]

   Në vitin 1970 Kiço Konomi dekorohet nga Kuvendi Popullor me Urdhërin “Për veprimtari Patriotike” të Klasit të III – të. Me motivacionin; “Për kontribut në edukimin patriotik, të atdhedashurisë dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe.”

   Por “dekoratën” më të madh ja ka dhënë atij populli i Fierit, i cili e ka përcjellë imazhin e tij nëpër breza me nderim e respekt të thellë, si mësues, intelektual, patriot, organizator e demokrat i orëve të para.

Nuri PLAKU – Specialist ne Muzeun Historik Fier

 

 

 

 

 



[1] Teki Selenica. “Shqipëria më 1923”, fq.34.

[2] Jup Kastrati, Historia e Albanologjisë,Tiranë, 2000, fq. 542.

[3] Po aty, fq. 542.

[4] Anthim Konomi, Kujtime për Kiço Konomin,  MHF. D. 300, fq. 10

[5] Sami Selfo Dalipi, kujtime, MHF, D. 300, fq. 11

[6] A.Konomi. Po aty, fq. 17. 

 

[7] Historiku i Arsimit Fier Mallakastër. MHF, fq. 86  

[8]  A. Konomi, po aty, fq.12

[9] Xhevat Repishti, Lëvizja sindikale e mësuesve shqiptar në vitet 1921 – 1924, Tiranë, “MIHAL DURI”, 1974, fq. 85.

[10] Historia e Shqipërisë vol. III, Tiranë 1984, fq. 294.

[11] Po aty, fq.301.

[12] Po aty, fq. 301

[13] A. Konomi. Po aty, fq.17.

[14] Historiku i Arsimit Fier Mallakastër, fq. 86

[15] Xh. Repishti, vepër e cituar, fq.79.

[16] Po aty, fq.80.

[17] Po aty, fq.80.

[18] Valentina Duka. Historia e Shqipërisë 1912 – 2000. Tiranë, 2007, fq.160

 

[19] A.Konomi.Po aty,fq.17.

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
5.00