Kontributi i Nedin Leskovikut ne hapjen e shkolles se pare shqipe ne Myzeqe

Font size: Decrease font Enlarge font
image

Në konturet e ngjarjeve historike të fillimit të shekullit të XX midis figurave të shumta të protagonizmit patriotik, shquhet edhe njëri nga bejlerët e krahinës së Myzeqesë, Nedin Leskoviku. Ky bej i përkiste kastës së pronarëve dhe administratorëve qeveritar të kohës, i zbritur si shumica e pronarëve të tjerë nga Gjirokastra, Përmeti dhe Berati, për të administruar pronësitë e tyre në fushat pjellore të kësaj krahine. Ai ishte “Direktor i çifligjeve sulltanore në Myzeqe dhe Karatoprak” me qendër në Libofshës, e cila në gjysmën e dytë të shek XIX ishte një ndër nahijet e rëndësishme në nivelin e të ardhurave ekonomike të kazasë së Beratit.

 Për karierën dhe aktivitetin e tij patriotik ka pak të dhëna konkrete arkivore të detajuara, por gjithsesi, ky person është futur në memorjen e zonës sonë në 3 momente  të  cilat përbëjnë edhe pamjen e tij dimensionale të shtrirë në disa nga momentet kyçe më të rëndësishme të kësaj periudhe.

   Dimensioni i parë i tij lidhet me krijimin e infrastrukturës tregëtare në qendër të Libofshës, dimensioni i dytë pervijohet me mbështetjen praktike që ai i dha hapjes së shkollës së parë shqipe, më 1908 dhe dimensioni i tretë shfaqet mbas 4 vjetësh me pritjen që ju bë në konakët e tij, Ismail bej Qemalit.

   Krijimi i infrastrukturës tregëtare u konkretizua në vitin 1885 me ndërtimin e qendrës tregëtare të Libofshës. Para kësaj periudhe Libofsha trashëgonte elemente fragmentar të tregëtisë zonale të cilët kufizoheshin me një dyqan të ndërtuar pranë kishës së Shën Gjergjit dhe me një treg të vogël të organizuar në ditët e festave fetare. Koloriti tregëtar i pjesës më të madhe të kësaj zone ishte i përthithur deri në këtë kohë nga miniqendra e Kolkondasit, prej së cilës tregëtarët e saj të shkathët, përshkonin rrugët; Kolkondas -Berat – Voskopojë – Manastir.Kolkondas- Berat – Voskopojë – Selanik. Kolkondas – Vlorë – Janinë dhe Kolkondas- Kavajë  - Durrës.

   Këto rrugë aktivizoheshin nga potenca prodhuese e kësaj zone, dhe nuk janë gjë tjetër veçse reflekse të njohura që me Apoloninë antike, me tregjet mesjetare venedikase të Pirgut dhe deri tek porti i vonët e Semanit dhe kriporet e tij të njohura në të gjithë Ballkanin. Volumi i mallrave të qarkulluara në këtë trevë, larmia e tyre dhe elementi cilësor që i dominonte ato, përbëjnë një iventar të pasur në të gjitha periudhat historike. Dokumente të ndryshme arkivore dëshmojnë fakte aq të shumta sa mjafton të kujtojmë tregëtinë e kuajve të egër prej të cilëve përgatiteshin kuajtë e luftës nga kryqëzimi me rracat arabe, aq shumë të preferuar nga venedikasit dhe Osmanët, e deri te konçensionet e ujrave të lumenjve dhe kënetave të Myzakisë së asaj kohe, që sulltanët me bujurulldi të veçanta ua jepnin sipërmarrësve anglezë për gjuajtjen e shushunjës.

   Me ndërtimin e tregut të Libofshës Nedin bej Leskoviku e tërhoqi pikën e rëndesës së zhvillimit ekonomik nga Kolkondasi dhe u bë faktor i rëndësishëm për lindjen e elementeve të parë kapitalist mu në qendër të Libofshës. Ai ndërtoi aty gati të gjitha linjat e mirëfillta tregëtare. Pati dyqane manifature, ushqimore, kinkaleri, kallajxhinj, xhokaxhinj, samarxhinj, shtëmbar, furrxhinj, kasap, mullinj bloje, riparues armësh, qendër xhandarmërie e deri te posta telegrafike që u vendos më vonë.

   Futi farëra të reja bimësh, madje hapi edhe një bankë krediti e cila kreditonte bujqit për t’i shpëtuar nga kamatmarrësit në raste dasmash apo fatkeqësish, ngriti konakët dhe caktoi të mërkurrën, ditën e pazarit javor. Në këtë mënyrë, Nedin bej Leskoviku e vendosi Libofshën, në njërin nga kulmet e trekëndshit tregëtar më të zhvilluar të gjysmës së dytë të shekullit XIX, në të gjithë ultësirën perëndimore të Myzeqesë, që nga Shkumbini deri në Vjosë. Ky trekëndësh përbëhej nga tre tregje; Fier Qebir, Libofshë dhe Cakran, të ndërtuar pranë e pranë në kohë. Por nëse tergu i Fier Qebirit, Fierit të Madh, në momentin kur e filloi ndërtimin e tij një tjetër bej, Kahreman Vrioni, kishte një sipërfaqe te vogel, afërsisht sa edhe tregu i Cakranit që do të ndërtohej më vonë, sheshi i tregut të Libofshës zinte një sipërfaqe prej 35 000 m2.

  Ky rrjet tregëtar, krijoi një motiv të ri tepër energjik të lëvizjes së afërt e të largët të njerëzve dhe pikërisht te ky motiv shfaqet edhe roli  pozitiv që ka luajtur Nedin bej Leskoviku. Sepse nëpërmjet kësaj lëvizjeje, paraqitur si shkak a mundësi, ka qarkulluar edhe libri shqip në këtë zonën së bashku me periferitë e saj. Tregëtarët e kripës veçanërisht, i kan prurë librat shqip në Libofshë që në vitin 1905. Udha e kripës u bë ndërkohë edhe udha e abetares.

   Morali i dashurisë dhe mikpritjes sonë popullor, shprehur në formën e trinitetit të njohur; bukë, kripë e zemër, duket sikur u vesh në Libofshën e kësaj kohe me një tjetër shtresim të ri kuptimor, më fisnik e më domethënës se i pari, në; bukë, kripë dhe abetare.

   Pikërisht te kjo abetare shfaqet edhe dimensioni i dytë i kontributit patriotik të Nedin bej Leskovikut, në një formë edhe më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë, edhe më të plotë se i pari.

   Në verën e vitit 1908 në Zhërrnec të Lushnjes, është bërë një mbledhje krahinore e burrave të pushkës e të penës, midis të cilëve ishin edhe aktivistët e njohur të kësaj zone si; Kovi Saqellari, Spiro Saqellari, Jovan Ndreko, Zoi Ndreko, Ikonom Dhima, Papa Isaia etj. Pikërisht aty është vendosur që në Myzeqe të hapeshin disa shkolla shqipe duke caktuar edhe fshatrat edhe mësuesit e tyre përkatës. Në Libofshë u caktua mësonjës Javan Ndreko, në Grabian Spiro Saqellari, në Seman Papa Isaia, në Kolkondas Zoi Ndreko, në Divjak Ikonom Dhima etj. Por nga gjithë ky planifikim u bë e mundur të hapej vetëm shkolla e Libofshës, sepse pikërisht këtu kjo shkollë, gjeti terenin e përshtatshëm të kushteve dhe rrethanave të saja funksionale nga Nedin bej Leskoviku. Dhe jo vetëm kaq, por ishte ky, që siguroi për atë ambjentin e nevojshëm të punës duke hapur dyertë e njëras prej godinave të veta. Pikërisht në këtë moment shfaqet te ky individ patriotizëmi i tij i dyfishtë; idealisti dhe pragmatisti aktiv. Sepse siç shkruante në këtë periudhë njëra nga gazetat e kohës, “Liria” e Selanikut; “Dashuria për gjuhën shqipe kishin hyrë edhe në kolibë të bujkut edhe në kanak të beut”.

 Dihet se trekëndëshi i sipërcituar; Fier – Libofshë – Cakran kishte si autor të ndërtimit të tyre tre bejlerë. Edhe Fieri kishte po aq patriot aktivist e të përkushtuar në çështjen tonë kombëtare sa edhe Libofsha, sa edhe Cakrani. Edhe në Fier kishte kontakte me shoqëritë e ndryshme patriotike, kulturore me çeta dhe komit të shumtë të afërt e të largët, tregëtar dhe pasunar të mëdhenjë e të gjezdisur në lindje dhe perëndim. Madje Fieri kishte arritur ndërkohë nivelet e një kryeqendre urbane të moderuar sa kishte filluar prej kohësh të çudiste udhëtarët sqimatar të europës. E megjithatë Fieri nuk u bë me shkollë të parë si Libofsha dhe Cakrani. Dhe kjo është tepër e qartë.    Sepse këtu nuk ekzistonte vullneti pozitiv i bejlerëve të kohës. Efekti i turqizmës e bënte vullnetin e tyre më apatik përpara gërmës së shqipes sesa Nedin Leskovikun e Libofshës dhe Kahreman bej Cakranin e Cakranit. Pikërisht te ky relacion, shfaqet edhe më dukshëm dimensioni patriotik i Nedin Leskovikut, i cili e kthen atë në një vlerë të konsoliduar kombëtare e të patjetërsueshme.

   Dimensioni i tretë patriotik i këtij beu, lidhet me pritjen që ju bë Ismail Qemalit në konakët e tij në nëndor të vitit 1912. Nedin Leskoviku vdiq në vitin 1911, por ndërkohë, emri, autoriteti, nderi dhe prestigji i derës së tij të madhe ishte ende në vlagë. Dhe dyertë e mëdha presin njerëz të mëdhenj.

   Sikur në udhën e kuqe që përshkoi Ismail bej Qemali nga Durrësi në Vlorë, të vendoseshin gurë kilometrik, njëri prej tyre do vendosej pikërisht në qoshen e konakut të Nedin bej Leskovikut. Të prisje Ismail Qemalin, në këtë kohë, ishte si të prisje Shqipërinë. Dhe ky është një gur i mermertë, mbi të cilin ashtu si dhe udha, përjetësohet në kujtesën e flamurit.

   Me të tre këto dimensione përfaqësimi, Nedin bej Leskoviku, zë një vend të merituar në memorjen historike të trevës sonë. Deri tani,ai është përmendur tagencialisht në shkrime të ndryshme gazetareske, në faqet e historisë së arsimit Fier – Mallakastër, është përmendur si pjesë fragmentare në botime librash, veçanërisht tek botimi i fundit i studiuesit tonë të mirënjohur Naun Kule. Por, për vite e vite me radhë, largësia kohore edhe ndoshta ngjyrimi i titullit të tij osman e ka shmangur atë çuditshëm nga vemendja e përqendruar e studiuesve duke e çuar në pozita të tilla skajore. Këto pak fjalë të thjeshta, kumtuar në adresë të vlerave të tij evokuese, përbëjnë rastin e parë të shprehjes për të në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe publike. Në kuadrin e 100 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Myzeqe, Këshilli i Komunës Libofshë, e nderoi Nedin Leskovikun me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Duket tashmë se ky 100 vjetor krahas evokimit dhe konsolidimit të vlerave tona më të rëndësishme të fushës arsimore, respekton duke vendosur në vendin e merituar edhe njeriun me gjurmë të pashlyera nga kjo histori, njërin nga bejlerët e Myzeqesë, Nedin Leskovikun.  

 

Fieri.Com / Nuri Plaku - Specialist i Muzeut Historik Fier

 

Shtoni ne: Add to your del.icio.us | Digg this story | technorati | Post to Myspace | Add to Facebook | Googlize this post! | Add to Windows Live | Add to Netvouz! | Save to Newsvine! | Bookmark with Onlywire | Reddit this | Add to Yahoo MyWeb | Spurl This! | Add to Linkatopia | Add to MyLinkVault | Add to Squidoo | Add to Searchles! |

Subscribe to comments feed Komente (0 postuar)

total: | displaying:

Shkruani nje koment

VINI RE! - Komentet e publikuara ne Fieri.com jane subjekt i ndryshimit edhe/ose fshirjes totale nese permbatja tyre cenon direkt apo indirekt figuren e autorit perkates se materialit te botuar. Gjithashtu cdo sharje, ofendim, fjalor vulgar apo edhe me teper, mund te sjell si pasoje edhe deri ne bllokim vizual te IP se kompjuterit tuaj per te vizituar faqet e Fieri.com!
  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Ju lutem shkruani kodin qe lexoni ne figuren e me poshteme:

Captcha
  • email Email nje shoku
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
Rate this article
0