Reagon Fatos Klosi: Qëndrimi zyrtar i LSI-së ishte absurd
Kemi bindjet tona. Nuk po bëjmë lojën e askujt"
Një ndër zërat kundër marrëveshjes Berisha-Meta brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim, Fatos Klosi, shpjegoi dje arsyet që i çuan pesë anëtarët e kryesisë të bëjnë një apel publik për kryetarin Ilir Meta. Në një prononcim për "Shqip", Klosi sqaroi se deklarata nuk ka asnjë qëndrim armiqësor, e madje ajo është e kujdesshme, ndërsa kundërshtoi reagimin zyrtar të LSI-së përmes anëtarit të kryesisë, Dritan Ylli. Ai tha se reagimi ishte absurd e sidomos insinuatat që shpreheshin në të. Klosi mohoi se këtu bëhet fjalë për interesa personale. Në të kundërt, siç u shpreh ai, do u interesonte mjaft pozicionimi i ri i LSI-së. "Unë nuk jam nismëtar i kësaj deklarate, por më ftuan ta lexoja. E lexova dhe pashë se ajo është një deklaratë e kujdesshme, jo armiqësore dhe nuk sulmon askënd. Por reagimi zyrtar i LSI-së ishte absurd, shumë absurd. Po të ishte për interesa personale, do kishim qëndrim të njëjtë me LSI-në. Tani ajo është afër pushtetit dhe po të donim, do përfitonim. Por nuk është kjo arsyeja. Ne nuk duam që LSI të bëhet pjesë e zullumeve të kësaj qeverie", deklaroi Klosi. Sa i përket qëndrimit se pas grupit të pesë anëtarëve të LSI-së qëndron Partia Socialiste, Klosi u shpreh se këtu qëndron një absurditet akoma edhe më i madh. "Kjo është një gënjeshtër e madhe. Madje u habita kur e dëgjova. E çfarë përfiton Partia Socialiste nga kjo? Dihet që kongresi i PS-së ka një interes të madh, të jashtëzakonshëm dhe asgjë tjetër nuk do të tërhiqte vëmendjen prej tij", shtoi anëtari i kryesisë së LSI-së.
Sakaq, ai sqaroi edhe pozicionin e tij të mëtejshëm në LSI. I pyetur mbi deklaratën e z. Prifti, se "duke qenë se i kanë shërbyer një tjetër partie, ata janë vetëpërjashtuar", Klosi nuk e pranon, por shprehet se nëse nuk do të vijojë të jetë në LSI nëse pjesa tjetër e saj arsyeton edhe më tej kështu. "Unë personalisht jo. S‘e di për të tjerët", deklaroi anëtari i kryesisë së LSI-së.
Ai theksoi se deklarata e dy ditëve më parë vjen në një tjetër moment, atëherë kur vetë Klosi ka sqaruar mjaft mirë mendimin e tij karshi këtij bashkëpunimi qysh në konventën kombëtare të LSI-së. Ndërsa katër anëtarët e tjerë ishin shprehur më pak. "Pra ne deshëm të sqarojmë mendimet tona, pra që të mos na shfrytëzojnë apo të na keqpërdorin. S‘kemi asnjë pretendim", shtoi Klosi. Pas deklaratës së Xhufit, Klosit, Brokajt, Muçit dhe Legisit, LSI reagoi përmes anëtarit të kryesisë, Dritan Ylli, i cili deklaroi se pas kësaj lëvizjeje qëndron PS dhe vetë Rama, me qëllim që të tërhiqet vëmendja e medias dhe publikut nga zhvillimet e kongresit të javës që vjen.
"Nguti i kësaj konference shtypi në këtë të shtunë vere është i qartë për ne, ashtu si edhe përmbajtja verore e saj. Qëndrimi i fundit që mbajnë deklaruesit, ose thënë më thjesht përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj, është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS-së dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës pas betejës mafioze, manipuluese dhe korruptive të tij ndaj LSI-së", tha Ylli.
Deklarata: LSI-ja të tërhiqet nga marrëveshja me PD-në
Dy ditë më parë, zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, i mbështetur edhe nga katër themelues të kësaj partie, Sabit Brokaj, Mustafa Muçi, Ndre Legisi dhe Fatos Klosi, i bënë një apel publik kreut të LSI-së, Ilir Meta, që të tërhiqet sa më parë nga marrëveshja me Sali Berishën.
"Ne, sikurse shumë anëtarë të LSI-së, nuk mund të pranojmë që përpjekjet tona të përbashkëta disavjeçare dhe votat e shqiptarëve të cilët besuan te ne dhe LSI të zhbëhen tërësisht, pa asnjë shkak të qenësishëm për t‘u vënë në shërbim të pushtetit arbitrar personal të Kryeministrit të pavotuar të Gërdecit, përgjegjësit të vetëm të deformimit të procesit demokratik të vendit dhe bashkautorit të puçit kushtetues të 21 prillit", tha Xhufi. Sipas tij, Ilir Meta, me vendimin për bashkëpunimin me Berishën, po hedh poshtë parimet mbi të cilat 5 vite më parë bashkëthemeluan LSI-në.
Selia: Asnjë hyrje apo dalje nga godina e partisë. Një ditë pas "furtunës", LSI hesht. Meta, në pritje të takimit me Berishën
Një ditë pasi numri dy i partisë, Pëllumb Xhufi, dhe katër anëtarë të tjerë publikisht kërkuan që kjo parti të ndërpresë bashkëpunimin me Berishën, selinë e ka përfshirë heshtja. Asnjë qëndrim zyrtar apo deklaratë nga ana e drejtuesve të kësaj partie, përfshi këtu edhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për integrim, Ilir Meta, i cili duket se ka zgjedhur të qëndrojë sa më larg deklaratës së pesë bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij. Hyrjet dhe daljet në parti ishin mjaft të rralla gjatë ditës së djeshme, ndërsa ajo ndodhet në qendër të medias dhe opinionit publik për lëvizjen surprizë që bëri dy muaj më parë. E tani, në prag të finalizimit të saj, zërat kundër janë rikthyer sërish duke bërë apelin e fundit. Por duket se asgjë nuk ka lëvizur nga përqendrimi i dy grupeve qysh në momentin kur kreu i LSI-së iu përgjigj pozitivisht kreut të Partisë Demokratike për të nisur negociatat për qeverinë e re. Janë po të njëjtat figura që janë pro Ilir Metës dhe po i njëjti grup, të gjithë themelues, që e shohin si të nxituar dhe jashtë pozicionit të përhershëm të LSI-së këtë bashkëpunim. Ndërkaq, në fillim të muajit shtator pritet fillimi i negociatave zyrtare mes PD-së dhe LSI-së.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur disa ditë më parë se është në pritje të caktimit të një date nga ana e kreut të PD-së, Berisha, për të zhvilluar negociatat zyrtare. Kreu i LSI-së theksoi se prioritet do të jetë programi dhe jo postet ministrore. Sakaq, të dyja partitë janë në pritje të zhvillimit të kongresit në kampin rozë, për të parë se çfarë do të ndodhë, duke shtyrë në këtë mënyrë takimin për ditët e para të muajit shtator. Kështu duket se justifikohet edhe deklarata e Kryeministrit Berisha për të respektuar afatet maksimale të krijimit të qeverisë së re.
Ndërsa për sa i përket situatës së posteve ministrore, gjithçka mbetet e pazyrtarizuar dhe vetëm e përfolur, kryesisht në ambientet e politikës dhe në media. Deri më tani çdo gjë është enigmatike, por është përfolur si e sigurt marrja e Ministrisë së Energjetikës dhe Ekonomisë. Gjithashtu, si e shumë kuotuar është paraqitur Ministria e Shëndetësisë. Enigma mbetet te pozicioni i kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai duhet të zgjedhë mes tre alternativave: e para ajo e zv.kryeministrit dhe një posti ministror, e dyta ajo e Kryetarit të Kuvendit dhe e treta, për të mos u përfshirë fare në qeverisje direkt. Sakaq, vendimi i marrë në fillim të muajit korrik nga konventa kombëtare për të nisur negociatat me Berishën duket një çështje e mbyllur dhe e padiskutueshme, pavarësisht zërave që flasin kundër saj. Konventa kombëtare është organi më i lartë vendimmarrës i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe vendimet e saj nuk mund të ankimohen. Drejtues të saj janë shprehur se nuk mund të ketë një kthim të vendimit prapa, pasi ajo është miratuar me shumë votash dhe asnjë kundër.
Burimi Informativ: SHQIP























Komente (0 postuar):
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!