Debati për kutitë zbret në Ruzhdie
Në fshatin Ruzhdie të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Fierit, deklaratat politike të bëra nga Kryeministri Sali Berisha dhe deputeti i PS-së, Gramoz Ruçi, kanë sjellë edhe një herë në kujtesën e banorëve ditën e 28 qershorit. Përfaqësuesit politikë të kësaj zone të thellë mallkastriote mbajnë edhe sot të njëjtat qëndrime si të atyre ditëve të nxehta të fundit të qershorit. Banorët që nuk janë të përfshirë në politikë e kanë të vështirë të shprehen hapur dhe mjaftohen duke thënë se “nuk na duhet asgjë me politikën”. “Bukë, as Saliu dhe as Edi nuk na japin. Le të bëjnë ç’të duan me kutitë”. Kështu shprehet një pjesë e banorëve ndërsa krerët politikë lokalë hedhin akuza të rënda kundrejt njëri-tjetrit dhe partive që përfaqësojnë.
Ruzhdia
Për të shkuar në fshatin Ruzhdie, që ndodhet rreth 27 kilometra larg nga Fieri, duhet më parë të përshkosh rrugën nacionale Fier-Ballsh, të kalosh qytezën e Patosit dhe të ndjekësh rrugën e asfaltuar drejt lindjes që të shpie në lagjen “Mustafa Matohiti” ose në Patos Lart, siç janë mësuar ta quajnë banorët e zonës. Pasi lë pas Patosin Lart ndjek një rrugë tërësisht të shkatërruar që shirat e fundit e kanë dëmtuar edhe më shumë, si shkak i rrëshqitjeve masive të dherave.
Pas disa kthinave kodrinore shfaqet pothuaj në një faqe mali jo shumë të lartë fshati Ruzhdie. Në qendër, aty ku rruga vijon të jetë e shkatërruar sheh pak lokale dhe në anën e djathtë, dallon komunën. Asnjë nga zyrtarët e saj nuk ndodhet të premten në punë. Ndërkohë që banorët kureshtarë shprehen të gatshëm për “të të ndihmuar”. Ata të tregojnë se ku mund të gjesh kryetarin e komunës apo dhe përfaqësues të tjerë të saj, si dhe të jetës së vakët politike të zonës. Menjëherë sa nis bisedën për zgjedhjet, banorët shmangen. Tetem Saliaj, kryeplaku i fshatit, vjen sapo merr vesh që disa “të huaj” kanë ardhur në zonë. Pasi informohet se kush jemi, nis të flasë fare lirshëm për politikën. I rrethuar nga simpatizantë të forcave të djathta, Saliaj jep mesazhin se “populli i Ruzhdies kërkon deputetin e tij, që i është mohuar me pa të drejtë”. Saliaj nuk preferon të flasë më shumë.
Zgjedhjet, të rregullta?
Robert Myftari, në zgjedhjet e fundit, ka qenë përfaqësuesi i Partisë Republikane në Qendrën e Votimit të Ruzhdies që mbante numrin 30-52. Myftari fillimisht nuk dëshiron të japë detaje të hollësishme për atë ditë, por më pas vendos të flasë. Ai akuzon përfaqësuesit e PS-së se gjatë procesit të votimit kanë qenë të pajisur me telefona celularë dhe flisnin pafundësisht, duke arritur të marrin edhe urdhra. Robert Myftari tregon më tej për “Shqip” se “situata e tensionuar në Ruzhdie u nxit nga komisionerët e PS-së. Ata nuk ishin banorë të zonës dhe erdhën për presion këtu”. Komisioneri i Partisë Demokratike në qendrën e vetme të votimit të kësaj zone, ka qenë Shezai Karari. Ai ka mbajtur edhe postin e kryetarit të kësaj qendre. Duke u rrëfyer për “Shqip”, ai thotë se votimi nisi normalisht në orën 07:00 të mëngjesit dhe vijoi i tillë deri në orën 10:00. Më pas, sipas Kararit, ka plasur debati.
“Shkak i sherrit është bërë votimi i të moshuarve (pleqve), të cilët kërkonin familjarët pranë për të votuar, pasi nuk shihnin. Kjo u pa si shkelje nga përfaqësuesit e PS-së, të cilët kundërshtuan. Kështu ka nisur sherri deri sa komisionertët e PS-së ikën dhe morën me vete edhe vulën”, tregon Shezai Karari. Më tej ai shpjegon se kanë ardhur disa makina të zeza që kanë marrë komisionerët e PS-së dhe pasi është bërë pushim, procesi i votimit ka rinisur, duke vijuar deri në orën 7:00 të mbrëmjes. “85 apo 87 fletë votimi kanë qenë me dy vula, pasi deri në orën 11:00 aq persona kanë ardhur dhe kanë votuar dhe deri në mbrëmje ky kontingjent u shtua me 440 fletë votimi të tjera, që kanë qenë vetëm me një vulë. Edhe pse me një vulë votimi është cilësuar nga ne i rregullt”, thotë Karari, i cili këmbëngul se popullit të Ruzhdies i është mohuar e drejta e votës, si dhe deputeti.
Nga tre komisionerët e PS-së në zgjedhjet e 28 qershorit asnjë nuk banon në Ruzhdie. Emrat e tyre askush nga të sipërcituarit nuk i di, ndërkohë që për gazetën janë bërë prezentë nga krerët e partive politike të fshatit, përkatësisht nga kreu i PS-së dhe ai i PD-së.
Kryetari socialist
“Armiq” deri në “vdekje” mund të cilësohen dy përfaqësuesit e forcave kryesore politike. Murat Zazaj, mësues matematike me përvojë me tepër se 28-vjeçare, përfaqëson Partinë Socialiste të Ruzhdies që nga janari i vitit 2007. Ai banon jo në qendrën e komunës, por në fshatin pranë, Siqecë. Paraditen e së premtes ka qenë në shkollë, ku e kanë “degdisur” që nga shtatori i vitit 2009. “Nga shkolla e Ruzhdies më hoqën pas zgjedhjeve të fundit. Në vendin tim kanë çuar Osmën Kukën, i cili këtë vit ka mbaruar arsimin e lartë. Mua më kanë çuar në një shkollë ku duhet të eci më shumë se 2 kilometra në këmbë, pasi makina na lë shumë larg shkollës”, të shpjegon kreu i PS-së. Pasi përfundon orarin zyrtar të punës ai shprehet i gatshëm për të të takuar, por jo në Ruzhdie, pasi sipas tij, ai ndihet i rrezikuar dhe i kërcënuar. “Jam kërcënuar edhe para zgjedhjeve dhe tani vijoj të ndihem i tillë. Me jetë më kanë kërcënuar. I njoh shumë mirë personat që kryejnë kërcënimin, por kanë pushtetin, ndaj nuk kam besim tek shteti”. Me këto fjalë e nis bisedën kreu i PS-së. Ai thotë se që nga viti 1992 deri në 2009, asnjë përfaqësues i majtë nuk ka vizituar Ruzhdien. “Në fushatën e zgjedhjeve të fundit, Ermelinda Meksi dhe Gramoz Ruçi bënë disa takime elektorale në zonë, pas përfundimit të të cilëve u kërcënova me jetë deri sa dhe ditën e votimit jemi përballur me ‘bandën’ e PD-së. Në Kodin Zgjedhor ishte parashikuar që komisionerët të ishin edhe nga zonat e tjera. Asnjë nga përfaqësuesit e PS-së së fshatit nuk pranonte të ishte komisioner. PS-ja e rrethit solli tre emra, të cilët ishin Ervin Myftari, Pëllumb Ferzaj dhe Arqile Daci. Këta komisionerë u dhunuan nga përfaqësuesit e së djathtës, pasi nuk lejuan votimin familjar dhe kolektiv. Më pas, përfaqësuesit e PS-së u larguan dhe raportuan për këtë”, rrëfen kreu i PS-së.
Sipas përfaqësuesit të PS-së për Ruzhdien zgjedhjet kanë qenë të jashtëligjshme dhe ai pohon se hapja e kutive do të tregojë fare hapur “vjedhjen” e votave nga ana e PD-së. “Ecuria e deritanishme e zhvillimeve politike ka treguar se çfarë ka ngjarë në Ruzhdie”, përfundon prononcimin e tij kryetari socialist.
Kreu demokrat
Xhevahir Myrtaj, kryetar i PD-së së Ruzhdies, i cili njëkohësisht mban postin e kreut të këshillit të komunës, gjatë komunikimit në telefon, pasi nuk jeton në Ruzhdie, por në Fier, preferon që prononcimin e tij ta japë po në telefon. Ai drejton një Autoshkollë në Fier dhe duke qenë i angazhuar me punët private tha se “mund të më pyesni për çfarë të doni në telefon, pasi e kam të pamundur t’ju takoj”.
Lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit Myrtaj vlerëson se ato ishin të rregullta dhe e drejta e votës së tyre do të dalë nëse hapen kutitë. “Komisionerët e PS-së kanë qenë nxitësit e situatës. Ata kanë qenë të mbështetur nga persona të armatosur dhe kanë stisur sherr vetëm e vetëm që zgjedhjet të bllokoheshin, pasi Ruzhdien jo vetëm në Fier por në mbarë vendin e njohin si bastion të djathtë. Komisionerët e PS-së na kanë kërcënuar dhe prej qendrës së votimit kanë ikur me makina klasi, ku gjendeshin persona të armatosur”, shprehet Xhevahir Myrtaj. Më tej, kryetari i PD-së thotë se pas debatit të paradites zgjedhjet kanë vijuar pa probleme. Pyetjen e gazetës për pretendimin e ngritur nga kryetari i PS-së lidhur me pjesëmarrjen në votime të emigrantëve, Myrtaj e mohon si pretendim. Ai shprehet se respekton vendimin e gjykatës për moshapjen e kutive, por është dakord me kreun e qeverisë dhe të PD-së, Sali Berishën, kur thotë se nga Ruzhdia i është mohuar një deputet. Myrtaj përfundon prononcimin e tij, duke thënë se “Ruzhdia do të votojë gjithmonë djathtas edhe pse përpiqen që t’ia mohojnë të drejtën e votës”.
Burimi Informativ: Shqip























Komente (1 postuar):
Do hapen te gjitha, edhe ata "Trimat " e Berishes qe po ikin nje nga nje nga Shqiperia. Ashtu sic iku Shkelzeni 1 jave me pare tek plaka e tij ne Suedi.
Tani po duken trimat e Poicise Ushtarake Tropojane, Garda e Berishes qe ti marrin rovolet ti fusin ne b..the.
Shkruani nje koment
VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!