Topi, apel partive: Larg dhunës
Bamir Topi i bëri dje thirrje politikës shqiptare që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe në një klimë të qetë. Deklarata u bë në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në projektin "Rritja e rolit të gruas në qeverisje 2009-2011", organizuar nga OSBE-ja në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës dhe atë të Suedisë.
Kreu i shtetit kërkoi që shoqëria shqiptare të largohet njëherë e mirë nga episodet e dhunës, që ndodhin diku dhe që duhet të dënohen nga të gjithë. "Mbi të gjitha të tregojmë që zgjedhjet e datës 28 do të jenë një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, mbas të cilave rruga drejt Bashkimit Evropian padyshim që nuk do të jetë një rrugë e ngushtë, nuk do të jetë një rrugë me kthesa, por do të jetë një bulevard i gjerë", u shpreh ai. Presidenti Topi vlerësoi edhe rolin e gruas në politikë dhe vendimin e Kuvendit për të rritur përqindjen e pjesëmarrjes së tyre në legjislativ. "Unë shpresoj që pjesëmarrja juaj edhe në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme politike të datës 28 qershor do të jetë shumë e rëndësishme, do të jetë aktive, do të jetë e ekuilibruar, sepse mesazherët më të mirë për shoqërinë ju siguroj që janë gratë", u shpreh Topi.
Kreu i shtetit iu përgjigj edhe pyetjeve të "Zërit të Amerikës" lidhur me situatën politike në vend. Lidhur me pyetjen se cili ishte komenti i tij për fushatën zgjedhore, Presidenti tha se "ajo çka presin të gjithë është që kjo fushatë të konkludojë në mënyrën më të mirë të mundshme, në parametra mjaft civilë, në standarde demokratikë dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me partitë politike që janë në fushatë". Ajo që është më e rëndësishmja, u shpreh Topi më tej, është që data 28 qershor të jetë dita e kurorëzimit të fryteve të demokracisë në Shqipëri. Padyshim, vijoi ai, që kjo fushatë është një arritje e konsiderueshme krahasuar me fushata të tjera zgjedhore. Sipas Presidentit, zgjedhjet po zhvillohen përgjithësisht në një klimë të qetë. "Njerëzit janë të pranishëm.
Kandidatët, me sa kam parë, nuk kanë kontestime të dukshme lidhur me hapësirat e tyre. Asnjëherë nuk mund të arrihet maksimumi, sepse evoluimi i demokracisë sigurisht do kohën e vet dhe nuk mund të themi që është maksimumi, por, duke pasur edhe një përvojë personale për përfshirjen në politikë dhe fushatë elektorale, mendoj që kjo fushatë është një hap përpara", konstatoi Presidenti. Në lidhje me pyetjen se çfarë nuk po shkon mirë në këto zgjedhje, Topi tha se "elementët kryesorë janë mesazhet. Kam deklaruar, pa interferuar në vizionin e fushatave, sepse kjo nuk është detyra ime, që njerëzit kanë nevojë të shikojnë në mënyrë më të dukshme prioritetet e partive politike dhe të koalicioneve". "Unë, tha Topi, kam shprehur një shqetësim që lidhet me vizionin për drejtësinë". "Sigurisht, vijoi ai, kjo mund të lidhet edhe me momente të tjera, por unë e kam parë në një këndvështrimi specifik për reformat në drejtësi, sepse këto reforma domosdoshmërisht kërkojnë konsensus". "Kam thënë se pavarësisht se kush do të jetë fituesi, pavarësisht se kush do të jetë ‘humbësi‘, se në demokraci nuk ka asnjë të humbur, është e detyrueshme që ato të shprehen për një vullnet pozitiv në arritjen e konsensuseve të gjera, sepse kërkohen votime të cilësuara dhe domosdoshmërisht është shumë e rëndësishme që reformat në drejtësi të vazhdojnë", insistoi Topi.
Bosch: T‘i jepet fund votimit familjar
Duhet t‘i jepet fund votimit familjar në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky ishte mesazhi që i bëri dje politikës shqiptare ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Në ceremoninë e diplomimit për fazën e parë të projektit "Gratë në Qeverisje" ambasadori Bosch u shpreh se gratë duhet të shprehin në zgjedhje vullnetin e tyre jashtë presionit të jashtëm, të ushtruar në kuadër të votimit familjar. Sipas ambasadorit të OSBE-së në Tiranë "justifikimi i kësaj sjelljeje, duke e etiketuar thjesht si një pjesë e ‘kulturës shqiptare‘, nuk vlen më për vitin 2009".
Ai vlerësoi se faktorët politikë shqiptarë duhet të tregojnë se janë serioze në arritjen e ambicieve të tyre të integrimit, sidomos tani si një shtet anëtar i NATO-s, e duhet të dalin me një qëndrim publik të patundur për të dënuar një sjellje të tillë ndaj grave në ditën e zgjedhjeve. Ambasadori theksoi se autoritetet e administrimit të zgjedhjeve kanë një përgjegjësi të qartë për të parandaluar kryerjen e veprimeve të tilla ditën e zgjedhjeve. Më tej, ai kërkoi nga politika dhe shqiptarët që të bihet dakord që në zgjedhjet parlamentare shqiptare të vitit 2009, populli shqiptar të hedhë tej fenomenin e shëmtuar të votimit familjar në koshin e plehrave të historisë së politikës, aty ku e ka vendin dhe do të votojë sipas zgjedhjes së vet. Tani, theksoi ambasadori, le të presim me kënaqësi datën 28 qershor, të presim një fushatë zgjedhore ku të gjitha partitë politike të jenë në gjendje të paraqesin programet dhe vlerat e tyre në mënyrë të hapur, të lirë dhe transparente. "Le të shpresojmë që këto zgjedhje të arrijnë standardet e kërkuara, ku vlerat e popullit shqiptar përkthehen në mënyrë të saktë dhe të ndershme në vende në Parlament", nënvizoi Bosch.
Në këtë projekt të OSBE-se, ambasadës së Vendeve të Ulëta dhe asaj të Suedisë, u trajnuan fillimisht 51 gra nga shoqëria civile dhe partitë politike, 16 prej të cilave, pjesëmarrëse në listat zgjedhore, iu nënshtruan në fund një trajnimi të posaçëm në Tiranë. Sipas ambasadorit kjo është bërë për të mbushur një hendek të mbetur bosh, një çështje për të cilën të gjithë kemi përgjegjësi të japin ndihmesën tonë. Më tej, ai theksoi se vetëm pas 12 ditësh, në këtë vend do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, të cilat do të kenë efekt të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë për ambiciet e këtij vendi drejt integrimit. Do të jetë kjo ditë, tha ai, kur ne do të jemi në gjendje të vlerësojmë se sa të suksesshme do të jenë këto zgjedhje për fuqizimin e mëtejshëm të grave në Shqipëri.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!