Mandati qeverisë, peng i 37 votave
Teksa janë numëruar pothuajse të gjitha kutitë e votave që mund të numëroheshin, situata e mandateve politike në Kuvend ka mbetur e njëjtë.
Partia Demokratike ka siguruar vetëm 70 mandate dhe kërkon fuqimisht të marrë edhe një tjetër. Aty ku pritej ndryshim në favor të PD-së, në Fushë-Kuqe dhe në Bushat, situata nuk ka ndryshuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në dy zonat ku shpresonte për një mandat shtesë Partia Socialiste.
Por, tashmë, PD-ja shikon një tjetër mundësi për të marrë një mandat, duke bllokuar numërimin dhe shpallur të pavlefshme disa kuti në Fier. Qarku i dytë në vend ka 16 mandate, që janë ndarë 9 PS-ja, 6 PD-ja dhe 1 LSI-ja. Gjatë ditës së djeshme, PD-ja ka bërë një punë "të mirë", duke numëruar të gjitha kutitë që mund t'i hiqnin PS-së deputetin e nëntë.
Në orët e mbrëmjes ia ka arritur këtij qëllimi dhe menjëherë ka zbatuar skemën e vjetër të bllokimit. Në zonat ku shumica e KZAZ-së janë të PD-së, është bllokuar numërimi, edhe pse kanë mbetur 15 kuti. Në të gjitha këto kuti është përpara Partia Socialiste, së cilës i duhen vetëm 37 vota për të rimarrë mandatin tjetër.
Nga numërimet e para ajo ka marrë edhe më shumë se kaq vota. Në këto kushte, qindra qytetarë të Fierit kanë shkuar në KZAZ-në më problematike dhe kanë kërkuar që të numërohen votat e tyre.
Komisionerët e PD-së pretendojnë se këto kuti nuk duhen numëruar, pasi janë me shkelje. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi vetë këta kamisionerë i kanë miratuar fillimisht këto kuti si të vlefshme. Kodi Zgjedhor kërkon që kutitë që janë administruar, duhet të numërohen dhe të shënohen në procesverbale.
Kjo ka sjellë një tensionim të situatës dhe për ta "zhbllokuar" ka ndërhyrë KQZ-ja. Ky organ, pasi ka shpallur rezultatin paraprak 8-7 për PS-në, në mënyrë të jashtëligjshme ka urdhëruar policinë që të shkojë në këtë KZAZ dhe të nxjerrë jashtë komisionerët.
Vendimi është kundërshtuar nga tre prej anëtarëve. "Ky është puç ndaj shtetit, sepse KQZ-ja nuk ka të drejtë t'i japë kompetenca një përfaqësuesi të administratës.
As vetë KQZ-ja nuk e ka këtë kompetencë dhe jo më t'ia japë administratës së saj. Ajo që mund të thërrasë policinë është vetëm KZAZ-ja dhe ajo nuk e ka bërë këtë gjë",- thanë përfaqësuesit e PS-së.
Burimi informativ / Shekulli























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!