Zgjedhjet, "Zogby": PD 36%, PS 38%
Kompania prestigjioze publikon sondazhin e muajit mars. Renditja e partive dhe hyrja në "lojë" e LZHK-së. Krahasimi me muajt janar dhe shkurt
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në muajin mars, diferenca mes dy partive kryesore është vetëm 2 për qind. Sipas sondazhit të "Zogby International" në "Top Channel" për muajin mars, Partia Socialiste do të merrte 38% të votave, Partia Demokratike 36%, Lëvizja Socialiste për Integrim 5%. Të pyetur për pesë çështjet kryesore që shqetësojnë shqiptarët, të anketuarit janë përgjigjur në masën 72% për papunësinë; ekonomia është në masën 63%, varfëria shkon 46%, korrupsioni në qeverisje shkon 27% dhe inflacioni po 27%.
Të pyetur se cili është drejtimi që po merr Shqipëria përgjigjet janë: 43% thonë se po ecën në drejtimin e duhur, 46% thonë të kundërtën dhe 12% nuk janë të sigurt. Në këtë pyetje, në krahasim midis muajve janar, shkurt dhe mars rezulton se shqetësimi për papunësinë është rritur, frika për situatën ekonomike gjithashtu, varfëria mbetet në të njëjtat nivele, korrupsioni në qeverisje vjen duke u ulur dhe inflacioni në krahasim me janarin rritet me shtatë pikë. Të pyetur për performancën e Kryeministrit Sali Berisha, vihet re se ka një 36% vlerësim pozitiv dhe 63% vlerësim negativ. Vlerësimi për kreun e opozitës Edi Rama te të pyeturit është 46% opinion pozitiv dhe 51% opinion negativ. Në mes të votuesve të pavendosur, vlerësimi për Berishën është 22% pozitiv dhe 75% negativ. Sakaq, 64% e vlerësojnë negativisht punën e kreut të opozitës Edi Rama. Sa i takon vlerësimit për partitë në kategorinë e votuesve të pavendosur përgjigjet janë: Partia Demokratike ka vlerësim pozitiv 45%, ndërsa Partia Socialiste ka një vlerësim të tillë në masën 49%.
Të pyetur se cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin në atë ditë: PS do të ishte zgjedhja e 38% të tyre; PD 36%, LSI 5%, G99 5%, PR 1%, PSD 1%, LZHK 1%. Të pavendosur se për cilën do të votojnë janë 11% e të pyeturve, ndërsa 5% refuzojnë të përgjigjen. Në krahasim të shifrave ndër muaj del se që nga janari; PS është rritur vetëm me një pikë, PD ka rritur gjashtë pikë; LSI qëndron në të njëjtat vlera; partitë e tjera votohen në masën 11%, që ka rritje me 5% nga janari, të pavendosurit janë ulur nga janari me 8%. 61% e të pyeturve e kanë zgjedhur se për cilën parti do të votojnë, 16% pothuajse kanë vendosur dhe 8% edhe mund të ndryshojnë. Kampioni i përzgjedhur për sondazhin e kryer është pyetur nga 11 marsi 2009 deri më 31 mars 2009 dhe përmban 1000 të anketuar. Marzhi i gabimit është +/- 3.2%.
Shkurti
Nëse zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të mbaheshin në muajin shkurt 2009, Partia Socialiste do të arrinte të fitonte mbështetjen e 39% të votuesve. Sakaq, Partia Demokratike rezulton të mund të grumbullojë mbështetjen e 34% të votuesve. Ky ishte sondazhi i publikuar nga "Zogby International" për muajin shkurt. Në vend të tretë vazhdon të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim e drejtuar nga Ilir Meta, me 5% të votuesve. Partia G99, e drejtuar nga Erion Veliaj, përfshirë në sondazh për muajin shkurt, ka arritur të grumbullojë 2% të kampionit të sonduar. Në rezultatet e muajit shkurt kanë dalë në tabelë edhe parti të tjera që mungonin në sondazhin e mëparshëm.
Të tilla janë Partia Socialdemokrate dhe Partia Agrare Ambientaliste. Ato, së bashku me Partinë Demokristiane, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partinë Republikane vazhdojnë të mbeten në mbështetjen 1%. Një e dhënë interesante është edhe ajo e kategorisë së të pavendosurve në lidhje me preferencën e tyre politike. Ajo paraqitet në masën 12%, duke shënuar kështu një ulje me 7 pikë, teksa një masë prej 4% nuk kanë preferuar të përgjigjen. Pyetjes se cilat janë çështjet më shqetësuese për shqiptarët në muajin shkurt, papunësia vazhdon të jetë e para me 67%, ekonomia vjen në vend të dytë me 64%, varfëria kalon në vend të tretë me 43% e ndjekur nga korrupsioni në qeveri me 31%. Sakaq, 24% e të pyeturve e shikojnë inflacionin si çështjen më shqetësuese të shqiptarëve.
Të pyetur se në çfarë drejtimi po shkon Shqipëria, 41% thonë se po ecën në rrugën e duhur, ndërsa 45% në rrugën e gabuar. Rezulton se në shkurt më shumë shqiptarë thonë se vendi po ecën në rrugën e gabuar, ndërsa 14% e tyre nuk janë të sigurt ende. Nga sondazhi rezulton se votuesit e Partisë Demokratike kanë më shumë gjasa të mendojnë se vendi po ecën në rrugën e duhur. Të pyetur për performancën e Kryeministrit Sali Berisha, 36% e tyre dhanë një përgjigje pozitive dhe 62% kishin një vlerësim negativ. E njëjta pyetje u bë edhe për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe 44% janë për një vlerësim pozitiv, teksa 54% japin vlerësim negativ. Votuesit e pavendosur kanë opinion pothuajse të njëjtë për PD-në dhe PS-në, me pak avantazh të lehtë për demokratët.
Janari
Partia Socialiste do të dilte fituese e zgjedhjeve parlamentare nëse ato do të mbaheshin në muajin janar. Ky ishte rezultati i publikuar nga agjencia e njohur "Zogby International" dhe "Top Channel" në sondazhin e parë. 82% e personave të anketuar, pyetjes nëse do të shkojnë apo jo drejt kutive të votimit, i janë përgjigjur pozitivisht. Kundër kësaj pyetjeje i janë përgjigjur 19% e të anketuarve nga "Zogby International". Të pyetur se për cilën parti do të pranonin të votonin nëse do t‘u kërkohej të votonin në janar, 37% zgjedhin Partinë Socialiste. 30% e tyre kanë preferuar të zgjedhin Partinë Demokratike, që aktualisht qeveris vendin. Sakaq, 5% kanë zgjedhur Lëvizjen Socialiste për Integrim, e drejtuar nga ish-kryeministri Ilir Meta. 19% e të anketuarve kanë thënë se ende nuk janë të vendosur se për cilën forcë politike duhet të votojnë dhe 4% refuzojnë të përgjigjen.
Tri parti të tjera të vogla arrijnë të marrin vetëm nga një për qind të votave, përkatësisht PR, PDK dhe PBDNJ. Rezulton se përqindja e të intervistuarve që janë të pavendosur për kë do të votojnë është relativisht e lartë. Nëse shikohen të gjitha shifrat, masa prej 19% e të pavendosurve mund të lëvizë ekuilibrat e sondazhit. Pyetjes se sa e preferojnë një parti politike, në rastin e Partisë Demokratike 54% kanë mendim pozitiv, 38% negativ dhe 8% të pavendosur. Sa i takon Partisë Socialiste, 62% shprehin një mendim pozitiv, 28% reagojnë negativisht dhe 10% nuk janë të sigurt. Po sipas rezultateve të sondazhit të publikuar në "Top Channel", një masë prej 51% të të anketuarve kanë vendosur tashmë se për kë do të votojnë, 29% duket se shfaqin prirjet e tyre, 11% ende nuk kanë vendosur për votën dhe 10% nuk e dinë se kë të zgjedhin.
Metodologjia e sondazhit
"Zogby International" u mandatua nga "Top Channel" që të zhvillojë një sondazh të 1000 votuesve shqiptarë çdo muaj, që prej janarit deri në maj të 2009-ës. "Zogby International" analizoi mendimin e 1000 votuesve të mundshëm shqiptarë, gjatë muajit janar. Ky monitorim mbart një marzh gabimi prej +/- 3.2 për qind. Të gjitha intervistat në këtë anketim u kryen ballë përballë. Të anketuarit u përzgjodhën përmes metodës që vijon më poshtë: i gjithë kombi shqiptar është i ndarë në zona që bazohen mbi rreth 4.713 qendrash votimi. 100 qendra votimi janë përzgjedhur nga lista e plotë e tyre (këto njihen si njësitë primare shembull). Në çdo njësi primare shembull, skuadrat në terren zhvillojnë 10 intervista ballë përballë.
Të anketuarit janë përzgjedhur nga banorët e shtëpisë. Vetë familjet janë përzgjedhur në mënyrë rastësore përmes një procesi që njihet si Kampioni i Burimit Rastësor, ku një i intervistuar kalon përmes një procesi seleksionimi të rastësishëm dhe përzgjedh familjarë që bazohen në një formulë të parallogaritur. Kur përzgjidhet një familje, i kampionuari në këtë shtëpi është zgjedhur duke përdorur metodën e ditëlindjes më të afërt (personi që jeton në këtë familje me ditëlindjen më të afërt nisur nga data e intervistës). Të gjithë të kampionuarit janë të moshës së votimit (18 vjeç e lart). Intervistuesit në terren do të përpiqen që të kontaktojnë të kampionuarit mbi 3 herë, nëse ata janë të padisponueshëm gjatë fillimit të procesit. Të gjithë intervistuesit në terren janë trajnuar profesionalisht dhe janë supervizuar në terren nga koordinatorë të fushës. Kontrolli i cilësisë sigurohet nga zhvillimi i intervistave pasuese me të paktën 10 për qind të të kampionuarve. Këtyre të fundit u kërkohet që të përsërisin përgjigjet e tyre përmes shumë pyetjeve për të certifikuar sondazhin. Të gjitha të dhënat finale vendosen në tabela dhe rishikohen përpara njoftimit zyrtar të rezultatit.
Çdo muaj, sondazhi në "Top Channel" gjedhjet e 28 qershorit do të vendosin se kush do ta qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme. Për herë të parë në historinë elektorale të Shqipërisë, një nga kompanitë më prestigjioze botërore të sondazheve do të publikojë sondazhe mujore të opinioneve në ekranin më të madhe shqiptar. Kompania amerikane me famë botërore e sondazheve, "Zogby International", e njohur së fundmi për saktësinë e lartë të sondazheve në zgjedhjet presidenciale amerikane, me bashkëpunimin me mediat e mëdha amerikane "Fox News", "USA Today", "Wall Street Journal" dhe agjencinë botërore të lajmeve "Reuters", vjen tani në Shqipëri me sondazhet mujore të opinioneve deri në prag të fushatës elektorale. Sondazhet "Zogby", për partitë, politikanët dhe shqetësimet kryesore të shqiptarëve do jepen çdo muaj në "Top Channel".
Burimi Informativ: G. SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!